Ndër premierat e fundit të Teatrit Metropol të Tiranës është drama sociale “Një lojë xhin” e dramaturgut amerikan Donald L. Coburn, që është inskenuar nga regjisorja Rozi Kostani dhe mund të themi lirisht se ka magjepsur publikun e këtij teatri.
Drama që i kushtohet “moshës së tretë” dhe jo vetëm, zhvillohet në një azil pleqsh. Ueller, një biznesmen i dështuar, në të shtatëdhjetat e tij vendoset në një azil të dorës së dytë, për shkak të pagesës më të arsyeshme. Ai është i dhënë pas lojës xhin dhe në mungesë të partnerit ai luan me vetveten.
Në të njëjtin azil vendosët edhe Fonsia, afërisht e moshës së njëjtë, dhe kur ajo del në tarracën e azilit, Ueller është i kënaqur dhe pas një prezantimi të shkurtër ai e fton të luajnë xhin bashkë. Fonsia i thotë që nuk e di lojën, por ai insiston t’ia tregojë rregullat dhe e shtynë atë të luajë. Dhe Fonsia fiton që në lojën e parë. Ueller fillimisht beson se është fati i fillestarit, por kur Fonsia fiton prapë dhe prapë, Ueller bëhet nervoz dhe shfaqë shenja agresiviteti.
Në fakt Ueller, i domoralizuar nga dështimet në jetë, nuk e pranon assesi faktin që të vazhdojë të humbasë edhe në lojën e tij të preferuar dhe atë nga një fillestare. Duke parë gjendjen e tij, Fonsia refuzon të luajë, por Ueller e bind sërish, duke i premtuar se do ta mbajë vetën dhe nuk do të reagojë. Por siç e shohim në vazhdim të dramës, edhe përkundër përpjekjeve për ta kontrolluar vetën, ai serish e bën këtë. Fonsia trembet dhe ikë nga skena. Por Ueller do ta bindë serish edhe të nesërmen që ajo të luaj, përkundër dëshirës së saj. Gjatë lojës gjithsesi zhvillohet edhe një dialog diabolik. Fonsia ka një djalë dhe ajo thotë se ai gjendet në një qytet të largët, andaj nuk mund ta vizitojë.
Ata bisedojnë edhe për hipokrizinë e shoqërisë e cila nuk përkujdeset për njerëzit në moshë të shtyrë. Për biznesin e azileve që përkujdesen t’ua marrin pleqve edhe ato pak mjete që u kanë mbetur. Ndërkaq kjo është edhe një kritikë për bjerrjen e vlerave morale të shoqërisë dhe sidomos shkatërrimin e familjes tradicionale. Gjithsesi loja e xhinit është një metaforë për vetë jetën. Në të dikush humbet, dikush fiton. Madje dikush i humbet të gjitha. Zhvillimi i dramës fiton çdo herë tone dramatike edhe pse në tavolinën e lojës është Fonsia që fiton çdo herë. Kjo e çmend fare Uellerin dhe në hidhërim e sipër e fyen Fonsian duke e quajtur grua e poshtër dhe gënjeshtare. Madje ai i përmend faktin se djali i saj jeton në të njëjtin qytet por nuk vjen ta vizitojë sepse e urren të ëmën. Kjo del të jetë e vërtetë. Përfundimi i dramës i zhvesh tërësisht të dy personazhet dhe Uelleri, i rrënuar tërësisht, përfundon në çmendinë.
L. Coburn e kishte shkruar këtë vepër në vitin 1976 dhe ishte drama e tij e parë. Pas produksionit të parë të Hollywoodit (1976), i cili ishte jashtëzakonisht i suksesshëm dhe i cili për dy vjet kishte më tepër se 500 repriza, në vitin 1978 Coburn shpërblehet me çmimin “Pulitzer” për dramë. Nga atëherë kjo dramë ka pasur produksione shumë të suksesshme gjithandej nëpër botë. Shih për këtë inskenimi i saj duhet ta bëjë regjisorin shumë të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm, që të mos bije nën ndikimin e versioneve të para tanimë. Dhe regjisorja Kostani është e ndërgjegjshme për këtë fakt. Ajo, përveç që angazhon në rolet kryesore dy aktorë shumë të njohur dhe të suksesshëm të teatrit dhe ekranit shqiptar – Yllka Mujon dhe Viktor Zhustin – por angazhon edhe aktorë tjerë të rinj (Ina Morina, Ilija Kaçi, Sidorela Koça, Amela Rrukaj, Kejda Shqefni, Maria Brokshi, Ronald Kolgjokaj dhe Gesion Selfo), të cilët paraqesin “stafin” e azilit apo të strehuarit e tjerë, me një finesë shumë elegante, pasi që ata luajnë kryesisht “prapa grilave”, që në fakt janë paravanë shumë të gjetur skenografikisht, duke krijuar kështu pamje gati-gati filmike. Pra një tekst që është duo-dramë klasike, në leximin e Kostanit na vjen si dramë shumë më komplekse.
Edhe efektet muzikore, që kryesisht luhen drejtpërdrejtë nga aktorët e rinj, ku në qendër është kënga “Happy day” i japin dinamikë dhe dramacitet shfaqjes. Madje vetë kënga shoqëruese e shfaqjes që fillon të këndohet në foaje të teatrit, duke hyrë publiku, është ironi therëse: Sepse aty të lumtur mund të ishin vetëm pronarët e azilit, askush tjetër. Gjithsesi vlerën e shfaqjes e rritë interpretimi brilant i Yllka Mujos dhe Viktor Zhustit, për të cilët besoj se kanë realizuar një nder rolet e tyre më të mira pikërisht në këtë shfaqje. Me gjithë këto që u thanë, e që ne i përjetuam në njërën nga reprizat e “Një lojë xhin” mund të themi lirisht se e bëjnë këtë shfaqje shumë konkurrente me të gjitha produksionet e realizuara të kësaj drame, gjithandej nëpër botë. Andaj shpresojmë shumë që kjo shfaqje të ketë jetë të gjatë në teatër dhe ta shohim së shpejti edhe në Kosovë.