Teza e objektivistëve: nëse e bukura do të ishte diçka totalisht subjektive s’do të shpjegohej pse jo të gjitha objektet janë të bukura; meqenëqë subjekti i pohon për të bukura disa objekte dhe disa të tjera jo, duhet konkluduar që bukuria është, të paktën pjesërisht, në objektin. Në realitet, pjesa më e madhe e estetikave subjektiviste prezantojnë si të kontrabanduar disa përbërës objektivë, sikur Kanti për shembull. Ka një përvojë të së bukurës, por e bukura nuk është e tillë.
E gjithë kjo është mjaft e pranueshme, mbi të gjitha në qoftë se e retushojmë pak pohimin e fundit duke thënë: e bukura nuk është vetëm një përvojë. Ajo që nuk më është shumë e qartë është përfundimi. Nga këto pohime nuk e gjykoj të drejtë të konkludoj se e bukura është diçka objektive, sikur nënvizon me përçmim Aloys Müeller. Këtë përfundim e nxjerrin, në të vërtetë, nga një Sistem i Përgjithshëm i Vlerave.
Përsëritet një problem eternal: kur estetikja studiohet në mënyrë autonome, përfundon në një lloj psikologjizmi apo, të paktën, në një lloj subjektivizmi të pjesshëm. Por, kur estetikja analizohet në dritën e një metafizike, sikur në rastin e Platonit, objektiviteti i saj rezulton si një “subprodukt”. Dhe derisa të jetë e siguruar vlefshmëria e Sistemit, mbetet i garantuar objektiviteti i së bukurës. Por këto Sisteme Eternale kanë një karakteristikë: zgjasin shumë pak. Të gjitha aspirojnë të Vërtetën Absolute, por historia e filozofisë është historia e Sistemeve, që domethënë historia e Shembjes së Sistemeve.
Pse s’duhet të ngjajë tani e njëjta gjë me këta njerëz? Përgjithësisht, besoj që zbulimi i vlerave është një progres i vërtetë në historinë e mendimit. Sidoqoftë, nuk shoh qartë që vlerat etike dhe estetike mund të barazohen totalisht me vlerat logjike, për sa i përket objektivitetit. E vërteta mund të aspirojë një zhanër të objektivitetit që kurrë as e bukura e as mirësia nuk mund ta arrijnë: shuma e këndeve të një trekëndëshi eukliden gjithmonë do të jetë 180°, edhe nëse askush nuk e sjell ndër mend.
Në këtë rast, subjekti nuk ka çfarë të bëjë dhe objektiviteti i këtij pohimi është total dhe absolut. A mund të thuhet diçka e ngjashme për një sonatë apo statujë? Jo, sepse e bukura do të ishte përherë rezultati i një realiteti të parë nga një subjekt. Ekziston, natyrisht, një element objektiv, sepse na pëlqen ai pasazh apo ajo sonatë, por përvoja estetike e ngjyros atë element objektiv me një ngjyrë pashmangshmërisht subjektive.
Mund të themi një të vërtetë logjike në atë mënyrë që secili ta kuptojë në mënyrë identike, në mënyrë universale: pohimi mbi këndet mund të përkthehet në anglisht apo gjermanisht pa e ndryshuar fare të vërtetën që ai shpreh. Asnjë nga këto gjendje absolute nuk shihen në vlerat estetike apo etike.
Kundër-prova është progresi shkencor, i bazuar pikërisht në objektivitetin e vlerave logjike, në qasjen asimptotike të vlerave të tilla, drejt së vërtetës. Kush ka mundur ta vërtetojë që ekziston një progres i tillë në arte apo moral?
Home realizoi “hulumtimin analitik më të pjekur dhe më të kompletuar të shekullit XVIII mbi të bukurën”, sipas mendimit të Dilthey-t: është një kualitet sekondar i trupave, sipas asaj që nënkuptonte Locke, domethënë, diçka njëkohësisht subjektive dhe objektive, sikur ngjyra. Pa një subjekt që ndien, s’ka impresion estetik; por meqë nuk na pëlqen gjithçka duhet pranuar ekzistencën e disa kushteve objektive të së bukurës: kualitete të caktuara të ngjyrës, formës, lëvizjes, ritmit.
Këtu do të mund të argumentohej e kundërta e asaj që Müller pohoi: nëse bukuria do të ishte diçka totalisht objektive, s’do të shpjegohej kurrë pse një objekt që është i bukur për dikë, s’është i bukur për të gjithë. Ky relativitet i shijes estetike ka konstituuar gjithmonë gardhin e pakapërcyeshëm në të cilin u përplasën të gjitha tentativat absolutiste; observimet e zellshme të filozofëve përgjatë 25 shekujve u përplasën kundër faktit praktik të këtij relativizmi të shijes: mjafton diskutimi i pashmangshëm – nganjëherë i dhunshëm – i dy diletantëve të rafinuar para një lecke për ta çmontuar skelerin e ndërlikuar të metafizikanëve të së bukurës, nga Platoni deri te zotëri Müller.
Një “objektivizëm relativ” do të shpjegonte shumë probleme, që përndryshe do të mbeteshin si enigma. Për shembull: a është superiore skulptura greke ndaj asaj egjiptiane?; Përfaqëson një progres pamja e perspektivës dhe ajo e proporcionit në Renesancë? Nëse vlerat estetike do të ishin aq objektive sa ato logjike, do të duhej të përgjigjeshim pozitivisht; në të njëjtën mënyrë që dinamika e Galileut kalon atë të Aristotelit. Por, meqenëse nuk është e mundur t’u përgjigjemi pozitivisht këtyre pyetjeve, dëshmohet relativiteti, të paktën pjesërisht, i vlerave estetike.
Në veprën e artistit ekziston një bërthamë objektive e së bukurës, por ajo bërthamë vjen e rrethuar nga përbërës subjektivë e historikë që kanë të bëjnë me sensibilitetin e saj, moshën, shijen, epokën, idealet dominante. Është ky mbështjellës historiko-subjektiv që kthen gjykimin estetik në diçka automatikisht relative. Dhe është objektiviteti i bërthamës ai që megjithatë siguron (njëfarë) universaliteti në atë gjykim dhe bën që një zonë e tërë apo një epokë t’i atribuojë të bukurën punës së artistit.
Në rastin e një objekti natyral, mbështjelljet gjithashtu ekzistojnë, edhe pse vetëm nga ana e shikuesit. Por, kjo mjafton që gjykimi të relativizohet.
Terrori i kaosit
Sistemet, sikur theksonte Péguy, janë sisteme të qetësisë, që i duam sepse qëndrojmë mbi ta. Është një mënyrë e të jetuarit në qetësi, të siguruar nga rreziqet dhe grackat e Kaosit, errësirës, misterit, e përtej kësaj. Janë fortesa kundër ankthit që ngre krye sapo fusim hundët në atë tokë të llahtarshme. Strehohemi te Sistemet, Kishat, Partitë, Ortodoksitë, sikur çunat pas fustanit të mamasë. Shkurt fjalët, janë manifestime të frikacakërisë. Njeriu i lirë, heretiku, vetmitari, duhet të jetë i pushtuar nga një vlerë gati demenciale.
Shkëputur nga “Heterodoksia”, 1953, botuar në shqip nga “Pema”, 2019.
Përktheu: Fatbardha Statovci