Një pjesë e madhe e veprave të Dibrës e kanë të pranishëm kodimin e dyfishtë. Me këtë praktikë është shkruar edhe romani “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Kodimi i dyfishtë mundëson që romani i Dibrës të jetë i qasshëm për dy lloj lexuesish. Dibra e vendos veten në statusin e autorit model dhe përmes praktikës double coding e kërkon lexuesin model si bashkëpunëtor të tijin
Ridvan Dibra është një ndër përfaqësuesit më të denjë të letërsisë postmoderne shqipe, synimi i të cilëve nuk ishte përshtatja me masën, apo, thënë ndryshe, me një shije të përgjithshme. Ky synim, si rezultat solli përdorimin e shumë elementeve postmoderne, edhe atëherë kur ai nuk ia kishte dëgjuar emrin postmodernizmit.
Në këtë mënyrë, sjell për herë të parë modelin postmodern në letërsinë e Shqipërisë. Krijimtaria e Ridvan Dibrës dominohet nga proza, nga një numër tregimesh e novelash dhe, një numër i madh romanesh. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Prostituta e virgjër”, “Nudo”, “Legjenda e vetmisë”, “Në kërkim të fëmijës së humbur”, “Gjumi mbi bore”, “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” e të tjera.
E për poetikën e tij krijuese, Dibra përcaktohet qysh në dy veprat e tij të para “Prostituta e virgjër” dhe “Nudo”. Pra, qysh nga fillimet e krijimtarisë së tij na shfaqet një Ridvan në rolin e një autori eksperimentues, i cili në mesin e një letërsie realiste, na sjell një frymë të re. “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” (2018) është romani i parafundit i shkrimtarit, i cili realizohet si shkrirje mes dramës “Muzg” dhe monodramës me po të njëjtin titull. Në shikim të parë, titulli na asocon me një temë provokative, por në një vështrim më të thellë, “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” del të jetë një nga ato vepra ku autori trajton tema tabu, e, në të njëjtën kohë, problematika në këndvështrime të ndryshme. Me një rrëfim në vetën e parë, kryepersonazhi Madalenë, më të cilën personifikohen shumë femra shqiptare, rrëfen jetën e saj në tri faza të ndryshme, faza këto që janë vendimtare për jetën e një gruaje.
Struktura narrative e romanit
Me “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, Ridvan Dibra krijon një strukturë narrative brenda së cilës manifeston një numër të madh të komponentëve narrativë. Ngjarja e romanit rrëfehet në mënyrë lineare, por që prishet përmes anakronive dhe anizokronive. Autori përdor teknika narrative, të tilla si analepsat, prolepsat dhe elipsat. I gjithë rrëfimi strukturohet përmes parimit double coding, që, si rezultat, e shndërron veprën në një roman të qasshëm për dy lloj lexuesish.
Në marrëdhënie me historinë, romani rrëfehet në nivelin homodiegjetik. Narratori manifestohet edhe në statusin e narratorit autodiegjetik, sepse Madalena na rrëfen vetë jetën e saj. Pra, rrjedhimisht, ajo rrëfen ngjarje ku vetë është protagoniste. Të shfaqurit e Madalenës si autor, narrator dhe personazh është edhe një nga karakteristikat më të veçanta të romanit. Kjo mënyrë e të rrëfyerit e kushtëzon edhe rolin e fokalizatorit, që, në rastin tonë, mesa duket, del të jetë fokalizator internal (i brendshëm). Situata narrative e Ridvan Dibrës përbëhet edhe nga një shumësi zërash, të cilët krijohen nga strukturimi i tekstit sipas stilit dramatik. Gjithashtu, romani dialogon me një numër tekstesh e veprash, edhe në marrëdhënie intertekstuale, edhe në ato intratekstuale e intermediale, me ç’rast, “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” mund të përcaktohet si roman polifonik. Ndërsa, fjalitë e strukturuara në mënyrë dëftore i japin ngjarjes një tis vërtetësie sepse “fjalitë që shprehen në dëftoren merren si fjali që shënojnë veprime, të cilat kanë ndodhur vërtetë (Tzvetan Todorov, “Poetika e prozës”, Panteon – Shtëpia e Librit, Tiranë, pa vit botimi, fq.46).
Kodimi i dyfishtë
Një pjesë e madhe e veprave të Dibrës e kanë të pranishëm kodimin e dyfishtë. Me këtë praktikë është shkruar edhe romani “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Kodimi i dyfishtë mundëson që romani i Dibrës të jetë i qasshëm për dy lloj lexuesish. Lexuesi i nivelit të parë, ai semantik, synon ta shijojë historinë e Madalenës, për ta kuptuar fatin e saj. Nëse e vendosim veten në rolin e një lexuesi të tillë, atëherë krejt çfarë na sillet në kokë janë pyetjet e tilla, si: A do të zhvirgjërohet Madalena, kur do të zhvirgjërohet, ku do të zhvirgjërohet, dhe më e rëndësishmja, me kë? Lexuesi semantik mund të ngatërrohet me dy kapituj, të parin dhe të fundit Unë, Madalena dhe Prapë unë, Madalena, ndërsa do t’i shijojë tri kapitujt e tjerë, në të cilat autori “empirik” rrëfen në vetën e parë vetë fatin e jetës së saj.
Parë nga ky dimension “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” mund të lexohet si një roman realist, si roman për dashurinë, si roman për mungesën e dashurisë, si roman për virgjërinë etj. Sepse, siç shprehet edhe Umberto Eco, “lexuesi empirik mund të lexojë në shumë mënyra dhe nuk ka asnjë ligj që t’i diktojë se si të lexojë. Ndërsa lexuesi semiotik bashkëpunon me autorin duke shijuar tekstin në nivel narrativ. Ky lloj lexuesi, duke lënë anash ngjarjen, shfaq interes vetëm për tekstin si sistem shenjash, për strategjinë narrative, për narratorin dhe funksionet e tij. Ai shijon lidhjet intertekstuale, intratekstuale e intermediale të veprës, stilin, lojën me fjalët dhe ironinë përmes së cilës arrin edhe ta zbërthejë tekstin. Prandaj Ridvan Dibra e vendos veten në statusin e autorit model dhe përmes praktikës double coding e kërkon lexuesin model si bashkëpunëtor të tijin.
Narratori
“Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, në nivelin narrativ ka narrator ndërdiegjetik, ndërsa për nga marrëdhënia me historinë (ngjarjen) ka status homodiegjetik. Pasi që Madalena prezantohet që nga fillimi si kryepersonazh në ngjarje ajo mund të cilësohet edhe në statusin e narratorit autodiegjetik. Si narrator autodiegjetik, ajo rrëfen historinë e jetës së saj, drejtpërdrejt, në vetën e parë: “Mbas shumë e shumë hezitimesh, dyshimesh e pasigurish, vendosa ta rrëfej unë vetë historinë e dashurive të mia”. Teknikisht, Madalena rrëfimtare e prezanton botën fiksionale dhe ngjarjet që ndodhin, në vetë të parë dhe në mënyrë dëftore, ndërsa Madalena personazh, thjesht rrëfen historinë e dashurive të saj. Ajo flet për tri faza vendimtare të jetës së saj të cilat i rrëfen në mënyrë lineare, me disa ndërhyrje anakronike aty-këtu.
Kapitulli i katërt “Unë, 40 vjeçe”, i strukturuar sipas stilit dramatik, i ndërtuar përmes dialogut, rrëfen veprime që na prezantohen si në dramë, duke i lënë lexuesit përshtypjen se narratori në këtë pjesë nuk ekziston fare. Madalena rrëfimtare, si bartëse e statusit autodiegjetik padyshim që jep shumë informacione personale, ndjesi dhe kujtime të shumta të përjetuara gjatë gjithë jetës së saj, me qëllim të dëshmojë para lexuesit gabimet e autorit të monodramës, e, me ç’rast, fiton edhe një lloj funksioni, që Genette e emërton funksion dëshmues/certifikues (Gerard Genette, “Figura III”, Dy lindje dy perëndime, Elbasan, 2017, fq.302)
Fokalizatori dhe vokalizatori
Narratorin, apo njeriun që flet në roman (Mihail Bahtin, cit. sipas Adil Ollurit, “Romani postmodern shqiptar”, AIKD, Prishtinë, 2011) studiuesi Ag Apolloni e ndan në dy pjesë: në fokalizator dhe vokalizator. Ridvan Dibra, në tekstin e tij aplikon edhe fokalizatorin internal. Madalena, si fokalizator internal, gjatë gjithë konfesionit, rrëfen mendimet dhe ndjenjat e saj: “Pikërisht në ato çaste, atë natë, vendosa ta ritregoj historinë time. Siç e kam përjetuar unë. Thashë përjetuar dhe jo jetuar. Me të vërtetat e të pavërtetat e saj. Në disa nga rastet kemi konfesionin e Madalenës para Romit, e, rrjedhimisht, edhe rrëfimet për gjendjen e saj gjatë dhe pas zhvirgjërimit. Në dimension të përgjithshëm, i gjithë libri konceptohet si rrëfim subjektiv, ku Madalena personazh rrëfen nga perspektiva e saj për ndjenjat, dashuritë dhe mungesën e tyre. Fokusimi i brendshëm “implikon fort që personazhi vatëror të mos përshkruhet dhe as të përcaktohet kurrë së jashtmi dhe që mendimet ose perceptimet e tij të mos analizohen kurrë objektivisht nga rrëfimtari (Gerard Genette, “Figura III”, “Dy lindje dy perëndime”, Elbasan, 2017, fq.238).
Përveç fokalizatorit, narratori përbëhet edhe nga një zë narrativ që i përket autorit, narratorit dhe personazhit. Në “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, narratori rrëfen jetën e saj pas moshës 40 vjeçare. Por, mund të themi se, në dy kapitujt e parë rrëfimi vendoset në gojën e adoleshentes 15-vjeçare dhe së rriturës 25-vjeçare. Ndërsa, kapitulli i tretë, i ndërtuar nga dialogu, përbëhet nga një shumësi zërash. Mirëpo, kryesisht, vokalizatori i Dibrës, prezantohet gjithmonë në vetën e parë: Unë, Madalena; Unë, 15 vjeçe; Unë, 25 vjeçe; Unë, 40 vjeçe dhe Prapë unë, Madalena.
Narrateri
Në romanet e Ridvan Dibrës komponenti narrater është gati gjithmonë i pranishëm dhe pothuajse përherë i dukshëm. Çdoherë kur Madalena, në rolin e autorit empirik, i drejtohet lexuesit me ju, ajo në të vërtetë i drejtohet narraterit. Kjo na bën të kuptojmë që kemi të pranishëm narraterin ekstradiegjetik. Narrateri është lehtësisht i dallueshëm kur teksti në të cilin narratori i drejtohet atij, futet në kllapa: (Më duket se po e teproj me detaje e histori rreth emrit tim. Edhe po bëhem e bezdisshme për ju. Sepse nuk besoj që paraqet interes për ndonjërin fakti që unë e pëlqyekam emrin tim, por jo shkurtesën e tij. Mandej, që në krye të herës, bile që në titull, unë kam premtuar të rrëfej historinë e dashurive të mia dhe jo historinë e emrit tim). [fq.14]
Në raste të tjera, narratori i drejtohet narraterit thjesht me ju: “E kuptoj kureshtjen dhe interesimin tuaj, por keni pak durim, ju lutem, të gjitha me radhë. Ju kam premtuar që do ta rrëfej të plotë historinë time dhe do ta mbaj fjalën.” (fq.15).
Ndërsa, shumë shpesh, narratori i drejtohet narraterit edhe me shprehjen miqtë e mi/lexuesit e mi: “Edhe pse nuk besoj që ka mes jush, të mirët lexuesit e mi, ndonjë që s’e ka provuar dhe s’e provon eksperiencën time. (fq.74) dhe Ja, kaq kisha, miqtë e mi” (fq.134).
Ka disa shembuj kur narratori nuk i drejtohet në mënyrë direkte narraterit, me ç’rast fiton statusin hipotetik: “Më lini të shijoj paksa nga vera e bekuar, që turbullon e kthjellon njëherësh gjithçka, deri edhe kujtimet tona”. Në këtë rast, thirrja më lini nënkuptohet si kërkesë ndaj lexuesit (model), të cilin, Umberto Eco e shumë të tjerë e shohin si narrater.
Poioumenoni
Kur gjatë procesit të rrëfimit autori shqetësohet për veprën e tij dhe e vetëkomenton, kemi të bëjmë me teknikën e poioumenonit. Poioumenoni (fjalë greke), si një ndër teknikat më të rëndësishme të poetikës postmoderniste, emërtohet për herë të parë nga Alastair Fowler (Ag Apolloni, “Parabola postmoderne”, OM, Prishtinë, 2016, fq.237).
Ndërsa, në gjuhën angleze, mund ta hasim edhe me termin working process, e në shqip, edhe si vetëreflektim. Pra, poioumenoni përfshin vetëkomentimin për romanin brenda romanit. E njohur si teknika më e zakonshme e postmodernizmit, në letërsinë e huaj haset në veprat e një numri autorësh të rëndësishëm si: Milan Kundera në “Pavdekësinë”, Kurt Vonnegut në “Therrtorja Pesë”, Salman Rushdie në “Fëmijët e mesnatës” e të tjera. E në romanin e tij të parafundit, kjo teknikë përdoret edhe nga Ridvan Dibra. Në “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, kryepersonazhi Madalenë, pas leximit të monodramës me po të njëjtin titull, vendos ta rrëfejë jetën e vet sipas mënyrës së saj: “Mbas shumë e shumë hezitimesh, dyshimesh e pasigurish, vendosa ta rrëfej unë vetë historinë e dashurive të mia. Pak a shumë, atë histori që shkrimtari Ridvan Dibra e ka treguar para disa kohësh në monodramën me po të njëjtin titull, domethënë ‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’.
Pakënaqësia e Madalenës për mënyrën se si autori e ka shkruar veprën dhe rrëfimi i historisë nga perspektiva e saj rezulton në një roman që mund të konceptohet i gjithi si poioumenon. Por gjatë rrëfimit, ajo shqetësohet jo pak herë edhe për romanin, duke e krahasuar gjithmonë me monodramën: Mos thjesht kam përsëritur një histori të rrëfyer më parë (dhe pse historia ime), bile prej një shkrimtari të certifikuar si Ridvan Dibra?
Mos jam treguar më e sinqertë sesa duhet në rrëfimin tim?
Mos kam rrejtur më shumë se sa duhet në rrëfimin tim?
Mos kam rrëfyer sekrete, që sduheshin thënë?
Mos kam fshehur të vërteta, që duheshin thënë?
Mos jam treguar e padrejtë me shoqet e mia?
Mos jam treguar e padrejtë me mamin e babin?
Mos jam treguar e padrejtë me motrën?
Mos jam treguar e padrejtë me kohën time?
Mos jam treguar e padrejtë me veten time?
Madalena, edhe pasi vendos ta rrëfejë jetën e saj në një roman, gjatë procesit të rrëfimit, ajo shqetësohet edhe se si po e percepton lexuesi atë: “Më duket se po e teproj me detaje e histori rreth emrit tim. Edhe po bëhem e bezdisshme….Mandej, që në krye të herës, bile që në titull, unë kam premtuar të rrëfej historinë e dashurive të mia dhe jo historinë e emrit tim.
Në rastet kur Madalena realizon poioumenon në rrëfimin e saj, ajo flet nga perspektiva e narratorit. Narrator ky që, i shqetësuar, jo pak herë ndërpret rrëfimin me fraza të tilla, si: “Le ta sistemoj rrëfimin tim, t’i marr me radhë gjërat, t’ia nis nga e para, apo, rrëfimi im s’duket se ka nisur mbarë”.