Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Loja e artistit me kokat që fshehin histori

Omer Kaleshi

Kokat në veprat e Kaleshit zënë një vend të posaçëm. Nëpërmjet tyre ai fsheh histori, shpalos dramë e misticizëm. S’janë të vetme, ani pse realizohen në vetminë e piktorit. Karakteri i Kaleshit është portret i shprehjes se liria sjell vetminë. Pa televizor, internet e telefon xhepi. Jeton i vetëm në Paris. Kurrë nuk i ka shkuar mendja të krijojë familje. I mjaftojnë kokat e pikturave të tij

Prishtinë, 12 mars 2016 – Shtëpia dhe atelieja për të janë një. Aty jeton, punon dhe e kalon pjesën më të madhe të kohës. Asnjëherë nuk del për kafe pa shkas. Thotë të dalë rrallë rrugëve të Parisit. Pos kur ftohet nga ndonjë mik apo i duhet ndonjë shërbim jashtë shtëpisë së vet në bulevardin “Arago” në kryeqytetin francez, Omer Kaleshi i lë vetëm pikturat e veta. Së fundmi është zhvendosur për disa ditë në Prishtinë. Edhe këtë udhëtim e ka bërë me shkas. Një vit pasi presidentja Atifete Jahjaga ia ndau “Medaljen presidenciale të meritave”, ka ardhur për ta pranuar atë. Pothuajse në të gjitha paraqitjet e tij publike është i veshur në të zeza. Bie në sy koka e tij me flokë të thinjur njashtu si mustaqet. Kokat te veprat e Kaleshit zënë një vend të posaçëm. Pothuajse në të gjithë krijimtarinë e tij më shumë se gjysmë shekulli, ato janë “personazhi” kryesor. Numëron rreth 500 vepra.

“Asnjëra nuk është e njëjtë me tjetrën, sepse edhe natyra i krijoi të gjitha kokat të ndryshme”, thotë ai me zë shumë të ulët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Henry Moore dhe lidhja me artin

I shoqëruar nga regjisori Orhan Kerkezi, Kaleshi që këtë vit mbush 84 vjet, ulet në njërën nga kafehanet e Prishtinës. Është tejet i qetë. Pavarësisht moshës nuk e ka hall të zërë vend në një karrige banaku. Pas një dolli rakie dardhe, në mesditë me diell, nis të rrëfejë historinë e tij krijuese. Shpeshherë disa fjalë i thotë në gjuhën frënge, pasi ka 50 vjet që është banor rezident i Parisit. Edhe fjalët turke zënë vend në fjalorin e tij. Është rritur pa ndonjë ndikim nga arti. Bile pas shkollës fillore në Kërçovë të Maqedonisë, vend ku e kishte kaluar fëmijërinë, kishte zgjedhur që të vazhdonte Shkollën Teknike në Shkup. Sikurse krejt të rinjtë e kohës së ish-Jugosllavisë ishte detyruar që ta përfundonte shërbimin ushtarak. Elektricistit të ri i kishte rënë hise që të bënte dy vjet ushtri prej 1952-s deri më 1954 në Kroaci, për t’u kthyer në Maqedoni, ku vazhdonte punën në profesionin e parë. Një ecje pranë Hamamit të qytetit në Shkup do të bëhej shkak që artisti me nam botëror të ndalonte pak tek objekti simbol i qytetit të vjetër.

“Ishte viti 1955. Pashë se aty te Hamami kishte shumë njerëz. Isha kureshtar ta dija se çfarë po bëhet. Kur hyra brenda ishte ekspozita e Henry Mooreit. Kishte disa gravura që i kishte punuar në Londër”, kujton Kaleshi, tek ngre edhe një dolli. Punimet e artistit që ka lënë gjurmë në skulpturë, ia kishin tërhequr shumë vëmendjen. Moore (1898-1986) kishte paraqitur një kohë të zymtë të kryeqytetit britanik kur po përballej me bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shpërfaqeshin njerëz të frustruar në stacione treni. Fati i zhvendosjes do të përjetohej edhe nga vetë Kaleshi, sikurse u ngjau shumë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Kaleshit i kishte shkuar mendja se duhet ta peshojë dëshirën midis të punuarit si elektricist apo t’i përvilte mëngët për t’u bërë artist. Kjo e dyta i doli më e rëndë.

“Prej aty kam thënë se dua të bëhem piktor”, rrëfen Kaleshi.

Vetmia si kusht për të pikturuar

Një vit më vonë bashkë me familjen do të emigronte në Turqi. Ishte vala e emigracionit të shqiptarëve në atë vend. Një kohë do të punonte si elektricist. Ndërrimi i vendbanimit nuk ia kishte zbehur dëshirën për t’u bërë artist. E mbi këtë bazë do të niste studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll. Veçantia e parë që e bënte të dallonte nga studentët tjerë ishte puna në vetmi. Kaleshi nuk mund të bënte një vijë në tablo kur përreth tij kishte njerëz.

“Nuk mund të punoj në prani të njerëzve. Isha i rregullt në Akademi, por nuk punoja fare aty. Ishte lënda e nudos, por unë nuk pikturoja aty. Pas nja tre ose katër muajsh, profesori i shikoi punimet e të tjerëve dhe unë i thashë që nuk mund të punoj këtu”, kujton ai. Gjatë ditës shikonte modelet nudo e në mbrëmje përziente ngjyrat për të pikturuar në pëlhurë trupin e zhveshur. Mësimdhënësi i kishte kërkuar që t’i sillte punimet në ambientet e Akademisë për t’i vlerësuar ato. Të nesërmen, profesori i tij do të komentonte me një fjali tablonë e studentit.

“Kur e ka parë punimin, profesori më ka thënë: ’Është sikur mjaltë’”, kujton Kaleshi. “Të metën” e tij e kishin marrë në konsideratë si profesorët edhe kolegët. I ishte dhënë liria që të punonte në shtëpi. Pikturat e tij merrnin komente që e bënin ta donte edhe më shumë profesionin e ri. Mësimdhënësit i thoshin se ato nuk janë thjesht tablo fillestarësh, por mund të ekspozoheshin gjithandej botës. Vetëm një herë e ka tradhtuar vetminë si piktor.

“Një pikturë e kam bërë në Akademi, kur kam diplomuar”, kujton ai vitin 1965. Gjatë studimeve i kishte rënë që të bënte turne nëpër vendet evropiane. Thotë se kishte problem të lëvizte jashtë Turqisë, meqenëse emigrantët nuk lejoheshin të lëvizin jashtë territorit të shtetit turk që ende nuk kishte bërë gjysmë shekulli prej shpalljes si shtet laik. Por një vizë që do t’ia nxirrte i vëllai, historiani Hasan Kaleshi në Beograd, do t’i hapte rrugë artistit të ri. “Si student ishim në Itali, Francë e Austri. Një vit tjetër kam shkuar në Spanjë, ku kam parë punimet e Francisco Goyas. Kam shkuar në një kishë ku ishin freskat e punuara nga Goya”, thotë ai kur flet për maestron spanjoll të fundshekullit XVIII dhe fillimshekullit të XIX.

Kujton se në akademinë “Osman Hamdi Bej” ishte hapur një konkurs për krijuesit fillestarë. Pikturimi i peshkatarit ishte sfida ku do të matnin me njëri-tjetrin ata që i kishin hyrë rrugës për t’u bërë artistë. Përderisa të gjithë kishin paraqitur peshkatarin duke provuar të zinte peshk në një ambient të bukur, Kaleshi prapë do të surprizonte jurinë.

“Unë bëra një litar dhe peshqit të varur në litar. Tabloja ishte e kuqe. Bajraku i komunizmit ishte i kuq. Flamuri i Turqisë po ashtu i kuq. Ma dhanë çmimin e parë”, kujton ai. Litarin e ka “bartur” me vete gjatë karrierës edhe në shumë punime të tjera. Tashmë si mjeshtër model kishte zgjedhur Goyan e si ngjyrë me të cilën do të identifikohej, të kuqen.

Simbolika e nxjerrë nga e kaluara

Pa e ndryshuar asnjëherë ritmin e rrëfimit, me të njëjtin ton zëri, Kaleshi tregon se pas përfundimit të studimeve do të zhvendosej në Paris, ku jeton edhe sot. Zhvendosja nuk kishte ndikuar në stilin e tij krijues. Specialitet i tij janë kokat. Kësaj pjese të trupit ia ka kushtuar krejt jetën krijuese. I kishin lënë përshtypje kokat e anëtarëve të komunitetit bektashi.

“Kam bërë koka dervishësh dhe të çobanëve. I kam paraqitur në veshje të bardha. E bardha është shumë e pranishme tek shqiptarët”, thotë ai. Lidhjen e tij me kokat e nis me figurën biblike, Shën Gjon Baptistin. Thotë se paraardhësit të Krishtit në tokë i ishte prerë koka. Thotë se Shën Gjon Baptistit i ishte prerë koka, dëshirë kjo e vajzës së gruas së mbretit Herod, e cila ishte shtyrë nga e ëma për kërkesën e saj.

“Në pikturë është punuar koka vetëm nëse ishte e prerë. Kjo vjen qysh nga periudhat para Krishtit. Koka e Shën Gjon Baptistit është e para kokë e vdekur që është pikturuar. Pastaj kokat janë paraqitur në ikona”, thotë artisti. Por në filozofinë e tij krijuese kokat nuk janë të vdekura, pavarësisht se ka prej tyre që janë paraqitur me sy të mbyllur.

“Koka mund të jetojë edhe vetë, nuk ka nevojë për trupin. Secili njeri kur sheh vetëm një kokë mendon se është e prerë. Nuk mund të mendojë njeriu që koka mund të jetojë pa trupin”, thotë ai. Numëron disa elemente që nxjerrin në pah se kokat e tij jetojnë pa trup. Thotë se rreth tyre nuk ka asnjë pikë gjaku. Edhe për ato që paraqiten me sy të mbyllur, jep një shpjegim.

“Ta kemi parasysh se njeriu gjysmën e jetës e kalon në gjumë. Njeriu i mban sytë mbyllur edhe kur këndon ose pushon”, thotë ai. Thotë se koka është pjesa kryesore e çdo qenieje. Nga parahistoria, rëndësinë e kokës e lidh edhe me një histori shqiptare të shekullit XIX. Thotë se kur trupat e Perandorisë Osmane vranë Ali Pashë Tepelenën nuk i morën me vete trupin, por kokën.

“Pse nuk ia morën trupin, por kokën? Koka nuk mund të zëvendësohet me asgjë. Koka e dërgon njeriun ku të duash”, thotë ai. Në tablotë e tij dominon ngjyra e kuqe. Kokat qëndrojnë në shporta, pranë litarëve e edhe të vetme. Rrëfen se shumë miq i thonë se është detajist. Krejt atë që synon ta thotë nëpërmjet punës krijuese e shpreh nëpërmjet kokave.

“Kam bërë një seri me dramën ballkanike. Por aty nuk ka as armë e as luftë. Janë vetëm njerëzit. Pra kokat. Kam bërë dervishët, por jo teqenë. Kam bërë çobanin, por asnjëherë delet apo dhitë. Pra kam bërë vetëm detaje. Më intereson koka”, thotë prerë Kaleshi.

Në 100 - vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë më 2012 universiteti mbretëror “Iliria” ka hapur galerinë “Omer Kaleshi”. Aty zënë vend mbi 20 tablo të artistit. “Kosovari”, “Baresha”, “Kokat në shportë” e “Njëmbëdhjetë koka”, janë tri nga punimet e tij. Ka tablo që vetëm në një të tretën e hapësirës paraqiten kokat, pjesa tjetër mbetet e thatë, e paprekur fare nga ngjyrat. Me këtë fakt qesh edhe vetë Kaleshi. Thotë se disa koleksionistë kërkojnë që të paguajnë vetëm për pjesën e pëlhurës ku ka punuar.

Reflektimi i imazhit të shqiptarëve

Karakteri i Kaleshit është portret i shprehjes se liria sjell vetminë. Pa televizor, internet e telefon xhepi. Jeton i vetëm në Paris. Kurrë nuk i ka shkuar mendja të krijojë familje. Për këtë ka një shpjegim.

“Kam lexuar një libër të Leonardo da Vincit, ku ai thotë: ‘Artisti kur është i vetëm është i plotë, kur ka afër një njeri është gjysmë, dy njerëz është çereku...’”, thotë Kaleshi i cili veprat e tij i nënshkruan thjesht me emrin “Omer”. Pyetjen se perse jeton i vetëm ia kishte shtruar edhe shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare. Edhe atij i kishte dhënë të njëjtin shpjegim. Kadare viziton atelienë e Kaleshit sa herë që ky i fundit nxjerr në pah ndonjë cikël të ri pikturash. Shkrimtari më i përkthyer shqiptar ua ka kushtuar një ese edhe kokave të Kaleshit. Në veprën “Arti si mëkat”, shkrimtari pyet se nga vijnë këto koka e ç’kërkojnë?

“Të largëta, si të pjella nga një kujtesë tejhistorike, shtillen njëra pas tjetrës, me atë ndriçim që e kanë thithur përbrenda. Duket sikur duan të japin një kumt e nuk e japin dot. Është një kohë e ashpër, gati barbare, që i ka pjellë, për të cilën, ndoshta, kanë nostalgji, ose e kundërta, me të cilën duan të ndahen. Janë aty me atë moskuptim të pafund në sy, me një pritje tragjike, ndoshta pritjen për ta bërë një kapërcim...”, shkruan Kadare. Tutje shkrimtari lë të kuptojë se i ka bërë analizë edhe prirjes për t’u bërë artist. Shkruan se ka dy fate artistesh. Sipas Kadaresë janë ata që lindin dhe rriten në shtëpi ku arti është i pranishëm, me bibliotekë plot libra e ku pasdite nëna luan në piano e pasdarke bëhet muhabet për letërsinë. Flet edhe për ata që kanë një fat krejt tjetër.

“Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. Në shtëpitë e tyre nuk është dëgjuar kurrë muzikë, s’është folur kurrë për pikturë dhe të vetmit dialogë dramatikë që janë dëgjuar kanë qenë grindjet e prindërve në ditët plot mërzi”, shkruan Kadare. Sipas tij askush nuk mund ta dijë se cili mjedis e nxit më fuqishëm prirjen e artistit të vogël.

“Ai që e josh me praninë e tij gjithkund, apo tjetri, që ia shton etjen me mungesën e tij”, shkruan Kadare. Si Kaleshi ashtu edhe Kadare i takojnë kategorisë së dytë. Kadare nuk është rritur në një ambient librash, por është bërë alamet shkrimtari. E Kaleshin një thyerje rruge për t’u futur në Hamamin e Shkupit, e ka bërë që ai të thyejë kufijtë me kokat shqiptare e ato ballkanike. Kadare shkruan se artisti i ri shkon drejt artit siç shkohet drejt mëkatit. Kadare shkruan se pëlhurat e Kaleshit janë të mbushura me “një si popull të veçantë që nuk ekziston gjëkund në botë”. Sipas tij askund nuk mund të ketë pasur popull që përbëhet vetëm prej barinjsh e prej dervishësh.

“Nga pëlhura e tij del një vizion global. Tablotë e tij kërkojnë e të japin fytyrën e një popullsie që mbush një hapësirë të gjerë”, shkruan Kadare.

Veshët që mungojnë dhe syri i piktorit

Pos që janë të gjalla dhe “flasin” e “rrëfejnë” gojëmbyllur, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, kokave të Kaleshit u mungojnë veshët. U mungojnë edhe autoportreteve të tij siç shihet në një seri prej gjashtë sosh. Artisti thotë se regjisori Orhan Kerkezi e kishte vërejtur këtë detaj që nuk u kishte rënë në sy as kritikëve të artit që e kishin vizituar në atelie. Kerkezi, bashkë me skulptorin Adem Rusinovci, e bindën të bëhet protagonist në filmin e shkurtër “Homazh për Charlie Chaplinin”, i cili prej se mori çmimin e parë në Festivalin e Filmit të Evropës Juglindore në Paris në maj të 2012-s, “u zhduk” siç ishte dëshira e regjisorit.

“As galeria nuk i shihte se nuk kanë veshët. Kur njeriu sheh njeriun ia shikon fytyrën dhe sytë, jo veshët. Edhe veshët në pikturat e mia sikur ekzistojnë, por nuk shihen. Kam bërë qindra koka, por nuk kanë veshë. Leonardo da Vinci i jep shumë rëndësi syrit. E syri është për piktorin sikurse veshi për muzikën”, thotë Kaleshi. Sipas tij shkrimtarët thonë se më e rëndësishmja është fjala.

“Edhe Ismaili thotë se fjala është e para. Por sikur ta pyesësh njeriun se më shumë dëshiron sytë apo veshët, sigurisht që zgjedh sytë”, thotë ai tek arsyeton faktin se kokat e tij nuk janë pa shqisën e të dëgjuarit. Thotë se njerëzit nuk bëjnë be në veshë, por në sy. Punimet e tij kanë shëtitur në shumë vende të botës. Muajin që shkoi, një galeri me emrin e tij është hapur edhe në Shkup. Thotë se nuk është e lehtë të punosh gjithë jetën në një temë. Verën e kaluar i ishte përkushtuar shumë punës. Në lagjen e tij në Paris thotë se ka drunj të vjetër gështenjash.

“I presin trungjet e gështenjave të sëmura. Brenda trupit janë disi sikur të djegura. Kokat duket se dalin nga trungjet”, thotë ai për ciklin e ri të kokave mbi trungje. E këto thotë se duken paksa erotike, pasi sipas tij ka drunj që ngjajnë me trupa femrash. Në fund të vitit të kaluar një seri punimesh së tij kishin qëndruar në rezidencën e Ambasadës së Turqisë në Paris. Thotë se për nder të tij hapja e ekspozitës së punimeve që kanë shëtitur botën, ishte bërë dy herë. Herën e parë për miqtë e artistit e të dytën për të ftuarit e Ambasadës. Thotë se ndër shqiptarët ka piktorë të mirë, por nuk përmend ndonjë emër. E vetmia, atelieja e kokat për të janë të shenjta.

“As shpirtin tim nuk e ndërroj me atelienë time. Pikturat e mia kanë lindur aty. As pallatet e sulltanëve nuk më bëjnë përshtypje”, thotë njeriu që ua ka kushtuar jetën kokave që gjithmonë lënë vend për t’u interpretuar në forma të ndryshme e përherë diçka mistike mbetet në to.