Shtojca për Kulturë

“Pranvera vërtet do të vonohet”

Bekim Fehmiu gjatë parapërgatitjeve të filmit “Kur pranvera vonohet” më 1978 (Foto: Shukri Kaçaniku)

Bekim Fehmiu gjatë parapërgatitjeve të filmit “Kur pranvera vonohet” më 1978 (Foto: Shukri Kaçaniku)

“Koha e sukseseve të organizuara ka kaluar. Kur më kujtohen njerëz të ndryshëm nga politika dhe dëmet që i janë sjellë kulturës kosovare e shqiptare, më bie ndërmend vjersha e poetit të madh shqiptar, Xajë Nura: ‘Me të katër këmbët përpjetë’. Mungesat e gjata nga vendi kanë bërë që më lehtë i kam vërejtur të mirat dhe të këqijat në ndryshimet që kanë ndodhur. Pasi isha prizrenas, i cili jeton në Beograd, ato dy mjedise më janë bërë pasqyrë. Në Kosovë, pas demonstratave të vitit 1968, me Kushtetutën e re të vitit 1974, shqiptarët për të parën herë u bënë të barabartë me popujt e tjerë. Kam pritur se tash, si qytetarë të lirë, do t’i përveshin mangët, punojnë e mësojnë më shumë sesa të tjerët”, shkruante Bekim Fehmiu në pjesët që edhe sot japin përgjigje se përse Bekim Fehmiu nuk luajti në gjuhën amtare

Pse Bekimi nuk luajti në ndonjë film apo dramë në gjuhën shqipe (në Kosovë o Shqipëri) këtë më së miri e shpjegon vetë në librin autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” (pjesa e dytë), e me këtë bien në ujë të gjitha mosdijet e vlerësimet e tilla kuturu, të pabaza e qëllimkëqija dhe smirat e urrejtjet ndaj sukseseve të Bekimit, që si shqiptar i Kosovës i dha kulturës botërore. Për lexuesit po publikoj pjesë të shkëputura nga “Monografia BEKIM FEHMIU – Odiseu i Kosovës”, përgatitur nga unë (F.M.) e ku Bekimi flet në hollësi (në vëllimin e dytë të librit të vet autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”) për shkaqet dhe arsyet pse nuk luajti në ndonjë film apo dramë në shqip, ndonëse hapat e parë në teatër në Prizren dhe në Prishtinë i ka bërë duke luajtur në shqip.

“Ditë e re. Në zyrë më prisnin Zhika Pavloviq dhe Aca ‘pijavica’, drejtori i filmit. Azemi menjëherë e nënshkroi kontratën me Zhikën. E me mua? Nuk i bie ndërmend. Para se të udhëtoja, iu drejtova Azemit:

- Shoku drejtor i përgjithshëm, urdhëroni emrat e regjisorëve tanë të diplomuar të Universitetit të Moskës. Luan Daka dhe Sedat Kuqi, për të cilët nuk ke ditur as ti, as TV Prishtina, bursistë të të cilit kanë qenë. Të lutem merri me vete më 1 gusht, në Divçibare, që t’i kyçim në punë që nga fillimi.

U befasua.

Më një gusht, në vend që veç të ishim në Divçibare, Azem njofton se Zhikës i kanë lindur disa punë. Takimi shtyhet për pesë gusht. Lajmërohet edhe Zhika.

- Ti e di se plani i punës është si ai luftarak. Nëse e humb ditën e parë, mund ta humbësh betejën – i them.

- Ke të drejtë, ama ja. Më fal, të lutem. Shihemi... Përshëndete Brankën dhe fëmijët.

Divçibare. Më në fund u tubuam. U gëzova që Shkreli ‘e ka gjetur’ Luan Dakën, njërin nga studentët moskovit të regjisë dhe e ka sjellë. E nisëm punën me një javë vonesë. Zhika e ka sjellë Boban Lemanin, edhe një regjisor të ri nga Akademia e Beogradit. Pas katër ditësh, e kuptoj se asgjë nuk kemi bërë. Puna? Vetëm po i tërheqim vijat dhe po i ngjitim numrat 1, 2, 3... pa analizën e ngjarjeve dhe karaktereve.

Librin e xhirimit e kemi ‘përfunduar’. Jam i vetëdijshëm se nuk e kemi kryer as një të katërtën e punës. Azemi është më shumë se i kënaqur. E ka librin prej 500 faqesh, të lidhur në kopertina të gjelbra, të cilin askush nga funksionarët politikë e kulturor nuk do ta lexojë. Tre miliardë dinarë do t’i marr lehtë...”, shkruan Bekim Fehmiu. Rrëfimi i tij vazhdon.

“Në Prishtinë, tash sipas planit, më 1 shtator, të gjithë të mbledhur. Librat e xhirimit u janë ndarë skenografëve. E pyes Azemin nëse e ka ftuar Abdurrahman Shalën. - Ende jo. Mos u brengos, do ta thërras.

- Thirre për bashkëpunim. Në fund të fundit, ai akoma është i punësuar në ‘Kosovafilm’.

Abdurrahman Shala është aktor i shkëlqyeshëm dhe shqiptari i parë që ka luajtur në filmin jugosllav. I dashuruar i rrallë në punën e vet, entuziast dhe themelues i ‘Kosovafilmit’. Nga fillimi i kam lutur të jetë i përfshirë, por drejtori nuk u pajtua assesi me këtë. Kam insistuar në këtë, jo vetëm në shenjë të respektimit, veç edhe për shkak të nevojës për dijeninë e tij...”, shkruan ai.

Përzgjedhja e terrenit

Rrëfimi i Bekim Fehmiut është dëshmi.

“Peja. Hotel ‘Metohia’. Me pije, pushojmë nga ‘udhëtimi i madh’... Nisemi. Përpara hotelit – kallaballëk. Njerëzit ndeshen, duke pyetur me zë të lartë, kush me kë në cilin automjet. Qytetarët janë grumbulluar dhe i shikojnë ‘artistët’.

- Shoku profesor. Azemi më ka dëbuar – më thotë regjisori i ri, Sedat Kuçi. E pyes Azemin për arsyen. Nuk ka përgjigje. - Sedat Kuçi shkon me mua.

Dy skenografë na shpien nëpër Grykën e Rugovës. Agush Beqiri, me mjekër të thinjur, flokë të shprishura, në xhaketë të gjelbër dhe xhins, e bart fotoaparatin rreth qafe me objektivin prej njëqind e tetëdhjetë shkallësh. Nuredin Loxha është antipodi i tij. I pyet skenografët – A e keni lexuar librin e xhirimit?

- Mbetën të habitur.

- A e dini se skena e shpërthimit të rrethimit do të xhirohet kah fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit?

Kaloi edhe një javë. Sërish telashe.

I tërë ekipi është mbledhur. E kam marrë me vete kasetofonin tim. E kam vu mbi tavolinë. U befasuan. E shtypa sustën për incizim.

- Të shohim çka kemi punuar. Nuridin, përse dje nuk ke ardhur në mbledhje? – e pyes skenografin.

- Më fal, për Zotën s’kam mundur, kam pas punë.

E pyes djaloshin, të cilin Azemi e ka larguar nga automjeti: - Sedat, a e keni krye detyrën? - Për Zotën s’kam mundur! Kam pas mysafirë. - A gjatë tërë javës, a?

- Sedat Kuçi, ju falënderohem për bashkëpunim.

Rrinte ulur me kokë të përkulur.

Papritmas reagoi Adil Begolli, zëvendësdrejtori i filmit.

- Përse po na incizon në kasetofon? Ne nuk jemi në polici! Çka do të thotë kjo? - Unë ju kam lutur që të mbahen procesverbalet. Më keni thënë se ky nuk është zakon i juaji. Se mbledhjet i mbani në këmbë dhe zgjasin pesë minuta. Pasi barti përgjegjësi, e ndiej se është më se e nevojshme që të mbahen procesverbalet dhe dokumentacioni, sepse nesër do të na nevojiten.

- Jo, bre njeri! Ti po sillesh si udbashët e Rankoviqit – shpërtheu Adil Begolli dhe demonstrativisht e lëshoi zyrën. Pas tij u nisën edhe anëtarët e tjerë...Takimi u shpërnda. E shkyça kasetofonin”, shkruan Bekim Fehmiu. Historia vazhdon.

“...Edhe një vazhdim”

“U kthyem në Beograd për shkak të kursimit dhe për të qenë me familjen. I luta regjisorët e ri të mi të dashur, Gjigja Karanoviqin dhe Goran Markoviqin, ta lexojnë skenarin dhe ta japin mendimin e vet. Gjigja e lexoi. Më dha vërejtje dhe sugjerime të rëndësishme. Iu falënderova nga zemra. Më befasoi Gorani. ‘Më fal, por kush do t’i lexojë 500 faqe?’ Refuzoi...

Zhika po shëtit nëpër kabinet. Flet me zë.

- Nuk dua! Mua më është thënë se unë do ta xhiroj. E këtu po përgatitet Bekimi.

- Të lutem? Kush ta ka thënë këtë? – pyes i habitur.

- Dihet kush më ka thënë. Azemi. Kontratën e kam si supervizor, ama gojarisht, është rënë dakord se unë do ta xhiroj - thotë, dhe më tutje sillet rreth tavolinës, duke u munduar t’i thotë mendimet e veta.

- Çka ke menduar ti Zhiko, ti i cili je ‘marrë vesh’? Se unë do të pranoja që ti ta bësh regjinë e që në ekran të paraqitet: regjia Bekim Fehmiu. Ti të paktën më njeh si njeri. Ke mundur të ma thuash me kohë. Të faleminderit. Dhe, kështu, fatkeqësisht, përfundoi bashkëpunimi im me Zhikon.

Unë vazhdova të punoj vetëm si regjisor, pa supervizor. Xhirimi nuk nisi sipas planit, më 5 tetor. Papritmas më thirri Abdurrahman Shala. Ma caktoi takimin në hotelin ‘Bozhur’. I hareshëm, menjëherë pyet: - Më ka thirrë Azemi. A e di arsyen? - Nuk e di. Me siguri për shkak të rolit që duhet ta luash. E pres ndihmën tënde, jo vetëm si aktor.

- Buzëqeshje e gjerë, e gëzueshme. Iu kthye vetëbesimi njerëzor, profesional. Dolëm të përqafuar.

Abdurrahmanin, shtëpia ‘Kosovafilmi’, të cilën e ka themeluar – e ka larguar. Vetëm e merrte rrogën. Me ndërmjetësimin e Azemit, ia dola që të kthehet. Të nesërmen në rrëmujën e përgjithshme, në zyrë, e ula në vendin e nderit.

Skenografi, pas kritikës sime punoi me plot zemër. I ndihmonte Violetës së re edhe në krijimin e kostumeve. Kaluam në hotelin ‘Grand’. Ditët e para me shi të nëntorit janë të akullta. Herët bie terri. Punojmë me qirinj dhe llamba me vajgur, me pallto e dorëza. Restrikcioni i energjisë elektrike... Kushtet janë të pamundshme.

I lajmërohem Drita Dobroshit se po heq dorë. Ajo menjëherë e caktoi mbledhjen në Këshillin Ekzekutiv. Të pranishëm janë nënkryetari Pajazit Nushi, Ministri i Kulturës Ymer Jaka, Drita, Azemi dhe unë.

- Kam hyrë në gjithë projektin me qëllimin më të mirë që të ndihmoj. Unë s’e kam marrë me dhunë regjinë, për këtë më keni lutur ju. Kurse ndaj të tjerëve jam kërkues si edhe ndaj vetes.

- U rrëfeva me shumë sinqeritet, dhe hapur. Ky takim më ishte shpresa e fundit. - Ju lutem, mos përdorni fjalë të rënda. Ndërkamca, obstruksione, sabotime. Mendoj se qëllimi i Azemit është të xhirojë film e jo ta pengojë këtë – reagoi ashpër ministri.

Drita Dobroshi dëgjon dhe shikon. Shoku Pajazit Nushi pret që Azemi të flasë. Por ai hesht.

- Mirë, çfarë po propozon – më në fund më pyet nënkryetari. - Së pari: Këtu nuk ekzistojnë kushtet minimale për punë për shkak të restrikcionit të energjisë elektrike. Propozoj të kthehemi në Beograd. -Së dyti: Tërhiqjani vërejtjen drejtorit tuaj të përgjithshëm që të mos implikohet në dramaturgjinë e filmit! Nëse keni besim më lini të punoj. Nëse jo, lamtumirë! - Azem, çka mendoni për propozimin? - pyet nënkryetari Nushi. - Pajtohem. Do t’u gjej zyre në hotelin ‘Moskva’. Në kat ekziston një sallë e përshtatshme – u përgjigj me gojë të terur dhe zë të marrë”, rrëfen Bekim Fehmiu. Historia vazhdon me punën në Beograd.

Punën e vazhdojmë në Beograd

“Në galerinë e hotelit ‘Moskva’, zotëri Zdravko, Fangjo dhe unë vazhduam të punojmë dhjetë deri trembëdhjetë orë në ditë. Sikurse kam premtuar më 9 dhjetor 1978, ora 23, librat e xhirimit ishin të gatshëm. - Aco, të lutem, m’i printo 15 kopje. Duhet t’ia dërgoj Fadil Hoxhës... - Nuk mundem. Azemi më ka urdhëruar se kur të bëhet gati, më parë t’ia dërgoj atij për lexim.

- A mund të shkosh ti në tre p... të s’amës, bashkë me drejtorin e përgjithshëm – kërceu i tërbuar Fangja. Gota ime e pakënaqësisë ishte përplot. Pavarësisht faktit që pas konfliktit me Zhikën vazhdova të punoj, unë e mora përfundimisht vendimin të dal nga projekti.

Në fund të javës së dytë u lajmërua zotëri Zdravko. Fanxho m’i ka sjellë pesë kopje. I shfletoj. Bukur duken. Mirëpo nuk vlen asgjë më.

- Të dashur bashkëpunëtorë të mi, ju falënderohem në ndihmën e pakursyer që ma dhatë. Këtë vepër do të jeni të detyruar ta vazhdoni pa mua. Unë po tërhiqem. M’i falni nevrikosjet e mia... Ju dëshiroj shumë durim dhe punë të mbarë. U orvatën të më bindin për ta ndryshuar vendimin.

- Pa ju nuk do të ketë film! - Pasi u tërhoqe ti, po shkoj edhe unë. Kush po ua q... nënën!, përfundoi edhe Fangja. Me letrën përcjellëse - dorëheqjen, menjëherë i dërgova librat e xhirimit: Mahmut Bakallit, Dushko Ristiqit, Pajazit Nushit...”, shkruan aktori i njohur.

Rezyme

“Klubi i Federatës. Pranë tavolinës qendrore rri ulur me shokun Fadil.

- Kam dashur që personalisht t’ua dorëzoj librin e xhirimit. - Au - uuu, po kjo qenka e hollë! Të them të drejtën as atë të parën nuk kam arritur ta lexoj. Ia dorëzova edhe letrën. Duke lexuar, shoku Fadil u errësua. - Do ta ndaloj xhirimin. Le të mos punohet fare – tha papritmas, krejt i qetë.

- Nuk betohem. Nëse filmi xhirohet sipas këtij skenari, nuk mund të jetë i keq dhe do të mbetet një dokument historik nga Lufta Nacional-Çlirimtare dhe e popullit të Kosovës. Mbi njëqind njerëz - aktorë, skenografë, kostumografë, elektricistë, rekuizitorë, gardërobistë – do të punësohen. Duke punuar, do të mësojnë si krijohet filmi. Prandaj, ju lutem që të mos e ndaloni xhirimin e filmit.

- A nuk mundesh të paktën rolin ta luash? Kur duhet të shkosh në operimin e syrit?

- Më njëzet mars 1979. Kjo do të jetë mu në mes të xhirimit, sipas planit të tashëm...

E shikova filmin. Nuk u desh ta lus shokun Fadil që të mos e ndalojë xhirimin. Fatkeqësisht, nuk ka mbetur asnjë pjesë nga ajo për të cilën kemi ëndërruar dhe në çka kemi punuar derisa e kemi shkruar skenarin. Njerëzit nga pushteti dhe politika e Kosovës e dëbuan pionierin e filmit kosovar, Abdurrahman Shalën, me arsyetimin se e ‘ka keqpërdorë pozitën e drejtorit’, sepse i ka luajtur disa episode në disa filma. Ai është njëri ndër aktorët tanë më të mëdhenj, laureat i ‘Arenës së Artë’, i cili na ka lënë në trashëgimi Teatrin profesional popullor shqiptar, të parin në historinë e Kosovës. Si drejtor i ‘Kosovafilmit’, na ka lënë dy realizime të shkëlqyeshme: ‘Uka i Bjeshkëve të Nemuna’ dhe ‘Si të vdiset’. E çka na kanë lënë ata pas tij? Sa dhe çfarë filmash? Me çfarë jehone artistike? Koha e sukseseve të organizuara ka kaluar. Kur më kujtohen njerëz të ndryshëm nga politika dhe dëmet që i janë sjellë kulturës kosovare e shqiptare, më bie ndërmend vjersha e poetit të madh shqiptar, Xajë Nura: ‘Me të katër këmbët përpjetë’

Mungesat e gjata nga vendi kanë bërë që më lehtë i kam vërejtur të mirat dhe të këqijat në ndryshimet që kanë ndodhur. Pasi isha prizrenas, i cili jeton në Beograd, ato dy mjedise më janë bërë pasqyrë. Në Kosovë, pas demonstratave të vitit 1968, me Kushtetutën e re të vitit 1974, shqiptarët për të parën herë u bënë të barabartë me popujt e tjerë. Kam pritur se tash, si qytetarë të lirë, do t’i përveshin mëngët, punojnë e mësojnë më shumë sesa tjerët. Edhe pse nisen të ndërtohen fabrikat e para përfituese, të cilat dhanë rezultate, kam parë shqiptarë të pakënaqur të cilët ‘i ngritën katër këmbët përpjetë...’”, shkruante Bekim Fehmiu.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Ky shkrim botohet me rastin e 15-vjetorit të shuarjes së aktorit Bekim Fehmiu (15 qershor 2010), për të cilin rast është botuar edhe libri “Bekimit me dashuri” me poezi, piktura, thënie për aktorin dhe të vetë Bekim Fehmiut.

Lexo edhe: