Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Gjuha hermetike e çerkezëve, dasma dhe varrimi

Hambari i Hamid Osmanit në Rekë të Madhe

Hambari i Hamid Osmanit në Rekë të Madhe

“Pyetjes sime, se a e mbajnë mend çerkezët e Kosovës se ku dhe kur erdhën midis serbëve, në vitin 1929 m’u përgjigj mulla Qerim Hyseni duke më pohuar se etërit e tyre në Kosovë erdhën në vitin 1281 mysliman, do të thotë 66 vjet më parë, që në të vërtetë është viti 1864. Mësova dhe u sigurova që dikur kishte rreth 2000 familje çerkeze, domethënë 12.000 shpirtra dhe se në kohën e luftës serbo-turke të viteve 1877-1878 këto familje çerkeze kryesisht emigruan në Siri dhe në Azinë e Vogël. Ky migrim u përsërit në vitin 1912, si dhe në vitin 1918, kështu që sot në Fushën e Kosovës janë rreth 300 çerkezë...”, shkruante studiuesi slloven, Niko Zhupaniq (1876 – 1961). Kjo është pjesa e dytë e artikullit të tij “Rëndësia etnologjike e çerkezëve të Kosovës”, botuar në 1933. Titulli dhe nëntitujt janë të përkthyesit, Skënder Latifi

Punën dhe zakonet e çerkezëve në mënyrën vijuese i ka përshkruar Tihomir Gjorgjeviq: Kur ata erdhën këtu komunikonin vetëm në gjuhën e tyre. Më pas diçka në shkollë e diçka në komunikim me mjedisin ata e mësuan gjuhën turke. Në Kosovë, pothuajse të gjithë e mësuan gjuhën shqipe, por shumë prej tyre edhe serbishten. Për çudi ata nuk donin t’i tregonin askujt asnjë fjalë të gjuhës së tyre. Kishte raste kur njerëzit u shërbyen atyre për vite me radhë, por nuk arritën të mësonin asgjë nga gjuha e tyre.

Çerkezët kryesisht u morën me blegtori dhe pastaj me bujqësi. Ata kishin shumë dele, kryesisht të zeza, sepse vishnin me rroba të bëra prej leshi të zi por ruanin edhe bagëti të tjera. Në veçanti kujdeseshin për kuajt e tyre. Në Kosovë ata endnin asra shumë të bukura dhe shporta. Çdo dhomë në shtëpitë e tyre ishte e shtruar me asra. Në Nish ata endnin asra të vogla për faljen e namazeve dhe i shisnin ato, por endnin edhe gjëra të ndryshme nga pambuku...

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në Nish disa prej tyre mbanin mishtore, ndërsa njëri prej tyre madje e hapi edhe një kafene. Në Ferizaj disa çerkezë ruanin kuaj dhe zhvillonin tregti me ta. Në Gjilan, një familje çerkeze merrej me tregti. Edhe nëse nuk u interesonin shumë zanatet, megjithatë në Prokuple kishte farkëtarë shumë të mirë çerkezë. Ndërsa në fshatrat shqiptare midis Prishtinës dhe Vushtrrisë askush nuk ishte farkëtar, kështu që për nevojat e tyre ata duhej të shkonin në qytet, ndërsa çerkezët kishin të paktën një farkëtar në çdo fshat. Përveç kësaj, disa nga çerkezët e Kosovës bënin objekte të bukura metalike, veçanërisht kamxhikë me doreza metalike të qëndisura me filigran. Gratë çerkeze kryesisht kujdeseshin për punët e shtëpisë. Ato ishin veçanërisht të afta në zanatet e përpunimit të leshit, thurnin, endnin, prisnin dhe qepnin rroba për veten dhe për njerëzit e tjerë. Ato endnin në tezgjahë që ishin të ndryshëm nga tezgjahët e grave tona dhe  tezgjahët e tyre më tepër iu ngjanin atyre të muftaçinjve ku endeshin batanijet.

Veshjet çerkeze në Kosovë dhe një ngjarje e tmerrshme në Nish

Çerkezët vishnin rroba që vetë gratë e tyre i qepnin. Në kokë mbanin kapele të larta leshi, të cilat deri në gjysmë ishin të thurura, ndërsa nga gjysma të mbuluara me shajak me ngjyrë të kuqe apo me ndonjë ngjyrë tjetër. Pas disa vjetësh, disa prej tyre filluan të mbanin fesa, por veshjet tjera i ruajtën deri në fund....Çerkezët që mbetën në qytetet e Kosovës sot veshin rroba evropiane, dhe në kokë mbajnë fesa zakonisht të mbështjellë me shall.

Gratë në kokë mbajnë njëfarë kapelë të thurur leshi, dhe sipër saj e mbajnë një jashmak të gjatë të bardhë, i cili fiksohet me gjilpërë nën mjekër, kështu që fytyra u mbetet e zbuluar. Në Nish dhe Prokuple gratë çerkeze vetëm më vonë filluan t’i mbulojnë fytyrat si gratë turke.

Hoxhë Ahmet Aliu në Azizije

Djemtë çerkezë martohen në moshën 18-20 vjeç, ndërsa vajzat në moshën 16-18 vjeç. Çerkezët janë monogamë, nuk përgatisin dhurata martese. Bile nusja çerkeze nuk përgatiste dhuratë as për vjehrrin dhe vjehrrën e saj. Në çdo tubim apo dasmë, kërcejnë vetëm vajzat. Në Prokuple thuhet se e gjithë muzika e tyre bëhej duke goditur dy shkopinj mbi një pllakë guri. Në Nish, thonë se ata kishin një lloj instrumenti të veçantë muzikor që quhej rumnja. Ky instrument ishte bërë prej lëkure të shtrirë me tela, mbi të cilin muzikantët godisnin me dy shkopinj dhe prodhonin tinguj shumë të këndshëm. Nën këta tinguj, dilnin dy vajza dhe përballë njëra-tjetrës, performonin vallet e tyre, ndërsa burrat çerkezë duartrokisnin duke i respektuar ato. Pas tyre, dilnin dy të tjera e kështu me radhë.

Gratë çerkeze ishin shumë të ndershme. Në Nish mbahet mend një rast kur një grua çerkeze ishte sjellë në mënyrë jo të moralshme dhe mu për këtë ajo e vuajti një ndëshkim të tmerrshëm. Më saktësisht ajo ishte e veja e hoxhë Mehmed Efendisë.  Quhej, Izmire hanëmeja dhe ishte një çerkeze jashtëzakonisht e bukur. Në të u dashurua njëfarë Abaz beu dhe ai nuk e la të qetë Izmire hanëmen deri sa e bëri për vete. Kur çerkezët e panë se Izmire hanëmeja ua kishte marrë fytyrën çerkezët e paditën te Dalip efendia, te hoxha i tyre dhe kadiu. Ky i fundit urdhëroi që ajo të ndëshkohej sipas zakonit çerkez. Ata blenë dhjetë arshinë pëlhurë dhe ia dhanë atë rrobaqepësit të qepte shallvare të gjera të femrave dhe më pastaj shkuan në shtëpi të saj. Ia veshën shallvaret pa veshje të tjera të brendshme në trup dhe në të dy këmbët veç e veç ia futën Izmire hanëmes nga një mace. Pastaj ia lidhën këmbët në një dërrasë, të cilën e gozhduan në dysheme, ndërsa duart ia lidhën në një tra tavani. Më pas filluan t’i rrihnin macet pa mëshirë. Macet e frikësuara dhe të hutuara filluan ta kafshonin dhe gërvishtnin gruan e mjerë aq tërbohshëm sa gjaku i rridhte poshtë këmbëve. Ajo u lut dhe premtoi se kurrë nuk do të mëkatonte më. Më në fund, të rraskapitur, e liruan dhe e çuan në spital. Kur u shërua, ajo më kurrë nuk shikoi burrë me sy. Thuhet se Abaz beu iu lut që më në fund ajo të martohej për të, por Izmire hanëmeja nuk pranoi, sepse ai ishte turk dhe nëse martohej për të, ajo duhej të vendoste ferexhenë sikur të gjitha gratë turke.

Mënyra e varrosjes çerkeze

Çerkezët nuk i linin të vdekurit në shtëpi më shumë sesa dy orë. Sapo mbaronte ceremonia fetare, trupi i të vdekurit vendosej në arkivol, spërkatej me njëfarë bari me lule të bardha të cilin ata në thasë e kishin sjellë nga malet e  atdheut të tyre të vjetër, dhe e ruanin atë në një ndërtesë tek varret e tyre. Ky lloj bari  qëndronte atje për  njëzet e katër orë rresht dhe gjatë asaj kohë, ai e pinte trupin e të vdekurit, saqë ai mbetej i verdhë si dylli dhe prej këtij bari trupi i të vdekurit nuk mund të dekompozohej për disa vjet. Ai bar, thonë ata, ishte aq helmues dhe kishte një erë të tillë, saqë nuk mund të mbahej në ambientin ku jetohet. Kjo është arsyeja pse i vdekuri i spërkatur me këtë bar duhej të nxirrej nga shtëpia. Gratë çerkeze kurrë nuk shkojnë në varrim. Në Prokuple, por edhe në vende të tjera,  çerkezët i varrosnin të vdekurit në varrezat turke...

Kur ata e kanë ndonjë gazmend në shtëpi, atëherë këndojnë këngë kushtuar heronjve të tyre që kanë luftuar me rusët si për shembull për Kushuk Ashgrievin, Sheç Shamilin, Zeqeria Zankotovin e të tjerë.

Pyetjes sime, se a e mbajnë mend çerkezët e Kosovës se ku dhe kur erdhën midis serbëve, në vitin 1929 m’u përgjigj mulla Qerim Hyseni duke më pohuar se etërit e tyre në Kosovë erdhën në vitin 1281 mysliman, do të thotë 66 vjet më parë, që në të vërtetë është viti 1864.

Mësova dhe u sigurova që dikur kishte rreth 2000 familje çerkeze, domethënë 12.000 shpirtra dhe se në kohën e luftës serbo-turke të viteve 1877-1878 këto familje çerkeze kryesisht emigruan në Siri dhe në Azinë e Vogël.

Imazhe nga Stanovci i Poshtëm

Ky migrim u përsërit në vitin 1912, si dhe në vitin 1918, kështu që sot në Fushën e Kosovës janë rreth 300 çerkezë...

Siç e përmendëm më sipër, profesor Tihomir Gjorgjeviq e ka shkruar një artikull të mirë për çerkezët në vendin tonë, por jo mbi bazën e autopsisë, por mbi bazën e literaturës dhe të historive të rrëfyera prej njerëzve të tjerë, kryesisht pleqve dhe plakave të moshuara, që i njihnin çerkezët ose kishin dëgjuar histori për ta. Nga artikulli shihet se autori nuk i pa çerkezët dhe vendbanimet e tyre, megjithëse në vitin 1923 ai ka qëndruar në Fushën e Kosovës, në fshatin Bërnicë, që është vetëm 4 kilometra larg nga Çerkezi afër Azizisë.... Kur autori i këtij studimi mësoi për vendbanimet çerkeze, ai donte veçanërisht t’i shihte çerkezët dhe mënyrën e tyre të jetesës me sytë e tij.

Për studimin antropologjik të çerkezëve në Kosovë, pata në disponim 21 persona, të gjithë meshkuj dhe të moshave të ndryshme... Si objekt studimi antropologjik më së shumti kishte çerkezë nga Stanovci i Poshtëm (Qarku i Vushtrrisë) dhe ata quheshin: Ahmet Aliu, Mula Qerim Hyseni, Bastri Hajrullahu, Sherif Idrizi, Jusuf Musahu, Izet Haxhimeli, Salih Jusufi, Jahja Saidi, Rexhep Sulejmani, Mustafa Salihu, Riza Ismaili, Mahmut Suleimani, Ismail Hakiu, Qazim Sylejmani, Daut Zabiu, Salih Apuku, Jahja Hamzai, Sherif Salihu, Iliaz Haruni, Ahmet Haxhimeti, Husen Dauti.

Niko Zhupaniq (1876 – 1961) ishte themelues i Muzeut Etnografik  (1921) nismëtar i revistës “Etnolog” (1926) si dhe drejtues i Departamentit të Etnologjisë në Lubjanë. Përveç antropologjisë dhe etnologjisë, Zhupançiq u përfshi edhe në politikë dhe në vitin 1919, ishte anëtar i delegacionit të Mbretërisë Serbo - Kroate - Sllovene në Konferencën e Paqes në Paris. Në raport me shqiptarët, Zhupaniq ka qenë përkrahës i ideologjisë serbomadhe të qarqeve të Beogradit. Ligjërata “Rëndësia etnologjike e çerkezëve të Kosovës” është mbajtur në Kongresin V të Institutit Ndërkombëtar Antropologjik në Paris, më 23 shtator 1931, ndërsa është botuar dy vjet më vonë, më 1933 në revistën “Etnolog“.

LEXO EDHE: