Shtojca për Kulturë

Ëndrra e parealizuar e Bekim Fehmiut për të aktruar në shqip

Bekim Fehmiu,  emrin e shqiptarit e ka shkruar me shkronja në arta në kinematografinë botërore, sepse gjithmonë dhe me krenari e shpreh përkatësinë e tij kombëtare

Bekim Fehmiu, emrin e shqiptarit e ka shkruar me shkronja në arta në kinematografinë botërore, sepse gjithmonë dhe me krenari e shpreh përkatësinë e tij kombëtare

Bekim Fehmiu (1936-2010), aktori më i madh shqiptar i filmit të shekullit të kaluar me famë botërore, i cili në artin filmik e arriti kulmin me role e kryerole të shkëlqyera në filmat e producentëve e regjisorëve të njohur jugosllavë, evropianë e amerikanë dhe me emrat më të mëdhenj të yjeve të filmit, duke luajtur personazhe të ndryshme në shumë gjuhë të botës, nuk ia doli që, të paktën, të realizonte një film apo dramë në gjuhën shqipe, që ka qenë edhe ëndrra e tij jetike

Bekim Fehmiu nuk arriti të realizojë një film apo dramë në gjuhën shqipe e për këtë shkak nga disa individë, e veçmas nga të quajturit patriotë kujdestarë, por edhe përfaqësuesit e pushtetit, të të gjitha niveleve në Kosovë, por edhe në Shqipëri, kjo temë vazhdon të jetë e pranishme dhe ai konsiderohet si aktor i cili “nuk i ka dhënë asgjë kulturës shqiptare dhe për këtë nuk ka kurrfarë meritash”.

Si të interpretohet ndryshe refuzimi i ish-kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që Kuvendi të mbajë një minutë heshtje me rastin e shuarjes së jetës së aktorit, kur tha: “Sa njerëz vdesin çdo ditë nuk mund t’u mbajmë nga një minutë heshtje...”, që përkthyer në shqip nënkupton se “Bekimi ka qenë askush!!!”

Mirëpo, të gjithë këta persona duket se nuk e dinë se pikërisht Bekimi emrin e shqiptarit e ka shkruar me shkronja në arta në kinematografinë botërore, sepse gjithmonë dhe me krenari e shpreh përkatësinë e tij kombëtare, pra shqiptare e gjeografike – (Atje ku shkel këmba ime, atje është Shqipëri” – thoshte ai).

E madje me kurrfarë kushtesh nuk ka pranuar t’i ndërrohet identiteti (emri i tij), madje as edhe një germë, që do t’i sillte karrierë e famë edhe më të madhe në artin filmik dhe financa të mëdha. E, më keq është se nuk e kuptojnë as e vrasin mendjen se ka personalitete që i japin kulturës kombëtare, por figura që i japin kulturës botërore si pjesëtar të kombit të caktuar, që ka shumë shembuj në botë.

Pse Bekimi nuk luajti në ndonjë film apo dramë në gjuhën shqipe (në Kosovë o Shqipëri) këtë më së miri e shpjegon vetë në librin autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” (pjesa e dytë), e me këtë bien në ujë të gjitha mosdijet e vlerësimet e tilla kuturu, të pabaza e qëllimkëqija dhe smirat e urrejtjet ndaj sukseseve të Bekimit, që si shqiptar i Kosovës i dha kulturës botërore. Ndonëse Bekimi karrierën e vet prej aktori e ka filluar si gjimnazist në Prizren, si amator dhe pastaj si anëtar profesionist i Teatrit Krahinor të Kosovës, më 1955/56, ka luajtur brilant në dramat shqipe. Duket se Kosova e as Shqipëria nuk kanë qenë të gatshme ta pranojnë një aktor të tillë të madh me profesionalizëm të lartë, perfeksionizëm të rreptë, njeri uragan në punë, me karakter e kode të rrepta njerëzore, intelektual e atdhetar i pathyeshëm.

Zhgënjim i parë me studentët e aktrimit në Prishtinë

Për lexuesit po publikoj pjesë të shkëputura nga “Monografia BEKIM FEHMIU - Odiesu i Kosovës”, përgatitur nga unë (F.M.) e ku Bekimi flet në hollësi (në vëllimin e dytë të librit të vet autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”) për shkaqet dhe arsyet pse nuk luajti në ndonjë film apo dramë në shqip, ndonëse hapat e parë në teatër në Prizren dhe Prishtinë i ka bërë duke luajtur në shqip.

“Pas xhirimit të dramës ‘Djegia e Rajhstagut’ për TV Beogradin (1972), nën regjinë e Arsa Jovanoviqit, ku kam luajtur Gjorgje Dimitrovin (thënë kalimthi ky ka qenë roli i vetëm që më është ofruar për TV deri më tash – mendoj në vendin tonë), iu përgjigja ftesës së Bardhyl Zajmit, dekan i Shkollës së Lartë Pedagogjike nga Prishtina ta drejtoj një klasë të studentëve të aktrimit. Më futën në sallë. Po mbahen provimet pranuese për aktrim. Ajri kaltërohet nga tymi i duhanit.

- Hajde, na trego diçka.

Provimet i mbajnë Istref dhe Faruk Begolli. Faruku e ka kryer Akademinë e Teatrit në Beograd. Është njëri nga aktorët tanë më të bukur. Publiku femëror thjesht e adhuron. Mendoj se megjithatë pak më shumë është komod si profesor i ardhshëm. Por secili e ka mënyrën e vet.

I pranova studentët, të cilët ata veç i kishin pranuar. Leksioni i parë rinis me zanafillë të ndryshme sociale. Fillova nga dukja e jashtme personale dhe mbajtja e higjienës. - Rrugët e Prishtinës janë me baltë. Keni ardhur, si edhe unë, këmbë. Shihni, edhe këpucët e mia kanë qenë të përlyera, ama para se të hyj në fakultet i kam larë dhe leckën e shtrydhur e kamë gjuajtur në qese najloni dhe e futa në xhep. – Ua tregova leckën e mbështjellë. Studentët dëgjuan me vëmendje. E thithnin secilën fjalë të shqiptuar.

Abdurrahman Shala ma dha, si anëtar i këshillit të “Kosovafilmit”, ta lexoj skenarin për film mbi Boron e Ramizin “Si të vdiset”. Tekstin e kanë shkruar Brana Shqepanoviq, drejtori artistik i “Avalla filmit”, dhe Miki Stamenkoviq. Recensioni im ishte negativ. Xhejmsbondizëm! U takuam në barakën e “Kosovafilmit”. Përpos treshes së përmendur, të pranishëm ishin Besim Sahatçiu dhe skenografi Nuredin Loxha. Autorëve nuk u ishte për qejfi recensioni im.

- Çka propozon?

- Shkojmë nga faqja në faqe, nga skena në skenë...

Punuam katërmbëdhjetë orë. Pa ndërprerje. I eliminuam mangësitë. Lindën edhe ide të reja.

- Nuk kam ditur se je aq dramaturg i mirë!

Të faleminderit! Shumë të reja kam mësuar mbi shqiptarët – më thotë Brana Shqepanoviq. Bisedojmë mbi ndarjen e roleve. Gati të gjitha rolet duhet t’i luajnë aktorët nga Beogradi.

- Për çka aktorët nga Teatri i Prishtinës i kanë kryer shkollat për aktor, akademitë?

Mendoj se e kemi tërë ndarjen në ansamblin shqiptar dhe serb. Ata me plot të drejtë po presin të jenë të angazhuar. Kurse për rolin e Boro Vukmiroviqit e propozoj Dragan Maksimoviqin - Maksën nga Podujeva, anëtarin e Teatrit Popullor nga Beogradi. Aktor i shkëlqyeshëm. Aq më shumë, ta rikujton Borën. Në parim propozoj që shqiptarët t’i luajnë shqiptarët e serbët - serbët, malazezët-malaziasit, dhe atë krejt nga Kosova. Këta nuk janë serbë nga Shumadia as malazezë nga Cetina, vetëm ata e kanë bojën lokale kosovare, që është begati e veçantë.

Në këtë nuk ia dola, dhe nëpërmjet gazetës ditore “Rilindja” e botova dorëheqjen si anëtar i Këshillit të “Kosovafilmit”. Me këtë nga vetvetja e hoqa çdo përgjegjësi.

Në Shkollën e Lartë Pedagogjike tamam nisi në të mirë, dhe pastaj... Abdurrahmani erdhi në Akademi dhe sërish ma ofron rolin e Boros.

- Kam thënë kush mund ta luajë Borën, Maksa. U ndamë. Por u pajtova që ta shfrytëzojë edhe emrin tim për avancimin e “Kosovafilmit”.                      

Ndryshe, me të madhe flitej: “Bekimi ka dështuar në botë, prandaj ka ardhur të na rrëmbejë bukën”. Në fund, i morën aktorët nga Kosova, por vetëm serbët nga Beogradi, përpos një vajze nga Prizreni, serbe, e imponuar, e cila e ka luajtur shqiptaren e re. Në Akademinë e SHLP-së, sekretari, ndryshe pejan, nisi të bënte probleme lidhur me mëditjet dhe honorarët e mi. E pashë se ku e kishte qëllimin. Ashtu në fund u ndamë”, shkruan ai.

“Bekimi është mendjemadh, por i ka hije”

Rrëfimi vazhdon: Qysh në maj, Azem Shkreli më luti të takohemi. E dija se është poet i shkëlqyeshëm e ka qenë edhe drejtor i Teatrit Popullor. Tani u paraqit si drejtor i përgjithshëm i “Kosovafilmit”. A thua ku është Abdurrahman Shala?

Në kafenenë “Bezistan” në Terazi (të Beogradit) u njoha me Azemin për herë të parë. Më pëlqen si tingëllon shqipja e tij, me fjalor të pasur dhe muzikalitet të butë. Më ofron rolin kryesor në filmin “Kur pranvera vonohet”. Skenarin e ka shkruar vetë në bazë të ditarit luftarak të Fadil Hoxhës.

- Si ju pëlqeu skenari im?                  

- Nuk më pëlqeu. Emrin e Fadil Hoxhës, dhe kush është ai, e di nga fëmijëria. E kam njohur personalisht në vitin 1956. Në skenar nuk ekziston figura e tij. Ai është njëfarë komandanti që quhet Betim Kosova, i cili është hedhur në një masë të njerëzve dhe tërësisht është shkrirë në të.

- Ama këtu rolin kryesor duhet ta luajë masa, populli. Këtë e kam bërë me qëllim!

- A e keni shikuar filmin “Dita më e gjatë”, mbi desantin e forcave anglo-amerikane në Normandi, më 6 qershor 1944? Masë më të madhe të njerëzve në film nuk kam parë. Edhe sot i mbaj mend fatet e individëve. Secili nga ata e ka emrin dhe biografinë e vet.   Në të gjitha mënyrat u mundua të më bindë se roli kryesor është POPULLI. Më ofroi edhe regjinë. E refuzova. Azemi para do kohe është kthyer nga Shqipëria. Më thotë se atje shokët i kanë thënë: “Bekimi është mendjemadh, por i ka hije!”

E thërras kabinetin e Fadil Hoxhës. Lus për pritje. Për t’i evituar thashethemet, se “Bekimi po kërkon kushte holivudiane, qindra-mijëra dollarë”, desha ta takoja personalisht. Pallati i Federatës. Shoku Fadil më futi në kabinetin e vet. E shoh pas aq shumë vitesh. Nuk ka ndryshuar shumë, pos që tash ishte në rroba elegante civile. Flokët e zeza – tash pak të rralla dhe të thinjura. Ia sqarova përse e kam refuzuar punën në film. Shoku Fadil dëgjon me vëmendje.

- A e ke lexuar Ditarin tim? Mendoj se e kam një kopje - tha. U ngrit dhe iu afrua bibliotekës. - Kjo është në serbisht, a prish punë? Të lutem lexoje. Shumë më intereson mendimi yt. E kam pritur një ditar të bezdisshëm siç kanë qenë aq ditarë të revolucionarëve të tjerë. Faqet e lexuara fluturojnë njëra pas tjetrës. Iu lajmërova shokut Fadil. E shfaqa habinë time dhe gëzimin që ma ka krijuar.

- “Sipas mënyrës që e keni shkruar vetë, e keni përcaktuar stilin dhe formën e filmit, sikur të kishit shkruar skenar. Tash vetëm duhet të shkruhet libri i xhirimit...”, shkruan Fahmiu.

Djallëzitë në filmin “Kur pranvera vonohet”

Derisa xhiroja “Të moshuarit e të rinjtë” më 1977, në Itali, Branka më tha se Miki Stamenkoviq dëshiron të bisedonte me mua lidhur me filmin “Kur pranvera vonohet”. Azem Shkreli ia ka ofruar regjinë dhe i ka thënë që unë ta luaj rolin kryesor.

E takova në UFGS (Shoqata e Aktorëve të Filmit të Serbisë)    

- Ankohet. “Më ka thirrur Azemi të xhiroj. E kam lexuar skenarin. E pashë, nuk ka film! Për këtë shkak jam habitur kur më tha se ti do të luash! I kam propozuar të shkruajë një version të ri. Ka refuzuar. Në Kosovë kam xhiruar dy filma: ‘Uka i Bjeshkëve të Nemuna’... dhe ‘Si të vdiset’. Këta janë dy filma shumë të mirë, sidomos ‘Uka..,’. Nuk dua të shkojë nën nivelin tim. Prandaj nuk kam mundur të pajtohem”.

Kam dëgjuar se drejtori i përgjithshëm ua ka ofruar xhirimin edhe regjisorëve të tjerë. Askush s’ka pranuar. I jam lajmëruar shokut Fadil, më 3 mars të vitit 1978. Në Klubin e Federatës në Dedinje ka organizuar drekë për Azemin me bashkëshorten, Brankën dhe mua. Drekë e këndshme. Nga afër e shoh udhëheqësin e RSFJ-së. Shoku Fadil ia jep fjalën Azemit. Skenarin e ri e ka shkruar Zhika Pavloviq. Filmin do ta xhirojë Lordan Zafranoviq, e drejtor i filmit do të jetë Stipe Gurduliq nga Zagrebi. Janë marrë vesh se do ta xhirojnë edhe filmin, edhe serinë televizive. Nëse Zhika e ka shkruar skenarin, përse edhe të mos e bëjë regjinë? - pyes.

E lexova skenarin. Zhika Pavloviq është njeri që e njeh filmin. Rezultatet janë evidente. I është afruar ditarit, por bota e tij letrare nuk ka pasur shumë të përbashkët me specifikat e kosovarëve. Drejtori i përgjithshëm, duke e përshëndetur shokun Fadil dhe të tjerët, e hapi takimin. Tema: Problemet e “Kosovafilmit”. Tri orë takim. Vetëm një herë u përmend projekti “Kur pranvera vonohet”.

- Shoku Fadil, ju më keni ftuar të bisedojmë për filmin, e tërë kohën u fol për gjërat e tjera. Thënë sinqerisht, ta kisha ditur, nuk do të vija – thashë derisa më përcolli deri në shtëpi. Bekimi ka të drejtë! Azemi të ka sjellë vetëm për shkaqe të interesave të veta personale. Këtë do t’ia thosha në fytyrë – qortoi bashkëshortja e tij Vehidja. Nuk besoj se është ashtu - e qetëson bashkëshorten. Ashtu është dhe kurrqysh ndryshe. Po sheh, edhe Bekimi e ka vërejtur! Kaluan dy vjet nga oferta e Azem Shkrelit, kurse dy muaj e gjysmë nga fatkeqësia ime. Me propozimin e Azemit shkojmë në vizitë shtëpiake te shoku Fadil Hoxha. - A do të na thuash deri ku ke arritur me përgatitjet?      

- Ja. Si e dini, Lordan Zafranoviq është dashur ta xhirojë filmin. Por as ai, as Stipe Gurduliq nuk janë të interesuar të xhirojnë edhe serinë televizive. Duan vetëm film. Po kërkojnë edhe honorar bukur të lartë. Këtë nuk mund t’ia lejoj vetvetes. Tash sërish jemi pa regjisor.

- Prej kur e di se nuk ke regjisor?

- Nga mesi i marsit. - Çfarë ke bërë deri më tash? Kjo gati është katër muaj! A ke gjetur ndonjë tjetër?

- Jo. Do ta gjejmë. Unë jam i ngadalshëm, por i arritshëm – po orvatet të jetë spirituoz.

M’u ngrit tensioni i gjakut. Çdo emocion më i madh apo ngarkesë fizike sjellin derdhjen e gjakut në syrin e lënduar. Mezi po përmbahem. Shoku Fadil më shikon. I vjen keq. Pas një heshtjeje të pakëndshme, më drejtohet:              

- Përse nuk po e merr ta xhirosh vetë?

- Kjo është hera e dytë apo e tretë që ma ofron regjinë.      

- Për regjisorin e filmit nevojitet dijeni e madhe. Përse nuk ia ke ofruar Zhika Pavloviqit, i cili e ka shkruar skenarin – e pyes drejtorin e përgjithshëm. E dyta, ne kemi regjisorë edhe këtu, Besim Sahatçiun, Ekrem Kryeziun... Përse nuk janë ftuar ata?

- Besimi po e xhiron filmin “Era dhe lisi” të Sinan Hasanit, ndërsa Ekrem Kryeziu rrjedh nga një familje...

Ekrem Kryeziu, me entuziazëm e pranoi regjinë e përbashkët. Azemi, Ekremi dhe unë punojmë në tavolinë në qëndrimin ditor të banesës së Ekremit. Bashkëshortja e tij e bukur, gracioze, na shërben me kafe. Nuk kaloi as gjysmë ore punë, kur Ekremi duke turfulluar, papritmas e ndërpreu punën.

- Azem, kam diçka për të thënë. Unë s’mund ta xhiroj filmin me Bekimin. Ose le ta xhirojë ai, ose unë! Mos u hidhëro të lutem! Ashtu kam vendosur.

- A është e mundur që të na bësh këtë, tani kur është publikuar se do të punojmë bashkë?

 - Nëse dëshiron, mund të jam ndihmës i regjisë.

- Jo! Këtu pushon çdo bisedë. E bësh me nder!

- E kalova natën pa gjumë. Mendoja për atë se me kë mund ta vazhdoj punën. Nuk kam mundur ta tërheq fjalën e dhënë.

- Bekim, eja që filmin ta xhirojmë ti dhe unë.

- Siiiiiiiii? – me refleksion e kam kthyer kokën.

- Përse të mos e xhirojmë filmin ti e unë? – e përsërit pyetjen, duke thithur tymin e cigares.

- A po e bën ti këtë me shaka, a po mendon seriozisht?

- Më se seriozisht!

- Më fal! A ke lexuar ndonjë libër mbi regjinë e filmit ? Jo, jo libër. A ke lexuar ndonjë fjali mbi atë çka është filmi? Çka është fotografia? - Jo, por kam lexuar rreth njëqind skenarë – u përgjigj pa vezullim.   

- Unë kam shikuar me qindra filma, e kam luajtur në dhjetëra, dhe prapë nuk jam i sigurt nëse mund ta xhiroj. Kjo është sikur unë të them ty: hajde ta shkruajmë bashkë poezinë: “Poezia e Bekim Fehmiut dhe Azem Shkrelit”, e unë në jetë kurrë s’kam shkruar asnjë strofë! Si mund të të bie ndërmend diç e tillë?

- Au - uuu, domethënë, ti ke diçka edhe kundër meje!

- Jo, s’kam asgjë kundër teje, unë mendoj vetëm në film. Më duhet ta njoftoj shokun Fadil dhe Xhavit.

- U ngrita, i mblodha letrat nga tavolina”, kujton Bekim Fehmiu.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Ky shkrim botohet me rastin e 15-vjetorit të shuarjes së aktorit Bekim Fehmiu (15 qershor 2010) për të cilin rast është botuar edhe libri “Bekimit me dashuri” me poezi, piktura, thënie për aktorin dhe të vetë Bekim Fehmiut.