Fiset e ndryshme ilire kishin dallime të caktuara mes vete, por e kishin të përbashkët rezistencën heroike shekullore kundër fuqisë më të madhe ushtarake të botës antike – Perandorisë Romake dhe romanizimit e asimilimit, gjë të cilën e dëshmojnë luftërat e përgjakshme të cilat vazhduan gjatë shekullit të fundit të erës së vjetër dhe të disa shekujve të fillimit të erës sonë. Detaje për këto e shumë të tjera, sjell libri i Marin Zaninovićit, “Ilirski ratovi” – Školska knjiga, Zagreb 2015, 495 faqe – vepër kapitale në fushën e ilirologjisë
Libri “Ilirski ratovi” (Luftërat Ilire) i autorit të shquar, profesorit të arkeologjisë dhe të historisë së antikitetit, Marin Zaninoviq, trajton historinë e luftërave të ilirëve që banonin në bregun lindor të Adriatikut dhe në pjesët qendrore të Ilirikut dhe luftërat për liri kundër pushtuesve të ndryshëm të detit dhe tokës së tyre, u botua në vitin 2015 nga shtëpia botuese “Školska knjiga” e Zagrebit.
Libri i ka 495 faqe dhe është i pajisur me më shumë se 70 fotografi të vendeve dhe gjetjeve arkeologjike, dhe me një mori hartash që plotësojnë tekstin. Vepra përfshin periudhën nga fillimi i mijëvjeçarit I para erës sonë deri në pushtimin romak të komunitetit ilir në shekullin I të erës sonë.
Autori e ka konceptuar veprën duke e ndarë në kapituj e nënkapituj brenda të cilëve ka trajtuar çështje të ndryshme si vijon: fisin e liburnëve (fq.11-58), prezencën e grekëve të lashtë në Adriatik (59-72), procesin e ardhjes së grekëve dhe të kolonizimit të bregut të majtë të Adriatikut nga ana e banorëve të Korintit (73-95), vendbanimet greke në ishullin Korçulla (ku ishin kryesisht kolonitë e Knidit, fq. 95-118), rolin e Dionisit të Sirakuzes në Adriatik (119-190), shtetin ilir në Adriatik dhe konfliktet e tij me Romën (191-236), fisin ilir të ardianëve, Dhemetrin e Farit dhe rolin e tij në Luftën II Ilire (237-280), mbretin Skerdilaid dhe Luftën I kundër Maqedonisë (281-303).Vëmendje të veçantë, profesori Zaninoviq, u ka kushtuar tri luftërave të zhvilluara nga romakët kundër ilirëve, të cilat shkaktuan përmbysjen dhe rënien e shtetit ilir, dhe kapjen dhe dërgimin në Itali të mbretit të fundit ilir – Gentit në Luftën e Tretë Ilire, pastaj fisit të dalmatëve, rezistencës së ashpër të tyre kundër romakëve dhe rënien e tyre nën sundimin romak (319-366), ngjarjeve historike gjatë pushtimit të Histrisë dhe të pushtimit përfundimtar të Ilirikut nga Oktavian Augusti (“Finis Illyriae Octavian Augustus”) dhe fushatave të pasardhësit të tij, perandorit Tiber kundër ilirëve në Panoni.
Këto luftëra kishin rezultuar me nënshtrimin përfundimtar të vendasve, kështu që, të gjitha grupet etnike që jetonin midis lumit Danub dhe Detit Adriatik kishin rënë nën sundimin romak edhe pse, pas të gjithë këtyre konflikteve dhe luftërave, kishte shpërthyer kryengritja e Batos (Bellum Batonianum) e viteve 6-9 të erës sonë (405-460), pas vrasjes së të cilit kishte pasuar nënshtrimi përfundimtar i komuniteteve në brendësi të provincës së Dalmacisë.
Veprën e kompletojnë edhe përfundimi (461-473) dhe aparatura shkencore: shkurtesat, bibliografia, burimet (474-493), ndërsa vepra është e ilustruar me një numër të konsiderueshëm fotografish, hartash, tabelash e ilustrimesh të ndryshme. Në fund janë shënimet mbi jetën e opusin e begatshëm shkencor të autorit.
Mbështetja mbi rezultatet e hulumtimeve në terren
Falë pedanterisë dhe saktësisë në punën e tij, profesori Zaninoviq ka vizituar personalisht pjesën dërrmuese të territorit, i cili trajtohet në libër. Ekspertizat dhe njohuritë e tij ai i ka spikatur me një stil të rrjedhshëm, duke e bërë këtë vepër po aq interesante dhe të dobishme për studentët dhe ekspertët, si dhe për njerëzit laikë, dashamirës të historisë së lashtë.
Ilirët në sy të profesorit Zaninoviq
“Ilirët ishin një popull ose më shumë popuj ose fise, pra një bashkësi e madhe kombëtare që zinin hapësirën nga shpatet lindore të Alpeve deri në Epir në Greqi”, shkruan Zaninoviq dhe shton se në “pjesën qendrore kufiri i tyre lindor ishte kryesisht në lumin Drina madje në disa vende vetëm nëpër të”. Ai vë në dukje se dallimet lokale midis këtyre komuniteteve janë rezultat i distancës gjeografike dhe të ndarjes territoriale të fushave të tyre karstike, të ndara mes vete me male të larta dhe gryka të thella karstike të luginave të lumenjve.
Profesori Zaninoviq thekson që tek ilirët, komunitetet më të mëdha ose më të vogla fisnore ose të tjera kishin krerët dhe udhëheqësit e tyre, të cilët romakët i quajnë princeps, principes (princër), dhe shton se ata krerë që, si të gjithë ilirët e tjerë, nuk dorëzoheshin lehtë. Në histori është e panevojshme të thuhet se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishte ndodhur, dhe nga këndvështrimi ynë, siç thotë profesori Zaninoviq, na vjen keq që paraardhësit tanë të largët u mundën aq mizorisht, por ai gjithashtu na kujton se edhe popujt e tjerë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm u mposhtën nga forcat e legjioneve romake.
“Unë me vetëdije i kam shkruar fjalët ‘paraardhësit tanë’, sepse ata ishin me të vërtetë, siç na konfirmon gjenetika moderne”, thekson prof. Zaninoviqi dhe shton se pushtimi romak i fiseve ilire, parë nga një këndvështrim më i gjerë, nënkuptonte edhe përfshirjen përfundimtare të trojeve ilire në qytetërimin unik global dhe të lartë të lashtësisë greko-romake.
Pasojat e luftërave të ilirëve kundër romakëve
Ai vëren se luftërat ilire, me kohëzgjatjen dhe pasojat e tyre, janë një fenomen i pashmangshëm si për historinë ilire ashtu edhe për atë të përgjithshme, ndërsa pas pushtimit, krahinat Dalmacia, Panonia e rajonet e tjera të banuara me ilirë kishin përjetuar prosperitet dhe mirëqenie ekonomike e kulturore gjatë shekujve që pasuan. “Lidhjet e rregullta detare me Italinë, Greqinë, Azinë e Vogël, Aleksandrinë, Afrikën dhe Hispaninë shkonin përgjatë bregdetit ilir”, shkruan Zaninoviq, duke kujtuar se edhe krishterimi i hershëm kishte arritur tek ilirët në të njëjtën mënyrë.
Ashtu si në Greqi kishte akej, athenas, etolianë, epirotas, spartanë, jonianë e të tjerë dhe në Itali latinë, etruskë, umbrianë, ligurë, venetë, sardë e të tjerë, edhe sot kemi istrianë, likas, dalmatinë, zagoras sllavonas, hercegovas, boshnjakë, konavlasë, kotoranë e të tjerë me grupet e tyre më të mëdha ose më të vogla dhe emrat vendas brenda së njëjtës Kroaci, vëren Zaninoviq dhe shton se si grekët e ndarë nga malet dhe luginat, ndër të cilat ata kurrë nuk ndërtuan rrugë dhe nuk krijuan kurrë një shtet të vetëm grek, apo një bashkësi më të fortë përveç aleancave afatshkurtra të herëpashershme, kështu që as ilirët nuk ia dolën dhe as që dëshironin ta bënin një gjë të tillë.
Ai vë në dukje se luftërat ilire, me kohëzgjatjen dhe pasojat e tyre si për historinë tonë ashtu edhe për historinë e përgjithshme, janë një fenomen i pashmangshëm, i cili ende tërheq shumë ekspertë në mbarë botën me veçantinë dhe problemet e saj dhe shton se lufta ishte e përhershme në historinë kroate.
“Ne jemi trashëgimtarë të të gjithë atyre njerëzve që kanë jetuar ku ne jetojmë sot, e në mesin e tyre janë edhe ilirët, me luftërat dhe historinë e tyre, që janë pjesë e pandarë e historisë sonë”, thotë Zaninoviq.
Autori i kësaj vepre, profesori Marin Zaninoviq, është ilirolog – një ndër shkencëtarët më të shquar në fushën e arkeologjisë dhe të historisë së antikitetit në suaza botërore. Ai ka shkruar një sërë traktatesh dhe veprash që i paraprinë këtij libri dhe në të cilat ka trajtuar dhe interpretuar shumë probleme arkeologjike nga historia antike, veçanërisht lidhur me fisin e delmatëve, por edhe me fiset e tjera ilire. Është marrë edhe me historinë ushtarake, që ka të bëjë me kampet dhe legjionet romake dhe rolin e tyre në ata shekuj të lashtë. Ai ishte i pari që ka shtruar për një sërë pyetjesh nga ato periudha, duke kërkuar përgjigje të bazuara në burime dhe artikuj mbi topografinë dhe kronologjinë.
Një jetë për studimet e antikitetit dhe të ilirëve
Prof. dr. Marin Zaninoviq u lind në vitin 1930 në Vello Grable në ishullin Hvar të Dalmacisë. Ai ishte profesor i rregullt i arkeologjisë antike dhe të hershme të krishterë në Fakultetin Filozofik në Zagreb deri në vitin 2000 e për një kohë të gjatë edhe udhëheqës i Departamentit të Arkeologjisë. Profesori Zaninoviq është autor i shumë veprave e punimeve shkencore, ndër të cilat veçohen veprat monografike: “Od Helena do Hrvata” (Nga helenët deri te kroatët), “Ilirsko pleme Delmati” (Fisi ilir i delmatëve), “Ilirski ratovi” (Luftërat ilire).
Vepra “Ilirski ratovi” e profesorit Zaninoviq është një lloj kurore e veprës së gjerë jetësore të tij, kulmi i një pune gjysmëshekullore shkencore e pedagogjike kushtuar studimit të ilirëve dhe rolit të tyre në botën antike gjatë periudhës kohore që nga fillimi i mijëvjeçarit I para erës sonë e deri në pushtimin romak të komunitetit ilir në shekullin I të erës sonë.
Për të siguruar fakte konkrete e dokumente origjinale lidhur me rezistencën e ilirëve kundër armikut shumë më të fuqishëm ushtarakisht, profesori Zaninoviq ka vizituar personalisht pjesën dërrmuese të territorit, i cili trajtohet në këtë studim monografik.
Ekspertizat dhe njohuritë e tij, profesori Zaninoviq i spikat me një stil të rrjedhshëm, duke e bërë këtë vepër po aq interesante dhe të dobishme për studentët dhe ekspertët, si dhe për njerëzit laikë, dashamirës të historisë së lashtë.
Krahas rezultateve të kërkimeve të veta në terren dhe analizës letrare dhe epigrafike të burimeve, autori ka inkorporuar edhe rezultatet e kërkimeve të shumë autorëve të mëparshëm nga fusha e arkeologjisë, të bazuara kryesisht në kërkimet e tyre personale të kryera që nga shekulli XIX.
Kështu, veprën e prof. Marin Zaninoviq duhet kuptuar si një hap të madh përpara që sigurisht do të hapë dhe të lehtësojë rrugën, duke e inkurajuar brezin e ri të arkeologëve dhe të historianëve drejt kërkimeve e studimeve të mëtejshme dhe për konfirmimin ose përgënjeshtrimin e pikëpamjeve të tij.