Futboll

Si e shndërroi Sunderlandi stadiumin në fortesë?

Sunderland

Sunderlandi e gjen veten në shoqëri elite këtë edicion. Është në një grup me disa prej ekipeve më të mira në Evropë, ndërsa synon një rekord në Premier League dhe një vend në futbollin evropian në edicionin e ardhshëm.

Fitorja 3:0 ndaj Burnleyt, të hënën mbrëma, e mbajti Sunderlandin si skuadrën e vetme të Premier Leagues këtë edicion pa humbje të pësuar në shtëpi. 

Kjo bën që Sunderlandi, që për kapiten e ka Granit Xhakën, të jetë në shoqëri vetëm me kampionin në fuqi të Evropës, Paris Saint-Germainin, Atletico Madridin, Barcelonën, Borussia Dortmundin dhe Juventusin. Janë këto skuadrat e vetme të tjera evropiane pa humbje në shtëpi këtë edicion.

Fitorja e së hënës po ashtu i mundësoi skuadrës që të dalë në vendin e tetë në Premier League, duke ia lejuar që të synojë një vend që dërgon në Evropë në edicionin e ardhshëm. 

Trajneri Regis Le Bris ka insistuar se ai e mban fokusin te prioriteti kryesor – mbledhja e pikëve të mjaftueshme për të shmangur rënien.

“Për mua, synimi mbetet i njëjtë”, ka thënë Le Bris. “Synimi i parë është të kemi rreth 40 pikë, ndoshta më shumë. Liga është shumë e vështirë. Ne duam të mbledhim 40 pikë dhe të provojmë për më tepër”.

Pas xhiros së 24-t, Sunderlandi i ka 36 pikë. 

Lojtarët e kësaj skuadre tashmë flasin për synimin që të luajnë në Evropë në edicionin e ardhshëm, mundësisht në Ligën e Kampionëve.

“Duam të arrijmë majën”, ka thënë mesfushori Noah Sadiki. “Duam të jemi në pesë apo gjashtë pozitat e para. Ka shumë ndeshje në vazhdim, por ne duhet të fokusohemi vetëm në ndeshjen e radhës”.

Zakonisht skuadrat e promovuara kanë telashe për të mbijetuar në Premier League. Por Sunderlandi doli përtej kësaj, duke e kthyer “Stadium of Light” në fortesë. 

Tani Sunderlandi, që lider të pakontestueshëm në fushë e ka Xhakën, është në startin më të gjatë pa humbje prej skuadrave të promovuara, që kur Nottingham Foresti e kaloi gjithë edicionin 1977/78 pa asnjë humbje në shtëpi. Atë edicion Nottinghami kishte fituar titullin e kampionit.

Birmingham City mbante rekordin për më së shumti ndeshje pa humbje në shtëpi, prej skuadrave të promovuara, në epokën e Premier Leagues. Birminghami i kishte 15 ndeshje pa humbje në edicionin 2009/2010, por jo në fillim të edicionit.

Sunderlandi është pa humbje në 12 ndeshjet e para të edicionit në shtëpi, ndërsa Le Bris pranon se kjo është shumë e rëndësishme.

“Të gjithë ne e dimë që lidhja me tifozët është çelësi. Ne jemi ekipi i ri i promovuar dhe ndiejmë që mund të ndryshojmë momentin”, ka thënë tekniku francez.