Shtojca për Kulturë

“Radhitje në plumb, germë për germë” në frymën e ringjalljes së “Rilindjes”

Disa ish-punonjës të “Rilindjes” të shtunën, te kioska i “Rilindjes” me “Radhitje në plumb, germë për germë” në dorë, gazeta që sjell histori e rrëfime ish-punonjësish të shtëpisë botuese e të gazetës me nam

Disa ish-punonjës të “Rilindjes” të shtunën, te kiosku i “Rilindjes” me “Radhitje në plumb, germë për germë” në dorë, gazeta që sjell histori e rrëfime ish-punonjësish të shtëpisë botuese e të gazetës me nam (Foto: CHwB/Majlinda Hoxha)

Në oborrin e objektit të dikurshëm të “Rilindjes” instalacioni zanor e gazeta “Radhitje në plumb, germë për germë” të dyshes Tringa Sefedini e Elisa Maxhuni, ka kthyer për pak kohë frymën e gazetës e të shtypshkronjës së dikurshme. Aty shpalosen rrëfime ish-punonjësish, disa prej të cilëve kanë qenë të pranishëm në prezantim, e “Radhitje...” është thirrje për të mos harruar

Dardan Mirena

Dikur, një armatë e tërë ia mësynte objektit të “Rilindjes”, gjigantit të botimeve e gazetës me nam. Të shtunën, një grusht njerëzish janë bërë tok në oborrin e saj te një kioskë e improvizuar si dikur, në oborrin e objektit që s’është më i saji. 

Tash janë mijëra numra gazetash në arkiv njësoj sikurse edhe botime,po aq kujtime e rrëfime të punonjësve të dikurshëm. Disa prej tyre rikthehen me “Radhitje në plumb, germë për germë”, e cila pos si shprehje artistike, është thirrje për të mos harruar. 

Kësisoj titullohet instalacioni zanor i dyshes Elisa Maxhuni e Tringa Sefedini, i cili vjen edhe me gazetën me po këtë titull e cila i ngjan asaj që nisi rrugëtimin më 12 shkurt të vitit 1945, ruan gati të njëjtin font shkronjash, në ballinë ka imazhin emblematik të objektit me “RILINDJA” në majë, e brenda sjell ca tekste nxjerrë prej arkivit dhe rrëfime ish-punonjësish. 

Janë histori personale që ndër vite janë shndërruar në kujtesë kolektive. “Radhitje në plumb, germë për germë” i referohet punës së radhitjes së teksteve në gazetë e libër, krejt mekanike, si një dëshmi e sfidës derisa ajo shkonte në dorë të lexuesit. 

“Hajdeni doli gazeta, hajdeni merreni gazetën që sapo doli dhe lexojini lajmet që sapo dolën”, dëgjohet zëri i një rioshi e imazhi që krijohet, janë ish-punonjësit me “Radhitje në plumb, germë për germë” në dorë. Aty mund të lexojnë rrëfime të disa prej kolegëve me të cilët kishin punuar deri më 1990 kur regjimi serb ndali botimin e saj. Mund ta ndiejnë një grimë aromën e letrës. Aty është edhe rrëfimi i Ismete Pukës, e cila kishte filluar punën në moshën 18-vjeçare, punë e cila i ishte imponuar që t’i ndihmonte familjes, sepse pensionin të cilin e merrte nëna e saj, të cilin e kishte trashëguar nga bashkëshorti i cili kishte pësuar në një aksident, nuk u dilte që të jetonin një jetë normale. Rrëfimi i Ismetes sesi kishte filluar të punonte në “Rilindje” është më i ndjeshëm.

“Në atë kohë duhej të bëje 6 muaj praktikë dhe unë nuk e kisha luksin që të prisja aq gjatë pa pagë, kështu që fillova të mësoj më herët dhe pas 2-3 javësh fillova të punoja. Orari ishte tetëorësh. Gjatë verës fillonim punën në orën 6 dhe e përfundonim në orën 14:00, kurse gjatë dimrit punonim nga ora 7 deri në 15”, ka thënë Puka, ish-punëtore teknike në shtypshkronjë. 

Instalacioni zanor “Radhitje në plumb, germë për germë” i dyshes Elisa Maxhuni e Tringa Sefedini, vjen edhe me gazetën me po këtë titull me “rrëfime të gazetarëve, shkrimtarëve, teknikëve dhe personelit logjistik që punuan në ‘Rilindje’ në periudha të ndryshme” dhe ofron një perspektivë të re mbi kujtesën e përbashkët dhe identitetin kolektiv (Foto: CHwB/Majlinda Hoxha)
 

Në “Radhitje në plumb, germë për germë”, doajeni i gazetarisë, Zenun Çelaj, rrëfen se si kishte filluar të punonte për gazetën duke kaluar nëpër disa vështirësi të cilat regjimi i atëhershëm jugosllav ia kishte vënë.

“Pasi mbarova shkollën fillore në Guci, vazhdova studimet në Shkollën Normale në Pejë, por pas pak kohësh mbyllet dhe ne detyrohemi të shkojmë në Gjakovë, ku edhe aty regjimi e mbyll dhe unë detyrohem të vazhdoj Shkollën Normale në Prishtinë. Pas përfundimit të Normales më propozuan të punoj në ‘Rilindje’, e cila në atë kohë dilte 2-3 herë në javë”, shkruhet në rrëfimin e Çelajt, ish-gazetar e redaktor në “Rilindje”. 

Secili ka rrëfimin e vet për “Rilindjen”, e “Radhitje...” i ngjall ato. Ky është edhe synimi i projektit të mbështetur nga “HeritageSpace” implementuar nga “CHwB Kosova”,financuar nga Qeveria suedeze, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

Idila Ibrahimi, koordinatore e programitnë “Heritage Space” në ceremoninë e hapjes ka thënë se ky është prezantimi i tretë nga pesë projektet teksa ka falënderuar dyshen e instalacionit “Radhitje...” për rezultatin e arrirë. 

Tringa Sefedini që ka studiuar antropologji kulturore, me fokus në antropologjinë vizuale, kërkimin arkivor, historinë gojore dhe kujtesën kolektive, pasi ka falënderuar të gjithë ata që i kanë ndihmuar, ka çmuar gatishmërinë e atyre që kanë ndarë rrëfimet me to. 

“Më të rëndësishmit i falënderoj të gjithë punëtorët e ‘Rilindjes’ që disa prej tyre janë sot, të cilët i kemi intervistuar duke na kanë hapur dyert e shtëpive bashkë me arkivat e tyre personale. Gjithashtu edhe zemrat e tyre me rrëfime që i kanë bërë për ‘Rilindjen’. Në fakt unë dua të besoj se këtë projekt e kanë bërë ata jo ne të dyja, sepse pa ta nuk do të mund ta realizojmë asnjëherë projektin”, ka thënë Sefedini.

Ka thënë se punëtorët e “Rilindjes” janë ata qëe kanë bërë të mundur që ‘Rilindja’ të krijohet, të zhvillohet. Pa marrë parasysh shtypjen politike, e cila ka ekzistuar në atë kohë, pa marrë parasysh censurën, pa marrë parasysh që gazeta u mbyll dhe prapë se prapë ju i keni bërëtakimet... Shpeshherë i keni botuar librat në shtëpitë tuaja dhe jam shumë krenare për punën e madhe që keni bërë në ‘Rilindje’ dhe për gjithë fushëveprimin e ‘Rilindjes’”, ka thënë ajo.

Përgjatë intervistave, Sefedini ka thënë të ketë vërejtur se ka pasur shumë ndjenja të lumturisë, të gëzimit, të zemëratës e të mërzisë.

“Dhe shpeshherë e kemi potencuar se ‘Rilindja’ nuk ekziston më. Nëse nuk ekziston në formë fizike dhe konkrete, në fakt ekziston, dhe do të ekzistojë se është një pjesë e pandashme e historisë moderne të Kosovës. Faleminderit shumë që keni artikuluar të gjitha ato aspirata që na sot po i jetojmë edhe shpresoj që të kënaqeni me leximin e gazetës dhe intervistat që i kemi realizuar së bashku...”, ka thënë Sefedini.

Elisa Maxhuni me profesion arkitekte, por me një interes të veçantë për ndërthurjen e tingullit me arkitekturën në hapësirat publike urbane, u ka bërë apel artistëve të rinj që të bëjnë projekte gjithmonë duke menduar dhe duke pasur parasysh kontekstin e së kaluarës dhe gjithë atyre që kanë punuar për të ardhurkëtu ku jemi. 

“Pra, mos ta rishkruajmë historinë duke anashkaluar të kaluarën dhe gjithmonë duhet të gjejmë një bashkëdyzim mes të kaluarës dhe së tashmes”, ka thënë Maxhuni. 

“Radhitje në plumb, germë për germë”, siç përshkruhet instalacioni, nëpërmjet “rrëfimeve të gazetarëve, shkrimtarëve, teknikëve dhe personelit logjistik që punuan në ‘Rilindje’ në periudha të ndryshme, ofron një perspektivë të re mbi kujtesën e përbashkët dhe identitetin kolektiv të një epoke kyçe për Kosovën”. 

Mirsad Krasniqi ka qenë i pranishëm në prezantimin e instalacionit. Rrëfimi i tij është edhe në “Radhitje...”. Ka punuar kohë të gjatë në ndërmarrjen së shtëpisë botuese grafike “Rilindja”, te redaksia e botimeve. Sot shet libra në shesh. 

“Redaksia e botimeve ka pasur për detyrë që të botojë libra. Ne i kemi botuar kryesisht lekturat shkollore, poezinë dhe të gjitha zhanret eletërsisë, faktikisht në qoftë se mund edhe të lëvdohemi, krenohemi, sepse gjithçka ka kaluar nëpër duart tona, të redaktorëve, të shkrimtarëve që i ka pasur redaksia e botimeve”, ka thënë Krasniqi.

Ka kujtuar se “Rilindja” ka qenë e përbërë në gjashtë njësi, në kuadër të saj ka qenë edhe redaksia e botimeve apo edicioni i shkurtër. 

“Ishte e rëndë mbyllja e ‘Rilindjes’, jo që ishte problemi se ne ngeleshim pa punë, por ishte frika se nuk do të kemi më libra në shqip, nuk do të kemi më gazetë në shqip, nuk do të kemi revista në shqip. Mirëpo jo, ne u mobilizuam dhe filluam që bëjmë rezistencë në formën që ta vazhdojmë prapë botimin, konkretisht me botimin e librave dhe romaneve, por jo në objektin ku ishim, por nëpër shtëpi private dhe nëpër disa objekte të marra me qira. Bëmë një rezistencë aq sa na lejonin kushtet”, ka thënë ai. 

E, “Radhitje në plumb, germë për germë” është një grimë rezistence për të mos e harruar “Rilindjen”, ata që e krijuan, që punuan aty dhe e mbajtën gjallë.