Në krejt rripin detar, përgjatë tre muajve të sezonit të verës, nuk ka pothuajse fare ngjarje kulturore. Krejt çka përfshin oferta turistike janë pamjet e pafiltruara të Shqipërisë, që gjithsesi janë sensacionale, ushqimi relativisht kualitativ dhe i lirë, plazhe e lokacione bregdetare impresive e hotele me shërbime mesatare. Harrojeni që si turist, gjatë qëndrimit atje mund të shihni ndonjë shfaqje teatri a baleti, ndonjë performancë rruge, që mund të ndiqni ndonjë festival muzike a teatri, ndonjë ngjarje letrare
Këto vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një zhvillim të hovshëm të turizmit. Prezenca e shtuar e turistëve të huaj është e dukshme madje edhe në veriun e pazhvilluar e të lënë jashtë vëmendjes. Por fluksi turistik mund të shihet edhe nga linjat e shtuara të fluturimeve ditore në aeroportin e Tiranës. Turistët janë kuriozë ta njohin e eksplorojnë Shqipërinë relativisht të panjohur, dhe natyrisht të përfitojnë nga çmimet e lira, së paku, të lira, në krahasim me ato në bregdetet e vendeve të rajonit.
Por, fatkeqësisht, rritja e numrit të turistëve nuk ka ndikuar shumë në përmirësimin e shërbimeve publike e as në pasurimin e ofertës turistike. Janë ndërtuar ca rrugë të reja po – por në anën tjetër, mirëmbajtja e qyteteve dhe plazheve në bregdet është në nivel bazik, transporti publik ngelet totalisht kaotik, shërbimet hoteliere po ashtu janë jo të kënaqshme. Qasja e shtetit ndaj turizmit, si ndaj çdo gjëje tjetër, është tërësisht brenda mendësisë së “kapitalizmit të shfrenuar” që ka dominuar Shqipërinë që nga përmbysja e komunizmit.
Oligarkët e biznesmenët kanë zaptuar plazhet dhe pjesët më vitale të bregdetit, duke ndërtuar brutalisht e duke e kthyer çdo gjë në “mall” që duhet të shitet dhe nga i cili duhet të përfitohet, mundësisht sa më shpejtë dhe më kollajshëm. Shteti ka pasur pak fuqi të vërë kontroll, por kryesisht edhe nuk ka dashur të vërë kontroll, sepse edhe ai ka qenë i interesuar ta mbushë arkën me taksa, pa çka që ato taksa shpesh kanë ardhur nga ndërmarrësi me bazë mafioze.
E, në këtë konstalacion ku “partner në biznes kanë qenë shteti e edhe ‘agjentët e tij (privatët) të zhvillimit”, jeta kulturore ka qenë tërësisht jashtë fokusit e interesit. Oferta kulturore nuk shihet madje as si mjet që mund ta ndihmojë zhvillimin e turizmit bregdetar. Sepse që të gjithë këta “partnerë në krim”, fitimin e duan sot, tani, jo në një të ardhme të largët. Në krejt rripin detar, përgjatë tre muajve të sezonit të verës, nuk ka pothuajse fare ngjarje kulturore. Krejt çka përfshin oferta turistike janë pamjet e pafiltruara të Shqipërisë, që gjithsesi janë sensacionale, ushqimi relativisht kualitativ dhe i lirë, plazhe e lokacione bregdetare impresive e hotele me shërbime mesatare. Harrojeni që si turist, gjatë qëndrimit atje mund të shihni ndonjë shfaqje teatri a baleti, ndonjë performancë rruge, që mund të ndiqni ndonjë festival muzike a teatri, ndonjë ngjarje letrare, të shihni ndonjë ekspozitë në muze a galeri! Asgjë nga këto, ose papërfillshëm pak. Turistët, ashtu si edhe qytetarët shqiptarë, janë të privuar nga nevojat kulturore.
Kjo mizori artistike sezonale është fatkeqësisht pjesë e asaj barbarisë së përgjithshme kulturore në Shqipëri, që nuk ka lejuar zhvillimin e skenës së pavarur kulturore, ndërkohë që kulturën që krijohet në institucionet kulturore publike e ka futur në qarkun e pashpresë të komercializmit. Kulturalisht Shqipëria është pothuajse e vdekur. Shpresat që artisti i dikurshëm Edi Rama, tani e një kohë të gjatë kryeministër i Shqipërisë, do të hapte horizonte të reja për kulturën, ka kohë që kanë vdekur. Përkundrazi, ai duket se është shndërruar në armikun kryesor të kulturës në Shqipëri.