Në çdo ditë pune, kryeqyteti zakonisht identifikohet me ngarkesë të madhe në trafik. Mirëpo fillimi i muajit maj erdhi ngjashëm sikurse ditët e vikendit.
Festat zyrtare në vend bënë që qyteti të pushonte.
Por jo të gjithë punonjësit e sektorit publik patën fatin e njëjtë.
Infermierët janë ata që punën e tyre prioritet e kanë edhe në kohë festash.
Havolli, i cili ka rreth 20 vjet që punon si infermier në Klinikën Infektive në QKUK, thotë se janë raste të shpeshta kur jo vetëm në festa zyrtare, por edhe ato private nuk mund të jetë pranë familjes.
E sidomos periudha e pandemisë ishte një arsye më shumë që pothuajse të gjithë infermierët punuan me orar më të zgjatur e nganjëherë edhe pa pushim.
Marrëdhënie të njëjtë me festa ka edhe Illda Beqiri, e cila e ushtron profesionin e infermieres tash e 18 vjet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në kryeqytet.
Ajo kënaqet me faktin se shumë pacientë e vlerësojnë lart punën e tyre.
Shton se të shpeshta janë rastet kur ata vijnë dhe kërkojnë shërbim nga ajo për shkak të raportit të mirë që ndan me pacientët.
Edhe pse viteve të fundit ka pasur ca ndryshime në pagë, e cila erdhi bashkë me Ligjin për Paga, megjithatë shumë infermierë ende nuk janë të kënaqur me pagesën që u bëhet. Ata po kërkojnë pagë shtesë edhe për orët shtesë gjatë të cilave shërbejnë me punën e tyre.