Shtojca për Kulturë

Katër ditë për t’u lidhur me Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë

Në pak vende mund ta nisësh ditën në mal e ta mbyllësh në det. Bukuria natyrore e Shqipërisë do t’ju lërë pa frymë – dhe do të mund të përfitoni shumë më shumë nga ky vend sesa nga Greqia fqinje. Shqipëria mund të fitojë një vend në listën tonë për “Vendet më të mira për t’u çlodhur”, por kur ecni nëpër malet e saj, pa dyshim që do të keni më shumë kohë edhe për t’u lidhur me njerëzit që jetojnë atje. “Lonely Planet” i kërkoi shkrimtarit dhe ekspertit malor, Stuart Butler, t’u jepte një itinerar katërditor nëpër Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë

Kam qenë shkrimtar udhëtimesh, autor i udhërrëfyesve dhe fotograf qysh para se të shpikej interneti. (Po, dikur ka qenë një kohë kur njerëzit përdornin kuti postare në vend të WhatsApp-it.) Pjesa më e madhe e punës sime fokusohet në rajonet malore, shëtitjet dhe mjedisin – dhe kam një dashuri të veçantë për shtigjet e qeta malore të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit.

Shqipëria në Evropë, por jo si pjesa tjetër e Evropës

Për shumicën e njerëzve, Shqipëria është një enigmë. Një vend që gjendet në Evropë, por jo si pjesa tjetër e Evropës. Më pak e lëmuar. Ndoshta më e egër rreth skajeve. Dhe kjo është ajo që e bën këtë udhëtim kaq tërheqës. Gjatë një diktature tejet brutale komuniste, kur feja dhe udhëtimet ishin të ndaluara, ndërsa pronat u nxorën jashtë ligjit, kufijtë e Shqipërisë ishin të mbyllura për shumicën e të huajve. Por, megjithëse periudha komuniste përfundoi në vitin 1991, Shqipëria vizitohet pak edhe sot. Megjithatë, ata që e bëjnë këtë, zbulojnë një vend me male shkëmbore dhe një histori që nis qysh nga ditët e legjendave të mjegullta. Të vizitosh Shqipërinë është një aventurë, e vërtetë. Por ajo është një vend me zemër të ngrohtë ku mikpritja, krenaria dhe tradita janë të ndërthurura mes vete, dhe ku buzëqeshja miqësore është gjithmonë një hap tutje.

Zbulojeni Shkodrën

Shqipëria është një vend me shpirt rural, dhe për të hyrë në shpirtin e vendit, duhet të shkoni drejt maleve – në veçanti në malet me emër të mrekullueshëm Bjeshkët e Nemuna të cilat gjenden në veriun e largët. Këtu, është e mundur të bëni një shëtitje të mrekullueshme katërditore me ç’rast do të shihni pamje të maleve të thepisura, të shëtitni nga fshati në fshat, të bëni një udhëtim me traget përgjatë tërë gjatësisë së një liqeni të madh dhe të kaloni kohë në një nga zonat më të bukura urbane të Shqipërisë.

Aventura fillon në Shkodër, një qytet pjesërisht bregdetar në veriun e largët. Thuhet se është një nga qytetet më të vjetra në Evropë, dhe sigurisht një nga më tërheqësit në Shqipëri, me rrugë të veshura me shtëpi shumëngjyrëshe. Filloni ditën tuaj duke vizituar muzetë dhe pamjet e ndryshme në qendër të qytetit. Pika kyçe e koleksioneve “Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi” është rezultat i familjes Marubi, një familje fotografësh të shquar, imazhet e të cilëve kapin jetën e fshatit të një shekulli më parë. Nga kjo theksoj një foto të bërë në vitin 1858: fotoja e parë e bërë ndonjëherë në këtë vend fotogjenik. Ajo paraqet konsullin italian i cili është veshur për të rënë në sy (dhe, gjykuar nga numri i shpatave që mban, i veshur gjithashtu për të vrarë). Një muze tjetër, disi më i errët, “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës” zë vend në një ish-burg dhe qendër të marrjes në pyetje të të burgosurve politikë dhe fokusohet në periudhën komuniste, ku njerëzit e Shqipërisë jetonin nën një nga diktaturat më të pamëshirshme komuniste, të dënuar me disa vjet burgim, tortura dhe “zhdukjet” ishin shumë të zakonshme sa herë që kishte shenja mospajtimi.

Pas një mëngjesi kaq të rëndë, le të hamë pak drekë. Hipsteri “Pasta e Vino” shërben pjata kreative italiane si dhe ato klasike si: shpageta me karkaleca deti. Sigurohuni që të hani mirë, sepse duhet pak kohë deri në pasdite. Merr me qira një biçikletë (shumica e hoteleve ofrojnë biçikleta me qira) dhe udhëtoni për 4 kilometra në jug deri në Kalanë e Rozafës. E vendosur në majë të kodrës së vetme në afërsi të qytetit, ajo është ndërtuar shumë kohë më parë (dhe prej atëherë është rindërtuar disa herë) sa askush nuk e di saktësisht se sa të vjetra janë themelet e saj. Sot, ajo është mjaft e rrënuar, por pamjet nga muret e mbetura – ku mund të shihen të gjithë fshatrat bujqësore, vetë qyteti dhe lugina në të cilën ndodhet Shkodra – janë të mrekullueshme, veçanërisht gjatë perëndimit të diellit.

Ngjitu, lart, lart në male

Ne e dimë që jeni me pushime, por kemi frikë se keni lënë një alarm kokëdhembës për t’u zgjuar herët. Në orën 6:30 të mëngjesit, një minibus do t’ju marrë nga hoteli juaj (i gjithë udhëtimi Shkodër - Valbonë ofrohet si paketë nga të gjitha hotelet në Shkodër) për një rrugë plot erë prej një ore e gjysmë deri në qytetin e vogël buzë liqenit, Koman. Ka pak kohë këtu për të pirë një kafe dhe për të ngrënë një kafshatë të shpejtë përpara se të hipni në një traget të vogël me të cilin do të lundroni – nëse jo me shumë stil, të paktën me besueshmëri – përgjatë hapësirës më të madhe të liqenit të madh të Komanit, i cili u krijua në vitet 1970 si pjesë e një projekti hidroelektrik. Përgjatë udhëtimi i cili zgjatë të paktën tri orë, rrëshqitja nën hijet e majave të maleve përreth, dhe kalimi përreth fshatrave të vendosura në mënyrë të pabesueshme dhe vilave të largëta bujqësore, është një kënaqësi e thjeshtë. Varka ndalon në Fierzë të vogël, ku do të hipni në një minibus tjetër për një udhëtim njëorësh lart, lart, në një rrugë që përkulet dhe dredhohet si një gjarpër i çmendur, derisa të mbërrini në fshatin Valbonë. Ka shumë të ngjarë që as të mos e vini re vendbanimin (në realitet, më shumë si një koleksion i përhapur i shtëpive dhe bujtinave), pasi sytë tuaj do të nguliten në pamjen e majave malore dhe pyjet halore të zhytura në luginën në të cilën ndodhet Valbona.

Pasi të jeni vendosur në bujtinë, ngrohni këmbët e më pas nisuni për një shëtitje të shkurtër pasdite. Ne ju rekomandojmë ecjen e këndshme prej 5 kilometra vajtje-ardhje në një kullotë të vogël bari në anën veriore të luginës, drejtpërdrejt përballë Valbonës. Kjo rrugë ndjek një shteg nëpër pyll të dendur. Por sigurohuni që t’i mbani sytë hapur: herën e fundit që e ecëm (vetëm dhe në mbrëmjen e hershme) morëm një “dhuratë” shumë të freskët të lënë nga një prej arinjve të murrmë të zonës – në atë moment, vendosëm të tërhiqeshim shpejt për t’u strukur në sigurinë e bujtinës. Për temën e bujtinave: të gjitha ato janë komode, me dhoma private, të ngrohta dhe ngrënie të përbashkëta, ku shoqëria dhe emocionet për perspektivat e ditës së ardhshme, janë të larta dhe krijojnë lidhje të ngushta midis të ftuarve dhe mikpritësve.

Bëni një shëtitje

Dita e tretë është pika më e lartë – në çdo kuptim të fjalës – e udhëtimit tuaj. Zgjohuni herët, hani pak mëngjes dhe më pas vishni çizmet e ecjes. Përpara jush shtrihet një ecje e bukur pesë-shtatë orëshe (koha totale varet nga aftësia juaj fizike dhe vendndodhja e akomodimit tuaj) lart dhe mbi Qafën e Valbonës (1800 metra), pastaj deri në fshatin Theth. Nuk është një shëtitje shumë sfiduese, dhe shumë alpinistë fillestarë ngjiten në të – por është mjaft e gjatë dhe në verë disa seksione mund të jenë shumë të nxehta dhe të ekspozuara ndaj diellit (veçanërisht pjesa e parë nga Valbona, e cila ju çon përgjatë skajit të një shtrati lumi me gurë, gjysmë i thatë). Rruga është mjaft e qartë dhe ka shenja të shpeshta të shtigjeve të kuqe dhe të bardha. Duhen rreth tre orë rrëshqitje përpjetë nëpër pyllin halor të vjetër të dredhuar për të arritur në qafë dhe për të shijuar pamjen e tij të paharrueshme mbi një oqean malesh gri, të dhëmbëzuara dhe me vija bore. Rrugës lart, do të ecni pranë disa kasolleve të vogla prej guri që shesin pije dhe ushqime, me familje fermerësh dhe barinjsh që do t’ju udhëheqin (shumica prej të cilave flasin mirë anglisht) të lumtur për t’ju treguar histori të jetës në Bjeshkët e Nemuna.

Duke u nisur nga ana perëndimore e qafës, shtegu kalon nëpër pyll pothuajse gjatë gjithë rrugës. Lart është e gjitha pjesa halore me trung të ashpër; më poshtë, pemët kthehen në ah, me gjethe jeshile të ndezura në fillim të verës që kthehen në portokalli dhe të kuqe të zjarrtë në tetor. Pas të afroheni lehtësisht kah Thethi, do të gjeni një fshat të mbushur me shtëpi të forta guri me çati prej rrasash të vendosura mes një amfiteatri majash dramatike shkëmbore, me një kishë të vogël të shekullit XIX me gurë në qendër. Shtëpitë e bujtinave këtu – pothuajse të gjitha ndërtuar prej guri në stil tradicional me çati të larta, me kënde të pjerrëta (për të ndaluar grumbullimin e borës së dimrit) – janë shumë të ngrohta. Darka mbahet ashtu që të gjithë njerëzit ulen rreth më rreth një tavoline të gjatë teksa pas zhurmës së ecjes, ka gjithmonë një muhabet plot kënaqësi mes të ftuarve. Shumica e vakteve janë gatime tradicionale shqiptare dhe përfshijnë ushqime të tilla si tava e kosit, një lloj mishi i qengjit, me vezë dhe kos. Me fjalë të tjera, ushqim i përsosur malor.

Kthimi në bregdet

Shumica e njerëzve kthehen në Shkodër herët në mëngjesin e ditës së katërt, në një rrugë që mbyll e zbret shpatet e maleve dhe mbikalimet përpara se një shakullinë e fundit të bjerë në fushën bregdetare. Nga Shkodra në Tiranë mund të shkoni me makinë ose autobus në vetëm disa orë. Megjithatë, nëse mundeni, do t’ju rekomandonim të kaloni më shumë kohë në Theth dhe të bëni ecjen gjysmë ditore drejt Syrit të Kaltër, një pishinë natyrale me ujë të freskët ngjyrë të gjelbër të hapur që ushqehet nga një ujëvarë e vogël. Është një vend i bukur pikniku.

Marrë nga “Lonely Planet”. Përktheu: Mirjetë Sadiku