EXPRESS

“20 Days in Mariupol” si fragment i krimeve në Ukrainë

Kur janë bërë pak ditë më shumë prej dyvjetorit të nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, një pjesë e rrëfimit ka ardhur në Prishtinë nëpërmjet dokumentarit “20 days in Mariupol”. Filmi dokumentar, nën regji të ukrainasit Mstyslav Chernov, sjell vrasjet e shkatërrimet. Është një lloj testamenti, megjithëse veç një fragment i periudhës së luftës dhe krimeve të kryera.

20 ditët e para të agresionit rus në Mariupol vijnë brenda rrëfimit drithërues që flet nëpërmjet përballjes heroike, vuajtjes e frikës.

“House of Europe” ka ndezur projektorin për të sjellë fatet tragjike të popullit në Ukrainë. Flet për një vend që refuzon me këmbëngulje të shkëputet nga shteti.

Me filmin dokumentar “20 days in Mariupol” në më shumë se një orë e gjysmë regjisori sjell në mënyrë kronologjike avancimin e luftës nga dita në ditë. Aty bën edhe një lloj krahasimi të mënyrës së raportimit. Derisa ekrani sjell lajmet nga e gjithë bota, ku shifrat duken veç numra e shtëpitë veç objekte, detajet në dokumentarin e shfaqur në fillim të javës, përcjellin emocione të fuqishme.

Regjisori është në fushëbetejë. Ai përballet edhe me frikën e panikun e njerëzve që ndikojnë në tentativat për ta ndaluar atë së filmuari.

Të rrethuar nga alarmet paralajmëruese, zhurma bombash e plumbash e klithma, njerëzit bëhen agresivë, të frikësuar për jetën e tyre e të shqetësuar për atë të të afërmve. Ngjan se heshtja bërtet në disa sekuenca të shkurtra.

Po ashtu përfshihet edhe propaganda e politikës e mediave ruse. Televizionet ruse me të njëjtat pamje të filmuara nga Chernov nga spitali i maternitetit, raportonin se Ukraina kishte punësuar aktorë për të aktruar si viktima.

Filmi dokumentar ka sjellë emocione të forta te publiku. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka thënë se filmi është dokument i rëndësishëm i luftës.

“Është një film tragjik që shfaq luftën, viktimat e luftës, tragjeditë nga të cilat është prekur popullata civile. Gjithashtu shfaq se si njerëzit janë të guximshëm. Filmi është nominuar edhe për çmimin ‘Oscar’, kështu që ka dy javë kohë për të parë se çfarë do të ndodhë. Është vërtet i rëndë demonstrimi i luftës dhe ato çfarë ndodhin në rrethana të ngjashme te popullata civile, sikur në Mariupol. Është shenjë se sa e rëndësishme është të përballesh me pushtimin rus”.

Sipas tij, Kosova me kohë u është bashkuar vendeve që kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Kjo, sipas tij, e ka bërë vendin të pozicionohet në mënyrë të duhur për ngjarjen që do të mbetet në histori, si mbështetëse e Ukrainës.

“Është agresion i pajustifikueshëm dhe shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar. Fatkeqësisht agresioni po vazhdon dhe duket pa vend kjo ngjarje tragjike. Ne duam të nënvizojmë rëndësinë e kësaj lufte, jo veç për Ukrainën, por për gjithë Evropën, veçmas për Ballkanin Perëndimor, me theks te Kosova. Mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kësisoj dëshmon se qëndron në anën e duhur të historisë”.

Dokumentari me regji të korrespondentit të luftës, romancierit e filmbërësit tashmë ka marrë çmime prestigjioze.

Më 18 shkurt, filmi dokumentar “20 days in Mariupol” ka fituar çmim nga Akademia Britanike. Mori “BAFTA” për dokumentarin më të mirë. Vetë regjisori mori çmimin “Directors Guild of America Awards”.

Filmi dokumentar i metrazhit të gjatë është edhe konkurrent për çmimin “Oscar”. Është nominuar në kategorinë e dokumentarit më të mirë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në natën e 10 marsit.

Filmi ishte shfaqur premierë në Kosovë në edicionin e kaluar të festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren.