“Ja ku kemi Carsonin e cila – e vetmja – arriti të gjejë një shteg gjuhe që bashkon mrekullisht dy botë kaq të largëta, Antikitetin me këtë botën tonë të vrazhdë, moderne. Ajo me intuitë magjike, ka ndier se zotat dhe figurat e tjera mitologjike apo legjendare që ajo evokon në veprat e saj, në të vërtetë nuk janë larguar kurrë nga imagjinata dhe jeta mendore e njerëzve”, thotë botuesi, poeti e përkthyesi shqiptar, Gentian Çoçoli
Për ata që e kanë lexuar kaherë veprën e Anne Carsonit, emri i saj nuk është befasi. Përkundrazi. Ndonëse “bastet” e viteve të fundit, nuk e nxirrnin në mesin e favoritëve, ajo ishte përherë në listë, pa fort zhurmë, njësoj sikurse natyra e saj. Vepra e fitueses së sivjetme të “Nobelit” për letërsi, deri më tash nuk ka folur në shqip, megjithatë një triumf si ky, e natyrshme, i ka përshpejtuar edhe ato punë që kishin hedhur hapat e parë në përkthim qysh para një dekade. Dy vepra të saj, “Autobiografia e të kuqes - roman në vargje” dhe “Ujë i qetë – poezi dhe ese”, sipas botuesit, poetit e përkthyesit shqiptar Gentian Çoçoli, “kanë rënë në duar të sigurta”.
Për Çoçolin, “Nobeli” për Carsonin “është një rast i triumfit të poezisë, këtij zhanri ‘minor’, që gati-gati është lënë mënjanë, ndanë rruge, a thua i bezdis pushtetet, institucionet, qoftë edhe vetë – shpesh – prozatorët, sepse u zë rrugën”. Në një bisedë për KOHËN, Çoçoli flet për “takimin” me këtë poete e cila sipas tij, “arriti të gjejë një shteg gjuhe që bashkon mrekullisht dy botë kaq të largëta”.
KOHA: Vepra e Anne Carsonit po përkthehet në shqip. Vjen vonë për lexuesin shqiptar. Përse kemi pritur deri tash dhe si tingëllon në shqip vepra e saj?
Çoçoli: Megjithëse e njoh prej vitesh, nuk kam “guxuar” ta përkthej këtë autore mahnitëse. Por ndërkohë dy veprat e saj më përfaqësuese “Autobiografia e të kuqes - roman në vargje” dhe “Ujë i qetë – poezi dhe ese” për poezinë kanë rënë në duar të sigurta të përkthyeseve dhe autoreve Ledia Dushi dhe Orges Hakani-Selmani. Ndonëse kemi marrë dhe rimarrë të drejtat e kësaj autoreje që në vitin 2017 dhe më vonë më 2021, vepra e saj për njëmijë arsye, vjen “vonë”, sepse gjithë Shqipëria dhe shqiptarët janë pak si “vonë”, prej historisë dhe “grindjes me vetveten”. Por edhe sepse vepra e autorëve të mëdhenj është gjithmonë dy-tre dekada përpara se ta zbulojë lexuesi, qoftë edhe ai i sofistikuar. Carson vjen bukur pasi Ledia Dushi është një poete spektakolare dhe i ngjit natyrshëm stili i Anne Carsonit; ndërkohë Orgesi ka kaluar sprova mjaft të vështira me dy poete të jashtëzakonshme: me nobelisten amerikane Louise Glück dhe Karen Solie, poeten kanadeze po aq të fuqishme sa Carsoni.
KOHA: Çfarë mund të na lidhë me veprën e Carsonit? Dihet që ka ngjallur figurat mitike në krijimtarinë e saj, Homerin e ka frymëzim?
Edhe
Anne Carson është vetvetja, përtej çdo kufiri letrar
Çoçoli: Ajo është një prej profesorëve më të famshëm në botë të letërsisë së vjetër greke, gjithashtu përkthyese e shquar e disa tragjikëve si dhe e Safos. Kur mendoj për Anne Carsonin, stilin e saj poetik të pangatërrueshëm, më kujtohet një ide Calvinos për krijimtarinë, i cili propozonte që forma letrare që duhet të zgjedhë krijuesi i kohës sonë duhet të jetë ose shumë e lashtë, ose shumë bashkëkohore. E megjithatë, ja ku kemi Carsonin e cila – e vetmja – arriti të gjejë një shteg gjuhe që bashkon mrekullisht dy botë kaq të largëta, Antikitetin me këtë botën tonë të vrazhdë, moderne. Ajo me intuitë magjike, ka ndjerë se zotat dhe figurat e tjera mitologjike apo legjendare që ajo evokon në veprat e saj, në të vërtetë nuk janë larguar kurrë nga imagjinata dhe jeta mendore e njerëzve. Në të vërtetë, ata ende janë shpesh “autorë” dhe “regjisorë” të teatrit të botës sot e kësaj dite.

KOHA: Reagimi i saj kur mori “Nobelin” është komentuar gjatë? Poeti ynë Visar Zhiti – një deklaratë e saj sikurse ajo se “po dëgjoj erën” – e cilësoi edhe sekret të mundshëm të fuqisë së poezisë së saj. Si e shihni Ju këtë?
Çoçoli: Anne Carson ka vite që përflitej si emër i mundshëm për të qenë fituese e çmimit “Nobel”. Ndaj fitorja e saj nuk e ka habitur askënd, përkundrazi, është një rast i triumfit të poezisë, këtij zhanri “minor”, që gati-gati është lënë mënjanë, ndanë rruge, a thua i bezdis pushtetet, institucionet, qoftë edhe vetë – shpesh – prozatorët, sepse u zë rrugën. Carsoni thotë se ajo shkruan për zbulime të vogla, për gjëra të vogla që ndodhin ngado rreth nesh, ngado-kund në botë. Pikërisht ato “gjëra të vogla” duhen përgjuar, zbuluar dhe ridhënë në gjuhën e poezisë, thotë ajo. Tek e fundit a nuk kemi vargun e famshëm të Eugenio Montales: “Ajo gjurma e argjendtë e kërmillit ndanë shkëmbit, ajo lëndë mund ta shpëtojë këtë botë”.
KOHA: Anne Carson po futet në listën e poetëve fitues? Si do ta komentonit qasjen e Komitetit të Nobelit kur u jep peshë edhe veprave, le t’i quajmë, eksperimentale ose novatore në rrymat letrare?
Çoçoli: Juria e Nobelit, si çdo juri në botë nuk duhet mbivlerësuar, por edhe nuk duhet nënvlerësuar në shijet dhe gjetjet që bën. Shpesh ka qëlluar “anash”, këtë herë ka bërë një zgjedhje të shkëlqyer, në zhanër, në autor. Ata e kanë zgjedhur këtë poete, sepse, besoj unë, e kanë kuptuar në leximet e tyre të thella të veprës së kësaj autoreje, sepse ajo që propozon Carson, sikundër çdo poet i madh, hap një rrugë të re gjuhësore për të rigjallëruar emocionin në botë, në mënyrën tonë të të menduarit dhe të jetuarit, kësisoj jeta bëhet më e qetë, më e këndshme. Dobia finale e poezisë është tmerrësisht konkrete, të na mbrojë ne emocionalisht nga shtypja e botës, e hapit të rëndë të botës. Çdo rrymë e re, çdo mënyrë e re e të shprehurit në letërsi në fund të fundit synon këtë gjë, mirëqenien më të lartë shpirtërore, një “shteg gjuhësor” për të arritur sadopak paqen në vete, në botë.
KOHA: A po kërkon “Nobeli” transformues të letërsisë në këtë epokë të Inteligjencës Artificiale dhe çfarë “përgjigjeje” na jep Anne Carson si fituese?
Çoçoli: Pikërisht, siç po thosha, emocioni i poezisë është një mur i pakalueshëm për Inteligjencën Artificiale, pasi, ndonëse ajo mund ta analizojë në mënyrë mahnitëse, shteruese një poezi a poemë, ajo nuk mund ta përjetojë kurrë emocionalisht atë.
Edhe
Anne Carson sfidon konvencionalen dhe të vërtetën e të tjerëve
KOHA: Si përkthyes dhe lexues, do të doja një këndvështrim tuajin për letërsinë në përgjithësi? “Nobeli” sikur na kthen te vlerat e artit, pastaj lajmi humbet në dinamikën e rrjeteve sociale, te spektakli. Ku gjendet sot letërsia në këtë mes?
Çoçoli: Si me çdo gjë tjetër, edhe për letërsinë dhe frytet që ajo i jep si krijuesit të saj ashtu edhe lexuesit, duhet luftuar me kurajë për ta gjetur, për të mos e braktisur, pasi materialja është rraskapitëse, shkretuese për njeriun, nëse nuk e ekuilibron me jetën shpirtërore dhe evoluimin e saj. Dhe këtë rol prej antikitetit e deri te ne e ka mbi të gjitha letërsia, letërsia e lartë.