Në romanin “Ikja si shpëtim” të Ibrahim Kadriut – Botimet KOHA, 2026 – shqiptohet gjendja dramatike rreth arratisjes së Mal Colit nga burgu dhe udhëtimi i tij, fizik e shpirtëror, drejt lirisë dhe vendlindjes. Ngjarja nuk ndërtohet vetëm si histori ikjeje, por si proces i vazhdueshëm mbijetese, ku protagonisti lëviz mes frikës, shpresës dhe kujtesës që e mban gjallë
Në romanin “Ikja si shpëtim” të Ibrahim Kadriut që u botua kohëve të fundit, shfaqet figura e të burgosurit politik si shenjë e qëndresës individuale ndaj një sistemi shtypës që synon jo vetëm kufizimin fizik të njeriut, por edhe nënshtrimin e ndërgjegjes së tij. Nëpërmjet jetës së përditshme të burgut zbulohen mekanizmat e kontrollit politik, të izolimit shoqëror dhe të dhunës psikologjike që përdoren për të thyer personalitetin e individit. Burgosja nuk shfaqet thjesht si ndëshkim juridik, por si një proces i gjatë i reformësimit të detyruar të njeriut, ku synohet zhdukja e dinjitetit, e krenarisë dhe e identitetit.
Hapësira e burgut shfaqet si një vatër e shoqërisë së kontrolluar, ku pushteti ushtron veprim përmes mbikëqyrjes së pandërprerë, të frikës dhe të keqpërdorimit. Të burgosurit jetojnë në një ambient ku çdo fjalë mund të kthehet kundër tyre, ndërsa heshtja bëhet mjet mbijetese. Në këtë realitet, marrëdhëniet njerëzore shtrembërohen dhe besimi pothuajse zhduket. Institucioni i spiunimit paraqitet si një nga instrumentet më efektive të kontrollit, pasi krijon pasiguri të vazhdueshme dhe e shkatërron solidaritetin mes njerëzve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVetmia përbën një ndër format më të rënda të torturës psikologjike. Personazhi kryesor, Mal Coli, e përjeton izolimin si një gjendje të dyfishtë: si ndarje fizike nga të afërmit dhe të tjerët, edhe si përjashtim nga jeta e rëndomtë shoqërore. Në kushtet e burgut, vetmia kthehet në hapësirë reflektimi, kujtese dhe meditimi mbi kuptimin e lirisë. Ajo e shtyn atë të rishqyrtojë të kaluarën, botëkuptimin dhe marrëdhënien e tij me botën përreth.
Një element i rëndësishëm është marrëdhënia midis tij dhe pushtetit, sepse autoritetet e burgut përpiqen vazhdimisht të sigurojnë bashkëpunimin e të burgosurve përmes presionit, privilegjeve të kufizuara, kërcënimeve dhe mashtrimit. Qëllimi i tyre nuk është vetëm ruajtja e rendit, por krijimi i individëve të bindur dhe të kontrollueshëm. Refuzimi i tij për t’u bërë bashkëpunëtor shfaqet si akt moral dhe politik i qëndresës.
Vepra trajton dukurinë e dehumanizimit që ndodh brenda institucioneve represive. Të burgosurit trajtohen si numra, si objekte disipline dhe jo si qenie njerëzore me histori, me ndjenja dhe me synime. Përmes dhunës fizike dhe psikologjike synohet që i burgosuri të humbasë vetëdijen për veten dhe të pranojë realitetin e imponuar nga pushteti. Megjithatë, kujtesa, dinjiteti dhe bindjet personale mbeten faktorë që i mundësojnë njeriut të mbijetojë shpirtërisht.
Një vend të veçantë në vepër zë kujtesa familjare dhe historike. Përvojat e gjyshit dhe të babait të Malit, krijojnë vazhdimësi të vuajtjes kolektive, duke treguar se dhuna politike dhe diskriminimi nuk janë raste të veçuara, por pjesë e një historie më të gjerë të shtypjes.
Motivi i dënimit me vdekje përdoret si reflektim mbi kufijtë e gjallimit njerëzor. Meditimet mbi gjendjen e të dënuarve nxjerrin në pah frikën, pendimin, shpresën dhe pranimin e fatit. Përmes përsiatjeve ngrihen çështje filozofike mbi jetën, mbi lirinë, mbi drejtësinë dhe mbi kuptimin e vdekjes.
Në roman shfaqet edhe institucionalizimi i dhunës. Dhuna nuk paraqitet si veprim i rastësishëm i të burgosurve, por si pjesë e një sistemi të organizuar që e përdor atë për të ruajtur kontrollin. Gardianët, hetuesit dhe strukturat e tjera veprojnë brenda një logjike, ku dhuna çmohet si mjet i zakonshëm disiplinimi. Kjo krijon një realitet përmes të cilit padrejtësia normalizohet dhe viktima për të mbijetuar detyrohet të përshtatet.
Akti i leximit paraqitet si formë e qëndresës shpirtërore. Në kushtet e izolimit, libri bëhet shoqëruesi më i afërt i Mal Colit. Ai i mundëson të ruajë aftësinë për të menduar, për të përsiatur dhe për të mbrojtur pavarësinë intelektuale. Përmes leximit, ai ruan lidhjen me botën e ideve dhe nuk dorëzohet përballë shtypjes që i bën realiteti.
Përvoja në burg shfaqet si një shkollë e ashpër e njohjes së natyrës së njeriut. Brenda saj bashkëjetojnë karaktere të ndryshme, interesa të kundërta dhe mënyra të ndryshme mbijetese. Kjo shumëllojshmëri e bën burgun një laborator shoqëror, ku shfaqen anët më të errëta, por edhe më të forta të njeriut.
Në roman, liria paraqitet si vlera kryesore. Mungesa e saj e bën Malin ta kuptojë thellësisht rëndësinë e çdo veprimi dhe marrëdhënieje njerëzore. Në rrethana të izolimit, liria nuk shihet vetëm si gjendje fizike, por si e drejtë për të menduar, për të folur dhe për të jetuar sipas bindjeve personale. Ruajtja e kësaj lirie të brendshme paraqitet si forma më e lartë e ballafaqimit me të ligën dhe të papriturat e jetës.
Në romanin “Ikja si shpëtim” shqiptohet gjendja dramatike rreth arratisjes së Mal Colit nga burgu dhe udhëtimi i tij, fizik e shpirtëror, drejt lirisë dhe vendlindjes. Ngjarja nuk ndërtohet vetëm si histori ikjeje, por si proces i vazhdueshëm mbijetese, ku protagonisti lëviz mes frikës, shpresës dhe kujtesës që e mban gjallë.
Personazhi i Mal Colit ndërtohet mbi një tundim të vazhdueshëm midis instinktit për liri dhe rrezikut të kapjes. Ai është një individ racional në veprim, që analizon hapësirën, i vëzhgon rojet, e mendon veprimin dhe bën plane. Kjo vetëdije dëshmon për një njeri që e koncepton lirinë si rrjedhojë të përgatitjes dhe të flijimit të vazhdueshëm. Arratisja nuk paraqitet si akt i menjëhershëm, por si proces i gjatë vetëkontrolli dhe përballjeje me mjedisin shoqëror ku jeton.
Pas arratisjes, rruga shfaqet si hapësirë shtegtimi të përhershëm, ku natyra bëhet njëkohësisht strehë dhe rrezik. Pyjet, malet, fshatrat dhe kufijtë nuk janë vetëm sfond gjeografik, por shprehin gjendjen e brendshme të personazhit: izolim, pasiguri dhe lodhje. Lëvizja në vise të panjohura dhe shmangia e njerëzve e thellojnë ndjesinë e vetmisë, duke e kthyer lirinë në gjendje paradoksale, ku trupi është i lirë, por mendja e pushtuar nga frika.
Në këtë rrjedhë, kujtesa bëhet formë thelbësore mbijetese. Rikthimi te nëna, te fëmijëria dhe sidomos tek Emira krijojnë një çështje tjetër brenda mendjes së tij. Kujtimet nuk janë vetëm përmallim, por mënyrë që i jep kuptim veprimit.
Dashuria për Emirën shfaqet si bosht ndjenjësor që e lidh me jetën jashtë burgut dhe e frymëzon të vazhdojë rrugën. Në këtë mënyrë, dashuria vepron si kundërpeshë e dhunës dhe e izolimit.
Emira përfaqëson qëndrueshmëri ndjenjësore dhe besnikëri të vijueshme. Ajo nuk shfaqet vetëm si figurë romantike, por përbërëse që mban të pandërprerë jetën e copëzuar të Mal Colit. Përmes saj, pritja paraqitet si veprim aktiv. Edhe me kalimin e kohës, lidhja e saj mbetet e fortë, duke krijuar kontrast mes lëvizjes së protagonistit dhe qëndrueshmërisë së saj ndjenjësore.
Takimi me prindërit e Emirës e dëshmon përmasën shoqërore të rrëfimit, ku dashuria përballet me normat dhe botëkuptimin e familjes. Këtu shfaqet tundimi midis lirisë personale dhe kodeve shoqërore. Vendimi për shtyrjen e bashkimit dhe vazhdimin e studimeve e shndërron dashurinë në një marrëdhënie të projektuar në të ardhmen.
Çastet në shtëpizën malore përmbyllin rrëfimin si kulm shpirtëror dhe fizik. Hapësira e izoluar shërben si pezullim mes të kaluarës dhe të ardhmes së pasigurt. Dashuria përjetohet si ndjenjë e plotë, por njëkohësisht e përkohshme, e ndërprerë nga realiteti i shtegtimit të protagonistit.
Në tekstin e romanit ndërthuren liria, trauma, dashuria dhe kujtesa, duke e vendosur individin në një gjendje të vazhdueshme lëvizjeje dhe pasigurie. Mal Coli shfaqet jo vetëm si i arratisur, por si subjekt në kërkim të identitetit, ku liria nuk është gjendje e përfunduar, por proces i vazhdueshëm përballjeje me botën dhe veten.
Romani dëshmon për një rrëfim realist me elemente sociale dhe politike, ku individi vendoset përballë një sistemi rrënues dhe juridik i turbull.
Me kalimin e Mal Colit në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, rrëfimi merr tjetër përmasë; zhvillohet në një mjedis shoqëror të trazuar, ku protestat dhe ndërhyrja policore e shndërrojnë qytetin në skenë kaosi.
Mali paraqitet si një i ardhur nga Kosova që, përmes një keqkuptimi tragjik në protestë, përfundon viktimë e dhunës shtetërore. Identiteti i tij vihet në dyshim dhe ai trajtohet si pjesëmarrës i protestës, duke u bërë objekt i dhunës.
Konflikti kryesor në roman shprehet midis individit dhe autoritetit. Policia vepron mbi dyshim dhe urdhër, pa hapësirë shpjegimi, duke shkaktuar rrënim të dinjitetit njerëzor.
Sigurimi dhe komisari Dyl shfaqin një formë më të ngritur presioni, ku individit i ofrohet “identitet i ri” në këmbim të bashkëpunimit, që përbën kritikë ndaj manipulimit politik dhe zhdukjes së identitetit.
Romani dëshmon edhe për aspekte të thella psikologjike, me kalime nga frika dhe hutimi te dëshpërimi dhe mendimet e skajshme.
Përmes kujtesës historike (Kosovë - Shqipëri) krijohet lidhje mes fatit individual dhe dhunës së përsëritur politike, shprehet fati i njeriut të brishtë përballë mekanizmave të shtetit, duke e vështruar identitetin, lirinë dhe kurdisjet politike.
Mal Coli përballet me komisar Dylin, i cili synon riformësimin e tij për qëllime shtetërore. Identiteti i tij zëvendësohet me një identitet funksional. Pra, konflikti kryesor është midis individit dhe institucionit, ku njeriu trajtohet si objekt. Ndryshimi i emrit simbolizon zhveshjen nga vetja.
Në roman, në të njëjtën kohë, ngjet qëndrimi ndjenjësor me Emirën, e cila përfaqëson botën private dhe lidhjen njerëzore të kërcënuar nga realiteti politik. Së këndejmi, në roman shqiptohen dy hapësira: institucionale dhe personale, që ecin paralelisht në tundim të vazhdueshëm.
Komisar Dyli përfaqëson racionalizimin e pushtetit dhe manipulimin institucional, ndërsa Emira tundimin shpirtëror dhe pasojat e ndarjes.
Shtatzënia e Emirës dhe lindja e fëmijës dëshmojnë për thellimin dramës e individit dhe shprishjen e familjes.
Romani “Ikja si shpëtim” është një mozaik kujtese që ndërthur jetën personale, rrethanat politike dhe kritikën shoqërore.