Kur të vdes
Kur arkivoli im
të nxirret jashtë
kurrë mos mendo
se më mungon kjo botë
Mos derdh lot
mos vajto
mos ndiej keqardhje
nuk jam duke rënë
në humnerën e përbindëshit
Kur të ma shohësh
kufomën duke u bartur
mos qaj për largimin tim
nuk po largohem
po arrij në dashurinë e përjetshme
Kur të më lësh
në varr
mos thuaj lamtumirë
kujtoje se varri
është vetëm një perde
për parajsën përmbas
Do të më shohësh veç
duke zbritur në varr
më shiko edhe duke u ngritur
si mund të ketë fund
kur dielli perëndon ose
kur hëna largohet
Duket si përfundim
i ngjan perëndimit
por në realitet është agim
kur të ndryhesh në varr
shpirti atëherë çlirohet
A ke parë ndonjëherë
që fara e rënë në tokë
të mos ngrihet me jetë të re
pse duhet ta dyshosh ngritjen
e farës së quajtur njeri
A ke parë ndonjëherë
që kova e zbritur në bunar
të kthehet bosh
pse të vajohet shpirti
kur ai mund të rikthehet
si Jusufi prej bunarit
Kur për herë të fundit
ta mbyllësh gojën
fjalët tua dhe shpirti yt
do t’i përkasin një bote
pa vend dhe pa kohë
Është një fushë
Përtej ideve të keqbërjes
Dhe mirëbërjes është një fushë.
Do të të takoj atje.
Kur shpirti të shtrihet në atë bar
Për të cilin bota është shumë e zënë të flasë.
Vdiqa si mineral
Vdiqa si mineral, iu bashkova mbretërisë së bimëve
Vdiqa si bimë, iu bashkova kafshërores,
Vdiqa si kafshë dhe hyra në mbretërinë njerëzore
Pse të frikësohem, pra? Kur më ka bërë vdekja më të paktë?
Tash do të vdes si formë njerëzore
Për të mbirë kokën dhe krahët e engjëllit
Pastaj nga engjëllorja do të fishkem
Sepse Çdo gjë është e vdekshme, përveç manifestimit të Tij.
Dhe kur të sakrifikohem nga forma engjëllore
Do të jem çfarë imagjinata s’e përmban dot.
Prandaj, më lini të jem çapkën! Çapkënëria, si organoja,
ia thotë këngës: “Sigurisht, tek Ai do të kthehemi”.
Dijeni që vdekja – siç pajtohet ymeti -
i ngjan burimit të jetës fshehur në errësirë.
Frika nga vetvetja
Vdekja e gjithkujt është e të njëjtës cilësi me të:
për armikun e Zotit - armike
për mikun e Zotit - mike.
Frika jote prej vdekjes duke ikur prej saj
vërtet është frika që ke nga vetvetja.
Bëhu i vëmendshëm, i dashur shpirt!
Mewlana Jalal al-Din Rumi (1207 – 1273)
* * *
Vëllezër, paqja ime është në vetminë time
Vëllezër, paqja ime është në vetminë time.
Atje i Afshmi im është i vetëm me mua, gjithmonë.
Në asnjë botë nuk kam gjetur asgjë
Që do të mund ta barazonte dashurinë e Tij,
Këtë dashuri që i lëvron rërat e shkretëtirës sime.
Nëse vdekja do të më vinte nga dëshira e zjarrtë
Dhe i Afshmi im ende do të mbetej i pakënaqur,
Do të jetoja në dëshpërim të amshueshëm.
Të braktis gjithçka që ka krijuar Ai
Dhe ta mbaj në shuplakë të dorës
Një dëshmi të padyshimtë se Ai më do -
Kështu quhet dhe këtë qëllim ka kërkimi im.
Vdis para se të vdesësh
Ironikisht, një ndër veprimet më të ndiera
të trupit tonë është
vdekja.
Aq e bukur m’u duk vdekja – duke e kuptuar se kë do ta puthja atëherë,
vdiqa njëmijë herë para se të vdisja.
“Vdis para se të vdesësh”, tha Profeti
Muhamed.
Krahët e frikësuar a e kanë prekur
ndonjëherë diellin?
U linda atëherë kur munda të doja
gjithë çfarë dikur i frikësohesha.
Rabiʼa al-ʼAdawiyya (Rabia e Basrës), (713 – 801)
* * *
Në mesin e natës
Në mesin e natës sufisti nisi të dëneste.
Ai tha: “Kjo botë është si arkivol i mbyllur, në të cilin
Jemi të kyçur dhe ku, me padijen tonë,
I kalojmë jetët me budallallëk dhe të shkretë.
Kur Vdekja vjen për ta hapur kapakun e arkivolit,
Çdokush që ka krahë do të fluturojë drejt Përjetësisë
Por, kush nuk ka do të mbetet mbyllur në arkivol.
Prandaj, miq të mi, para se kapaku i këtij arkivoli të ngrihet,
Bëni gjithçka që mundeni për t’u bërë një zog i Udhës së Zotit,
Bëni gjithçka që mundeni për t’i rritur krahët dhe puplat”.
Përderisa të mos i vdesim vetes,
dhe gjersa të identifikohemi me dikë ose me diçka,
kurrë s’do të jemi të lirë.
Shpirtërorja nuk është për të mbështjellurit me jetë të jashtme.
Orvatu ta zbulosh misterin para se të të merret jeta.
Nëse derisa je gjallë nuk arrin ta gjesh vetveten, ta njohësh vetveten,
si do të mund të jesh në gjendje ta kuptosh
fshehtësinë e ekzistencës tënde kur të vdesësh?
Farid ud-Din Attar (Attari i Nishapurit), (1145 – 1221)
* * *
Vdekja është kthesa e udhës
Vdekja është kthesa e udhës,
Të vdesësh është veç të mos shihesh.
Nëse vë vesh, i dëgjoj hapat e tu
Që ekzistojnë siç ekzistoj.
Toka është e bërë nga qielli.
Të pavërtetat nuk kanë fole.
Askush asnjëherë s’është humbur.
Gjithçka është e vërtetë dhe shteg.
Fernando Pessoa (1888 – 1935)
* * *
Kohë kaluese
Lëkura jote si agim
E imja si myshk
Njëra e pikturon fillimin
e fundit të sigurt.
Tjetra fundin e
e fillimit të pashmangshëm.
Maya Angelou (1928 – 2014)
* * *
“Ndonjëherë themi që diçka mund ta mbijetojë njeriun pas vdekjes së tij nëse ai ka qenë artist dhe ka përjetuar dhembje për veprën e vet. Mbase është mënyra e njëjtë si kur një pjesë e shkëputur nga personi dhe e shartuar në zemrën e tjetrit vazhdon ta mbajë ekzistencën edhe atëherë kur personi prej të cilit është ndarë të ketë vdekur”.
“Në kërkim të kohës së humbur”, Marcel Proust (1871–1922)
“Dashuria e pengon vdekjen. Dashuria është jetë. Gjithçka, çdo gjë që kuptoj, kuptoj vetëm shkaku i dashurisë. Gjithçka është, gjithçka ekziston, vetëm sepse kam dashuri. Gjithçka bashkohet vetëm për arsye të saj. Dashuria është Zot, ndërsa vdekja ime domethënë që unë, një thërrmijë dashurie, do të kthehem në burimin e përgjithshëm dhe të përjetshëm”.
“Lufta dhe Paqja”, Lev Tolstoj (1828 – 1910)
Përzgjodhi dhe përktheu: Artan Muhaxhiri