Ashuret, gjatë të cilave përkujtohet vrasja e nipit të profetit Muhamed dhe festohet identiteti shiit, kaherë ka simbolizuar luftën kundër shtypjes. Sivjet, brohoritjet e ashureve u kthyen kundër qeverisë
Turma e madhe e burrave të mbledhur në qendër të një xhamie në qytetin qendror, Yazd, ishte veshur me të zeza dhe fshikullonte ritmikisht gjoksin në unison. Ata po festonin Ashuren, ritualin më të shenjtë të islamit shiit, që çdo vit në Iran mbledh bujshëm besimtarët si një testament ndaj forcës dhe fuqisë së teokracisë shiite.
Ama, sivjet festa e Ashures dukej ndryshe. Besimtarët, të mbledhur muajin e kaluar në Yazd dhe në shumë qytete të tjera gjithandej Iranit, dolën papritmas nga skenari, duke shënjestruar sunduesit fetarë të Iranit. Ata i kthyen baladat fetare në këngë proteste për vuajtjen e iranianëve.
“Për një qytet në rrënoja, për të gjithë të mbajturit peng, për nënat në zi, për lotët e të margjinalizuarve”, këndonin burrat, dëgjohen në videoxhirime. “Ne po vajtojmë mijëra jetë të pafajshme, neve na vjen marre nga ky zjarr përvëlues. O shi, o stuhi, eja. Ata na e kanë djegur tendën”.
Në Kermanshah, qytet kurd në Iranin perëndimor, një vokalist fetar, i njohur si maddah, doli midis rruge me mikrofonin në dorë, duke kënduar zyrtarët që “po vjedhin dhe gllabërojnë” burimet e njerëzve të shkretë.
“O vendi im, a e di pse po vajtoj?”
Edhe
Në vend të djallit, fotografia e Trumpit gjuhet me gurë gjatë funeralit të Khameneit në Iran
Dhe në Dezful, qytet i vogël konservativ në jugperëndim të vendit, një folës i ngjashëm mbajti një ligjëratë prekëse kundër qeverisë derisa turma marshonte në procesionin ritual.
“O vendi im, a e di pse po vajtoj? Halli i tyre është hixhabi. Ata s’e shohin gjakun, fukarallëkun. Ata po vjedhin paratë e popullit”, po thurte vargje Ibrahim Nassrollahi. “Baballarëve u vjen marre, nënat po vuajnë. Ah sikur ata ta shihnin mjerimin tonë”.
Në vend të thirrjes tradicionale, që përthekon një rrëfim antik të zisë, turma ia ktheu: “Iran, Iran, Iran!”
Ishte një ton befasues për një periudhë të vajtimit fetar të njohur si Muharrem, që zgjat pak më shumë se një muaj në Iran. Sivjet do të mbarojë më 6 shtator, me një tjetër ritual të madh, të njohur si Arbain, që njashtu pritet të kthehet në platformë proteste.
Ashurja, që shënon ditën e dhjetë të periudhës vajtuese, vajton Imam Huseinin, nipin e profetit Muhamed, të cilit i ishte prerë koka në vitin 680 në betejën e Qerbelasë. Imam Huseini i priu kryengritjes kundër pasimit të fronit të kalifit të ri të islamit, Yazid, me akuzën se sundimi i tij ishte i korruptuar dhe i padrejtë, dhe në Qerbela, forca e tij e vogël do të konfrontohej prej ushtrisë së madhe të Yazidit. Imam Huseini do të masakrohej.
Për shekuj me radhë, ashuret kanë qenë më shumë se thjesht një ritual fetar. Nga Irani gjer në Irak, Afganistan, Liban e matanë, ka shërbyer si festë e identitetit mysliman shiit. Madje edhe qytetarë shekullarë marrin pjesë në ritualet e stilizuara, që shfaqen prej procesioneve në rrugë deri te veprimet e ndryshme, apo dhurimi i organizuar i ushqimeve prej komiteteve të lagjeve.
Lëvizjet politike dhe shoqërore në botën myslimane kaherë kanë marrë zjarr dhe janë frymëzuar prej narrarivës së Ashures, duke i dhënë zemër ngritjes së të shtypurve kundër shtypësve. Në Iran, gjatë revolucionit të vitit 1979 që rrëzoi monarkinë, një protestë e madhe gjatë Ashures, do të shndërrohej në pikë kthese kundër shahut. Gjatë Lëvizjes së Madhe iraniane më 2009, protestuesit, kryesisht të rinj dhe shtresë e mesme e lartë, morën rrugët gjatë ashureve për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Nën sundimin e Sadam Huseinit, shiitëve irakianë do t’u ndalohej festimi publikisht i festave të tyre komemorative. Qeveria talebane në Afganistan ka bërë të ditur së fundi një ndalesë të ngjashme.
Në vitet e mëhershme, maddahët në Iran herë pas here mbanin ligjërata me kritika të buta dhe të tërthorta ndaj qeverisë. Sivjet, disa prej ceremonive ishin spektakle tradicionale dhe procesione të mëdha fetare.
“Lumturimi i armikut”
Por politizimi i madh dhe i gjithmbarshëm i Ashures, që për cak ka drejtpërdrejt liderët e Republikës Islamike, i ka vënë në siklet autoritetet, të cilat kanë paralajmëruar se toni protestues “po e bën të lumtur armikun”. Ka pasur raporte në mediat sociale për arrestime e paraburgosje të disa këngëtarëve të njohur, si dhe kërkesa nga qeveria për ulje të retorikës së tyre.
“Armiku ka pasur ëndrra dashaliga për Muharremin e sivjetmë”, ka deklaruar javën e kaluar Mohammad Mehdi Emsaili, ministër iranian për Doracakun dhe Kulturën Islamike. “Ata kanë dashur ta kthenin Muharremin në fushëbetejën e fundit, por populli ynë nuk ua ka vënë veshin fare”.
Ama, analistët kanë thënë se në vend se të lëshojnë fletërrufe denoncuese, qeveritarët duhet të përballen me realitetin e errët se kundërshtimi është përhapur tani në mesin e disa prej iranianëve të devotshëm fetarisht, e që dikur konsideroheshin bastion besnik ndaj pushtetit. Rebelimi midis rruge paraqet një tjetër sfidë për legjitimitetin e teokracisë që e sheh veten si lidere shpirtërore botërore e myslimanëve shiitë.
Edhe
Në funeralin e Ali Khamenei, mungoi djali i tij Mojtaba që raportohej se ishte plagosur rëndë
Mohamad Ali Ahangaran, analist konservativ religjioni dhe i biri i njërit prej maddahëve që performojnë në aktivitetet qeveritare, ka thënë gjatë një interviste nga Teherani se shumë iranianë po përdorin çdo mundësi, përfshirë Ashuren, për t’i dhënë zë kundërshtimit të tyre ndaj status-quosë.
“Sivjet, kemi parë se ligjëratat dhe këngët fetare po merrnin më shumë karakter proteste se viteve të kaluara, duke shënjestruar mënyrën se si liderët po e qeverisin Iranin, korrupsionin e përhapur kudo në Republikën Islamike, pengesat politike me të cilat përballemi”, ka theksuar Ahangaran.
Bumerangu i ajetollahut
Lideri suprem i Iranit, ajetollahu Ali Khamenei, ka inkurajuar vazhdimisht që ceremonitë e muajit Muharrem të jenë më politike dhe që të mbajnë anë, por kurrë nuk ia kishte marrë mendja se kështu, ato një ditë do të ktheheshin “kundër tërë udhëheqjes” së Iranit, përfshirë vetë atë, ka shtuar Ahangaran.
Pothuajse një vit më parë, iranianët dolën rrugëve në protesta mbarëkombëtare për të kërkuar fundin e qeverisë klerikale. Kryengritja u nxit nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini gjatë kohës së mbajtjes në paraburgim nga policia e moralit, që e kishte arrestuar me dyshimin për shkelje të ligjit të hixhabit. Qeveria u kundërvu me dhunë, duke vrarë më shumë se 500 protestues, përfshirë fëmijë, por edhe me arrestimin e dhjetëra mijëra të tjerëve dhe me ekzekutimin e shtatë protestuesve.
“Kemi parë storien e Ashures si po zhvillohet në rrugë para syve tanë, derisa ata masakruan rininë tonë vjet”, ka deklaruar Maryam, një 55-vjeçare, nënë e dy fëmijëve në Teheran, duke kërkuar që të mos i publikohet mbiemri nga frika e hakmarrjes qeveritare. “Si njeri fetar, dua ta ndaj krejtësisht veten nga çfarëdo ceremonie e lidhur me regjimin”.
Maryam ka thënë se nëna e saj kishte organizuar një ceremoni përkujtimi në shtëpi në fillim të muajit për pothuajse 200 persona. E kishte mveshur sallonin me flamuj ashuresh me emrin e Imam Huseinit dhe me fotografi të një protestuesi të vrarë në secilin flamur. “Ata tani janë martirët tanë të rinj”, ka thënë ajo.
I biri 33-vjeçar i një kleriku me nam në qytetin fetar, Qom, ka thënë se po bojkoton ceremonitë e muajit Muharrem për shkak të kundërshtimit ndaj qeverisë dhe dhunës qeveritare. Ai ka thënë se kushërinjtë e tij po bëhen pjesë e ceremonive që më parë nuk ishin politike ose nuk merreshin me regjimin. Edhe ai ka kërkuar të mos i publikohet identiteti nga frika për sigurinë e tij.
Disa iranianë u veshën me të bardha, duke sfiduar veshjet e zezat tradicionale, dhe shkuan te varrezat për të nderuar kujtimin për protestuesit e vrarë. Në qytetin verior, Amol, një grup fetar marshues, veshur në të bardha, shkoi te shtëpia e Ghazalleh Chelavit, atletes 33-vjeçare, të qëlluar në kokë gjatë protestave të shtatorit të kaluar, tregojnë videoxhirimet. Nëna e saj vajtoi para derës.
Në Yazd, maddahu i priu turmës në recitimin e një poeme të famshme që nderon protestuesit e vrarë nga qeveritë: “Dhe tulipanët mbijnë prej gjakut të rinisë së vendit tonë”.
Pastaj, duke krahasuar autoritetet në pushtet me rrotat, vazhduan: “Oh, rrotë, qysh dole nga rruga, qysh u solle aq keq, qysh more hak. Oh, rrotë, ti s’ke as fe e as parime”.
Nëna e zonjës Amini postoi në Instagram një videoxhirim të varrit të së bijës, të përndritur prej qirinjve në natën e Ashures. Një zë gruaje mund të dëgjohej derisa ia thoshte së njëjtës poemë.
Edhe
Me qindra mijëra njerëz, nis zyrtarisht ceremonia 6-ditore e varrimit të Khameneit
Farnaz Fassihi është reportere e “The New York Timesit” në New York. Më parë ishte gazetare seniore dhe korrespondente lufte e “Wall Street Journal” për 17 vjet me radhë në Lindje të Mesme.
Nga anglishtja: Rexhep Maloku