Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Tri vrojtime për peshqit e Blerta Surroit

Peshku, si simbol, por edhe si metaforë, në veprat e Blerta Syla-Surroit (Foto: Driton Paçarada)

Peshku, si simbol, por edhe si metaforë, në veprat e Blerta Syla-Surroit, prej vitesh e shpreh ankthin e një populli të kapluar nga harresa. Kujtesa jonë i afrohet gjithnjë e më shumë asaj të peshkut. Edhe pas tragjedive më të mëdha, neve nuk na duhet shumë kohë për të harruar çfarë na ka ndodhur...

Foto: Driton Paçarada

Peshku, si simbol, por edhe si metaforë, në veprat e Blertës prej vitesh e shpreh ankthin e një populli të kapluar nga harresa. Kujtesa jonë i afrohet gjithnjë e më shumë asaj të peshkut. Edhe pas tragjedive më të mëdha, neve nuk na duhet shumë kohë për të harruar çfarë na ka ndodhur...

Në ujërat e harresës

Në qeramikën e ngjyrosur të Blerta Syla-Surroit, peshqit nuk janë thjesht forma biologjike, por trupa të veshur me kujtesë dhe kuptime të përftuara, që i shfaqin si qenie dhe si simbole ujore. Ata ngjajnë me silueta, që lëvizin në ujërat e pavetëdijes kolektive, duke përçuar – në vend të lëkurës natyrore – kode ornamentale dhe struktura gjeometrike të trashëguara nga tradita shqiptare, me të cilat artistja i vesh figurat e saj.

Peshku nuk është më vetëm simbol ujor: ai mund të shihet si një aktor i veshur me petkun e një figure të lashtë – njësoj si qilimat, që dikur e mbulonin kashtën mbi tokën e shtëpive të varfra – një trup-peshk, që e mbart mbi vete kostumin e një shoqërie në dementi historike, që vazhdimisht harron çfarë i ka ndodhur në të kaluarën dhe sërish kafshon në grepin e njëjtë, për të përfunduar në tryezën e peshkatarëve.

Peshku, si simbol, por edhe si metaforë, në veprat e Blertës prej vitesh e shpreh ankthin e një populli të kapluar nga harresa. Kujtesa jonë i afrohet gjithnjë e më shumë asaj të peshkut. Edhe pas tragjedive më të mëdha, neve nuk na duhet shumë kohë për të harruar çfarë na ka ndodhur...

Qeramikat e Blerta Syla-Surroit duken si vazo dy-dimensionale, të zbuluara në ndonjë gërmim të pavetëdijes – të nxjerra nga shtresat arkeologjike të një shpirti të heshtur, i cili vetëm përmes artit guxon ta tregojë sekretin e vet

Proto-njeriu në barkun e baltës

Edhe “Drita e heshtjes” përjetëson çastin si akt monumental Kulturë “Drita e heshtjes” përjetëson çastin si akt monumental

Qeramikat e Blerta Syla-Surroit duken si vazo dy-dimensionale, të zbuluara në ndonjë gërmim të pavetëdijes – të nxjerra nga shtresat arkeologjike të një shpirti të heshtur, i cili vetëm përmes artit guxon ta tregojë sekretin e vet. Ato duken të rrafshëta, por janë të thella. Duken si objekte, por janë edhe shenja, që na ftojnë të ndiejmë dhe të reflektojmë mbi kuptimet e tyre të fshehura.
Vazot në veprat e Blertës janë si pemë të përmbysura – të mbushura me fryte misterioze parajse, që nuk varen në degë në pritje të një dore kureshtare që do t’i këpusë. Ato shfaqen në një gjendje ngërçi; disa prej tyre mbajnë fryte ende të palindura, por që kanë marrë trajtë jete në formën e një peshku – i cili nuk është vetëm simbol i jetës, por edhe një fetus i heshtur, që noton në parajsën amnionale të nënës, prej ku shumë shpejt do të dëbohet dhunshëm, sapo të rritet dhe të bëhet i gatshëm për jetën tjetër. Njësoj siç u dëbuan Adami dhe Eva nga parajsa.

Foto nga hapja e ekspozitës “Tokë e trajtuar me dashuri” të Blerta Syla-Surroit në “Vilën 1925”, në Prishtinë, më 12 qershor 2025 (Foto: Driton Paçarada)

Dhe, kjo përsëritet sa herë që dhuna na shkëput nga toka, nga kultura, nga vetvetja.

Peshku në qeramikat e Blertës nuk është vetëm formë jete: ai është forma që merr “mëkati” para se të bëhet njeri. Peshku në veprat e saj është proto-njeriu i rrëzuar – një jetë me mal dëshirash të paplotësuara, por, gjithashtu, një trup që kurrë nuk e njeh, as nuk e ndien barrën e mëkatit. Sepse ai mëkat, apo ajo histori, për të asnjëherë nuk ka ndodhur me fajin e tij…

Ndëshkimi dhe dhimbja përballohen në heshtje të përjetshme, në barkun e baltës, në nëntokën së cilës asnjëherë nuk i jemi qasur me dashuri të mjaftueshme.

Çdo krijesë-peshk në veprat e Blertës është një Adam i pashndërruar, një Evë pa fjalë – një dëshmi e asaj që ishim, para se të ndëshkoheshim për të qenë ata që jemi sot.

Kur bukuria e zëvendëson mëkatin

Edhe “Tokë e trajtuar me dashuri” çliron ngjyrat e jetës dhe paqes Kulturë “Tokë e trajtuar me dashuri” çliron ngjyrat e jetës dhe paqes

Ngjyrat në peshqit e Blertës e kanë një qëllim të vetëm: ta zhvendosin vëmendjen nga epshorja te estetika – nga trupi që tundon, te forma e bukur që mahnit. Aty ku më parë ishte e ndaluar të shikohej, tani është e pamundur të mos shikohet.

Forma erotike e trupit të peshkut, e mbuluar me ngjyra të thyera dhe të rindërtuara në kujtesë, si forma gjeometrike, e kthen epshoren në një shpërthim të bukurisë.

Ngjyrat nuk janë aty për ta ftuar njeriun në një mbretëri tjetër, ku nuk ekzistojnë ndalesat – si ajo nga e cila vazhdojmë të dëbohemi. Blerta na fton në një konvertim të ri: në një botë arti, ku përmes bukurisë – brenda së cilës qëndron e qetë dhe e mbrojtur vetë epshorja – një peshk i bukur nuk do të përfundonte në tryezën e asnjë peshkatari.

Në një botë të estetizuar mjafton bukuria. Brenda saj mund të jetojë e qetë gjithçka.

“Të gjitha artet janë të padobishme” – thoshte dikur Oscar Wilde.

Edhe “Futurama” me njeriun që rri pezull përballë misterit të së ardhmes Kulturë “Futurama” me njeriun që rri pezull përballë misterit të së ardhmes

Kjo është mbretëria e formave dhe e ngjyrave. Jo e ligjit, por e dritës. Jo e ndalimit, por e përkryerjes vizuale, që na lejon të jemi të lumtur – pa frikën se do të ndëshkohemi për veprimet tona në kërkim të lumturisë.

Ndoshta pikërisht aty qëndron shpëtimi ynë – të shkojmë përtej mëkatit, përtej moralit, përtej simbolit – në një estetikë, që nuk kërkon asgjë, veç pranisë.