“Shumë kolonë serbë erdhën dhe u vendosën këtu, por megjithatë numri i shqiptarëve që emigruan ishte shumë më i madh krahasuar me numrin e kolonëve që okupuesit serbë i vendosën këtu”, shkruan Stefan Mlladenov pas ekspeditës më 1916. Për Podujevën ofron të dhëna se si u vendosën 200 familje serbe, e tokat e shqiptarëve bliheshin për dy dinarë. Raste si këto, sipas tij, për t’u dëshmuar “se sa të pamëshirshme ishin autoritetet serbe në raport me popullsinë vendore shqiptare. Disa prej shqiptarëve që i shitën tokat e tyre arritën të emigronin në Turqi, por një pjesë e tyre mbetën në qytetin e Prishtinës”
Stefan Mlladenov – që atëbotë ishte kryeshef i Drejtorisë Shtetërore të Statistikave, i angazhuar nga administrata ushtarako-politike bullgare në ekipin e hulumtuesve dhe ekspeditës trup e tërthor viseve shqiptare që nisi në gjysmën e parë të korrikut dhe zgjati deri në gjysmën e parë të shtatorit të vitit 1916 – e ka vazhduar rrugëtimin e tij drejt Ferizajt.
Në lidhje me vizitën e tij ai ka shkruar se “qyteti i ri i Ferizajt është bashkëmoshatar i kohës së ndërtimit të hekurudhës së Kosovës. Para Luftës së Parë Ballkanike, popullsia e qytetit arrinte në më tepër se 4000 banorë, gjysma e të cilëve ishin shqiptarë myslimanë. Gjatë regjimit serb rreth 200 shtëpi të shqiptarëve myslimanë të Ferizajt, emigruan në Turqi, mes tyre edhe themeluesi i qytetit, Feriz Beu, i cili sipas krerëve të tjerë shqiptarë nuk u pajtua kurrsesi që me qytetin e tij të sundonin serbët! Në të njëjtën kohë në Ferizaj si kolonë erdhën 50 - 60 shtëpi ortodoksë serbe, kryesisht nga ‘Serbia e Vjetër’, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina”.
“Tani qyteti i Ferizajt i numëron rreth 3000 banorë, prej të cilëve më shumë se 1/3 janë shqiptarë myslimanë, në vend të dytë janë serbët ortodoksë me rreth 900-950 banorë, pastaj vijnë 600 ciganë, rreth 140 vlleh dhe disa banorë hebrenj. Gjithashtu lëvizje ka pasur edhe midis popullsisë së rrethinës së Ferizajt dhe si në rastin e qytetit edhe këtu shqiptarët myslimanë emigruan drejt Turqisë. Shumë kolonë serbë erdhën dhe u vendosën këtu, por megjithatë numri i shqiptarëve që emigruan ishte shumë më i madh krahasuar me numrin e kolonëve që okupuesit serbë i vendosën këtu”, shkruan ai.
Podujeva etnikisht e pastër me shqiptarë
Gjendje pak më shpresëdhënëse, kryeshefi i Direkcionit Shtetëror të Statistikave të Bullgarisë, gjeti në krahinën e Podujevës, përkundër faktit që sipas tij “qeveria serbe veçanërisht ishte aktive në krahinën e Podujevës, ku nuk kishte fare popullatë serbe...Në krahinën e Podujevës u vendosën rreth 200 familje serbe dhe ata i kolonizuan tokat e shqiptarëve që para 30 – 40 vjetësh ishin dëbuar prej Kurshmlisë, Leskocit e gjetiu. Këta muhaxhirë të dikurshëm u detyruan t’i shisnin pronat e tyre bile edhe me çmim prej 2-5 dinarë dhe shumë rrallë me çmim 10 dinarë për një dynym tokë. (Një dynym tokë ishte saktësisht 913, 3 metra katrorë). Ndër të tjera, deputeti i Kuvendit popi Mina në fshatin Gllavnik të Qarkut të Podujevës bleu rreth 1500 dynymë tokë pjellore prej së cilës korri dhe eksportoi rreth 80000 kilogramë drithëra. Në Qarkun e Prishtinës, një tjetër deputet i kuvendit i quajtur Çorbiq, në emër të ministrit serb Pashiq, bleu tokat e dy fshatrave Babin Most dhe Nikshiq në komunën e Glloboderit, një orë në veriperëndim të Prishtinës, në sipërfaqe prej 7500 dynymëve, në të cilat hynin edhe 3500 dynymë kullota. Të gjithë këtë tokë ai e bleu vetëm për 40000 dinarë, bile edhe kjo shumë nuk u pagua e plotë, prandaj fshatarët shqiptarë mezi që arritën ta merrnin gjysmën e parave apo të pagesës. Ndërsa të ardhurat vjetore nga këto toka nuk do të jenë nën shumën e 50000 levave bullgare, pasi në kohën e Turqisë të dy këto fshatrat paguanin vetëm të dhjetën (12 dhe 1/2% taksë në natyrë nga bereqeti) në shumën prej 23000 groshëve. Në fakt ky rast mjafton për t’u dëshmuar se sa të pamëshirshme ishin autoritetet serbe në raport me popullsinë vendore shqiptare. Disa prej shqiptarëve që i shitën tokat e tyre arritën të emigronin në Turqi, por një pjesë e tyre mbetën në qytetin e Prishtinës. Kur trupat gjermane dhe bullgare arritën në Qarkun e Prishtinës, shqiptarët e mbetur në Prishtinë u kthyen në fshatrat e tyre dhe me dhunë i dëbuan familjet serbe – pronarët e rinj të ish-tokave të tyre! Të mbetura pa prona dhe pa çati, familjet serbe ikën te të afërmit e tyre në Kurshumli dhe gjetkë, por pas vendosjes së autoriteteve administrative bullgare në Prishtinë, këto familje u kthyen përsëri dhe përpiqeshin që të merrnin në zotërim pronat ‘e blera’ më parë! Në përgjithësi, antagonizmi mes shqiptarëve dhe serbëve këtu është shumë i madh. Por, kjo nuk është vetëm për shkak të dallimeve racore dhe fetare midis dy kombësive, por dimensionet dhe manifestimet e kësaj gjendjeje aktuale mund të shpjegohen vetëm nëse shkaqet e kësaj gjendjeje kërkohen gjatë kohës së sundimit të turqve. Në masë të madhe acarimi i marrëdhënieve armiqësore midis dy kombeve u shkaktua kryesisht nga marrëdhëniet e pushtetit serb në të kaluarën e afërt ndaj shqiptarëve, nga masat represive të çfarëdo natyre që ky pushtet zbatoi ndaj shqiptarëve për 3 vjet dhe me të cilat masa duhej të rrumbullakohej projekti i dëbimit të përgjithmonshëm të shqiptarëve prej vatrave të tyre”.
Shqiptarët u trajtuan si “serbë të besimit mysliman”
Më tej Mlladenov ka shkruar për sjelljet e okupuesit serb në vitet e para të largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani.
“Gjatë regjimit serb, shqiptarët në këto vende nuk e gëzonin të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, ata nuk kishin kurrfarë të drejte kombëtare, madje edhe fetare, ashtu siç bullgarët nuk i kishin në zonat bullgaro- maqedonase dhe për dallim prej bullgarëve, shqiptarët gjithandej u trajtuan si ‘serbë të besimit mysliman’. Por, ajo që më së shumti i acaroi shqiptarët kundër qeverisë serbe, ishte shtypja e paimagjinueshme ekonomike, së cilës ata iu nënshtruan. Pavarësisht vjedhjeve, plaçkitjeve, vrasjeve dhe torturave që çdo ditë zbatoheshin mbi popullatën shqiptare, taksat e vendosura nga serbët ishin të padurueshme. Në disa raste ato madje i kalonin edhe të ardhurat e pasurive nga të cilat ishin vjelë ato. Kështu, qytetari i pasur prishtinas Shukri Ramadani (i njohur si Shukri beu – S. L.) duhej të paguante 910 dinarë tatim për pronat e tij në Cërvenovodicë, kur të gjitha të ardhurat e tij prej tyre arrinin vetëm 660 dinarë! Një hoxhë nga fshati Janjevë, i cili mori nga toka e tij rreth 900 okë elb dhe misër, pagoi 500 dinarë taksa etj. Se çfarë ishte rrjepja e popullsisë shqiptare, përmes taksave të larta mund të gjykohet nga fakti se në vitin 1914, komuna e Prishtinës (qyteti me 4 fshatrat për rreth) duhej të paguante 400 000 dinarë taksë, kurse më parë qeveria turke nuk e merrte të dhjetën më shumë se 35 – 40 000 leva. Madje ka pasur raste, si ai me Hysen Efendinë, përfaqësuesin e pronarit të madh Fuad Pashës, i cili ia ka paraqitur kërkesën qeverisë serbe që në vend të taksave qeveria t’i marrë bereqetet nga tokat në kundërvlerë të tatimeve me të cilat ai ishte ngarkuar”.
Kufiri austriako – bullgar në rrethinat e Prizrenit
Kryeshefi i Direkcionit Shtetëror të Statistikave të Bullgarisë, Stefan Mlladenov, hulumtimin e tij e ka vazhduar në Qarkun e Prizrenit. Më tej ai ka shkruar se “sipas ndarjes administrative që serbët e zbatuan në rajonet e okupuara shqiptare pas luftës në vitin 1912, Qarku i Prizrenit përbëhej nga rrethi i Gorës (Vranishtës), Nëngorës (Suharekës), Nëndrinit (Rahovecit) dhe ai i Malit të Sharrit (Prizrenit). Prej këtij territori të Qarkut, që në perëndim kufizohej me shtratin e lumit të Drinit të Bardhë deri në pikëtakimin e këtij të fundit me Drinin e Zi, sipas marrëveshjes së arritur në fillim të vitit (1916) ndërmjet selisë së shtabeve të ushtrive aleate të cilat “i çliruan” këto zona nga sundimi serb, pjesa më e madhe ajo veriore, “iu dorëzua” Bullgarisë, ndërsa pjesa e mbetur jugore, kaloi në territorin e pushtuar nga ushtria austro-hungareze. Vija e re kufitare e vendosi nën kontrollin e trupave austro-hungareze tërë rrethin administrativ të Gorës (Vranishtës) dhe dy komuna të Qarkut të Prizrenit. Rrjedhimisht, territori i tre rretheve të mbetura administrative, dhe dy komunat nga rrethi i Prizrenit, kaluan nën administrimin bullgar. Në përbërjen e re të Qarkut të Prizrenit, vija kufitare fillon nga verilindja përgjatë kreshtës së malit të Deviqit, si vazhdimësi e vijës kufitare veriore për Qarkun e Prishtinës, shkon në drejtim të grykëderdhjes së lumit Rakosh në Klinë. Prej andej vija kufitare e ndjek rrjedhën e këtij lumi deri në grykëderdhjen e lumit të Drinit në Prizren, duke kaluar drejtpërdrejt në perëndim të qytetit të Prizrenit, ndërsa prej këtu vija del nga kufiri i vjetër i Qarkut për të ndarë në jug zonën e mbetur në zotërimin e trupave pushtuese austro-hungareze nga territori i vjetër i Qarkut dhe merr drejtim juglindor për në majën 914, në jug të fshatit Bitushë, për të vazhduar më tej përgjatë kreshtës së malit Tsvilen dhe majave të Sharrit, më pastaj vija kufitare arrin në fshatin Çaushiq dhe këtu vija takohet me kufirin midis qarqeve të Prishtinës dhe Tetovës. Sipas ndarjes administrative serbe, Qarku i Prizrenit përfshinte gjithsej 259 vendbanime, të shpërndara ndërmjet 62 komunave urbane dhe rurale, në rrethe të veçanta si në vijim: Rrethi i (Gorës) Vranishtes përbëhet prej 1 qyteti, 19 komunave dhe 51 fshatrave, rrethi i Suharekës – 10 komuna me 38 fshatra dhe 4 mëhallë, rrethi i Rahovecit – 1 qytet, 16 komuna, 88 fshatra dhe 19 mëhallë dhe rrethi i Prizrenit – 1 qytet, 17 komuna, 51 fshatra dhe 5 mëhallë. Në pjesën e territorit që është nën kontrollin e trupave tona, ndarja e vjetër administrative serbe është ruajtur pa ndonjë ndryshim thelbësor. Vetëm qyteti i Prizrenit është ndarë nga rrethi i Prizrenit (rural) duke u vendosur në një rreth të pavarur administrativ urban dhe i tërë Qarku i Prizrenit tani përbëhet prej 4 rretheve, 41 komunave dhe 190 vendbanimeve. Rrethi më i madh me sipërfaqe është ai i Rahovecit, i cili pothuajse e përfshin gjysmën e territorit të të gjithë Qarkut. Prej të gjitha komunave, vetëm dy konsiderohen urbane – ajo e Prizrenit dhe e Rahovecit. Do të përmend këtu kalimthi se kah fundi i shtatorit (1916), kur udhëtova në këto vende, në rrethin e Prizrenit administrata nuk ishte vendosur akoma, ashtu siç nuk kishte vendosur as në rrethin e Prishtinës dhe mungesa e organizmit të administratës veçanërisht vërehej nëpër fshatra. Në të njëjtën kohë, këtu ekziston i njëjti antagonizëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, për të cilin kam folur më hollësisht në shënimet e mia për Qarkun e Prishtinës”, shkruan Mlladenov.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë. Sa banorë i kishte Prizreni dhe përse emigruan turqit? Kush ishin serbët vendës dhe si dalloheshin nga serbët e ardhur? Për shqiptarët e krahinës së Shkupit “që nuk dinë turqisht por thonë se janë turq”