Kjo shkollë muzike iraniane ishte parajsë për fëmijët. Pas një sulmi ajror, nuk ka mbetur më asgjë. Fotografitë dhe videot e pasojave tregojnë disa gjurmë të asaj që kishte qenë më parë: trupi i thyer prej druri i një lahute, qafa e këputur e një kitare. Por kryesisht, forca e shpërthimit të dronit ishte aq e madhe sa dukej sikur këto pajisje nuk kishin ekzistuar kurrë
(CNN) – Tingujt e muzikës klasike persiane dikur mbushnin dhomat e akademisë së muzikës “Honiak” në Teheran. Tingulli i shkathët i setarit dhe tingulli i santurit ishin krenaria dhe gëzimi i muzikantit iranian Hamidreza Afarideh, i cili hapi shkollën dy vjet më parë me bashkëshorten e tij, Sheida Ebadatdoust. Ata kishin dhënë zemrën dhe kishin shpenzuar të gjitha paratë e tyre për të krijuar një hapësirë që ndihej si një strehë për 250 studentët e tyre, të cilët varionin në moshë, nga fëmijët e vegjël deri te të moshuarit.
Tani, thotë ai, gjithçka është “zhbërë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë sulm ajror izraelit goditi ndërtesën ku ndodhej shkolla e muzikës, së bashku me disa biznese të tjera, përfshirë një klinikë materniteti, më 23 mars. Ndërtesa ndodhej në anën lindore të kryeqytetit iranian, më pak se dy kilometra larg një baze ajrore ushtarake.
Në atë kohë nuk kishte askënd në qendrën muzikore – Afarideh dhe Ebadatdoust e mbyllën shkollën pak kohë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën sulmin e tyre të përbashkët ndaj Iranit, për të mbrojtur studentët dhe stafin nga bombardimet e pandërprera.
Por shkatërrimi prek thellë çiftin, i cili ia ka kushtuar jetën shpërndarjes së gëzimit përmes muzikës. Po ashtu pasqyron ndikimin shkatërrues të luftës mbi civilët – humbjen e normalitetit, sigurisë, mjeteve të jetesës dhe pasioneve – që shkon shumë përtej numrit të madh të viktimave që rritet çdo ditë e më shumë.
“Të gjitha pronat dhe pasuritë që unë dhe bashkëshortja ime kishim ndërtuar gjatë 15 vjetëve punë të palodhur u shkatërruan brenda natës. U zhdukën plotësisht, pa mbetur asgjë”, thotë Afarideh.

Sulmi ajror
Shenja e parë e problemeve erdhi kur sistemi i alarmit të shkollës së muzikës filloi të binte me zë të lartë pak pas agimit.
Afarideh dhe Ebadatdoust – e cila është gjithashtu muzikante – menduan se dikush po përpiqej të hynte me forcë dhe u nisën me nxitim drejt vendit. Ndërsa afroheshin, kuptuan se ishte diçka shumë më e rëndë.
“Pamë tym dhe mjegull shumë të dendur në qiell”, thotë ai. “Ishte aq e dendur sa nuk mund të shihnim përpara dhe as nuk mund të drejtoheshim siç duhet drejt institutit”.
Ata pritën jashtë për shumë orë derisa autoritetet iraniane përfunduan operacionet e kërkim-shpëtimit dhe i lejuan të hynin sërish brenda. Shkolla e tyre ishte në katin e katërt të ndërtesës dhe me çdo kat që ngjiteshin, niveli i shkatërrimit ishte aq i madh sa shkallët po shembeshin para këmbëve të tyre.
Kur më në fund arritën në ambientin e shkollës, u përballën me rrënoja. Sulmi kishte shkatërruar dritaret e ndërtesës dhe kishte shembur murin e saj të jashtëm; brenda, gjithçka që ata donin ishte kthyer në hi dhe rrënoja.
“Nuk kishte mbetur asnjë instrument muzikor”, thotë ai. “Asnjë nga pajisjet që kishim – si televizorët, sistemet audio apo çdo gjë që një institut profesional duhet të ketë – nuk kishte asgjë. Të gjitha muret që ishin ndërtuar me izolim profesional akustik ishin shkatërruar plotësisht”.
Fotografitë dhe videot e pasojave tregojnë disa gjurmë të asaj që kishte qenë më parë: trupi i thyer prej druri i një lahute, qafa e këputur e një kitare. Por kryesisht, “forca e shpërthimit të dronit ishte aq e madhe sa dukej sikur këto pajisje nuk kishin ekzistuar kurrë”, thotë ai.
Atë ditë, Teherani u godit nga sulme ajrore, siç kishte ndodhur për javë të tëra që nga fillimi i luftës së përbashkët SHBA-Izrael kundër Iranit. Deri në mbrëmje, ushtria izraelite ka thënë se sulmet “në shkallë të gjerë” në Teheran kishin në shënjestër infrastrukturë zyrtare dhe ushtarake, përfshirë objekte të prodhimit të armëve dhe seli sigurie.
Por këto nuk ishin të vetmet objektiva, pasi një ndërtesë tjetër banimi në veri të qytetit u godit – dhe një fëmijë i vogël mbeti i bllokuar brenda derisa u shpëtua disa orë më vonë.
Kur u kontaktuan për koment, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit konfirmuan se kishin “kryer një sulm të synuar ndaj një selie inteligjence të Forcës Quds pranë vendndodhjes së specifikuar”.
Ata shtuan se sulmet e tyre ndjekin ligjin ndërkombëtar dhe se “u vlerësua që përfitimi i pritshëm ushtarak nga sulmi ishte i konsiderueshëm dhe tejkalonte dëmet anësore të pritshme, përfshirë edhe strukturat përreth”.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara i tha CNN-it se nuk kishte informacion për të dhënë mbi këtë çështje.

E ardhme e pasigurt
Afarideh dhe Ebadatdoust tani po përpiqen të ecin përpara – si ta rindërtojnë institutin e tyre, ku të gjejnë fondet dhe si të mbështesin stafin dhe studentët e tyre në mes të luftës.
“Për shumë prej tyre, ky vend ishte si një shtëpi e dytë”, thotë ai. “U jepte një ndjenjë të fortë rehatie dhe sigurie. Meqë unë dhe bashkëshortja ime punonim bashkë aty, ambienti kishte një atmosferë familjare, gjë që e bënte shumë tërheqës për ta”.
Tani, shtoi ai, studentët janë të dëshpëruar, “sepse një hapësirë e tillë nuk ekziston më për ta”.
Shkolla kishte punësuar gjithashtu rreth njëzet mësues dhe staf administrativ, shumë prej të cilëve ishin të rinj në të 20-t e tyre, tani pa të ardhura financiare, në një kohë kur ekonomia tashmë e brishtë e vendit është goditur edhe më tej nga lufta.
Për shkak se struktura e ndërtesës u dëmtua aq rëndë, ata ka të ngjarë se duhet ta zhvendosin shkollën e muzikës në një vend të ri. Por nuk është e qartë nëse mund të përballojnë të fillojnë nga e para, sidomos me rritjen e çmimeve për shkak të inflacionit të lartë.
Në total, Aferideh vlerëson se kanë humbur rreth 42 mijë dollarë në pasuri të dëmtuar dhe të shkatërruar. Në Iran, ku të ardhurat vjetore më 2024 ishin rreth 5 mijë e 120, sipas Bankës Botërore, kjo konsiderohet një pasuri e madhe.
Ata tani po kërkojnë ndihmë nga shoqata të tjera muzikore në Iran, si dhe nga Ministria e Kulturës në vend.
Megjithatë, ndihma mund të vonojë, pasi lufta po hyn në muajin e saj të dytë. SHBA-ja dhe Irani vazhdojnë negociatat indirekte, por të dyja palët japin mesazhe kontradiktore për gjendjen e bisedimeve. Ndërkohë, ndërsa liderët bëjnë kërcënime dhe lobojnë për sulme ajrore ndaj njëri-tjetrit, banorët në terren i vuajnë pasojat.
“Vende si Irani, me mijëra vjet kulturë dhe art, kanë një identitet të fortë të lidhur me muzikën”, thotë Afarideh. “Kur ky identitet synohet të përcillet nëpërmjet studentëve tanë te brezat e ardhshëm, ai duhet të përkrahet”.
Marrë nga CNN. Përktheu: Edona Binaku