Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Marsi i marrë” – pushteti i heshtur dhe logjika e përjashtimit

“Marsi i marrë” merr formë si zbërthim i një mekanizmi dhe si ndriçim i mënyrës së funksionimit të tij. Në thelb të tij vepron logjika e një rendi që procedurën e ngre mbi moralin

“Marsi i marrë” merr formë si zbërthim i një mekanizmi dhe si ndriçim i mënyrës së funksionimit të tij. Në thelb të tij vepron logjika e një rendi që procedurën e ngre mbi moralin

Romani “Marsi i marrë” i Bashkim Hoxhës, botoi “URA”, Prishtinë 2026, përbën një vepër me identitet të qartë dhe një zë të paimitueshëm estetik, konceptual dhe tematik, duke iu shmangur krejtësisht klisheve të deritashme të tranzicionit shqiptar, me potencial për t’u lexuar, e përjetuar kuptimisht si roman i rëndësishëm i kritikës ndaj pushtetit në prozën bashkëkohore shqiptare dhe përtej saj. Aty frika dhe rutina bëhen mekanizma normaliteti

Lumnije Thaçi-Halili

Romani më i fundit i Bashkim Hoxhës, “Marsi i marrë”, paravendos që në fillim një atmosferë ankthi ekzistencial, e cila mbetet e pranishme deri në faqen e fundit. Bota e tij rrëfimtare e tërheq lexuesin gullmueshëm në brendësi të vet dhe e vendos përballë një realiteti të mbushur me trysni, pasiguri, pështjellim dhe paqartësi. Romani merr formë si zbërthim i një mekanizmi dhe si ndriçim i mënyrës së funksionimit të tij. Në thelb të tij vepron logjika e një rendi që procedurën e ngre mbi moralin. Kjo përbën elementin themelor të librit, sepse pushteti nuk sendërtohet si figurë demoniake, por si mekanizëm që bëhet i dukshëm përmes mënyrës së punës, të folurit, si dhe mënyrës së rregullimit të pasojave të veta përmes gjuhës së shprehur dhe rutinës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Titulli “Marsi i marrë” nuk shihet si pagëzim metaforik prej së jashtmi, madje as si gjendje mendore e shoqërisë që përshkruhet brenda romanit. “Marsi”, si muaj i një stine të re kërthndezëse në ardhje, si bulëzim shpërthyes, ndërthen kohën e vendimeve të nxituara, të alarmit të pashpjeguar, të reagimeve të tepruara. “I marrë” nuk është epitet për individët e përzgjedhur në izolim, kryekreje është për terrinën logjike në të cilën vepron sistemi. Kjo zhvendosje semantike është mjaft goditëse në thelb, duke i dhënë romanit, veç tjerash, edhe dimensionin tërheqës simbolik që në titull.
Romani ngrihet mbi një premisë që tingëllon e zakonshme dhe njëkohësisht shqetësuese, për të shmangur çdo të papritur, përzgjidhen individë të cilët konsiderohen “të papërshtatshëm” dhe largohen përkohësisht nga qyteti: “Do t’i mbanin larg për dy ditë, aq sa zgjaste përgatitja, vizita dhe përfundimi i vizitës që do të bënte në qytet kryeministri” (Bashkim Hoxha, “Marsi i marrë”, Botimet URA, Prishtinë, 2026, f.9).

Çuditërisht, ky akt nuk shfaqet me dhunë të hapur, por me kujdes, me masë parandaluese, me një gjuhë që synon qetësinë… Këtu bëhet më e dukshme veçantia e këtij romani: ai e vendos lexuesin përballë një pushteti të pazëshëm, i cili nuk kërcënon askënd, nuk shpall armiq, por e administron frikën duke e shndërruar atë në veprim normal. Madje, as frika nuk shfaqet si emocion individual, tërësisht në roman ajo funksionon si parim organizues, për secilin duke nisur si arsye premtuese për kthim: Do ta marrim vetëm për pak ditë, dhe do ta sjellim prapë, ju thashë (f.15).
Nga këndvështrimi im, “Marsi i marrë” hyn në tipologjinë e romanit ekzistencial me ndërtim postmodern, pasi boshti i tij nuk i përket zhvillimit linear të ngjarjes, por përballjes së personazhit me mënyrën e të qenit (të ekzistuarit) ndryshe apo i dallueshëm nga të tjerët. Vendimet kyçe nuk synojnë zgjidhje, ato synojnë qëndrim, ndërsa kuptimi mbetet i hapur, pa përmbyllje sintetizuese. Romani refuzon rrjedhën e paracaktuar të pasojave, psikologjinë shpjeguese dhe moralin normativ, duke zgjedhur një narrativë të përmbajtur, ku heshtja, përsëritja dhe cikli i ekzistencës zëvendësojnë vijën e drejtë të rrëfimit. Në këtë kuptim, ai ndërtohet si roman postmodern në logjikë, por trashëgon një disiplinë narrative shumë të afërt me ndjeshmërinë moderniste, të cilën e zhvendos nga kriza ekzistenciale individuale drejt analizës së pushtetit procedural dhe mekanizmave të përjashtimit normal.
Përgjithësisht, krejt struktura korale e veprës shërben si instrument analitik, duke i shërbyer idesë. Personazhet nuk ndërtohen si subjekte me trajektore narrative autonome, por si pozicione diskursive brenda një sistemi që i kategorizon si të papërshtatshëm apo të devijuar. Përfaqësojnë forma të ndryshme mospërputhjesh me rendin, secili prej tyre bart një devijim të vogël, një tepri shfaqëse ndryshe, nëse mund të thuhet kështu, një sjellje të çuditshme që nuk hyn në formular mirësjelljeje. Në mënyrë specifike, kjo i bën të dyshimtë. Në këtë kuptim romani nuk flet për “të çmendurit”, po për mënyrën se si shoqëria i trajton një kategori njerëzish për të mbrojtur veten nga ata që nuk e kuptojnë. Drejtpërdrejtë te këta individë, pushteti zbulon procesin përmes të cilit shoqëria i formëson apo i krijon kategoritë e përjashtimit për të ruajtur iluzionin e stabilitetit. Pra, që i bie, se, parë nga ky aspekt, personazhet funksionojnë si simptoma, jo si raste klinike.

Prandaj, galeria e figurave funksionon si hartë simptomash shoqërore, jo si katalog patologjish, sepse personazhet e romanit ndërtohen si trajta që sistemi i identifikon si të papërshtatshme dhe si forma të skajshme të një normaliteti të shtrembëruar. Kështu: Dani përfaqëson figurën e njeriut të mbrojtur nga komuniteti, por të pambrojtur nga shteti; Gjorgu dëshmon frikën që projekton vetveten dhe e kthen ëndrrën në faj; Harrabella shfaq trupin që del jashtë normës së pranueshme morale për kohën dhe për vendin ku jeton. Njëkohësisht nuk mund të quhet as figurë morale dhe as provokim i vetëdijshëm, thjesht ajo jeton në një mënyrë që nuk pranohet lehtë nga kodi shoqëror. Përmes saj, romani tregon se pushteti nuk përjashton vetëm mendimin apo veprimin, por edhe trupi që nuk përputhet me pritshmërinë e tij. Harrabella është prova se normaliteti social është gjithmonë edhe regjim trupash; Branko përfaqëson besimin e pafajshëm se e ardhmja mund të lexohet për të mirë, si një figurë e shpresës joinstitucionale që bie ndesh me logjikën shtetërore të parashikimit si kontroll; Armandi mishëron refuzimin e heshtur të rendit njerëzor. Ai nuk rebelohet, nuk polemizon me askënd, nuk kërkon të ndryshojë sistemin, heshtazi përvidhet dhe del prej tij. Vendosja e tij në pyll nuk është arratisje romantike, pasqyron thyerjen e përkatësisë ekzistenciale, kthim në ciklin natyror, jashtë gjuhës komunikuese njerëzore, jashtë formularit, jashtë përgjegjësisë administrative. Armandi manifeston kufirin ku pushteti nuk arrin më të emërtojë njeriun; Mentori përfaqëson ndërgjegjen që e kupton padrejtësinë, por që nuk e ndal dot veten ta zbatojë. Ai nuk është as cinik, as i verbër, megjithëse e sheh devijimin moral, por zgjedh ta zbatojë përmes veprimit, thjesht për të bërë një punë. Mentori është figura e njeriut që di, por që e shndërron dijen në heshtje, sepse sistemi kërkon bindje, jo reflektim. Tregues se përgjegjësia nuk zhduket, vetëm duhet të shtypet; Lisieni përfaqëson racionalitetin e ftohtë të sistemit. Flet me gjuhën e arsyes, të (pa)qetësisë, të shpjegimit. Shumë bindës. Funksioni i tij është ta bëjë përjashtimin të kuptueshëm, madje të pranueshëm. Me një fjalë, Lisieni është ai që e përdor frikën si argument dhe dhunën si logjikë; Viola përfaqëson normalitetin e pambrojtur. Ajo nuk është pjesë e këtij mekanizmi. Është ajo e cila, që përjeton lidhjen emocionale, jetën e zakonshme, nga e cila i pëson pasojat pa u pyetur. Përmes saj, romani tregon se pushteti nuk dëmton vetëm ata të cilët i përjashton, por edhe ata që janë brenda suazave të normales duke paguar çmimin, këtë rast, çmimin e mungesës; Gerond Lito (Mister Sharja) përfaqëson zërin e drejtpërdrejtë, instinktiv dhe të pakontrolluar të pakënaqësisë shoqërore. Kundërshton hapur, është më i zëshmi, sepse nuk e filtron veten, nuk e moderon fjalën dhe nuk e përshtat reagimin sipas përcaktimit kufizues të sistemit, sidomos kur vjen fjala rreth kryeministrit. Siç shihet, e përbashkëta e të gjithëve në roman nuk është “çmenduria”, por mënyra ndryshe, ngaqë sistemi i lexon si sinjale rreziku. Autori tregohet mjaft i kujdesshëm, duke mos i shndërruar personazhet e izoluara prapa malit në reduktime skematike groteske, pavarësisht që tipizimi i tyre është i fortë, ai shoqërohet me detaje që e mbajnë figurën e secilit brenda kufijve të besueshmërisë njerëzore.

Një nga fijet kryesore konceptuale të romanit është edhe mënyra e shfaqjes së përgjegjësisë, e cila nuk mohohet, as nuk eliminohet, por shpërndahet. Nuk ekziston një subjekt i vetëm fajtor, krejt përgjegjësia shpërndahet në një zinxhir vendimesh të vogla, secila duket e arsyeshme brenda kompetencës së vet. Ky mekanizëm e zhvendos konfliktin nga morali individual te mendësia institucionale dhe krijon tensionin themelor të veprës: përplasjen mes ndërgjegjes personale dhe funksionit administrativ. Mu kjo e bën romanin të prekshëm në nervin bashkëkohor, sepse vështrimi i tij ndalet te aparati i zakonshëm që vepron në emër të rregullit, jo te figurat madhore autoritare. Dukshëm vërehet që ky tension mes ndërgjegjes individuale dhe funksionit institucional ndërtohet nga ana autoriale pa fjalime moralizuese dhe, duke e lënë veprën të flasë përmes gjendjeve kontekstuale të ndryshme.

Personalisht, më duket se diskursi narrativ i romanit kalon në regjistër poetik në kapitullin e katërt, te Armandi, drejt fundit të librit, kur ai shfaqet i hipur mbi degën e një ahu. Figura e tij merr formën më të skajshme të mospërputhjes me pushtetin, jo përmes kundërshtimit të drejtpërdrejtë, por përmes tërheqjes dhe shmangies. Me këtë element, romani largohet nga satira politike dhe hyn në një plan më të thellë metaforik. Vendimi i Armandit për të mos u kthyer buron nga një vetëpërkufizim i ri: duke e parë veten si pemë, ai heq dorë nga jeta njerëzore e ndërtuar mbi vijimësinë dhe zgjedh një ekzistencë ciklike, ku qëndrimi në natyrë, në mal, zë vendin e lëvizjes, ndërsa përsëritja e stinëve zëvendëson logjikën e kthimit: “Është privilegj të jesh pemë. Merr frymë, jeton jetën tënde i heshtur. Kur vjen vjeshta, i heq gjethet e plakura; i reziston dimrit; ama kur vjen pranvera, çelin përsëri gjethet e reja” (f.115).

Ndërkaq, në rrafshin kritik, “Marsi i marrë” radhitet në traditën e romaneve që absurditetin institucional e shpalosin si një trajtë të pushtetit. Në këtë kuptim ai krijon afri domethënëse me vepra emblematike të letërsisë botërore, nga “Procesi” i Kafkës (Franz Kafka, Procesi, përkth. T. Hatia, Bota Shqiptare, 2014) deri te “Në pritje të barbarëve” i J. M. Coetzee (J. M. Coetzee, Waiting for the Barbarians. London: Vintage, 2004). Në romanin e Coetzeet, figura e nëpunësit që e përjeton si të qartë padrejtësinë e sistemit, megjithëse vazhdon të veprojë brenda logjikës së urdhrit, e bart konfliktin nga drama e ndërgjegjes individuale te pesha e përgjegjësisë strukturore. Një mekanizëm i ngjashëm vepron edhe në romanin “Marsi i marrë”, ku pushteti vepron përpara mendimit, ndërsa arsyetimi mbetet gjithnjë pas tij: i cunguar, i vonuar ose i kthyer në ironi. Në këtë prizëm, romani mund të afrohet edhe me romanin “Verbëri” të Saramagos (Jose Saramago, “Verbëri”, përkth. N. Lera, Dudaj, 2002), në të cilin kontrolli ushtrohet në emër të sigurisë dhe shndërrohet në normë. Po kështu, afri ka edhe me romanin “Mjeshtri dhe Margarita” të Bulgakovit (Mihail Bulgakov, “Mjeshtri dhe Margarita”, përkth. A. Koli, Ombra GVG, 2016). Po ashtu ka afri edhe me një tjetër roman të njohur të Kunderës, titulluar “Shakaja” (Milan Kundera, “Shakaja”, përkth. M. Kumbaro, Dituria, 2014), veçanërisht në përdorimin e groteskut dhe të humorit të zi, si mjete për të çmontuar një rend të tillë shoqëror që e ka normalizuar të pazakonshmen dhe e ka bërë të dyshimtë vetë njeriun.

Megjithatë, krijohet bindja që romani i Bashkim Hoxhës “Marsi i marrë”, i përthith këto afri, me zëra gërshetues, duke e bartur theksin prej etikës abstrakte të pushtetit drejt mekanikës së tij të përditshme, përmes mënyrës së frikës të kthyer në procedurë, më pas procedurën në alibi dhe alibinë në normalitet! Prandaj, siç u shtjellua sipër, në këtë drejtim shfaqet dimensioni i tij më i fortë kritik, jo te dënimi i pushtetit si ide, mirëpo te zbërthimi i mënyrës vepruese të përditshme, pa zhurmë, përmes gjuhës, listave dhe vendimeve që duken gjithnjë të arsyeshme, thuajse të rëndomta.
Në përfundim, mbi bazë të këtyre këndvështrimeve analitike që u shtjelluan, “Marsi i marrë” i Bashkim Hoxhës përbën një vepër me identitet të qartë dhe një zë të paimitueshëm estetik, konceptual dhe tematik, duke iu shmangur krejtësisht klisheve të deritashme të tranzicionit shqiptar, me potencial për t’u lexuar, e përjetuar kuptimisht si roman i rëndësishëm i kritikës ndaj pushtetit në prozën bashkëkohore shqiptare dhe përtej saj. Kurse sa i përket gjuhës së romanit, ajo është e matur, e përqendruar, e përmbajtur dhe e aftë të mbajë tensionin pa u mbingarkuar.