Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Filozofi polarizues francez zgjedh zonat e luftës para salloneve

Në vend që t’i kalonte 12 muajt e fundit në shtëpinë e tij të mbushur plot art, në anën e djathtë të Parisit ose të gëzonte pensionin në pallatin e shekullit XVIII në Marrakesh, Bernard-Henri Lévy ka qenë duke qëndruar me guxim përballë sulmeve ushtarake ruse, marramendjes dhe asaj që ai e quan prirjen e tij të natyrshme për melankolinë për të bërë filmin e tij në Ukrainë

Në dokumentarin e tij të ri, “Slava Ukraini”, Bernard-Henri Lévy, intelektuali më i famshëm i Francës, shmang zjarrin e snajperit rus në Ukrainë, duke veshur në mënyrë të pahijshme një jelek antiplumb mbi kostumin elegant të bërë me porosi.

Me flokët e tij të thinjura që fryhen butësisht nga era, ai ngjitet në anijen e marinës ukrainase në Odessa, e cila po fshin Detin e Zi nga minat ruse. Vëzhgon blloqet e apartamenteve të shkatërruara në Kiev, zbret në llogore me ushtarët ukrainas në Sloviansk dhe ngushëllon një nënë, djali i vogël i së cilës është aq i traumatizuar nga lufta, saqë ka pushuar së foluri.

Mund të jetë e lehtë ta lirosh Lévyn – shumë e bëjnë – si një turist 74-vjeçar i pamatur i luftës, një trashëgimtar i një pasurie druri duke luajtur heroin teksa raketat ruse bien mbi Kiev, Kharkiv dhe Mariupol. Por në vend që t'i kalonte 12 muajt e fundit në shtëpinë e tij të mbushur plot art, në anën e djathtë të Parisit ose të gëzonte pensionin në pallatin e shekullit XVIII në Marrakesh, Lévy ka qenë duke qëndruar me guxim përballë sulmeve ushtarake ruse, marramendjes dhe asaj që ai e quan prirjen e tij të natyrshme për melankolinë për të bërë filmin e tij në Ukrainë.

Ishte, tha ai, një kritik i nevojshëm për të mbështetur Ukrainën në një konflikt që ai e sheh si asgjë më pak se një betejë për të ardhmen e Evropës, liberalizmin global dhe qytetërimin perëndimor.

“Në Ukrainë, për herë të parë, pata ndjenjën se bota që njihja, bota në të cilën u rrita, bota që dua t’ua lë fëmijëve dhe nipërve të mi, mund të shembet”, tha ai gjatë një interviste bërë në fillim të këtij muajit në hotel “Carlyle” në New York, gjatë së cilës ai përforcoi anglishten e tij të theksuar por të rrjedhshme e me përplot aludime për Clausewitzin, Hegelin dhe letërsinë vjeneze.

Edhe Ligji i ri i rekrutimit vë burrat ukrainas nën presion Botë Ligji i ri i rekrutimit vë burrat ukrainas nën presion

Filozof, shkrimtar, personalitet televizioni dhe regjisor, Lévy është një shpikje totalisht franceze në një vend që intelektualët e tij i konsideron si yje të popit. Ai është aq i njohur në Francë saqë i referohen thjesht si B.H.L, iniciale të cilat janë të ngjashme me një brend luksoz francez. Po ai është gjithashtu edhe një karakter polarizues i tallur nga disa kritikë si filozof i vetëquajtur a diletant.

Image

Filmi dokumentar “Slava ukraini” ishte xhiruar gjatë viteve të fundit në mbi 10 vizita që Lévy i kishte bërë në Ukrainë (Foto: Marc Roussel)

Thirrja e moralit

Por Lévy qëndron i përmbajtur nga kritika, duke e parë punën e tij si thirrje të idealit të lartë.

“Thirrja morale nuk hesht kurrë për mua”, ka thënë Lévy. “Supozoj se në një pikë, unë nuk do të kem forcë t’i përgjigjem më kësaj thirrjeje”.

“Slava Ukraini” u dha premierë më 22 shkurt në Francë dhe pritet të lansohet në SHBA gjatë muajve të ardhëm. Është xhiruar gjatë viteve të fundit përgjatë të cilave, Lévy shkoi dhjetë herë në Ukrainë. Filmi (i cili për Lévyn është filmi i dyti që trajton konfliktin atje) mori lëvdata për portretizimin e patrembur të horrorit të luftës.

“Padyshim, Lévy nuk ka xhiruar asnjëherë më parë një film i cili përcjellë shqetësimin dhe vdekjen me një ashpërsi kaq të pamëshirshme”, ka shkruar revista e njohur franceze, L’Express,

Lévy ka shpenzuar pesë dekadat e fundit duke iu lutur Perëndimit që të ndërhyjë në konflikte në dukje të pazgjidhshme duke hyrë në fushëbeteja në vende si Bosnja, Darfuri, Ruanda, Kurdistani, Afganistani dhe Libia.

Image

Lévy është një karakter tejet polarizues, i tallur nga disa kritikë si diletant. Megjthatë ai është i përmabjtur nga këto kritika teksa punën e tij e cilëson si rezultat të një thirjeje të lartë (Foto: Clement Pascal për “The New York Times”

Shteti i luftës

Këtë herë ai ka thënë se megjithatë pasojat janë më të rënda. Nëse presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk do të ndalet, ai paralajmëron se mund të nisë një Luftë e re e Ftohtë me Moskën, Teheranin, Kinën, Turqinë dhe fundamentalistët islamik duke kërcënuar botën dhe despotët e fuqizuar bërthamorë për të shantazhuar Perëndimin.

Ai ka thënë se ata të Kongresit Amerikan dhe kryeqyteteve evropiane të cilët u ankuan se armatosja e Ukrainës është shumë e shtrenjtë, janë thjesht “budallenj”.

Pse ai vesh rroba të dizajnuara në zonën e luftës?

“Veshja nuk ka rëndësi por është një shenjë e vogël e respektit për njerëzit e Ukrainës”, ka shpjeguar Lévy.

Lindur në vitin 1948, në një familje çifutësh në Algjerinë franceze, Lévy shpërtheu në skenën kombëtare të Francës në vitet 1970, një filozof i ri, flokëgjatë që kundërshtonte rreziqet e marksizmit të së majtës franceze. Ka shkruar një numër të madh librash, me tema politike, filozofike, judaizmin dhe identitetin amerikan. Po ashtu, është bashkëthemelues i një grupi antiracist i cili ka ndikim të madh.

Megjithatë, ai vazhdon të ngjallë përbuzje. Ai është dënuar për mbështetjen e hapur ndaj Roman Polanskit dhe Dominique Strauss-Kahn, të dy të akuzuar për abuzim seksual ndaj grave. Atij i është zënë prita të paktën tetë herë nga një belg byrekhedhës, i cili synon personazhe pompozë, dhe është subjekt i jo më pak se katër biografive herë-herë të tmerrshme. Shpesh i atribuohet një aforizëm: "Zoti ka vdekur, por flokët e mi janë të përsosur".

“Nuk e kam thënë kurrë, është e pavërtetë”, ka thënë ai. “Unë jam gati ta shoh si diçka qesharake.”

Disa kritikë kanë vënë në dyshim edhe ashpërsinë e tij metodologjike. Në librin e tij të vitit 2010, “Për luftën në filozofi”, Lévy citon gjerësisht Jean-Baptiste Botul, një filozof i shekullit XX dhe krijues i një shkolle mendimi të njohur si Botulizëm. Por Botul nuk ka ekzistuar kurrë dhe është shpikje satirike e shkrimtarit Frédéric Pagès. Lévy, në atë kohë, ishte penduar dhe kishte komplimentuar mashtruesin për mashtrimin e tij.

Jade Lindgaard, gazetare franceze dhe bashkautore e “The Impostor: BHL in Wonderland”, (Mashtruesi: BHL në botën e çudirave") një hetim kritik i Lévyt dhe punës së tij, argumentoi se ndikimi i Lévyt ishte zbehur, pjesërisht për shkak se ai ishte jashtë kontaktit me çështjet bashkëkohore, si ndryshimi klimatik dhe lëvizja #MeToo.

Edhe “Shpirtrat më ndjekin” – rrëfimi i burrit që mbledh trupat e ushtarëve ukrainas Botë “Shpirtrat më ndjekin” – rrëfimi i burrit që mbledh trupat e ushtarëve ukrainas

“Për mua, ai e ka humbur besueshmërinë e njerëzve, ndoshta për shkak të gabimeve të shumta bërë në shkrimet e tij”, ka shkruar ajo në e-mail, duke shtuar se stili i tij personal e minoi atë.

Por mbrojtësit e tij i përshkruajnë sulmet si xhelozi të pasurisë, fuqisë dhe suksesit të tij. (Ai është i martuar me aktoren dhe këngëtaren Arielle Dombasle.) Ai është, thonë ata, një njeri që kërkon të bëjë dhe formësojë historinë, jo thjesht ta shkruajë atë.

“Njerëzit që e kritikojnë janë intelektualë të kolltukëve që nuk largohen kurrë nga sallonet e tyre parisiene”, ka thënë Marc Roussel, bashkëregjisori i “Slava Ukraini”.

Lévy ka thënë se momenti i formësimit të tij, që e frymëzoi të linte pas klithmat e zbrazëta të klasës, erdhi në fillim të të 20-ave, kur ai ia vuri veshin thirrjes së romancierit francez, André Malraux për të ndihmuar separatistët nga Bangladeshi që po luftonin kundër Pakistanit. Në vitin 1971, ai udhëtoi për në Bangladesh, hera e tij e parë si korrespondent lufte.

“Në atë moment, vendosa të përpiqem dhe të bëj diçka, të ndot duart e mia në historinë reale”, ka thënë ai.

Në vitin 1977, Lévy shkroi “Barbarism With a Human Face,” (Barbarizmi me fytyrë njerëzore), në të cilin hodhi poshtë marksizmin dhe maoizmin. Në vend të kësaj, ai ka thënë se filloi të përqafonte si filozofinë e tij udhërrëfyese nocionin “tikkun olam”, ideja që hebrenjtë kanë përgjegjësinë për të "riparuar botën" përmes veprave të mira.

Lévy ka thënë se udhërrëfyesi i tij ishte babai i vet, André Lévy, një njeri i vetëkrijuar që kishte ikur nga varfëria në Algjeri si adoleshent në vitet 1930 dhe ishte lajmëruar vullnetar për të luftuar me republikanët kundër Frankos përpara se të bashkohej me ushtrinë e Francës së Lirë dhe të luftonte kundër nazistëve.

Image

Lévy i ka kaluar pesë dekadat e fundit duke iu lutur Perëndimit që të ndërhyjë në konflikte në dukje të pazgjidhshme, duke u futur në fushëbeteja në vende si Bosnja, Darfuri, Ruanda, Kurdistani, Afganistani dhe Libia (Foto: Clement Pascal për “The New York Times”)

Snajperët serbe në Bosnjë

Kur u përball me perspektivën e snajperëve e serbëve të Bosnjës në Sarajevë, luftëtarëve të ISIS-it në shpellat e Kurdistanit ose zjarrit rus në Ukrainë, Lévy ka thënë se shpesh ka menduar për trimërinë morale dhe guximin fizik të babait të tij.

“Për t’u inkurajuar, mendoj për babanë tim teksa ngjitej në Monte Cassino me një grup luftëtarësh marokenë”, ka thënë ai, duke iu referuar një beteje të përgjakshme në Italinë e vitit 1944, e cila u parapriu aleatëve që të thyenin mbrojtjen gjermane.

Lévy ka thënë se besimi i tij në fuqinë e individëve për të zgjuar botën u forcua kur ai shkoi në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje në vitet 1990. Fillimisht kishte dashur të organizonte një brigadë ndërkombëtare për të ndihmuar forcat myslimane boshnjake që luftonin kundër serbëve, por vendosi se do të ishte më efektiv duke bërë një film. Babai i tij, i cili iu lut të mos shkonte në Bosnjë, financoi përfundimisht prodhimin, i cili ndihmoi të hidhej dritë mbi mizoritë serbe kundër myslimanëve.

“Bosnja më tregoi se idetë kanë rëndësi, fjalët mund të bëjnë ndryshim, vendimmarrësit mund të binden dhe se individët mund të jenë një kokërr rëre që bllokon makinerinë”, ka thënë Lévy.

Në vitin 2011, në një periudhë prej afërsisht dy javësh, Lévy luajti rol vendimtar në nxitjen e Presidentit Nicolas Sarkozy për të ndërhyrë në Libi, duke u hapur rrugën edhe Francës, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të mbështetur një grup të ri opozitar dhe për të zhvilluar luftën që ndihmoi në rrëzimin e udhëheqësit libian, Muammar el-Gaddafit.

Lévy ka thënë se ndërhyrja në Libi ishte “gjëja e duhur për t'u bërë”. Por disa kritikë të kësaj lëvizjeje theksojnë se Libia që atëherë është kthyer në kaos.

Teksa Lévy është i lidhur ngushtë me Francën, ai ka thënë se dy modelet e tij madhështore janë Ernest Hemingway, njeriu që mbuloi Luftën Civile në Spanjë dhe F. Scott Fitzgerald, mbreti i epokës së jazzit në Parisin e viteve 1920.

“Më pëlqen të mendoj me këmbët, duart, mushkëritë, mishin tim”, ka thënë ai.

Edhe Fitorja historike e Ukrainës me “20 days in Mariupol” Kulturë Fitorja historike e Ukrainës me “20 days in Mariupol”

Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Mirjetë Sadiku