Ish-drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, akuzohet për “pastrim parash” si pjesë e hetimit kundër ish-zëvendëskryeministres së Shqipërisë, Belinda Balluku.
Tare të enjten është marrë në pyetje pas pesë orë e gjysmë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
SPAK thotë se Tare ka fshehur në emër të tij vilën që iu sekuestrua Belinda Ballukut. Sipas Prokurorisë, është përdorur një skemë për të fshehur pronësinë reale të vilës dhe për këtë është përdorur Igli Tare dhe vartësja e Ballukut në kohën që ajo drejtonte Albcontrol.
“Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B. Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C. Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Tare ka pasur karrierë të madhe si futbollist. Ndër të tjera ka luajtur për kombëtaren e Shqipërisë.