Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Negotiating Peace”: Bashkëpunimi kulturor në Evropë është akt politik

Bisedë me dramaturgun Jeton Neziraj, regjisoren Blerta Neziraj dhe aktorin Orest Pastukh rreth bashkëprodhimit të ri ndërkombëtar që eksploron proceset e negociatave për paqe

Shkruar nga Jeton Neziraj nën regji të Blerta Nezirajt, “Balkan Bordello”, “The Handke Project” dhe tani “Negotiating Peace” janë vepra dramaturgjike që mjeshtërisht mjegullojnë linjat midis aktivizmit dhe zbavitjes. Ato janë pjesë e një vargu shfaqjesh provokative nga Kosova që refuzojnë të bëjnë kompromis me identitetin dhe agjendën e tyre ballkanike dhe që arrijnë të prekë audienca dhe larg Kosovës. Por aplikimi i gjeopolitikës së ashpër ndaj audiencave të përgjithshme, pa humbur mesazhin artistik, nuk është aq lehtë sa duket. Është një ekuilibër i hollë që nuk arrihet shpesh në teatër dhe ekipi i “Qendrës Multimedia” në Prishtinë arriti ta bëjë atë të duket si diçka lehtë e arritshme.

Temat, për fillestarët, janë eklektike por të pakontestueshme sa i përket madhështisë së tyre dhe “Negotiating Peace”, vepra e fundit e dramaturgut Jeton Neziraj, vazhdon me trajektoren e multiversit të eksploruar edhe në dramat e tij të mëparshme.

“Nëse ‘Balkan Bordello’ flet rreth një shoqërie që del e traumatizuar nga lufta për të kaluar në vetëshkatërrim dhe ‘The Handke Project’ flet për kufijtë etikë të letërsisë dhe krijimit artistik, atëherë ‘Negotiating Peace’ na përball me përpjekjet që shoqëritë në konflikt bëjnë për të rikthyer normalitetin dhe për të arritur paqe”

“Negotiating Peace” zhytet thellë në dinamikën e procesit të negociatave për paqen, duke pyetur nëse politikanët kanë të drejtë të marrin vendime në emër të popullit dhe se cilat janë shanset e pajtimit të popullit pas nënshkrimit të një “akti të paqes” në emër të tyre? Prandaj drama merr si pikënisje dy tekste ekzistuese: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” roman i vitit 1963 nga shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, si një vepër e cila paraqet përpjekjet e dy palëve të ndryshme për të gjetur të vrarët e tyre shumë kohë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Itali. Pastaj memoarin e diplomatit amerikan, Richard Holbrooke të vitit 1998, “To End a War” që dokumenton rolin e tij kryesor në nënshkrimin e Marrëveshjes së Daytonit të vitit 1995 që i dha fund luftës në Bosnjës dhe krijoi shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Shfaqja gjithashtu përfshin edhe marrëveshjet si ato për Irlandën e Veriut dhe Lindjen e Mesme (titulli ndahet me udhëzuesin e procesit të paqes të vitit 2018 të specialistit holandez, Sven Koopmans) dhe vazhdon duke imagjinuar se si do të marrë formë përfundimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Sigurisht, adresohet edhe situata aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, një temë që duket qartazi në punën e Jetonit. “Siç thuhet, lufta nuk mbaron kur lëshohen armët”, thotë ai “dhe kjo është pikërisht ajo me të cilën Kosova është përballur për vite me radhë. Ne jetojmë në një ‘gjendje të përkohshme’, që nuk është as luftë e as paqe e plotë. Bisedimet për paqe janë si një zgjatje e luftës – ato janë të nevojshme, por nga ana tjetër, kur ato drejtohen nga ata që shkaktuan luftërat e kaluara, frikësohem se do të dështojnë. Kafshët e luftës dhe të gjakut nuk mund të bëhen kurrë engjëjt e së nesërmes”.

Edhe “Negotiating peace” me lëmshin e negociatave që nuk përfundojnë kurrë Kulturë “Negotiating peace” me lëmshin e negociatave që nuk përfundojnë kurrë

Dhe megjithatë, përdorimi i burimeve të rëndësishme si libri “To End a War” dhe terminologjisë së marrëveshjeve të tjera do të thotë që një sasi e madhe e bagazhit duhet të hiqet për të bërë historinë e fundit të qasshme edhe për audiencat brenda regjionit. “Kjo ka qenë një ndër sfidat më të mëdha për mua gjatë shkrimit të dramës”, thotë Jetoni. “Si mund të krijoja një parabolë që i referohej në konflikti specifik si ish-Jugosllavia dhe një konference si Daytoni, ndërsa jepja një pamje më të gjerë dhe universale të bisedimeve të tjera për paqen dhe konfliktet? A mund të funksionojë një parabolë e tillë për audienca në Ballkan, në Lindjen e Mesme, në Irlandën e Veriut ose kudo tjetër në botë ku njerëzit mund të shohin një dramë të tillë që projektohet drejt fundit të luftës së tanishme në Ukrainë?”

Ashtu si lufta, çdo proces paqeje s’ka gjasa të ndjekë rrugën që është e planifikuar për të, dhe siç thotë Jetoni “To End a War” i ka ndihmuar në kuptimin e anëve të paparashikueshme dhe shpesh të çuditshme të negociatave. “Ne mendojmë se marrëveshjet e paqes nënshkruhen, pasi ekspertët kanë negociuar dhe përmirësuar çdo detaj, por në realitet Marrëveshja e Daytonit ose e Oslos (mes Izraelit dhe palestinezëve) demonstrojnë se marrëveshjet shpesh nuk janë fryt i negociatave shumë të strukturuara, por vullneti i individëve në momente të caktuara, ose se marrëveshjet mund të ndodhin thjesht për shkak të presionit të ndërmjetësve të paqes, si në rastin e Daytonit”.

Si bashkëpunëtore e rregullt e Jetonit, zgjidhja e problemit të përputhjes së tekstit dhe idesë për të krijuar një koncept të tillë është një sfidë që e njeh mirë Blerta Neziraj. “Dramat e Jetonit janë të paparashikueshme – ai thotë gjithmonë se tema i dikton stilin dhe zhanrin e tij, dhe unë besoj që kjo është shumë e vërtetë. Kështu që, pas një ‘post-drame’ si ‘Tha Handke Project’, ai shkroi 'Gadjo' (Evropianët e Rinj) ('gadjo' është termi romë për dikë që nuk është rom), një dramë që ngjan më shumë me një operetë dhe tani kemi “Negoting Peace’, një rrëfim epik ku biseda realiste mishërohet me skena surreale. Unë përpiqem sa më herët të kem një ide të përgjithshme se si duhet të konceptohet një dramë e Jetonit në skenë, por kjo nuk është gjithmonë e mundur dhe shpesh duhet të ndjekë intuitën time. Siç them gjithmonë për dramën më të fundit që e punoj: kjo ishte puna më e vështirë që kam pasur deri më tani”.

Blerta ka instinktin për ta çuar formatin larg nga çdo pritshmëri të skenës së drejtuar drejt sfidave të konfliktit dhe gjeopolitikës. “Mund të jetë si arrogancë e krijuesit, por doku-drama dhe drama narrative kurrë nuk më kanë bërë përshtypje. Megjithatë, nuk po sugjeroj se teatri duhet të largohet nga realiteti dhe të perceptohet si hapësirë utopike ose tempull fetar. Thjesht po them se teatri duhet të mbetet një hapësirë ku projektojmë një realitet të ri, një ‘realitet fiktiv’, përmes të cilit ushtrojmë demokracinë dhe ku edukojmë ndjenjat tona të empatisë”.

Një vendim i rëndësishëm është shkrimi i kësaj drame në anglisht, e interpretuar nga një ekip i mbledhur pas një ftese ndërkombëtare nga “Qendra” për aktorë dhe krijues. Rezultati është një ansambël pan-evropian nga Kosova, Ukraina, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Italia, Republika Çeke, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia. “Vendimi për krijimin e një ekipi ndërkombëtar nuk është vetëm imi”, thekson Blerta. “Ky është një bashkëprodhim ndërkombëtar nga disa teatro të Evropës dhe kështu është e kuptueshme që ata dëshirojnë të përfshihen edhe artistikisht në prodhim. Sigurisht, në drama si ‘Negotiating Peace’, kjo kompozitë ndërkombëtare e artistëve dhe krijuesve është plotësisht e justifikuar”.

“Në fakt, shumë prej dramave tona janë prodhuar në bashkëpunim teatro të tjera si me partnerë në të gjithë Evropën. Angazhimi dhe shkëmbimi me artistë ndërkombëtarë është një nga mënyrat se si ne e kuptojmë teatrin”, thotë Jeton Neziraj.

Blerta e vlerëson përparësinë e angazhimit në një sfidë të tillë. “Unë përballem me këndvështrime të ndryshme mbi teatrin, me qasje të ndryshme ndaj performancës dhe kështu me radhë. Prandaj, procesi krijues i skenës shkon dorë për dorë me bashkimin e metodave të punës, qasjeve dhe bindjeve të ndryshme për teatrin”.

Diçka e përbashkët për gati të gjithë aktorët dhe krijuesit është e kaluara e përbashkët në Evropën komuniste, më evidente tek aktori ukrainas, Orest Pastukh. “Hyra në projekt falë regjisorit tim nga Praga, Daniel Přibyl, i cili sugjeroi që të aplikojë për të marrë pjesë, duke pasur parasysh jo vetëm rëndësinë e temës së dramës për mua personalisht dhe për vendin tim, por edhe për Republikën Çeke, e cila është një nga vendet e para në mbështetje të Ukrainës. Për çekët, sulmi rus është shumë i rëndësishëm duke parë përvojën e tyre me okupimin sovjetik, si dhe në kontekstin e problemeve të sigurisë të vendeve të Evropës Lindore pas rënies së Bashkimit Sovjetik”.

Duke pasur parasysh pikëpamjen e tij si një ukrainas, a sheh Pastukhi se “Negotiating Peace” ka ndikim të ndryshëm tek audiencat në Ballkan dhe në Evropën Perëndimore? “Për mua dhe për shoqërinë ukrainase, tema e bisedimeve për paqen është e dhimbshme, sepse lufta jonë vazhdon ende dhe mendimi për çdo kontakt me sulmuesin është traumatik, veçanërisht në një kohë kur rusët po përpiqen të promovojnë narrativën e tyre si ‘viktima’. Por ne kuptojmë që në të ardhmen procesi i paqes është i pashmangshëm si përfundim i logjikshëm i armiqësisë”.

Edhe “Negotiating Peace” dhe politika si skenë teatri Shtojca për Kulturë “Negotiating Peace” dhe politika si skenë teatri

“Vlera e këtij projekti është që nxjerr në pah paqartësitë e proceseve që zhvillohen prapa dyerve të mbyllura të bisedimeve diplomatike. Për audiencat në Ballkan – ashtu sikurse për audiencën ukrainase në të ardhmen – kjo do të jetë një mundësi për të folur sërish për përvojën e tyre, kështu që është një punë që merret edhe me traumën e luftës”.

Për audiencat jashtë regjionit, ai e sheh “Negotiating Peace” si një hyrje në kohë me përvojën ballkanike/ukrainase që do t’u jepte njerëzve kuptim më të mirë. “Do doja të shoh reagimin dhe se si kuptohet kjo në çdo vend dhe platformë ku kemi shfaqur dramën dhe ku mund të diskutojmë për të”.

Image
Ema Andrea dhe Blerta Neziraj (Foto: Sovran Nrecaj)

Blerta thotë se veprën do ta inskenonte ndryshe nëse do të ishte synuar vetëm për audiencën kosovare. “Ka gjithmonë elemente që e bëjnë një produksion të këtij lloji të ndryshëm nga një shfaqje që është e fokusuar vetëm për audiencën vendase. Elementi më i qartë është fakti se drama luhet në anglisht, me aktorë nga vende të ndryshme – por unë gjithmonë përpiqem të shmang kodet, shenjat, simbolet dhe referencat që janë thjesht lokale”.

Kjo qasje, sipas saj, u prin edhe teksteve të Jetonit. Për shembull një draft i mëparshëm i “Negotiating Peace”, për shembull, përfshinte një skenë ku palët duhet të negocionin se për cilin sistem të targave të makinave do të duhej të aplikonin. “Kjo skenë po i referohej qartë një çështjeje të bisedimeve aktuale midis Serbisë dhe Kosovës, një temë që është bërë gati komike për ne. Megjithatë, e larguam atë skenë sepse kuptuam që vetëm audienca në Kosovë dhe Serbi do ta kishin kuptuar këtë lidhje”. “Por puna me një ekip ku ka artistë të nacionaliteteve të ndryshme që vijnë nga kultura dhe vende të ndryshme, e që kanë sfonde të ndryshme dhe pikëpamje të ndryshme mbi teatrin, kjo është pasuri për zhvillimin e vetë rrëfimit, sepse një ekip i ndryshëm mund të filtrojë çdo referencë lokale dhe kuptimin e saj për audiencat më të gjera”.

Nga këndvështrimi e Jetonit, ideja e qarqeve lokale është në paralele me idenë e ndërkombëtares. Shfaqjet si “The Handke Project” dhe “Negotiating Peace” i marrin si pikënisje të tyre të huajt, forcat e jashtme, që ndikojnë në zhvillimet në regjion. Anasjelltas, popujt përfundojnë si partnerë pasiv në tryezë – ose thjesht nuk janë të ftuar. “Këto 'forca të jashtme' që i përshkruani, ne i quajmë thjesht 'ndërkombëtarë' dhe ata na quajnë ‘vendas’. Kjo marrëdhënie e fuqisë, paragjykimet, keqkuptimet dhe ‘krizat’ midis vendasve dhe ndërkombëtarëve janë qendrore në mendësinë time. Jam marrë me to në shumë nga dramat e mia – një prej tyre ka titullin ‘Ndërkombëtarët’, që merret ekskluzivisht me këtë marrëdhënie ndërkombëtare-vendase që besoj se ka rrënjë post-koloniale. Le të mos harrojmë se Kosova si një vend është një produkt ndërkombëtar – i krijuar në radhë të parë nga Amerika dhe Evropa”.

Sa “vendor” mund të jetë artisti ndërkombëtar? Si përgjigje, Pastukhu përmend bashkimin e pandalshëm të informacionit në të gjitha nivelet në internet dhe në mediat sociale. “Tingëllon çuditshëm, por në shekullin XXI me gjithë informacionin që kemi në dispozicion, koncepti i së vërtetës mbetet mjaft i cenueshëm. Lufta hibride përfshin manipulimin e informacionit dhe ashtu sikurse artileria që shkatërron qytete, propaganda shkatërron mendjet e atyre që nuk mund t’i rezistojnë ose janë të privuar nga marrja e informacionit më të gjerë. Kjo aplikohet në vendet me konflikte ushtarake, por shohim se problemi është shumë më i gjerë”.

“Rrëfimi i së vërtetës ka një çmim të veçantë dhe prandaj është e rëndësishme që artisti të flasë për të si pjesë e bisedës që duhet të bëhet një kundërpërgjigje e rëndësishme kundër propagandës, populizmit dhe gënjeshtrave. Tinëzia më madhe e propagandës është se gjithmonë të bën bashkëpunëtor në krim pa miratimin tënd, dhe si artistë, duhet të flasim për këtë nga përvoja jonë, zëshëm dhe më shpesh.”

“Negotiating Peace” është një vend i mirë për t’ia filluar së dëgjuari këto zëra që flasin me zë të lartë, zëra që rezonojnë me të vërtetën dhe bindjen e përvojës të përbashkët. “Duke ardhur nga një vend kaq i varfër dhe i izoluar”, thotë Jetoni, "dhe le të mos harrojmë se kosovarët janë evropianët e vetëm që kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Evropë – ky shkëmbim dhe bashkëpunimi me artistë dhe partnerë të tjerë të teatrove evropiane nuk është vetëm një akt artistik por edhe një akt politik. Dhe jo vetëm për ne në Kosovë. Në këto kohë kur shohim rritjen e ksenofobisë dhe racizmit në Evropë me rritjen e nacionalizmit dhe autoritarizmit, atëherë shkëmbimi kulturor dhe bashkëpunimi në Evropë është një akt politik” .

“Negotiating Peace” jepet premierë në teatrin “Oda” në Prishtinë të hënën më 16 tetor, para se të niset në një turne ndërkombëtar

Edhe “The Guardian”: Shfaqja e Kosovës i shndërron në farsë bisedimet e paqes Shtojca për Kulturë “The Guardian”: Shfaqja e Kosovës i shndërron në farsë bisedimet e paqes

Marrë nga seestage.org. Përktheu: Enis Bytyqi