Shtojca për Kulturë

“Të premtet” me zërin e presidentit Rugova që i fliste botës për Kosovën

“Të premtet, të shtunën në hotelin “Grand” më Prishtinë  (Foto: KOHA)

“Sot ndihem krenar që ai zë dhe ajo fjalë e dijetarit Ibrahim Rugova, ndodhet në një mijë e 500 pyetje dhe 234 ekspoze të tij në konferenca për shtyp. Ata që kanë pyetur janë me emër e mbiemër”, ka thënë Adnan Merovci në përurimin e veprës së tij, “Të premtet, të shtunën në hotelin “Grand” më Prishtinë (Foto: KOHA)

Janë mbi 230 konferenca për shtyp që ka mbajtur presidenti Ibrahim Rugova në periudhën kohore prej vitit 1990 e deri më 1999. Me gati 1600 pyetje të gazetarëve që përfshihen fjalë për fjalë, në “Të premtet” në pesë vëllime janë zëri e fjala e presidentit Rugova që i fliste botës për Kosovën. Adnan Merovci, autori i këtij kompleti dhe bashkëpunëtor i afërt i Rugovës, ka përjetësuar në këtë botim jo vetëm fjalën e politikanit e dijetarit, por një kapitull të dekadës së kthesave historike për vendin

Tri ditë pa u bërë 19 vjet prej ditëvdekjes së tij, kompleti me pesë libra “Të premtet” që ka për protagonist ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, është promovuar në Prishtinë. Bazuar në konferencat për shtyp, përtej figurës së Rugovës, në veprën e Adnan Merovcit, është vetë historia e vendit. Shtypi ishte urë lidhëse për të adresuar mesazhe e kërkesa, për ta njoftuar botën për agresionin që ushtrohej në Kosovë. Këtë presidenti i asaj kohe e bënte çdo të premte, në orën dhjetë.

Konferencat për shtyp që janë mbajtur nga Rugova në dekadën e kthesave historike për Kosovën, ndërtojnë rrëfimin e kompletit “Të premtet” që është promovuar të shtunën në hotelin “Grand”. Janë mbi 230 konferenca për shtyp që janë mbajtur në periudhën kohore prej vitit 1990 e deri më 1999. Me gati 1600 pyetje të gazetarëve që përfshihen fjalë për fjalë, aty zhvillohet dialogu midis ish-presidentit dhe mediave.

Autori Merovci – i cili gjatë viteve ’90 ka qenë udhëheqës i protokollit të ish-presidentit Ibrahim Rugova – krejt këto komunikime i ka përfshirë në mbi 2000 faqe librash që ilustrohen edhe me imazhe. Bëhet e ditur se aty janë mbi 1400 fotografi autentike.

Krejt kjo punë i ka marrë dhjetë vjet. Vetë shpëtimi i materialit konsiderohet sfidues për rrethanat në të cilat gjendej vendi. Procedurat e mëtutjeshme kanë qenë digjitalizimi i këtyre materialeve, transkriptimi, përkthimi dhe jo vetëm.

“Sot ndihem krenar që ai zë dhe ajo fjalë e dijetarit Ibrahim Rugova, ndodhet në një mijë e 500 pyetje dhe 234 ekspoze të tij në konferenca për shtyp. Ata që kanë pyetur janë me emër e mbiemër”, ka thënë Merovci.

Kolana e librave të Adnan Merovcit është cilësuar si vepër me peshë jo vetëm si pjesë e historisë së themeleve të shtetit të Kosovës por për mesazhet që bart (Foto: Komuna e Prishtinës)

Ngjarja me të cilën është promovuar kompleti “Të premtet” ka nisur me një minutë heshtje si nderim për ish-presidentin e ndjerë.

“Meqenëse ky promovim koincidon me 19-vjetorin e shkuarjes në amshim të dijetarit Ibrahim Rugova, së bashku me ju dëshiroj që një ditë shpirtit të tij t’ia dëgjojmë së bashku me ju nga ky vend dhe t’i themi: Faleminderit Ibrahim Rugova që na përket!”, ka thënë autori Merovci në fjalën e tij.

Recensenti i kompletit me pesë vëllime Milaim Nela, ka thënë se figura e Rugovës ka nevojë për njohje të mëtejshme. Sipas tij, ai “akoma nuk e ka zënë vendin që realisht i takon në historinë dhe shtetbërjen e Kosovës dhe avancimit të çështjes shqiptare në përgjithësi”.

Ka thënë se vepra e Merovcit duhet të shërbejë si nxitje për t’u thelluar në studimin e figurës së Rugovës si dhe për të forcuar themelet e shtetit të ndërtuar me shumë mund e sakrifica.

“Përmes konferencave të shtypit të paraqitura në mënyrë faktike e besnikërisht në këto libra dr. Ibrahim Rugova përçoi dramat e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit, mesazhet e filozofisë së tij te shqiptarët këtu brenda, por përmes atyre mesazheve ai depërtoi në qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare duke i bërë ata që gradualisht të ndryshonin qëndrimin e deriatëhershëm ndaj Kosovës”, ka thënë Nela.

Ka theksuar edhe aspektin e mesazheve që barten te publiku. Ka thënë se ato duhet të barten edhe tek udhëheqësit e sotëm të shtetit.

“Kolana e librave që promovohet sot ka një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm si pjesë e historisë së themeleve të shtetit të Kosovës por për mesazhet që bart është dhe duhet të jetë një referencë shumë e rëndësishme jo vetëm për politikanët e sotëm, por edhe e aspiruesve që duan të merren me politikë në të ardhmen. Por, këto mesazhe duhet të kuptohen dhe interpretohen drejt”, ka thënë recensenti i kompletit “Të premtet”.

Ambasadori i parë i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka thënë se personaliteti i Rugovës që, në këtë rast, vjen nëpërmjet konferencave për shtyp, është testament për brezat e ardhshëm për të ndjekur rrugët paqësore, të dijes, bashkëpunimit e solidaritetit.

“Me këtë vepër, Merovci ka bërë një rrumbullakim të asaj që ka ndodhur në aspektin politik të kohës. Në kohën kur dhuna serbe vazhdonte në mënyrë të tmerrshme ndaj popullit të Kosovës, politika e tij paqësore spostoi konfliktin për një kohë, por në të njëjtën kohë ndodhi edhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, përfitimi i miqve që i qëndruan pranë Kosovës në momentet më dramatike dhe më vendimtare që ka përjetuar ky popull”, ka thënë Spahiu. Sipas tij, botimi është edhe referencë për studiuesit.

“Ka bërë punë të jashtëzakonshme që ka rëndësi, e që do të shërbejë si referencë për këdo që do të shkruajë një histori për atë periudhë, për një personalitet që do të mbetet i paharrueshëm në mendjet kolektive të shqiptarëve”, ka thënë Spahiu.

Adnan Merovci – i cili gjatë viteve ’90 ka qenë udhëheqës i protokollit të ish-presidentit Ibrahim Rugova – krejt transkriptat e konferencave i ka përfshirë në mbi 2000 faqe librash që ilustrohen edhe me imazhe. Bëhet e ditur se aty janë mbi 1400 fotografi autentike (Foto: Komuna e Prishtinës)

Fragmente nga kompleti kanë ardhur në formë audio-vizuale. Dokumentari me të njëjtin titull si librat është shfaqur në fillim të ngjarjes, paraditen e së shtunës. Introja është narracioni i Merovcit. Tregon se regjistrimi me video kishte nisur kur ai kishte xhiruar një prej mbledhjeve të Shoqatës së Shkrimtarëve që qe mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Prej aty kishte xhiruar edhe shumë ngjarje të tjera të rëndësishme.

Publikut i janë shfaqur xhirimet e konferencave për shtyp. Materialet dëshmojnë se aty bëheshin të qarta aspiratat për liri e pavarësi. Rregullisht adresoheshin edhe problemet që të gjitha kishin të bënin me situatën e agresionit serb në Kosovë. Ishin sulmet që i bëheshin Universitetit të Prishtinës, burgosjet e veprimtarëve, gazetarëve e persekutimi i tyre. U bënte thirrje aleatëve të saj për ta marrë Kosovën në mbrojtje ndërkombëtare.

Si nga narracioni, ashtu edhe materialet dëshmojnë se deri në vitin 1994 konferencat për shtyp mbaheshin në gjuhën serbe për shkak të pjesëmarrjes së rregullt të gazetarëve serbë.

Ajo çfarë dëgjohet shpesh nga ish-presidenti Rugova në këto materiale është togfjalëshi: “Kosova e pavarur dhe neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.