Frymëzuar nga libri “To end a war” nga Richard Holbrooke dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, shfaqja “Negotiating peace” zbulon dinamikat që shoqërojnë procesin e ndërtimit të paqes. Kush mund të negociojë paqen? A kanë liderët politikë legjitimitet për këtë? A pajtohen vërtet njerëzit pas nënshkrimit të një “akti paqeje” në emër të tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është një akt individual? Janë disa prej pyetjeve që shtron projekti teatror.
Shfaqja fokusohet në “negociatat e paqes” duke përfshirë Marrëveshjen e famshme të Daytonit e disa të tjera bashkë me diskutimet jo aq të frytshme mes Kosovës dhe Serbisë. Duke marrë parasysh këto momente të ndryshme politike nga luftërat dhe konfliktet në mbarë botën, shfaqja tenton të imagjinojë se si do të duket fundi potencial i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Shfaqja vjen me tekst të Jeton Neziraj dhe nën regji të Blerta Rrustemi-Neziraj. Dramaturgu Neziraj ka thënë se si temë është imponuar në mënyrë spontane derisa i flet shumë mirë aktualitetit.
“Temën e shfaqjes e kemi skicuar vjet, derisa po analizonim e hulumtonim se çka do të donim të punonim sivjet. U imponua si temë spontanisht, megjithatë, shpejt u bë e qartë që ishte aktuale dhe e nevojshme. Tani, kur drama është shkruar, dhe kur kemi nisur provat, po e kuptojmë edhe më shumë që jemi duke trajtuar një temë relevante e cila i flet mirë kohës në të cilën jetojmë”, ka thënë Neziraj.
Qendra “Multimedia” ka bërë bashkë një ansambël panevropian për të sjellë në skenë “Negotiating Peace”. Ky prodhim i ri po punohet me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia. Midis tyre janë Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Harald Thompson Rosentrom, Ejla Bavçiq, Martin Kõiv, Melihate Qena e Orest Pastukh.
Në bashkëpunim me qendrën “Multimedia” është Teatrit i Pergolas së Italisë, Teatri bashkëkohor në Leipzig të Gjermanisë, Teatri i qytetit të Pragës në Çeki, R.A.A.A.M nga Estonia, “Mittelfest” nga Italia, “Kontakt” nga Bosnjë-Hercegovina, teatri “Black Box” nga Norvegjia dhe fondacioni “My Balkans” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia.
“Konceptin e bashkëprodhimeve teatrore ndërkombëtare e kemi nisur para shumë vjetësh, megjithatë, tani atë koncept e kemi zhvilluar dhe e kemi ngritur në një nivel vërtet profesional. Kështu që, si më përpara, me bashkëprodhimet e tjera në ‘Balkan Bordello’ apo në ‘The Handke Project’, edhe tash në ‘Negotiating Peace’ kemi tubuar gati 10 teatro e festivale të rëndësishme teatrore dhe bashkërisht po e realizojmë shfaqjen”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj. Sipas tij, duke iu falënderuar këtij partneriteti, kanë tubuar edhe ekipin artistik, aktorët e të tjerët, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Ukrainën, Norvegjinë, Estoninë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Poloninë e Kosovën etj.
Ndërsa regjisorja Blerta Rrustemi-Neziraj ka thënë se një temë si kjo, kaq relevante për kohën e tanishme - sidomos të tanishmen - disi, i ngarkon me përgjegjësi shtesë, të cilat shkojnë përtej atyre përgjegjësive të një procesi të zakonshëm teatror.
“Po punoj me një kastë prej 7 aktorësh që vijnë nga 7 vende të ndryshme të Evropës dhe e di që ky do të jetë një proces pune sfidues, por edhe eksitues. Çfarë do të thotë ‘të negociosh paqen’ për një aktor ukrainas, apo për një aktore nga Bosnjë-Hercegovina? Apo për aktorin nga Serbia e aktoren nga Kosova? Çështja kryesore që jemi duke shqyrtuar në këtë shfaqje është: nëse lufta ka demonët e saj, të cilët udhëheqin njerëzit drejt shkatërrimit e mizorive, çfarë ka paqja? Kush janë antipod i demonëve të luftës?! A janë emisarët ndërkombëtarë të paqes? Liderët politikë që kanë kurajë të nënshkruajnë marrëveshje paqeje? Apo janë njerëzit e zakonshëm, të mbijetuarit, ata që kanë paguar çmimin më të lartë të luftës?”, ka thënë Neziraj.
Sipas ekipit, disa luftëra a konflikte mes kombesh e popujsh janë më të shkurtra, disa më të gjata, disa madje duket se nuk përfundojnë kurrë. Megjithatë, në të gjitha rastet, pas çdo lufte e konflikti shfaqen emisarët e paqes, njerëz që janë aty për ta ndërmjetësuar marrëveshjen eventuale. “Në disa raste, këta emisarë dërgohen nga Kombet e Bashkuara, në raste të tjera ata dërgohen nga Amerika apo shtete të tjera me ndikim. Ata janë njerëz të rëndësishëm që negociojnë paqen mes popujve që deri dje kanë qenë në luftë apo në konflikt”, shkruhet në sqarimin që i është bërë projektit.
Data për premierën e shfaqjes “Negotiating peace” veçse dihet dhe biletat tashmë janë në shitje. Pos kryeqytetit, Jeton Neziraj ka bërë të ditur se shfaqja do të jepet edhe në qytete të tjera të Kosovës për të dalë më pas jashtë kufijve për në Gjermani, Estoni, Serbi e vende të tjera.
“Po, premiera është planifikuar me datë 16 tetor në teatrin ‘Oda’ në Prishtinë. Biletat veçse janë në shitje. Shfaqjet e radhës në Kosovë do të jenë në Prishtinë, Ferizaj e në qytete tjera, për të vazhduar pastaj me shfaqjet në Gjermani, Çeki, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Estoni, Itali etj.” ka thënë Neziraj.
“Temën e shfaqjes e kemi skicuar vjet, derisa po analizonim e hulumtonim se çka do të donim të punonim sivjet. U imponua si temë spontanisht, megjithatë, shpejt u bë e qartë që ishte aktuale dhe e nevojshme. Tani, kur drama është shkruar, dhe kur kemi nisur provat, po e kuptojmë edhe më shumë që jemi duke trajtuar një temë relevante e cila i flet mirë kohës në të cilën jetojmë”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj, autor i tekstit të shfaqjes.