Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Tri monedha, një punëtori dhe e kaluara e rajonit dardan

Monedha Gordianit III e gjetur në Pejë, ajo në Dobrushë dhe tjetra në Dresnik, bashkë me thesarin nga fshati Izvore afër Mitrovicës dhe thesaret e tjera simotra të gjetura anembanë Mezisë së Epërme, janë dokumente të rëndësishme numizmatike dhe dëshmi historike lidhur me prerjet provinciale të monedhave romake dhe me ngjarjet e tjera historike të mesit të shekullit III të erës sonë në këtë provincë, respektivisht të kohës së periudhës së lulëzimit të kësaj province, bërthamën e së cilës e përbënte territori i banuar me dardanë

Cilësitë dhe rëndësia e monedhave

Në bazë të materialit prej të cilit janë të punuara, të peshës dhe të cilësive të tjera që i kanë, monedha e Gordianit III e gjetur në Pejë, ajo e gjetur në Dobrushë dhe tjetra në Dresnik, është e qartë që kemi të bëjmë me tre sestercë (sestertium) romakë dhe se këto monedha hyjnë në grupin e të ashtuquajturave monedha të mëdha prej bronzi (“big bronze,” sipas tipologjisë, me 16 gramë e më shumë peshë dhe me vlerë prej 2 asa e gjysmë), të cilat i përkasin të ashtuquajturit “emetim provincial” apo prerjeve provinciale (colonial and provincial coi­nage) të punuara në punëtorinë monedhaprerëse në Viminacium.

Llojet e tjera të monedhave që farkoheshin në Viminacium ishin monedhat e mesme prej bronzi (dupondius, me peshë prej 7 deri në 3 gramë), dhe monedhat e vogla prej bronzi (të quajtura as, me peshë 4 deri në 3,5 gramë) por sipas nevojës edhe antoninianët. Edhe pse për nga materiali, veçoritë stilistike, numri i ekzemplarëve, gjendja në të cilën janë ruajtur dhe elementet e tjera relevante, monedhat në fjalë nuk kanë ndonjë vlerë të madhe materiale numizmatike, ato megjithatë, sjellin mjaft të dhëna inte­resante lidhur me të kaluarën e rajonit ku janë gjetur.

Punëtoria monedhaprerëse ku janë prerë monedhat

Veçanti e përbashkët e të tria këtyre monedhave është mbishkrimi i shënuar me shkurtesa: PMS COL VIM rreth paraqitjeve figurale në revers, i cili zbërthehet si: Provinciae Moesiae Superioris Co­lonia Viminacium, që do të thotë: Kolonia Viminacium e Provincës Mezia Superior, ndërsa në pjesën e poshtme të ndarë të monedhës janë shënimet AN IIII (anno quarto, në monedhën nga Peja), AN VI (anno sexto, në monedhën nga Dobrusha) dhe AN XI (anno undecimo, në monedhën nga Dresniku), që tregojnë vitet që nga fillimi i punës së punëtorisë mo­ne­dhaprerëse në Viminacium dhe në bazë të tyre, monedha e gjetur në Pejë datohet në vitin 242/243, ajo e Dobrushës në vitin 244/245 dhe ajo nga Dresniku në vitin 249/250 të erës sonë.

Viminaciumi është lokalitet antik në bregun e djathtë të Danubit (12 kilometra larg nga Kostollci i sotëm) i cili, pas pushtimit romak të Mbretërisë Dardane dhe trojeve të fiseve të tjera mes Dardanisë e Danubit në fillim të shekullit I të erës sonë, ishte bërë pjesë e provincës romake Moesia (Mezia) dhe pas ndarjes së saj në vitin 86 të erës sonë ishte shndërruar në kryeqendër të provincës së re Moesia Superior (pjesën dërmuese të së cilës e përfshinte territori i banuar me dardanë).

Për shkak të kufirit, me qëllim të mbrojtjes së Perandorisë Romake nga fiset barbare përtej Danubit, në këtë lokalitet pas pushtimit romak ishte vendosur një kamp i madh ushtarak ku kishin qëndruar disa legjione, nga të cilët Legio VII Claudia Pia Fidelis kishte qëndruar nga shekulli I të erës sonë dhe bashkë me Legio IV Flavia Felix kishin qenë ekuipazh i përhershëm ushtarak i Mezisë së Epërme deri në fund të antikitetit.

Viminaciumi – kryeqendër administrative, politike, ekonomike e ushtarake e Mezisë së Epërme

Qyteti Viminacium ishte krijuar në kohën kur romakët i kishin pushtuar dardanët, skordiskët, tribalët e fiset e tjera në veri nga Maqedonia dhe kishin arritur në brigje të Danubit gjatë dekadave të para të shekullit I të erës sonë (në vitin 20 ose 44) duke e vendosur ushtrinë këtu. Asokohe në këtë territor buzë Danubit kishte jetuar fisi kelt i skordiskëve i përzier me thrakas.

Rëndësi të madhe lidhur me vendin e krijimit të këtij qyteti ka pasur pozita strategjike e tij në udhëkryqin e rrugëve të cilat lidhnin pjesën veriore të Ballkanit me pjesët e tjera të Perandorisë Romake, meqë njëra nga rrugët kalonte nëpër tërë territorin e Mezisë së Epërme në drejtim të Maqedonisë e Greqisë, ndërsa rruga tjetër nga Panonia shpinte buzë Danubit deri në brigjet e Detit të Zi. Edhe pse këto rrugë i kishte ndërtuar ushtria për nevoja të veta dhe në rend të parë kishin pasur funksion strategjik e ushtarak, megjithatë, përmes këtyre rrugëve ishte zhvilluar qarkullimi i dendur i njerëzve dhe transporti i mallrave dhe falë këtij fakti, Viminaciumi ishte shndërruar jo vetëm në pikë strategjike e ushtarake ku tubohej ushtria për nisje në fushata luftarake, por edhe në një qendër të madhe prodhuese e tregtare duke pasur parasysh që rrethina e tij ishte e pasur me xehe dhe e përshtatshme për kultivim të drithërave, për çka kjo pjesë e Mezisë njihej edhe si Moesia Cerrina (Cerreris horreum) apo hambar i hyjneshës romake të bujqësisë e pjellorisë e pllenimit Cerera.

Sipas të dhënave, Viminaciumi gjatë shekujve të parë të erës sonë ka qenë qendër politike, administrative e ushtarake dhe i kishte pasur rreth 30.000 banorë që do të thotë se asokohe kishte qenë më i madh se Pompei i famshëm në Itali, dhe shtrihej në sipërfaqe mbi 450 hektarësh, nga të cilët deri më tash janë hulumtuar vetëm 3-4 për qind të kësaj sipërfaqeje. Rëndësinë e këtij lokaliteti e dëshmon fakti se këtu janë gjetur rreth 14.000 varre me mbi 30.000 artefakte brenda tyre dhe për këtë arsye, ky lokalitet njihet si varreza më e madhe e njohur e periudhës romake në botë.

Gjatë kohës së sundimit të perandorit Hadrian (CAESAR TRAIANVS HADRIANVS AVGVSTVS, 117-138), i njohur me em­rin Publius Aelius Hadrianus, në vitin 117 të erës sonë Viminaciumi është ngritur në rang të muncipiumit romak (Municipium Aelium Hadrianum), ndërsa në gjysmën e parë të shekullit II të erës sonë u bë kryeqendër dhe seli e guvernatorit të provincës Mezia e Epërme.

Në kohën e sundimit të perandorit Gordiani III (238-244) Viminaciumi ishte ngritur në rang të kolonisë – Colonia Viminacium (qytet me të drejta të plota romake) dhe sipas gjasave, po në këtë kohë edhe e kishte fituar edhe të drejtën e prerjes së monedhave prej bakri dhe prej bronzi (por jo edhe të drejtën e prerjes së monedhave prej ari dhe argjendi).Në fakt pos kësaj punëtorie me karakter provincial, që nga koha e perandorit Trajan Deci, respektivisht gjatë periudhës mes viteve 244-257 të erës sonë në Viminacium kishte vepruar edhe një punëtori tjetër monedhaprerëse perandorake, në të cilën janë prerë kohë pas kohe, sipas nevojës, monedhat prej metaleve të çmueshme për nevoja të financimit të fushatave ushtarake në Danub. Në bazë të fak­te­ve numizmatike, prerja dhe emetimi i monedhave prej bakri dhe bronzi në Vimina­cium, me legjendën PMS COL VIM të shkruar në reversë të monedhave, kishte vazhduar gjatë sun­dimit të 14 perandorëve dhe familjarëve të tyre, duke filluar prej Gordianit III e deri te perandorët Galien dhe Valeriani I (253-260).

Sipas shkrimeve të autorit antik, Prisk, Viminaciumi ishte shkatërruar nga sulmet e hunëve në vitin 441, ndërsa në bazë të gjetjeve të thesareve të monedhave të fshehura në raste rreziqesh, në të cilët janë gjetur monedhat e perandorit Theodosi II (408-450), shkatërrimi i kësaj qendre të rëndësishme duket se kishte ndodhur disa vjet më vonë, respektivisht në vitin 443 të erës sonë.

Krizat që kishin përfshirë Perandorinë Romake në fillim të shekullit III, të cilat ishin shfaqur si pasojë e anarkisë politike, e fuqizimit të tepruar të ushtrisë dhe e keqpërdorimit të kësaj fuqie, kishin vazhduar deri në çerekun e tretë të shekullit III të erës sonë, kur me perandorët Trajan Deci (249-251) dhe Aurelian (270-275) kishte filluar periudha e ashtuquajtur e “peri­udhë e sundimit të perandorëve ilirë”, e cila kishte vazhduar me perandorët Mark Aurel Probin, Mark Aurel Karin, kishte vazhduar deri te Diokleciani, i cili e kishte reformuar Perandorinë Romake, dhe duke e shpallur veten Iovius - i biri i kryehyjit romak Jupiter (duke u vënë kështu nën mbrojtjen e tij, i kishte dhënë fund fenomenit të vrasjeve të perandorëve nga ana e ushtarëve të tyre) dhe kishte përfunduar me perandorin Konstantini i Madh.

Koha e prerjes së monedhave

Në bazë të shënimeve nëpër reverse të monedhave pa problem dëshmohet koha e prerjes së monedhave që është mesi i shekullit III, që korrespondon me kohën e artë gjatë së cilës në provincën Moesia Superior ishin prerë monedhat ne punëtorinë monedhaprerëse të kryeqendrës së saj Viminacium (239-255 të erës sonë) me simbole karakteristike për këtë provincë, ndërsa pesha e monedhave tregon një stabilitet monetar të kohës së sundimit të perandorëve Gordiani III, Filipi Arab dhe Trajan Deci, meqë në kohën e perandorit Trebonian Gali (CAIVS VIBIVS TREBONIANUS GALLVS, 251-253) pesha e monedhave të këtilla kishte filluar të bjerë deri në 6,70 gramë.

Thesari i monedhave nga lokaliteti Izvore afër Mitrovicës

Po nga kjo periudhë kohore është thesari (depo monedhash zakonisht qëllimisht e fshehur, zakonisht në ndonjë enë prej argjile apo prej metali në rast të ndonjë rreziku) i monedhave i gjetur në vitin 2004 në lokalitetin Izvore mes Mitrovicës dhe Zubin Potokut i përbërë nga 28 monedha prej bronzi të prera në kohën e sundimit të perandorëve: Gordiani III, Filipi Arab, Filipi II, Trajan Deci, Etruscila, Kvinti, Trebonian Gali e Volusiani, 26 nga të cilat në avers bartin portretet e perandorëve të përmendur, ndërsa në revers bartin legjendën PMS COL VIM dhe kanë paraqitjen e figurës së femrës e cila personifikim Mezinë e Epërme të rrethuar me paraqitje figurale të një demi dhe një luani. Dy monedha të tjera në revers kanë mbishkrimin: PROVINCIA DACIA, por ka gjasa që të gjitha këto monedha ishin prerë në punëtorinë monedhaprerëse provinciale të Viminaciumit.

Përndryshe në territorin e Mezisë së Epërme janë gjetur gjithsej 16 thesare të fshehura me monedha të këtilla të prera në Viminacium mes viteve 252/253 të erës sonë, për të cilët supozohet që ishin të fshehura për shkak të rrezikut gjatë luftës qytetare që zhvillohej asokohe ose edhe nga rreziku nga sulmet e fiseve barbare.

Monedha e perandorit romak Gordiani III e gjetur rishtas në Pejë, së bashku me dy monedhat e gjetura më herët në këtë rajon dhe me thesarin nga fshati Izvore afër Mitrovicës dhe thesaret e tjera simotra të gjetura anembanë Mezisë së Epërme janë dokumente të rëndësishme numizmatike dhe dëshmi historike lidhur me prerjet provinciale të monedhave romake dhe me ngjarjet e tjera historike të mesit të shekullit III të erës sonë në këtë provincë, respektivisht të kohës së periudhës së lulëzimit të kësaj province, bërthamën e së cilës e përbënte territori i banuar me dardanë e njëkohësisht edhe lidhur me të kaluarën e regjionit ku janë gjetur monedhat por edhe për krijimin e një pasqyre lidhur me Perandorinë Romake në përgjithësi në mo­mente të caktuara historike të kohës kur ishin prerë dhe kishin qenë në qarkullim.

 

Artikuj të ngjashëm