Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Marin Zaninoviq – ilirologu gjigant, kolosi i arkeologjisë

Përmes aktiviteteve të tij të përjetshme, profesori Marin Zaninoviq ishte një nga promovuesit më të qëndrueshëm të arkeologjisë e shkencave, kulturës humaniste kroate dhe të ilirologjisë në një kuptim më të gjerë. Pa dyshim se ai do të mbahet mend si një pedagog i shkëlqyer i rangut më të lartë, i cili edukoi breza të shumtë arkeologësh kroatë dhe të rajonit, në mesin e tyre edhe të Kosovës

Shkencëtari i njohur ndërkombëtarisht me edukim dhe veprimtari të gjerë humaniste, arkeolog, historian i antikitetit dhe ilirologu kroat, prof. dr. Marin Zaninoviq është lindur më 18 janar të vitit 1930 në Vello Grable në ishullin Hvar të Dalmacisë në Kroaci. Pas shkollës fillore, ai ndoqi mësimet në Gjimnazin në Bol të Braçit dhe pastaj në Gjimnazin Klasik në Split, ku edhe i përvetësoi gjuhët e lashta klasike: latinishten dhe greqishten.

Pas përfundimit të Gjimnazit Klasik, Zaninoviq ishte regjistruar në vitin 1950 në Departamentin e Arkeologjisë në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1955, dhe në vitin 1957 u bë asistent i lëndës Arkeologjia Antike në Departamentin e atëhershëm të Arkeologjisë të Fakultetit Filozofik. Ka doktoruar në të njëjtin fakultet në vitin 1965 me disertacionin me titull: “Fisi ilir i delmatëve dhe roli i tyre në Ilirikun e lashtë”.

Ai e kishte arritur thirrjen profesor asistent në vitin 1966 dhe profesor i asocuar në vitin 1974, ndërsa në vitin 1978 ishte bërë profesor i rregullt i arkeologjisë antike, provinciale dhe arkeologjisë së hershme të krishterë. Deri në momentin e vdekjes ishte anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë (Hrvatska Akademija Znanosti i Umjetnosti) dhe anëtar nderi i Shoqatës Arkeologjike Kroate (Hrvatsko Arheološko Društvo).

Profesori Zaninoviq ishte një ekspert i shquar i çështjeve të historisë dhe i arkeologjisë më të vjetër vendase – veçanërisht të asaj ilire të bregdetit të Adriatikut në atë kohë dhe një nga përfaqësuesit e njohur të brezit të mesëm të arkeologëve kroatë në atë kohë.

Profesori i ndjerë ka marrë pjesë në gërmime të shumta arkeologjike, veçanërisht në bregdetin e Adriatikut, të udhëhequra nga akademikët Grga Novak, Duje Rendiq Mioçeviq dhe Mate Suić, e më vonë personalisht i ka udhëhequr edhe shumë gërmime të tjera të rëndësishme.

Edhe Ilirët unikë kundër fuqisë më të madhe ushtarake të botës antike Shtojca për Kulturë Ilirët unikë kundër fuqisë më të madhe ushtarake të botës antike

Ai ishte i angazhuar në gërmimet arkeologjike dhe në kërkimet topografike gjatë bregdetit dhe në ishujt e Kroacisë jugore (Hvar, Ston, Cavtat, Koločep, etj.) e po ashtu edhe në Bosnjën jugperëndimore (Duvno, Livno, Ošanići).

Fushat kryesore të interesit të tij ishin çështjet e ndryshme lidhur me ilirët, grekët e romakët në bregun lindor të Adriatikut, marrëdhëniet e popullsisë ilire me botën helene dhe romake, kultura shpirtërore e bashkësive etnike ilire dhe zbulimi i tij i ndarjes greke të tokës (parcelizimi) në Hvar (Starigradsko polje) dhe në Vis është veçanërisht i rëndësishëm.

Gjatë shumë vjetëve profesori Zaninoviq vetë i ka udhëhequr me sukses gërmimet arkeologjike në ishullin e tij të lindjes Hvar dhe ka marrë pjesë në kongrese, simpoziume e tubime të tjera të shumta shkencore në Kroaci, në Evropë e në botë.

Krahas Fakultetit Filozofik në Zagreb, ku e kishte filluar dhe e kishte përfunduar karrierën e vet pedagogjike e shkencore, Zaninoviq ka ligjëruar edhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Kështu, prej vitit viti 1968 deri në vitin 1969, ai ishte profesor i ftuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës. Në vitin 1990 kishte ligjëruar në Departamentin e Kërkimeve të Historisë Romake në Universitetin e Shkencave Humane (Université des Sciences Humaines) në Strasburg dhe në vitin 1995 ka ligjëruar në studimet pasuniversitare në Universitetin e Padovës (Istituto di Archeologia e Storia Antica).

Profesori Zaninoviq ishte i angazhuar në gërmime arkeologjike dhe në kërkime topografike të bregdetit dhe të ishujve të Kroacisë jugore dhe të Bosnjë-Hercegovinës jugperëndimore. Zbulimi i tij i ndarjes së tokës greke të Starigradsko Polje dhe në Vis është risi tejet i rëndësishëm dhe domethënëse. Për punën dhe kontributin e tij në arkeologjinë kroate, ai u nderua me çmime të shumta, e pos të tjerash edhe: me Çmimin e Shoqatës Arkeologjike Kroate (Hrvatsko Arheološko Društvo) Don Frane Bulić për veprën e jetës në profesionin arkeologjik dhe punën e Shoqatës në vitin 2003. Pastaj në vitin 2004 për arritjet jetësore për gjysmë shekulli punë shkencore dhe pedagogjike i është ndarë Çmimi nga qyteti i Hvarit dhe kërkime në arkeologjinë dhe historinë e qytetit dhe ishullit Hvar, po ashtu në vitin 2008 ka marrë Çmimin e Asamblesë Kombëtare Kroate për arritje jetësore dhe punë të përgjithshme kërkimore shkencore në fushën e shkencave humane.

Në vitin 2008 i është dhënë Çmimi INA (Industria e Naftës) për promovimin e kulturës kroate jashtë vendit për vitin 2007 për librin “Kroatien in der Antike” (Kroatët gjatë antikitetit), ndërsa në vitin 2009 i është dhënë Çmimi i Shoqatës Arkeologjike Kroate, “Josip Brunšmid”, për bashkëpunimin në librin “Kroatien in der Antike”.

Image
Pa dyshim veprat e tij më të rëndësishme do të mbeten: “Od Helena do Hrvata” (Prej helenëve deri te kroatët), Zagreb 1996, “Ilirsko pleme Delmati” (Fisi ilir i delmatëve), Zagreb 2007 dhe “Ilirski ratovi” (Luftërat ilire), Zagreb 2015.

Për merita të veçanta në shkencë iu dha dekorata e lartë: “Urdhri i Danica Hrvatska” me figurën e Ruđer Boškovićit.

Profesori i ndjerë gjatë gjithë karrierës së tij shkencore është marrë mbi të gjitha me historinë ilire në bregdet e në ishuj të Adriatikut, pastaj me kolonizimin grek të tokave ilire dhe ndarjen e këtyre tokave, me pushtimin romak dhe prezencën romake në bregun lindor të Detit Adriatik, me epigrafi e numizmatikë ilire, greke e romake në viset e përmendura, me studimin e mitologjisë me theks të veçantë në nderimin e kulteve autoktone ilire.

Edhe Mark Tirta – etnologu i terrenit, dijes dhe kujtesës shqiptare Shtojca për Kulturë Mark Tirta – etnologu i terrenit, dijes dhe kujtesës shqiptare

Gjatë karrierës së tij të gjatë e të begatshme, profesori Zaninoviq ka botuar disa qindra artikuj shkencorë nëpër revista relevante shkencore në Kroaci, në rajon, në Evropë e në botë, por pa dyshim veprat e tij më të rëndësishme do të mbeten: “Od Helena do Hrvata” (Prej helenëve deri te kroatët), Zagreb 1996, “Ilirsko pleme Delmati” (Fisi ilir i delmatëve), Zagreb 2007 dhe “Ilirski ratovi” (Luftërat ilire), Zagreb 2015.

Image
Virtytet e tij bujare njerëzore së bashku me erudicionin e jashtëzakonshëm dhe njohuritë e mëdha profesionale e bënë atë një bashkëpunëtor dhe bashkëbisedues të preferuar dhe profesor të paharruar për të gjithë studentët e tij dhe për ata që patën fatin ta njohin këtë gjigant. Në foto: profesor Naser Ferri (djathtas) me profesor Marin Zaninoviqin

Është e vështirë të renditen të gjitha pozitat që ai ka mbajtur në karrierën e tij të pasur shkencore, si dhe aktivitete të ndryshme në punën arkeologjike dhe shoqërore në të cilat kontributi i tij ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i vlerësuar, si dhe punët e shumta redaktuese në një sërë revistash arkeologjike.

Edhe pse doli në pension në vitin 2002, Marin Zaninoviq nuk ishte pasivizuar, por kishte vazhduar të punojë me të njëjtin entuziazëm dhe vullnet, meqë ishte aktiv fizikisht dhe i kthjellet mendërisht deri në momentin e fundit të jetës së tij, duke promovuar arkeologjinë kroate dhe kulturën ilire në vend dhe në mbarë botën.

Përmes aktiviteteve të tij të përjetshme, profesori Marin Zaninoviq ishte një nga promovuesit më të qëndrueshëm të arkeologjisë e shkencave, kulturës humaniste kroate dhe të ilirologjisë në një kuptim më të gjerë.

Pa dyshim se ai do të mbahet mend si një pedagog i shkëlqyer i rangut më të lartë i cili edukoi breza të shumtë arkeologësh kroatë dhe të rajonit (në mesin e tyre edhe të Kosovës) dhe virtytet e tij bujare njerëzore: modestia, miqësia dhe afrueshmëria, së bashku me erudicionin e jashtëzakonshëm dhe njohuritë e mëdha profesionale e bënë atë një bashkëpunëtor dhe bashkëbisedues të preferuar dhe profesor të paharruar për të gjithë studentët e tij dhe për ata që patën fatin ta njohin këtë gjigant.

Profesori Marin Zaninoviq ka dhënë kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e kuadrove kosovare në fushën e arkeologjisë, si në studime të rregullta, ashtu edhe në ato pasuniversitare e të doktoratës, ka qenë bashkëpunëtor i revistave kosovare dhe recensent i shumë veprave të arkeologëve kosovarë, e po ashtu ka promovuar arkeologjinë dhe arkeologët kosovarë nëpër kongrese, simpoziume e tubime të ndryshme shkencore në Kroaci, në vende të rajonit, në Evropë dhe në botë.

Profesori Zaninoviq u nda fizikisht nga ne më 2 dhjetor 2022 në mënyrë të qetë e dinjitoze, ashtu siç edhe kishte jetuar, por do të mbetet në zemrat e kujtimet e të gjithë neve që e kemi njohur. Ishte kënaqësi e fat i veçantë për të gjithë ne që e njohëm dhe që ishim studentë, bashkëpunëtorë e miq të një kolosi të arkeologjisë, siç është profesori Marin Zaninoviq.

Edhe Mark Tirta – etnologu i kulturës shqiptare Kulturë Mark Tirta – etnologu i kulturës shqiptare

Sit Tibi Terra Levis mi Professor!