Shtojca për Kulturë

Shkrimtarët lexojnë publikisht veprat Rushdie në përkrahje të fjalës së lirë

Shkrimtarë të ndryshëm, përfshirë Paul Auster, Gay Talese, Kiran Desai, dhe të tjerë ia kujtuan turmës së Midtown-it se pa shprehje të lirë, "letërsia nuk është gjë tjetër veçse një dhomë jehone".

Shkrimtarët, miqtë dhe mbështetësit e Salman Rushdie u mblodhën në Bibliotekën Publike të New Yorkut për të lexuar pjesë nga veprat e tij, në një kohë kur ndalimi i librave dhe sulmet ndaj fjalimeve janë në rritje.

Ndoshta përgjigjja më e vlefshme nga turma e mbledhur në Bibliotekën Publike të New Yorkut në mbështetje të Salman Rushdie të premten erdhi kur shkrimtari Hari Kunzru lexoi me zë të lartë nga romani i mirënjohur dhe famëkeq i Rushdie “Vargjet Satanike”. Botimi i tij, në vitin 1988, vuri një shënjestër mbi shpinën e autorit dhe çoi në ndalime të librave, demonstrata të dhunshme dhe vrasje pasi udhëheqësi iranian, ajetullahu Ruhollah Khomeini, nxori një fetva ku bënte thirrje për vdekjen e tij.

Mund të ishte dukur e guximshme, madje edhe provokuese, të lexoje hapur një libër të tillë, në një mjedis të tillë, në një kohë të tillë vetëm një javë pasi Rushdie u sulmua - u ther me thikë disa herë nga një burrë që u ngjit me nxitim në skenë në një festival të arteve në perëndim të New Yorkut. Por lënia më një anë mund të ishte dukur si diçka e kundërt me pikëpamjet e pakompromis të vetë Rushdies për gjëra të tilla.

Siç tha vetë ai në vitin 1996, si pjesë e një fjalimi për Shoqatën Amerikane të Redaktorëve të Gazetave që u lexua me zë të lartë nga Tina Brown të premten: “Dua t'ju sugjeroj që qytetarët e shoqërive të lira, të demokracive, të mos e ruajnë lirinë e tyre duke u përqendruar rreth mendimeve të bashkëqytetarëve të tyre”

Ngjarja e mbështetur nga Biblioteka, “PEN America”, grupi letrar jofitimprurës “House of Speak Easy” dhe “Penguin Random House”, botuesi i Salman Rushdies, paraqiti një grup të shkëlqyer shkrimtarësh, mbrojtës të fjalës së lirë dhe miq të autorit. Ata lexuan pjesë nga veprat e tij ulur në shkallët e pjesës së parme të Bibliotekës. Të pranishëm ishin shkrimtarë si Gay Talese, Kiran Desai, Roya Hakakian, Colum McCann, Amanda Foreman, A.M. Homes dhe shumë të tjerë. Vërejtjet e tyre ndonjëherë bënin thirrje për veprim, dhe ndonjëherë ishin shumë personale.

“Kam menduar për ju çdo orë të ditës së javës së kaluar”, ka thënë Paul Auster, duke ia drejtuar fjalët e tij zotit Rushdie i cili mungonte. “Të dua si vëlla dhe e vlerësoj miqësinë që kemi ndërtuar së bashku gjatë tridhjetë vjetëve të fundit”.

Ai shtoi, duke iu referuar gruas së tij, Siri Hustvedt: “Siri, unë dhe të gjithë shkrimtarët e tjerë të mbledhur këtu këtë mëngjes po lutemi që të ktheheni në këmbët tuaja së shpejti dhe të flisni përsëri në mbrojtje të lirisë, drejtësisë dhe tolerancës që ju dhe të gjithë ne të tjerët besojmë kaq shumë”.

E organizuar si mbështetjeje për Rushdien, i cili është ende duke u shëruar pasi u plagos rëndë në sulm, ngjarja njëorëshe pati jehonë përtej rrethanave të tij personale.

“Nuk është rastësi që kjo ka ndodhur tani”, ka thënë Andrew Solomon, një ish-president i “PEN America”. “Po jetojmë në një kohë kur e drejta e fjalës së lirë është nën sulme të vazhdueshme si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, në një kohë kur ka pasur mbyllje bibliotekash, janë hequr libra nga shkollat, kur gjithçka që dikur ishte shenjë e fjalës së lirë të Amerikës është nën kërcënim”.

Përpara se të lexonte një fragment nga “Joseph Anton”, zonja Hustvedt foli ashpër për nevojën për të mbrojtur “të drejtën e shprehjes së lirë në fiksion dhe jofiksion, me sinqeritet të pamëshirshëm ose ironi të egër”. Pa të, tha ajo, “letërsia nuk është gjë tjetër veçse një dhomë jehone e paqartësive dhe truizmave kalimtare që prekin çdo kulturë”.

Ndonëse biseda ishte serioze, aty nganjëherë mbizotëronte një ndjenjë e dashur, nganjëherë pothuajse e gëzueshme, ndërsa folësit kremtuan stilin e të shkruarit lozonjar, erudit, plot lojëra fjalësh, të pasura e të bollshme të Rushdies dhe lexuan disa nga fragmentet e shumta ku ai fliste për mbrojtjen e fjalës së lirë.

Shkrimtarja iraniane Roya Hakakian lexoi fragmentin që prezanton personazhin e titullit nga “Haroun dhe deti i tregimeve”, romani i parë i zotit Rushdie pas fetvasë, një përshkrim alegorik i gjendjes së tij. I vendosur në një qytet ku fjalimi është shumë i kufizuar – “një qytet kaq i trishtuar saqë kishte harruar emrin e tij” - ai tregon historinë e “një të riu të lumtur me emrin Haroun, fëmija i vetëm i tregimtarit Rashid Khalifa, gëzimi i të cilit ishte i famshëm në të gjithë atë metropol të pakënaqur” por kush e kupton se ai e ka humbur fuqinë për të treguar histori.

“Ne i duam vetëm pak libra gjatë jetës sonë dhe ato libra bëhen pjesë e mënyrës se si ne e shohim jetën”, shkroi zoti Rushdie. “Ne lexojmë jetën tonë përmes tyre dhe përshkrimet e tyre për botën e brendshme dhe të jashtme ngatërrohen me tonat – ato bëhen tonat”.

Duke qenë se ngjarja u mbajt në New York, ajo tërhoqi turma që ndaluan për të parë se çfarë po ndodhte, si dhe njerëz që kishin ardhur me qëllim, nga admirimi për zotin Rushdie dhe atë që ai përfaqëson. Adam Becker, 33-vjeçar, ka thënë se ishte krenar që tregonte mbështetjen e tij për këtë autor që ai e adhuronte. I zhytur në diell para bibliotekës, ai mbante në çantën e shpinës një kopje të “Vargjeve Satanike”.

“Ndihem me fat që jam këtu, në një moment si ky dhe jam mirënjohës që, qysh vetëm pas një jave, ata mundën ta bëjnë këtë organizim”, ka thënë Mariani, gjithashtu 33 vjeç. “Për mua është një lloj fitoreje”.

Kiran Desai, i cili lexoi nga libri i zotit Rushdie “Kichotte”, foli drejtpërdrejt me autorin. “Javën e kaluar shumë prej nesh e kuptuam se kishim llogaritur te ju që ta mbani qiellin lart”, ka thënë ajo. “Shpresojmë ta dini se mund të mbështeteni edhe tek ne. Ne jemi këtu për ju dhe ne jemi këtu për një kohë të gjatë”.

Përpara se të lexonte fragmentin hapës nga “Vargjet Satanike”, zoti Kunzru citoi një rresht nga një pjesë tjetër e librit, “kur poeti i pandershëm” Baal përcakton qëllimin e një poeti. Ky përkufizim flet edhe për llojet e tjera të shkrimtarëve.

“Salman dikur shkroi se roli i shkrimtarit është të emërtojë të paemërtueshmen, të tregojë mashtrime, të mbajë anë, të fillojë debatet, t'i japë formë botës dhe ta ndalojë atë që të flejë”, ka thënë zoti Kunzru. “Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu, sepse i detyrohemi atij të qëndrojmë zgjuar dhe të përdorim fjalët tona për të formësuar botën”.

(Marrë nga “The New Yortk Times”, përktheu: Mirjetë Sadiku)