Shtojca për Kulturë

“KOHA Ditore”, 2015. Dua Lipa: Ende jam vetëm në hapat e parë

Faksimilet e faqeve të numrit festiv të “Kohës Ditore” të 30, 31 dhjetorit 2015 dhe 1, 2 dhe 3 janarit të vitit 2016, ku është botuar intervista e Dua Lipës

Faksimilet e faqeve të numrit festiv të “Kohës Ditore” të 30, 31 dhjetorit 2015 dhe 1, 2 dhe 3 janarit të vitit 2016, ku është botuar intervista e Dua Lipës

“Alamet kritikësh e muzikantësh i kanë kthyer sytë kah Dua Lipa. U cilësua si kantautore e paparashikueshme, por suksesi i saj ishte lehtë i parashikueshëm. Me këngën e parë të saj, u paralajmërua ylli në ngritje e me të dytën ‘Be the One’ u bë e tillë. Viti 2015 është viti i Dua Lipës, por i tillë pritet të jetë edhe 2016-a. ‘Ende jam vetëm në hapat e parë’, thotë Dua Lipa në një intervistë ekskluzive për numrin festiv të ‘Kohës Ditore’”, shkruante “KOHA Ditore” në numrin festiv për vitin 2016

Kur gara më e famshme e talenteve muzikore në Britani të Madhe, “X Factor” po shënonte 10-vjetorin e themelimit, do të realizohej një reklamë promovuese për emisionin. Do të hapej audicion për një këngëtare të cilës do t’ia besonin këtë punë. Në këtë garë do të merrnin pjesë rreth 60 konkurrente. Në mesin e tyre edhe kosovarja, Dua Lipa. Asokohe vetëm 17-vjeçare, Lipa do t’i mahniste të gjithë me zërin e saj. Ai moment, shumë shpejt do të shndërrohej në pikënisje për një karrierë të suksesshme. Nuk u deshën më shumë se dy vjet pas reklamës që kjo të dëshmohej. 

Kënga e saj debutuese “New Love” u përhap shpejt. Alamet kritikësh e muzikantësh i kthyen sytë nga Dua Lipa. Edhe grupi i famshëm “Maroon 5” e përhapi këngën nëpër rrjete sociale bashkë me një porosi e parashikim të qartë. E dyta, “Be the One”, tashmë është bërë “kolonë zanore” e 2015-s. Ka pushtuar top-listat por s’ndalet me kaq. 

“Ende jam vetëm në hapat e parë”, thotë Dua Lipa në një intervistë ekskluzive për numrin festiv të “Kohës Ditore”. E hapat e saj të parë janë të mëdhenj. Është futur në listën e gjerë me pesëmbëdhjetë këngëtarë që janë në garë për t’u shpallur fitues të “BBC Sound of 2016”. Mediat prestigjioze vrapojnë pas saj e ajo po ecën shpejt. Është e sigurt se për të do të dëgjohet gjatë.

Dashuria e pashmangshme për muzikën

Zëri i saj është i plotë. Ka një ngjirje të lehtë, me elemente që mund të krahasohen me ato të zërave të mëdhenj si Amy Winehouse e Adele. Por mbi të gjitha është karakteristik në vete. Ani pse i këndon dashurisë së humbur dhe vuajtjes, nuk duken të dhimbshme kur gërshetohen me ngjyrën e zërit të Dua Lipës. Ka një stil të veçantë që duket sikur kalon nëpër një ylber stilesh e ndikimesh muzikore për të nxjerrë uniken.

Këtë më së miri e shpjegon edhe fakti se ajo gjatë fëmijërisë në Kosovë është rritur nën ritme të muzikës rock dhe më pas do të gjente influenca të tjera kur do të rikthehej në Londër, që është vendlindja e saj. Rock-bendi kosovar “ODA”, vokalist i të cilit është babai i saj, Dukagjin Lipa dhe këngët e tyre do të luanin një rol shumë të rëndësishëm në ngjalljen e dashurisë së saj për muzikën. Ajo thotë se muzika dhe performanca muzikore kanë qenë pjesë integrale në familjen e saj. 
“Nuk e mbaj në mend që ndonjëherë në shtëpi nuk ka pasur të paktën një bisedë për ndonjë aktivitet muzikor. Aty bëjnë pjesë përcjelljet e koncerteve të ndryshme, pastaj shkuarjet në studio, incizimet, xhirime të ndryshme, organizime të koncerteve...”, thotë Lipa (20) teksa si momente më të rëndësishme të asaj kohe ajo kujton përjetimin për së afërmi të realizimit të këngëve të “ODA”-s. Në moshën 16-vjeçare, bashkë me këngëtaren e njohur kosovare Rona Nishliu do të bëheshin pjesë e incizimeve si back-vokaliste kur “ODA” përpunoi këngën e njohur “Era” të bendit “Gjurmët”. 
“Mendoj që babi im ka qenë dhe është një influencë shumë e madhe dhe pozitive në krijimin e dashurisë dhe pasionit tim për muzikën dhe gjithmonë më ka mbështetur në drejtimin që gjithmonë e kam dashur dhe ëndërruar”, thotë Lipa. E pranon se ende këshillohet me të për të gjitha aktivitet e saj. 
“Këngët e ‘ODA’-s janë këngë shumë të dashura për mua edhe jam shumë krenare që ato këngë edhe sot dëgjohen me kënaqësi prej gjeneratave të reja. Këngët si ‘Beso në diell’, ‘Buzë lumit’, ‘Rrugë e mbarë’, ‘Dikah larg’, ‘Rrugët’ dhe ‘Era’ janë këngë që kanë lënë gjurmë në historikun e rock-muzikës kosovare dhe ngadalë po kalojnë në këngë që nuk vdesin”, thotë ajo. 

Tërë këtë përvojë ajo tani po e shfrytëzon si model për të ndjekur karrierën e saj. 

Dua Lipa u lind në Angli, por në moshën 8-vjeçare do të kthehej në Prishtinë te prindërit e saj, për t’u rikthyer në Londër ku vazhdoi shkollimin. E tani që çdo ditë e më shumë po arrin të bëjë për vete zemrat e dëgjuesve me zërin e saj të veçantë, ajo preferon të identifikohet vetëm si Dua Lipa. 
“Të shumtën e rasteve jam vetëm Dua Lipa pa pjesën e përkatësisë territoriale, por në shumë intervista shpjegimi im se prindërit e mi (Dugi dhe Anesa) janë nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, është një lajm që pritet shumë mirë nga të gjithë”, thotë Lipa. Por po t’i kërkohej që të potenconte prejardhjen e saj do thoshte se do të paraqitej si: “Unë jam Dua Lipa nga Prishtina”. 

Paralajmërimi i yllit në ngritje me “New Love”

Pak kohë pas lansimit të “New Love” të Dua Lipës, ajo do të bëhej pjesë e top-listave në Britani të Madhe. Suksesi thotë se i erdhi me shpejtësi marramendëse. Por s’ishte vetëm publiku që e priti mirë këtë këngë. Ishin edhe kolegët e saj. Bendi i njohur “Maroon 5” e shpërndau këngën në rrjete sociale duke u rekomanduar fansave të tyre që të dëgjojnë këngëtaren e re, fort premtuese. Me zërin e saj, pamjen dhe stilin e veçantë shumë shpejt hyri në zemrat e dëgjuesve gjithandej. Për kosovarët krenaria me të ka edhe një arsye shtesë. Por ky është vetëm fillimi, siç e potencon vetë Dua Lipa. 
“Edhe pse gjërat po ecin me një shpejtësi marramendëse, mendoj që ende jam në hapat e parë të shpalosjes së këngëve të reja që të flasim për një arritje të suksesit”, thotë Lipa. Lajmet për të sa vijnë e bëhen më të shpeshta bashkë me projektet e reja. 

“Koha për të shikuar prapa vetëm sa po vjen e po zvogëlohet e njëkohësisht edhe pjesa e reflektimit se ku kemi qenë para disa muajsh. Rruga e suksesit është e gjatë dhe unë jam në fillim të saj”, thotë Dua Lipa. 

E mënyra e vetme për të arritur sukses ajo thotë se është dedikimi ndaj asaj që do. Mbështetja e njerëzve që e rrethojnë dhe fati e mundësia për t’u marrë me atë që ëndërronte qysh si fëmijë, për të po ashtu janë shumë të rëndësishme.

Shpërthimi me “Be the One”

Kur flitet për suksesin e këtij viti (2015) pa dyshim se këtu hyn edhe kënga e saj e dytë “Be the One” si dhe futja në listën e gjerë me pesëmbëdhjetë këngëtarë që janë në garë për t’u shpallur fitues të “BBC Sound of 2016”. Ky çmim –  konkurrentët për të cilin janë përzgjedhur nga një panel që ka pasur në përbërje 144 DJ, kritikë dhe shkrimtarë – vë në qendër të vëmendjes ata që priten të bëhen yje më 2016. Në të përfshihet sensacioni kanadez i muzikës R’n’B, Alessia Cara, kantautorja Frences dhe grupi i reperëve “Section Boyz”. Fituesi do të shpallet në janar, përderisa vitin e kaluar këtë titull e mori pop - trioja “Years and Years”. Laureatë të mëhershëm kanë qenë edhe Adele, Sam Smith dhe Haim.
“Ky është njëri prej lajmeve më të mira që kemi pranuar këtë vit. ‘BBC Sound of 2016’ është një ndër listat më prestigjioze botërore ku të identifikohesh si artiste e që ke potencial të jesh njëra ndër ‘tingujt’ që do ta definojnë vitin e ardhshëm”, thotë Lipa, tek potencon se për të është privilegj i veçantë të jetë në mesin artistëve botërorë që kanë qenë të nominuar në vitet e kaluara. Në kuptimin e asaj që pritet prej saj, Dua Lipa cilësohet edhe si këngëtare e paparashikueshme, siç e përshkroi versioni amerikan i revistës “Elle” në numrin e janarit ku ajo portretizohet si yll në ngritje. 
“Dua Lipa është kantautore krejtësisht e paparashikueshme. E kjo gjë është e mrekullueshme”, ishte përshkrimi që ia bëri Bobby Olivier në “Elle”. “Radio BBC 1” shkruan se si këngët e saj kanë një gërshetim ndikimesh interesante ku ajo bën bashkë rimte të muzikës pop me ndikime të hip-hopit e duke ia shtuar kësaj edhe tekstet e errëta. 

Për suksesin e saj ajo prapa vetes ka producentin e njohur amerikan Emile Hayna i cili ka bashkëpunuar me artistë të njohur si Lana del Rey, Eminem e Tahliah Debrett Barnett e njohur me emrin skenik FKA twigs. Ajo është duke punuar në albumin e vet të parë. 

“Në albumin i cili do të dalë së shpejti kam shumë këngë në bashkëpunim me një prej producentëve që më së shumti më pëlqejnë Talay Riley (Chris Brown, Joe Jonas, Empire). Aktualisht jemi në përfundim të xhirimeve për videospotin e ri të këngës së re që del në fund të janarit, eventualisht në fillim të shkurtit”, thotë Lipa. Por ka diçka që lidhet edhe me Kosovën. 
“Mendoj që shumë shpejt do të kemi diçka të re. Po e mbajmë pak një sekret”, thotë ajo. E deri atëherë fansat e saj do të shijojnë suksesin e saj nëpër botë.