Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Gjuha latine nuk ia zuri vendin gjuhës ilire

Kultura romake nuk e eliminoi kulturën ilire, ajo qëndroi pranë saj, u zhvillua me të në një raport dialektik, duke ruajtur edhe elementë të saj. Këto e përforcojnë karakterin ilir-romak të kulturës materiale. As gjuha latine nuk ia zuri vendin gjuhës ilire, nuk u bë gjuha e gjallë e popullit – ashtu si gjuha greke më parë e më pas – ajo qe gjuhë e kulturës, e tregtisë, gjuhë zyrtare administrative

Në municipin e Lisit mbishkrime latine ka deri tani vetëm brenda në qytet. Më shumë mbishkrime latine, gati gjysmën e sasisë së përgjithshme të tyre, i ka dhënë qyteti i Dyrrahut me rrethin e tij. Në fshatra ato janë fare të pakta, një për fshat, kryesisht të shekullit I të erës sonë, pastaj nuk ka më. Na duket me interes gjetja tani së fundi në fshatin Baldushk të Tiranës e një monumenti votiv të dioskurëve të shekullit II të erës sonë, ku kushtimi është shkruar në latinisht e greqisht.

Ndërsa në mbishkrimet e lokaliteteve fshatare antroponomia është latine dhe është e kuptueshme, sepse kemi të bëjmë me italikë të ardhur – në ato të qytetit të Dyrrahut është e përzier. Nuk janë të pakta mbishkrimet që mbajnë emra tradicionalë ilirë, si: Sura, Anula, Anai, Anaja, Pladomen, Beni apo etnikone ilire si: Scodrina, Epetinus, Naissus e Nutria. Emra ilirë ka edhe në mbishkrimet e Skampës. Emrat Plator, Dona, Advena e Satria tregojnë për ekzistencën e një popullsie vendëse para ardhjes së italikëve. Një përhapje të kufizuar mbishkrimesh latine ka pasur në krahinën e urbanizuar të Atintanisë, në mjedis të zhvilluar ilir dhe me ndikime të forta helenistike. Ata gjenden kryesisht në qytetin e Bylisit dhe në periferinë e ngushtë të tij. Krahina e fundit me mbishkrime latine është Kaonia – ato janë përdorur thuajse vetëm në qytetin e Butrotit.

Pakësimi i mbishkrimeve latine

Në qoftë se gjeografia e përhapjes së mbishkrimeve është e tillë, e kufizuar, ndarja e tyre ka dhënë këtë diagram: mbishkrimet e para latine, fare të pakta, duken në gjysmën e dytë të shek. I p. e. sonë, vijnë duke u shtuar në shek. I të erës sonë dhe arrijnë në numrin më të madh në shekullin II. Në shekullin III të erës sonë numri i tyre pakësohet shumë dhe bashkëjetojnë me mbishkrime në gjuhën greke edhe në kolonitë romake.

Në shekullin IV të erës sonë, para rënies së Perandorisë Romake, nuk ka më mbishkrime latine, duke përjashtuar gurët miliarë e ndonjë me përmbajtje fetare apo që lidhet me ndërtime ushtarake. Pa hyrë në të dhëna të tjera, unë dua të vë në dukje një hollësi që është zbulimtare dhe meriton vëmendje: numri i paktë i ushtarakëve romakë në mbishkrimet latine të Ilirisë së Jugut.

Edhe Mbijetesa e gjurmëve ilire Shtojca për Kulturë Mbijetesa e gjurmëve ilire

Nga ato pak që kemi, tri vijnë nga Dyrrahu dhe u takojnë ushtarakëve të legjioneve të formuara në provincën e Maqedonisë, kurse dy të tjera nga Bylisi e Skampa kanë të bëjnë me qytetarë romakë, të cilët karrierën ushtarake e kanë bërë jashtë Ilirisë. Në lidhje me këtë fakt është mirë ta kujtojmë një dukuri që u ka rënë në sy disa studiuesve: në epitafet e ushtarakëve ilirë, të gjetura brenda dhe jashtë Ilirisë, me përjashtim të disa dyrrahasve, nuk ka të tillë që të jenë me prejardhje nga krahinat e Ilirisë Jugore.

Romanizimi nuk provohet nga arkeologjia

Të dhënat që u parashtruan besoj se u japin një përgjigje çështjeve më kryesore që lidhen me ilirët e jugut në shek. I-III të erës sonë. Ne jemi përpjekur, duke ndjekur proceset e ndryshme të shndërrimeve të ndodhura në dy shekujt e parë të erës sonë, të vëmë në dukje pasojat e tyre. Mbi bazën e tyre nuk mund të flitet për ndryshime antropogjene, të cilat t’i kenë dhënë një pamje të re trevës sonë. Kultura romake nuk e eliminoi kulturën ilire, ajo qëndroi pranë saj, u zhvillua me të në një raport dialektik, duke ruajtur edhe elementë të saj. Këto e përforcojnë karakterin ilir-romak të kulturës materiale. As gjuha latine nuk i zuri vendin gjuhës ilire, nuk u bë gjuha e gjallë e popullit – ashtu si gjuha greke më parë e më pas – ajo qe gjuhë e kulturës, e tregtisë, gjuhë zyrtare administrative. Përpjekjet e historiografisë së vjetër e të re për të rritur peshën e popullsisë italike e latinishtfolëse në raport me popullsinë ilire dhe si rrjedhojë romanizimin e kësaj të fundit, nuk provohen as nga burimet e shkruara antike, as nga të dhënat e arkeologjisë. Asgjë nuk vërteton, as edhe mbishkrimet latine me “përhapjen e dendësinë” e tyre. Një dyndje romakësh e italikësh në Ilirinë e Jugut, si në provincat e tjera romake. Kolonitë romake me periferitë e tyre mbetën të veçuara dhe qenë të destinuara, sikurse ndodhi më vonë, të treteshin në popullsinë vendëse duke u eliminuar si të tilla.

Gjallërimi i elementit vendës

Është e vetëkuptueshme se asnjë nga këto fakte nuk mbështetin mendimet se ilirët e jugut i shpëtuan romanizimit vetëm në një krahinë të mbyllur si Mati ose se pas shekullit III nuk kishte më ilirë, por një popullsi të romanizuar. Në ditët tona problemi i romanizimit dhe procesi i kryerjes së tij te popujt që bënin pjesë në Perandorinë Romake është trajtuar gjerësisht. Tashmë është pranuar se romanizimi ka qenë i kushtëzuar në radhë të parë nga përmasat që ka pasur përhapja e gjuhës latine. Dhe na duket i drejtë mendimi se “një popullsi e romanizuar është një popullsi që flet latinisht, që ka fituar një botëkuptim, sepse ka adaptuar besimet e zakonet romake dhe elemente të kulturës shpirtërore. Sidoqoftë, vendimtar mbetet fakti gjuhësor, pa të cilin nuk mund të flitet për një romanizim të vërtetë”. Në trevën jugore ilire ky fakt gjuhësor mungon. Por, ka edhe fakte të tjera që nuk flasin në të mirë të romanizimit, por në të kundërtën e tij. Ato bëhen më të qarta në shekullin IV të erës sonë.

Image
Diagrami i mbishkrimeve latine sipas shekujve

Një rilindje ilire

Në fundin e shekullit III dhe sidomos në shekullin IV të erës sonë, Perandoria Romake hyn në një periudhë krize të gjatë, e cila do të përfundojë me dezintegrimin e saj. Duke gjurmuar nëpërmjet të dhënave të arkeologjisë zhvillimin e brendshëm të trevës jugore ilire në këtë kohë, vërejmë se proceset e shndërrimit kryhen kësaj radhe në një drejtim të ri, në gjallërimin e pandërprerë të popullsisë vendëse dhe në forcimin e karakterit etnik të saj.

Nis një etapë e re, të cilën ne e kemi quajtur rilindje ilire, me ndryshime të dukshme në jetën ekonomike, shoqërore e kulturore të popullsisë autoktone dhe me ringjalljen e strukturës së vjetër. Merr fund periudha gati treshekullore e kolonive romake, e rëndësisë ekonomike e kulturore të tyre dhe politika romanizuese e Perandorisë Romake. Materiali arkeologjik është mjaft shprehës, ai tregon për dendësimin e kulturës materiale e shtimin e prodhimit, ruajtjen e traditës së qeramikës qytetare ilire, etj.

Një vlerë të posaçme ka fakti se nuk janë qytetet apo qytezat të cilat janë dobësuar e pakësuar si numër ato që luajnë rolin kryesor, por vendbanimet fshatare të shtuara numerikisht dhe me një rritje demografike, të lidhura me rëndësinë që kishte fituar bujqësia në atë kohë. Banorët e këtyre vendbanimeve na dalin më tepër si fshatarë të lirë, të organizuar në bashkësitë e vjetra, të cilët, në qëndresën e gjatë kundër pushtuesve, kishin treguar një stabilitet të fortë dhe kishin përbërë grupin më kompakt të popullsisë ilire. Bashkë me bujqësinë u zhvilluan edhe zejtari të ndryshme, të cilat në trevën jugore ilire prodhonin një rreth të gjerë konsumatorësh, shpeshherë duke i pasur punishtet e tyre pranë vendbanimeve fshatare. Për këto shtresa shoqërore do të bëjmë fjalë më poshtë, pa harruar edhe një gjë: manifestimet e tyre janë ende modeste.

Një popullsi e dhënë pas bujqësisë

Edhe Helmeta e aristokracisë ushtarake ilire Kulturë Helmeta e aristokracisë ushtarake ilire

Për njohjen e zhvillimit të bujqësisë dhe vendbanimeve fshatare ilire në shekullin IV, janë me shumë vlerë disa varreza të vogla me një inventar të pazakontë për shekujt e parë të erës sonë. Në inventarin e varreve të hapura janë të rëndomta, nganjëherë mbizotëruese, veglat bujqësore e veglat për punimin e drurit; të shumtën ato shoqërohen nga enë balte, stoli metalike e më rrallë me armë. Këto varre, duke gjykuar nga inventari i tyre, i takojnë të gjitha një popullsie që ushtronte bujqësinë. Ky inventar rrallëherë është i pasur.

Ashtu sikurse e kemi gjetur në varret, ai mund të merret si tregues i njëfarë mirëqenieje dhe njëkohësisht i njëfarë barazie që ekzistonte midis popullsisë së cilës i përkiste. Nga inventari i varreve ne kemi akumuluar fakte mjaft kuptimplote, që hedhin dritë mbi gjendjen e fshatarësisë ilire në shekujt III-IV.

Ajo kishte në përdorim vegla bujqësore të të gjitha llojeve, të trashëguara nga periudha pararomake dhe të marra nga romakët, një bujqësi të zhvilluar dhe shumëkulturëshe. Në tërësi ato janë prodhime të farkëtarëve vendës. Por, kjo është vetëm njëra anë. Duke u hedhur një vështrim vendgjetjeve të tyre, vërejmë se varre me inventar veglash bujqësore dhe objekte të tjera nuk janë zbuluar vetëm në ultësirën bregdetare (në rrethin e Durrësit, Lushnjës, Fierit), por edhe në krahina të brendshme malore ku mungojnë gjetjet arkeologjike për shekujt e parë të erës sonë në Mat, Mirditë, Dibër, Gramsh, Mokër, etj.

Paraardhëset e fibulave arbërore

Në të gjitha vendgjetjet veglat bujqësore kanë trajta të ngjashme, çka tregon se tashmë ishin vendosur marrëdhënie ndërkrahinore, të cilat çuan në njësimin e kulturës materiale në gjithë trevën e Ilirisë Jugore. Në shek. IV ndryshojnë, bëhen më të larmishme, disa lloje stolish, kryesisht ato që lidhen me veshjen tradicionale të popullsisë ilire. Në të vërtetë ato i takojnë fondit të kulturës materiale provinciale romake të Perandorisë së vonë, por kanë fituar nganjëherë veti të reja: parapëlqehen tipa të veçantë që përdoren në disa krahina, kurse forma të tjera stolish kanë një shpërndarje tjetër.

Për këtë kemi marrë në shqyrtim tri lloje fibulash. Të parat janë fibulat e gjoksit “Armbrustfibel”, të tipit me kokë qepe, që gjenden në gjithë trevën e Ilirisë Jugore. Në gjetjet e bëra në krahinat e Labianisë, Parthinisë dhe të Dasaretisë, fibulat e këtij lloji janë më masive dhe në disa lokalitete do të vazhdojnë edhe në shekujt V e VI. Në këto krahina janë gjetur edhe ekzemplarët e parë të fibulave masive me këmbë të përthyer, paraardhëse të fibulave karakteristike të kulturës arbërore të Komanit, e karakteristike për një veshje të rëndë. Në krahinat e Atintanisë e të Kaonisë parapëlqehen fibulat e tipit “pincetë”, të përshtatshme për një veshje më të lehtë. Duke gjurmuar mbishkrimet e shekujve III-IV, të gjetura në vendin tonë, ne kemi ndeshur “një fakt gjuhësor të ri”, të ndryshëm nga ai i dy shekujve të parë të erës sonë: gjuha e mbishkrimeve, si gjuha e superstrukturës, është greqishtja; në fillim ajo bashkëjeton me gjuhën latine, për t’u bërë pastaj gjuha e vetme e dokumenteve mbishkrimore në krahinat në jug të lumit Mat.

Rishfaqja e emrave ilirë

Mbishkrimet që kemi mbledhur edhe kësaj radhe janë të pakta, gjithsej 85. Pjesa më e madhe e tyre ka dalë në dritë në qytetet e Apolonisë, Amantisë, Bylisit e Butrotit, e të tjerat vijnë nga lokalitete fshatare. Gjeografia e përhapjes së tyre është krejt e ndryshme nga ajo e mbishkrimeve latine. Ato janë gjetur në fshatra, ku më parë nuk ka pasur mbishkrime, në fshatra të reja. Përparësi ka krahina e Atintanisë, e cila vazhdonte të ishte – natyrisht me përmasa më modeste – ende më e urbanizuar. Mbishkrime greke kanë edhe Kaonia, Parthinia e Dasaretia. Veçori e dallueshme e këtyre mbishkrimeve është antroponimia. Në to lexohen ende emra latinë e emra tradicionalë helenë, janë ruajtur edhe emrat e vjetër ilirë, disa prej të cilëve – si Gent, Plator, Klit, Epikad – të kujtojnë figura të njohura të historisë së ilirëve. Krahina e Dasaretisë ka vetëm emra ilirë. Grupin e fundit, pa dyshim më të rëndësishmin, e përbëjnë emrat e rinj që u takojnë shtresave të ulëta qytetare e fshatare, që ishin bërë një element aktiv e më perspektiv për të ardhmen. (Anthis = Lule, Smaragdos = Zmerald, Pathos = Dëshirë, Hariton = Bukuri, Praktikos = Aktiv, Damalis = Mëshqerë etj.). Popullsia fshatare ilire, si më parë edhe në etapën e re të qëndresës kundër romakëve, tregon një vitalitet të dukshëm edhe në fushën e artit. Në këtë kohë ne konstatojmë fundin e sundimit të gjatë të artit klasik që çliroi forcat krijuese vendëse, deri atëherë të ndrydhura nga ky art. Dëshmi të qarta të kësaj rilindjeje të artit të skulpturës dhe me vlera të mëdha dokumentare janë disa relieve të gjetura në këto vitet e fundit, që hapin një faqe të bukur e të panjohur të artit ilir. Relievet paraqesin banorë vendës, njerëz të punës, bujq e zejtarë dhe si vepra të gurëskalitësve popullorë, shprehin botëkuptimin e kulturën e popullsisë vendëse. Megjithëse nganjëherë duket se përsërisnin skena ikonografike të njohura, ato janë vepra te punuara në mënyrë të pavarur dhe me një konceptim artistik krejtësisht të përcaktuar. Sado primitive që mund të duken me proporcionet pak të çuditshme të tyre, ato kanë një hijeshi të veçantë.

Vazhdon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Edhe Roma në Ballkan, Iliriku në udhëkryq dhe prejardhja e popujve Shtojca për Kulturë Roma në Ballkan, Iliriku në udhëkryq dhe prejardhja e popujve

Kumtesë e lexuar në Kuvendin II të Studimeve Ilire, Tiranë, 1985.

Mestitujt janë të Redaksisë