Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Xhaka ëndërron finalen e Ligës së Evropës

Granit Xhaka

Granit Xhaka thotë se është ëndërr e tij të arrijë në një tjetër finale të Ligës së Evropës. 

Xhaka arriti në finale të Ligës së Evropës me Arsenalin dhe Bayer Leverkusenin, ndërsa tani shpreson ta përjetojë edhe si lojtar i Sunderlandit.

Ai të mërkurën do ta udhëheqë si kapiten Sunderlandin kundër AZ Alkmaarit.

Ndeshja Sunderland – AZ Alkmaar luhet nga ora 21:00.

Sunderlandi kthehet në garat evropiane pas 53 vjetësh.

Megjithatë, Xhaka theksoi se Premier League mbetet fokusi kryesor për ekipin këtë edicion. Pjesëmarrja në Ligën e Evropës, sipas Xhakës, është  shpërblim për punën e palodhur dhe një mundësi e madhe.

“Premier League është prioritet, por bonusi në Ligën e Evropës është diçka që po përpiqemi ta marrim dhe është thjesht një sfidë e madhe për ne. Kam qenë dy herë në finale, kam humbur dy herë në finalen e Ligës së Evropës, kështu që për mua është një ëndërr e madhe të arrij një tjetër finale me Sunderlanin”, ka thënë Xhaka të martën në konferencë për media.

E mërkura do të jetë historike për Sunderlandin, ekipin e kthyer në Premier League në edicionin e kaluar.

“E dimë që sezonin e kaluar shkruam diçka në historinë tonë dhe mund të fillosh të ndjesh edhe entuziazmin e njerëzve”, është shprehur Xhaka. “Mendoj se stadiumi do të jetë në flakë nesër, sepse tifozët e meritojnë, klubi i futbollit e meriton. Dhe si lojtarë, pas punës së madhe të edicionit të kaluar, ne meritojmë të jemi aty ku jemi. Emocioni është nga njëra anë dhe pjesa tjetër është të shijojmë edhe ndeshjen, sepse nuk ka asgjë më të mirë sesa të luash futboll evropian, të garosh kundër më të mirëve në Evropë dhe të përpiqesh të marrësh sa më shumë të jetë e mundur.”

Xhaka thotë se nga përvoja në garat e mëparshme evropiane, e di se thelbësore është energjia në dhomën e zhveshjes. Ai e ndjeu këtë që nga dita e parë në Sunderland. Mesfushori tha se ndërsa skuadra do të qëndronte me këmbë në tokë, ai kishte besim të sinqertë se mund të shijonin një ecuri të mirë në këtë garë.

“Para së gjithash, ju nevojitet energjia në dhomën e zhveshjes, dhe kjo është ajo që kemi. Hapi i parë që bëra sezonin e kaluar në dhomën e zhveshjes më dha një ndjesi shumë të mirë. Pra, energjia, mentaliteti për lojtarët e rinj dhe për grupin është i mahnitshëm”, ka thënë Xhaka.