Me dokumentarin që sjell njëzet ditët e tmerrit në Mariupol, për herë të parë Ukraina merr “Oscar”, por kjo nuk është pesha e vetme historike e këtij triumfi. Ka të bëjë me atë që shpalos: realitetin të cilin duhet ta njohë bota. Një vepre si kjo, Kosova ka kohë që ia ka njohur peshën, kur u shfaq vjet në “DokuFest”, për t’u rishfaqur muajin e kaluar edhe në Prishtinë. “Mendoj se kjo ndikon që e vërteta për luftën në Ukrainë të kuptohet edhe më shumë, të shprehet se edhe filmi ndikon që lufta të përfundojë sa më shpejt dhe Ukraina të çlirohet”, ka thënë Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”
Jo pa shkas, ekrani në Prishtinë do të ndizej edhe një tjetër herë për “20 Days in Mariupol” në fund të muajit të kaluar. Veç sa kishte fituar një BAFTA dhe ishte i nominuar për “Oscar”. Të dielën mbrëma mori trofeun për dokumentarin më të mirë dhe bëri histori. Regjisori Mstyslav Chernov kur pranoi “Oscarin” deklaroi se do të donte të mos e kishte realizuar kurrë këtë film. Por një film si ky është i domosdoshëm. Filmi dokumentar që me përmbajtjen e tij ka bërë bujë në tërë botën, është rrëfim i regjisorit Chernov për ditët e para të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Nga skena plot shkëlqim e në Hollywood, Chernov e ka theksuar fuqinë e kinematografisë për të përcjellë fakte anembanë.
“Ne mund të sigurohemi që historia të jetë e drejtë dhe e vërteta do të mbizotërojë. Se populli i Mariupolit dhe ata që kanë dhënë jetën e tyre nuk do të harrohen kurrë. Sepse kinemaja formon kujtime dhe kujtimet formojnë historinë”, ka thënë regjisori, shkrimtari e gazetari i shumë çmimeve, Mstyslav Chernov.

“20 days in Mariupol” sjell vrasjet e shkatërrimet. Është një lloj testamenti, megjithëse veç një fragment i periudhës së luftës dhe krimeve të kryera. 20 ditët e para të agresionit rus në Mariupol vijnë brenda rrëfimit drithërues që flet nëpërmjet përballjes heroike, vuajtjes e frikës. Chernov, e realizoi dokumentarin bashkë me fotografen Evgeniy Maloletka dhe producenten e gazetaren Vasilisa Stepanenko. Nis me momentin kur tanket hyjnë në qytet. Atë ditë Evropa qe zgjuar me luftë. Tek ekipi i gjerë i dokumentarit është edhe emri i gazetarit nga Kosova, Nebi Qena, i cili dikur si gazetar i “Kohës Ditore”, do të raportonte nga frontet e luftës në Kosovë. Tash është pjesë e agjencisë së lajmeve “Associated Press” që e ka bashkëprodhuar e në “20 Days in Mariupol” ka pasur rolin e koordinatorit editorial, bashkë me Andrew Draken. Është uruar në rrjete sociale për suksesin e stafit.
Çmimi “Oscar” është kulmi i suksesit që i jep zë realitetit që shfaq dokumentari.
“Dikush më tha se lufta fillon me qetësi, jo me zhurmë”, e nis narrativën e Chernov për ngjarjen që tash e ka kthyer vëmendjen e botës. “Qyteti po vdes ngadalë, si një njeri”, thotë narratori në filmin dokumentar, i cili është edhe njëri prej personazheve me punën e tij si reporter nga vatra e luftës e ka bërë botën të njoftohet në kohë reale me ngjarjet në Ukrainë. Ai është korrespodent lufte e filmbërës, fotograf, fotoreporter e romancier në mbulimin e ngjarjeve të ndryshme si lufta civile në Siri, pushtimi rus në Ukrainë, përfshirë edhe rrethimin e Mariupolit. Përkujtues i trishtë i brutalitetit të Rusisë ka qenë edhe dokumentari fitues i edicionit të kaluar të “Oscars” në kategorinë e dokumentarit – “Navalny” i regjisorit amerikan, Daniel Roher. Lideri i opozitës ruse, Sergei Navalny, që vdiq muajin e kaluar në një burg rus, u përkujtua në ceremoninë e sivjetme të “Oscars”. “Nëse ata vendosin të më vrasin, kjo do të thotë se ne jemi jashtëzakonisht të fortë”, janë fjalët e Navalnyt në transmetimin e një pjese të shkurtër të dokumentarit. Me këtë moment i është bërë atij homazh. “Navalny” qe njëri prej filmave që solli Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” në Prizren më 2022. Qe “DokuFesti” që solli edhe premierën në Kosovë të “20 Days in Mariupol”.

Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit” që ishte edhe pjesë e komisionit përzgjedhës të filmave për programin zyrtar, ka thënë se filmi dokumentar “20 days in Mariupol” me rrëfimin i tij do të depërtojë edhe më shumë me suksesin e fundit.
“Jemi të lumtur që një film si ’20 days in Mariupol’ ka fituar çmimin ‘Oscar’, sidomos për shkak të situatës në të cilën gjendet Ukraina ende, por edhe për faktin që ky film do të mund të shihet edhe më shumë falë çmimit. Njerëzit anekënd botës do të shohin një të vërtetë për horroret që kanë ndodhur në Mariupol, por edhe për gazetarët që e kanë guximin të dokumentojnë njëzet ditët e para të luftës”, ka thënë Nurkollari.
Duke theksuar arritjen e filmit që i ka dhënë Ukrainës të parin çmim “Oscar”, ka thënë se po ky e thellon të vërtetën e luftës në Ukrainë.
“Është një arritje e madhe për një film nga Ukraina. Është hera e parë që një film nga Ukraina fiton çmim ‘Oscar’. Mendoj se kjo ndikon që e vërteta për luftën në Ukrainë të kuptohet edhe më shumë, të shprehet se edhe filmi ndikon që lufta të përfundojë sa më shpejt dhe Ukraina të çlirohet”, ka thënë Nurkollari në një bisedë për KOHËN.
Derisa ka folur në përgjithësi për “Oscar”, fituesin e ceremonisë së 96-të – filmin “Oppenheimer” e ka vlerësuar të jashtëzakonshëm. Por për të, “Zone of Interest” i regjisorit Jonathan Glazer ka qenë më i miri.
“’Oppenheimer’ është film i jashtëzakonshëm, nuk ka dyshim, por për mua ngjarja kryesore ka qenë ‘The Zone of Interest’ si filmi më i mirë i huaj dhe deklarata e regjisorit Jonathan Glazer. Mendoj se momenti më kyç i gjithë asaj çfarë ndodhi mbrëmë ka qenë në lidhje me këtë film. E kam parë filmin dhe mendoj se është një prej filmave më të mirë të vitit të kaluar. Një film i jashtëzakonshëm në një moment siç është sot që, sikur në Ukrainë, është duke ndodhur një gjenocid në Gazë”, ka thënë Nurkollari.
“Filmi ynë tregon se ku çon dehumanizimi në më të keqen e tij. Modelon të gjithë të kaluarën dhe të tashmen tonë. Tani, ne qëndrojmë këtu si burra që hedhin poshtë Holokaustin duke u rrëmbyer nga një okupim që ka çuar në konflikt për kaq shumë njerëz të pafajshëm. Qoftë viktimat e 7 tetorit në Izrael apo sulmi i vazhdueshëm ndaj Gazës, si u rezistojmë viktimave, të të gjithë viktimave të këtij dehumanizimi?”, ka thënë Glazer.
Në “Oscars”, mesazhet për paqe kanë qenë të zëshme. Për dokumentimin e krimeve, po ashtu. Fuqinë e “20 days in Mariupol” për këtë, ia çmon edhe regjisori Samir Karahoda. Kur ishte shfaqur filmi në “EuropeHouse” në Prishtinë në fund të muajit të kaluar në shënim të dyvjetorit të pushtimit rus të Ukrainës, e kishte vlerësuar filmin të fuqishëm e drithërues.
“Për herë të parë ’20 days in Mariupol’ e kam parë në kinemanë ‘Lumbardhi’ në ‘DokuFestin’ e kaluar. Është një film jashtëzakonisht i fuqishëm dhe drithërues”, kishte thënë Karahoda, duke konsideruar se filmi dokumentar ka impakt të përdoret edhe si dëshmi e krimit të kryer mbi popullatën civile në Ukrainë.
“Është një film që do të ketë impakt edhe në të ardhmen, që me siguri se do të përdoret edhe në Gjykatën e Krimeve të Luftës kundër shtetit rus për vrasjen dhe bombardimin e civilëve. Ky film më së miri e dëshmon edhe rëndësinë e gazetarëve në zonat e luftës dhe fuqinë e imazheve që bota të shohë të vërtetën të cilën gjithnjë Rusia u mundua ta fshehë”, kishte thënë regjisori Samir Karahoda. Ishte hera e dytë që do ta shikonte në “Shtëpinë e Evropës”. “Ndjenja ishte e njëjtë, pa komente dhe duke i bërë vetes qindra pyetje lidhur me atë se ‘përse ka nevojë bota për gjëra të tilla’”, kishte thënë Karahoda për dokumentarin të cilin regjisori Mstyslav Chernov do të donte të mos e realizonte kurrë.