Kulturë

Zbulimi i kampit të rëndësishëm ushtarak romak

Gjatë vitit 2020 në përgjithësi ka pasur pak gjetje të mëdha arkeologjike për shkak të situatës së krijuar në mbarë botën si pasojë e pandemisë, mirëpo, megjithatë, janë bërë disa zbulime arkeologjike të rëndësishme në rajon, qoftë të rastësishme me rastin e punimeve të ndryshme ndërtimore apo infrastrukturore apo edhe gjatë gërmimeve sistematike

Në fund të vitit që shkoi, në Naissusin dardan, respektivisht në lagjen Pantelej të Nishit të sotëm, me rastin e punimeve ndërtimore janë gjetur mbetjet e rrjetit bukur të gjerë të ujësjellësit të dyfishtë antik, i cili e kishte furnizuar me ujë këtë qendër dardane (ujësjellësi më i vjetër me gypa prej argjile) edhe gjatë periudhës romake (ujësjellësi i murosur me gurë e tjegulla dhe i suvatuar me llaç hidrostatik) deri në shekullin V të erës sonë. Edhe pse ishte zbulim rasti, për shkak të rëndësisë së këtij zbulimi gërmimet arkeologjike do të vazhdojnë.

Zbulimet në kryeqendrën e Mezisë së Epërme

Zbulime interesante janë bërë gjatë vitit kaluar edhe në qendrën e rëndësishme antike – Viminacium.

Viminaciumi është lokalitet antik në breg të djathtë të Danubit (12 kilometra larg nga Kostollci i sotëm) i cili, pas pushtimit romak të Mbretërisë Dardane dhe trojeve të fiseve të tjera mes Dardanisë e Danubit në fillim të shekullit I të erës sonë, ishte bërë pjesë e provincës romake Moesia (Mezia) dhe pas ndarjes së saj në vitin 86 të erës sonë ishte shndërruar në kryeqendër të provincës së re Moesia Superior (bërthamë e së cilës ishte territori i banuar me dardanë).

Për shkak të kufirit, me qëllim të mbrojtjes së Perandorisë Romake nga fiset barbare përtej Danubit, në këtë lokalitet pas pushtimit romak ishte vendosur kampi i madh ushtarak ku kishin qëndruar disa legjione, ndër të cilat për një kohë të gjatë ishin të vendosura Legio VII Claudia Pia Fidelis dhe Legio IV Flavia Felix.

Qyteti Viminacium ishte krijuar në kohën kur romakët i kishin pushtuar dardanët, skordiskët, tribalët e fiset në veri nga Maqedonia dhe kishin arritur në brigje të Danubit gjatë dekadave të para të shekullit I të erës sonë (në vitin 20 ose 44) duke e vendosur ushtrinë këtu. Asokohe në këtë territor buzë Danubit kishte jetuar fisi kelt i skordiskëve i përzier me trakas.

Rëndësi të madhe lidhur me vendin e krijimit të këtij qyteti ka pasur pozita strategjike e tij në udhëkryqin e rrugëve të cilat lidhnin pjesën veriore të Ballkanit me pjesët e tjera të Perandorisë Romake, meqë njëra nga rrugët kalonte nëpër tërë territorin e Mezisë së Epërme në drejtim të Maqedonisë e Greqisë, ndërsa rruga tjetër nga Panonia shpinte buzë Danubit deri në brigjet e Detit të Zi. Edhe pse këto rrugë në rend të parë kishin pasur funksion strategjik e ushtarak, megjithatë përmes këtyre rrugëve ishte zhvilluar qarkullim i dendur i njerëzve dhe i mallrave dhe falë këtij fakti Viminaciumi ishte shndërruar jo vetëm në pikë strategjike e ushtarake ku tubohej ushtria për fushata luftarake, por edhe në qendër prodhuese e tregtare, duke pasur parasysh që rrethina e tij ishte e pasur me xehe dhe e përshtatshme për kultivim të drithërave, për çka kjo pjesë e Mezisë njihej edhe si Moesia Cerrina (Cerreris horreum) apo hambar i hyjneshës romake të bujqësisë e pjellorisë e pllenimit Cerera.

Sipas të dhënave, Viminaciumi gjatë shekujve të parë të erës sonë ka qenë qendër politike, administrative e ushtarake dhe i kishte pasur rreth 30.000 banorë, që do të thotë se kishte qenë më i madh se Pompei i famshëm në Itali, dhe shtrihej në sipërfaqe mbi 450 hektarë, prej së cilës deri më tash është hulumtuar vetëm 3-4 për qind të kësaj sipërfaqe. Rëndësinë e këtij lokaliteti e dëshmon fakti se këtu janë gjetur rreth 14.000 varre me mbi 30.000 artefakte brenda tyre dhe për këtë arsye ky lokalitet njihet si varreza më e madhe e njohur e periudhës romake në botë.

Në kohën e perandorit Hadrian, në vitin 117 Viminaciumi është ngritur në rang të muncipiumit (Municipium Aelium Hadrianum), ndërsa në kohën e perandorit Gordiani III (238-244) fiton rangun e kolonisë romake dhe të drejtën e prerjes së monedhave. Sipas të dhënave të autorëve antikë, në vitin 284 në afërsi të tij është zhvilluar beteja vendimtare për fron ndërmjet Dioklecianit dhe Karinit, nga e cila fitues kishte dalë Diokleciani (284-305).

Sipas shkrimeve të autorit antik Prisk, Viminaciumi ishte shkatërruar nga sulmet e hunëve në vitin 441, ndërsa në bazë të gjetjeve të thesareve të fshehura në ndonjë rast rreziku, në të cilët janë gjetur monedhat e perandorit Theodosi II (408-450), shkatërrimi i tij duket se kishte ndodhur në vitin 443 të erës sonë.

Gjatë vitit 2020 në Viminacium janë bërë, pos të tjerash, disa zbulime tejet të rëndësishme arkeologjike.

Zbulimet që vlen të përmenden

Image
Sarkofagu prej plumbi

Në këtë lokalitet, në fillim të vitit 2020 ishin zbuluar mbetjet e një numri të lundrave antike, ndërsa gjatë vitit të njëjtë edhe skeletet e disa mamutëve të vjetër mbi 50.000 vjet, si dhe disa sarkofagë prej plumbi në të cilët kishin qenë të varrosur fëmijët, pastaj stoli, monedha, enë qeramike, armë e almise, monumente epigrafike, shtatore e gjëra të tjera nga periudha romake.

Vlen të përmenden edhe 40 enë prosopomorfe prej qeramike, të cilat janë gjetur brenda rrënojave të qytetit të Viminaciumit. Enët janë të dekoruara me paraqitje të fytyrave njerëzore, ndërsa në aspektin kronologjik i përkasin kohës të shekujve II dhe III të erës sonë. Këto enë, si dhe shumë të tjera janë të punuara në ndonjërën nga disa punëtori poçerie, të cilat kishin punuar në Viminacium gjatë kohës së okupimit romak.

Image
Enët prosopomorfe

Image
Vathët prej ari me gurë të çmueshëm

Në pjesën e nekropolit ushtarak (varrezave) në Viminacium po ashtu janë bërë disa zbulime të rëndësishme.

Në njërin nga varret në nekropolin romak të Viminaciumit është gjetur skeleti i ushtarit të Legio VII Claudia, të vrarë në betejë, i cili ishte goditur me disa shigjeta e madje maja e njërës nga këto kishte ngelur e ngulur thellë në ashtin e kofshës se djathtë (femurin) të të ndjerit. Në bazë të tipit të majës së shigjetës me tre tehe supozohet që ushtari ishte vrarë në ndonjë betejë kundër sarmatëve kah mesi i shekullit IV të erës sonë dhe se shigjeta e ngulur thellë në femur kishte qenë shkak i vdekjes së tij.

Image
Femuri i ushtarit i shpuar me shigjetë

Në shtator të vitit 2020 janë zbuluar po ashtu disa varre, në mesin e të cilëve është një në të cilin janë gjetur monedha nga periudha e perandorit romak Karakala (211-217), si dhe një unazë masive prej argjendi me gur gjysmë të çmuar ahati me simbole të krishtera të skalitura në të (spiranca si simbol i krishterë i shpëtimit dhe dy peshq anash), si dhe disa vegla dhe gjësende luksoze prej ari, në bazë të të cilave supozohet që i ndjeri mund të ketë qenë mjek, sipas gjasave ushtarak, i cili e kishte përqafuar krishterimin.

Image
Unaza me simbole të krishtere (spiranca dhe dy peshq)

Mbetjet e kompleksit të ushtrisë romake

Zbulim epokal mund të konsiderohet gjetja e mbetjeve të kompleksit ushtarak nga periudha romake, që kishte qenë pjesë qendrore e kampit ushtarak (castrum).

Dimensionet e kompleksit të zbuluar janë: 70 me 50 metra dhe sipas të gjitha gjasave fjala është për mbetjet e një principiumi, respektivisht të selisë së komandantit dhe të shtabit të kampit.

Image
Image
Image
Mbetjet e principiumit

Në bazë të gjetjeve të deritashme supozohet që brenda kompleksit të zbuluar gjendeshin zyrat e zyrtarit të rëndësishëm të rangut të lartë, i cili përmendet në dokumentin Notitia Dignitatum të shekullit IV të erës sonë si “Comes sacrarum largitiotum”.

Brenda kompleksit në fjalë janë zbuluar 40 kthina me sipërfaqe prej 3.500 metrash katrorë, ndërsa i tërë kompleksi ishte i konceptuar sipas modeleve të forumeve (shesheve qendrore) të qyteteve.

Principium ka qenë selia e shtabit të kampit ushtarak (ku qëndronin legjioni dhe njësitet ndihmëse), i vendosur në godinën e cila gjendej në pjesën qendrore të kampit të fortifikuar në udhëkryqin e dy rrugëve kryesore të tij: cardo dhe decumanus.

Principiumi përbehej prej një oborri të madh qendror të rrethuar me peristil me kolona, që ishte version ushtarak i sheshit të qytetit, ku mblidheshin oficerët e ushtarët gjatë festave ose gjatë planifikimeve të operacioneve ushtarake.

Vlen të përmendet se ky është njëri nga vetëm 100 principiumet romake të zbuluara në botë, ndërsa e veçanta e tij është se derisa të gjithë principiumet e tjera janë zbuluar brenda qendrave të banuara dhe për këtë arsye nuk mund të gërmohen dhe të studiohen në tërësi, në Vimniacium mund të zhvillohen gërmime arkeologjike pa pengesa, meqë lokaliteti gjendet në zonë të pabanuar.

Principiumi në fjalë ishte ndërtuar në shekullin II dhe ishte përdorur deri në shekullin V të erës sonë, kur Viminaciumi ishte shkatërruar në invadimin e hunëve gjatë viteve 441-443 të erës sonë, e më vonë nga rrënojat e qytetit dhe të kampit ushtarak popullsia lokale ka marrë gurë për ndërtime të reja.

Në Viminacium është gjetur edhe monumenti i zyrtarit të lartë të Legio VII Claudia Marcus Laelius Maximus, i cili kishte qenë komandant i legjionit rreth vitit 195 dhe i cili përmendet në një mbishkrim të kushtuar hyjneshës Diana dhe në një tjetër me listë me emra të ushtarëve të Legio VII Claudia.

Prej 3.500 metrash katrorë të kompleksit të zbuluar, deri më tash janë gërmuar rreth 800 metra katrorë, të pjesës lindore, me të cilin rast janë zbuluar muret masive me lartësi 1-1,5 metra të punuara prej gurëve dhe të tjegullave, një pjesë e madhe e të cilave janë të shënuara me vulën LEG VII CL (dhe emra të oficerëve të ndryshëm: Adventinus,Victorinus, Mucatre, Silvanus etj.), që do të thotë se ishin të punuara nga ushtarët e Legio VII Claudia Pia Fidelis nën kujdesin e oficerëve të caktuar.

Në principium, pos zyrave, ishin të vendosura edhe banesat e komandantit dhe të oficerëve të lartë (nënoficerët banonin bashkë me ushtarë të rëndomtë), por edhe faltoret, depot e armëve dhe të pajisjeve ushtarake, thesari në të cilin janë ruajtur të hollat për paga të stafit dhe për shpenzime të tjera, si dhe gjërat e shenjta të legjioneve: simbolet, flamujt dhe shenjat e tjera ushtarake. Brenda këtij kompleksi janë zbuluar po ashtu edhe mbetjet e oborrit të brendshëm dhe të një bazilike me salla të mëdha ku janë mbajtur tubimet e ushtarakëve.

Rreth principiumit ishin vendosur objektet për banim, stërvitje, ushqim e aktivitete të tjera të ushtarëve të legjionit.

Brenda këtij kompleksi janë zbuluar gjurmët e ngrohjes qendrore (hypocaustum) me tuba qeramike nëpër dysheme e nëpër mure për qarkullim të ajrit të ngrohtë, pastaj të një fontane, të pishinës me dimensione 2,80 me 2,80 metra, si dhe të sistemit të ujësjellësit dhe të kanalizimit me tuba prej plumbi.

Image
Dyshemeja e shtruar me tjegulla dekorative në formë fluture

Gjatë gërmimeve po ashtu janë gjetur edhe një sasi e armëve dhe e pajisjeve ushtarake, si dhe 170 monedha (denarë e antoninianë prej argjendi) të kohës së perandorëve Galien (253-268), Klaudi II (268-270) dhe Aurelian (270-275), gjë që dëshmon faktin se oficerët e lartë të cilët kishin qëndruar këtu kishin qenë mjaft të pasur.

Vlen të përmendet se dyshemeja në një pjesë të kompleksit kishte qenë e shtruar me tjegulla dekorative në formë fluture, ndërsa në disa kthina janë zbuluar gjurmët e pikturave murale që dëshmojnë faktin që kemi të bëjmë me një kompleks reprezentativ ushtarak.

Gjurmët e qëndrimit të legjioneve romake

Zbulimet e tjegullave me vule, si dhe të materialit tjetër përcjellës arkeologjik flasin në të mirën e faktit që principiumi i zbuluar kishte qenë seli komanduese e Legio VII Claudia, të cilën e kishte formuar Jul Cezari në vitin 59 para erës sonë, e cila kishte shërbyer në disa provinca të Perandorisë, e në Mezi të Epërme ishte transferuar nga Dalmacia në vitin 62 të erës sonë dhe ishte vendosur në kampin ushtarak të Viminaciumit, ku edhe ka qëndruar deri në fund të antikitetit duke marrë pjesë në luftërat e perandorëve Domician (81-96) dhe Trajan (98-117) kundër dakasëve dhe në pushtimin përfundimtar të Dakisë.

Zbulimi tjetër i rëndësishëm, i cili u bë në Viminacium gjatë vitit 2020, ishte gjetja e dy skulpturave të luanëve prej guri para hyrjes veriore të kampit ushtarak. Luanët janë të paraqitur në të dyja anët e hyrjes, duke ulëritur në cilësi të rojave dhe mbrojtësve të kampit.

Rëndësia e gjetjes së këtyre figurave është që ato nuk paraqesin vetëm figura dekorative artistike, por para së gjithash janë idhuj dhe shpirtra mbrojtës të Legio IV Flavia (derisa Legio VII Claudia e kishte pasur simbol demin), e cila kishte qëndruar për një kohë në kamp të Viminaciumit. Legio IV Flavia e kishte krijuar perandori Vespazian (69-79) në vitin 70 të erës sonë dhe ai kishte qëndruar në Dalmaci prej nga ishte transferuar në Mezi të Epërme në vitin 86, fill pas ndarjes së Mezisë në dy provinca të reja: Mezinë e Poshtme në lindje dhe Mezinë e Epërme në perëndim.

Të dyja këto legjione ishin vendosur në Mezi të Epërme pas sulmeve të vazhdueshme të dakasve dhe i kishin parandaluar këto sulme e më vonë e kishin kaluar Danubin dhe e kishin pushtuar Mbretërinë e Dakisë në kohën e sundimit të perandorit Trajan, duke e shndërruar në provincë romake, ndërsa mbreti i fundit i Dakisë Diurpaneus (i njohur me emër të latinizuar Decebalus 87-106) kishte bërë vetëvrasje duke mos dashur të pajtohet me disfatën dhe të mos bjerë gjallë në duar të romakëve. Skulpturat e luanëve janë punuar gjatë kohës derisa Legio IV Flavia kishte qëndruar në Viminacium, para së të zhvendosej në Singidunum.

Pas përfundimit të luftërave në Daki, për suksese dhe merita të oficerëve e ushtarëve të tyre Legio VII Claudia ishte dekoruar me titull Pia Fidelis (Lojale dhe besnike, meqë i kishte shpëtuar 6 perandorë romakë nga grusht shtetet) dhe ishte kthyer në Viminacium, ndërsa Legio IV Flavia ishte nderuar me titull Felix (Fatlume për shkak të fatit të saj dhe të sukseseve nëpër fushëbeteja) dhe ishte vendosur në kamp të përhershëm në Singidunum (Beogradi i sotëm) prej nga e kishte mbikëqyrur dhe mbrojtur rrugën magjistrale “Via Militaris”, e cila i lidhte provincën e Panonisë me Mezi të Epërme.

Gjetja e simboleve ushtarake

 

Image
Skulptura e luanit-simbol i Legio IV Flavia

Pos figurave të përmendura të luanëve, në Viminacium është gjetur edhe një monedhë prej argjendi të shekullit III me simbol identifikues të Legio IV Flavia Felix.

Monedha në fjalë në faqe (avers) ka portretin e perandorit Galien (260-268) të rrethuar me mbishkrim, në të cilin janë emri dhe titulli i tij, ndërsa në revers (shpinë) është paraqitur figura e luanit duke vrapuar dhe shkurtesa e emrit të legjionit: LEG IIII FL.

Pasi e kishte fituar statusin e kolonisë në shekullin III të erës sonë, në Viminacium ka vepruar punëtoria monedhaprerëse që kishte prerë monedha për 16 vjet me radhë, respektivisht prej vitit 239 deri në vitin 255 të erës sonë, dhe aty janë prerë monedhat me portrete të disa perandorëve në avers dhe me figurë të femrës e cila personifikonte Mezinë e Epërme dhe e cila anash i kishte luanin e demin, respektivisht simbolet e dy legjioneve të cilët shërbenin në këtë provincë. Monedha të tilla janë gjetur edhe në disa lokalitete në territorin e Kosovës së sotme.

 

Image

 

Monedha me luan

Lidhjet e Viminaciumit me Dardaninë

Ajo që e lidh Viminaciumin me trojet dardane është fakti që ato ishin prej shekullit I deri në shekullin IV të erës sonë nën administrimin e institucioneve shtetërore e ushtarake të Perandorisë Romake me seli në Viminacium, dhe se të dyja legjionet e përmendura, pos nëpër fortifikata buzë Danubit, kanë pasur reparte të veta të vendosura nëpër vendbanime, por edhe nëpër stacione e pika vrojtuese, buzë rrugëve kryesore, por edhe në brendi anembanë rajonit të okupuar të ish- Mbretërisë Dardane, kështu që në terren janë gjetur me dhjetëra monumente epigrafike dhe gjurmë të tjera relevante të pjesëtarëve të tyre, duke filluar prej pikës më verilindore Timacum minus (Ravna, ku ishte një kamp i vogël ushtarak) e deri në pikën më jugore-Scupi (Shkupi, ku kishte qenë i vendosur një numër i konsiderueshëm i ushtarëve dhe kolonia e veteranëve të ushtrisë romake), duke e përfshirë territorin e Dardanisë Qendrore, respektivisht atë të Kosovës së sotme.

Në kohën kur këto legjione ishin transferuar në Mezi të Epërme në kuadër të tyre shërbenin ushtarët me origjinë nga Italia e provincat e tjera të Perandorisë, por kishte edhe ilirë nga Dalmacia, të cilët ishin rekrutuar gjatë kohës derisa ato kishin qëndruar në Dalmaci, kurse prej shekullit II të erës sonë këto legjione i rekrutonin ushtarët nga po­pu­llsia e Panonisë, Mezisë së Epërme (dardanët), Dakisë dhe Trakisë.

Image
Reversi i monedhës me personifikim të Mezisë së Epërme dhe me simbole të Legio VII Claudia (demi) dhe Legio IV Flavia (luani) e gjetur në Dobrushë të Istogut

Gjurmët epigrafike e numizmatike të legjioneve në territorin dardan

Në Mezi të Epërme janë dëshmuar gjurmët epigrafike të mbi 150 ushtarëve aktivë dhe afër 400 veteranëve të këtyre njësiteve nëpër tërë provincën, duke përfshirë edhe territorin e banuar me popullsi dardane nga Timacum minus e deri në Scupi (Ravne, Naissus, Banjë e Pazarit të Ri, Municpium DD, Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Graçanicë, Ulpianë, Batusë, Kaliçan, Syriganë, Staradran, Gjakovë, Xërxe, Prizren, Zhur, Kotlinë, Kaçanik, Kumanovë, Scupi, Zllokuqan, Barovë, Konjuh, Markova Sushica, Dobri Doll, Pobuzhje, Bllacë, Banjanë, Brazdë, Bardovc, Mirkovc, Kale, Vllae, Kuçevishtë, Rashqë etj.), por edhe një numër i monedhave të epokës së perandorëve Gordiani III (238-244), Filipi Arab (244-249), Trajan Deci (249-251), me simbole (demi e luani) të këtyre dy legjioneve ne revers (Pejë, Dobrushë, Dresnik,) të prera në punëtorinë monedhaprerëse të Viminaciumit (PMS COL VIM) mes viteve 244 e 251 të erës sonë.

 

 

Image
Monedha e perandorit Gordiani III e gjetur rishtazi në Pejë