Shtojca për Kulturë

“DokuFesti” i ekzistencës me Inteligjencën Artificiale

“I AM AI AM I” ose në shqip “UNË JAM IA A JAM” mëton të “gjurmojë” algoritmet e mbijetesës së inteligjencës njerëzore përballë asaj artificiale (Foto: Kushtrim Haxha)

Nëse do të shkëputej vetëm pjesa e parë e temës së sivjetme të “DokuFestit”, kuptimi do të nxirrej te “I AM...” ose “UNË JAM...”, dhe me të merr peshë qenësia, njeriu. Por sivjet në lojë është vazhdimi, “AI” ose “IA” për Inteligjencën Artificiale dhe dilema “nëse JAM”. Prerazi, një moto si kjo – “UNË JAM IA A JAM” – rrotullohet në kuptime të ndryshme tek konfirmon njeriun, inteligjencën artificiale dhe shtron pyetje. Në esencë, nëse do të duhej të përkufizohej si filozofi, “DokuFesti” është ekzistencialist, ekzistencializmi ka në qendër ekzistencën njerëzore dhe deri diku këtu merr kuptim përgjigjja se megjithatë, njeriu është i pazëvendësueshëm, sot i pashkëputur prej Inteligjencës Artificiale. Filmat e së shtunës kanë dhënë këndvështrime të ndryshme për një raport të tillë, njashtu sikurse edhe publiku e kritikët e filmit

E pafundme duket bota e filmave të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”. Por jo vetëm. Sivjet ka futur në listë filmat fanta-shkencë që në hapjen e së premtes mbrëma e me një të këtij soji edhe do të mbyllet.

Për nëntë ditë, Prizrenin e transformon në qendër të kinematografisë bashkë me programet tejet domethënëse që formësohen çdo vit si degë të temës kryesore. Trungu i tyre sivjet është “I AM AI AM I” ose në shqip “UNË JAM IA A JAM”. Nëpërmjet saj mëton të “gjurmojë” algoritmet e mbijetesës së inteligjencës njerëzore përballë asaj artificiale.

Është e padiskutueshme tanimë pesha e “DokuFestit” për reputacionin kulturor e artistik të shtetit. Veçmas qytetit të Prizrenit. Që në ditën e parë ka marrë tjetër frymë. Për dallim prej edicionit të kaluar ku shenjat e Festivalit ishin gjithandej në rrugë, kafehane a gjetiu, sivjet janë zëvendësuar me jehonën më të bujshme për aktivitetet e saj. Përderisa ata që banojnë në Prizren e përreth janë të njohur kaherë me ngjarjen, në këtë rreth veçse po bashkohen edhe qytete të tjera. Komuniteti artistik e më gjerë, qysh në hapje rrugëtoi për në qytetin historik e nikoqirin e Festivalit për 22 vjet.

Në ditët e Festivalit është mbase qyteti i vetëm ku kufiri mes ditës e natës nuk ekziston kur bëhet fjalë për gjallërinë e qytetit. Shenjat e qytetit historik e me shumë kultura janë gjithnjë. Pjesëve të ndryshme të qytetit u janë shtuar hapësirat e argëtimit me kinematë e improvizuara si kinematë “Lunar”, “Sunar” e “Kino Lumi”. Kjo e fundit ofron tjetër dimension të të shikuarit një film kur shtohet edhe efekti i rrjedhës së lumit dhe freskinë që sjell mbrëmjeve në qytet. Hapësira atraktive është tjetër çështje.

Jo larg prej kinemasë është edhe “Andrra Stage” ku zhvillohet pjesa më e madhe e programit muzikor të Festivalit – “DokuNights”. Me koncertet me muzikë elektronike aty që jehojnë deri kur zbardh dita, e mbajnë programin e “DokuFest” pothuajse të lidhur gjatë gjithë kohës. Pas përfundimit të ceremonisë së hapjes, magjia e netëve me muzikë nisi me artisten kanadeze Merill Nisker, e njohur ndërkombëtarisht me emrin artistik “Peaches”. Jo veç ritmi i muzikës elektronike, por edhe gërshetimi me instrumente të tjera si kitarë elektrike e piano i shtuan magji.

Image
Publiku “DokuFestit” është i pazëvendësueshëm (Foto: Elmedina Arapi)

Teknologjia si mekanizëm i burgosjes

Në ditën e dytë të Festivalit ka nisur që herët eksplorimi i temës “I AM AI AM I” që vjen si pohim e pyetje rreth të qenit Inteligjencë Artificiale. Prej orarit të parë të shfaqjes së filmave më tri hapësira paralelisht, njëri prej tyre ka qenë dokumentari “Total Trust” me regjisore e producente kinezen Jialing Zhang. Aty zbërthehet jeta e njeriut në shtetin me regjim komunist në kohën kur teknologjia është çdoherë në zhvillim. Digjitalizimi do të ishte kryefjala nëse do duhej të përmblidhej shkurt.

Filmi nis me fjalët se Partia Komuniste Kineze është e ardhmja e ndritur për popullin. Krejt si kontrapunkt vjen menjëherë rrëfimi për burrin e arrestuar nga policia në janar të vitit 2020 me akuzën për tentativë për përmbysje të pushtetit. Ai ishte avokat i të drejtave të njeriut, në dokumentar thuhet se të gjithë klientët e tij ishin të përndjekur nga regjimi.

Image
Në ditën e dytë të “DokuFestit” ka nisur që herët eksplorimi i temës “I AM AI AM I” që vjen si pohim e pyetje rreth të qenit Inteligjencë Artificiale. Prej orarit të parë të shfaqjes së filmave më tri hapësira paralelisht, njëri prej tyre ka qenë dokumentari “Total Trust” me regjisore e producente kinezen, Jialing Zhang

Sofia, një gazetare tregon se si ishte kishte rënë në sy për shkak të parregullsive e skandaleve që kishte raportuar. Avokati Weiping Chang i kishte ofruar mbrojtje juridike falas. Në burg ai ia kishte dalë të dokumentonte dhunën e torturën që po i bëhej me rreth 200 video ku shfaqej duke folur e duke shpalosur fakte.

Rrëfimi në dokumentar zhvendoset në aeroport ku nis të shpaloset teknologjia tejet e sofistikuar në identifikimin automatik të fytyrave të personave të kërkuar e përndjekur. Herë pas here kanë zënë vend lajme për arrestime me anë të këtyre pajisjeve. Robotika është paraqitur si tjetër segment i shpërfaqjes së zhvillimit teknologjik. Kina në përgjithësi vizualizohet në dokumentar si vend mbikëqyrës tejet i rreptë që për praktikë të saj ka teknologjinë si mekanizëm.

Në “Total Trust” raportohet për rreth 300 avokatë të arrestuar nën akuza për destabilizimin e Kinës. Të dhënat për mbikëqyrjen njerëzore janë në fokus. Në çdo hap secili është nën vëzhgim me anë të 120 milionë kamerave në gjithë shtetin. Në dokumentarin e prodhuar këtë vit, thuhet se do të vendosen edhe rreth 400 milionë kamera në krejt shtetin deri në tri vitet e ardhshme. Qëllimi është të shtohet kontrolli i shtetit mbi secilin individ.

Njëra prej vëzhgueseve që i kontribuon këtij qëllimi rrëfen në dokumentar se ata vizitojnë deri në një mijë familje në muaj dhe se ata të cilët kanë sjellje dyshuese futen në listë për vëzhgim publik. Gazetarja Sophia në anën tjetër, dëshmon ndikimin e vëzhgimit teknologjik ndaj saj. Kur ishte marrë në pyetje nga policia shtetërore i ishin marrë shenjat e gishtërinjve, tingujt e zërit e pamja retinës të syve. Kësisoj, tregon se në publik mund ta identifikojnë edhe nëse mban maskë e edhe kur flet.

Njëri prej avokatëve tregon se është gjëja më e rrezikshme në Kinë të akuzohesh për nxitje a tentativë për përmbysje të pushtetit. Të dhënat në dokumentar dokumentojnë dëmin e teknologjisë e jetën pa privatësi në çdo hap. Në anën tjetër, teknologjia është po ashtu mjeti që përdoret për të bërë thirrje për ta liruar avokatin Chang, por e kontrolluar. Gruaja dhe i biri i tij i drejtohen publikut me një thirrje publike për të nënshkruar peticionin për lirimin e tij. E ngarkojnë një video dhe jo shumë kohë do që ajo të fshihet nëpër rrjete sociale. Kjo ngjan edhe nëse ajo tenton të hapë një llogari në to.

Kjo demonstrohet konkretisht edhe kur pa treguar, dikush mund të dijë pijen tënde të preferuar, në këtë rast ajo alkoolike me qëllim të dehjes dhe detyrimit për të firmosur dokumente që shkelin të drejtat e individëve. Kina shpërfaqet si vendi i ngulfatur nga teknologjia ku populli tashmë veçse është vetëcensuruar, ashtu edhe media.

Përsosmëria e teknologjisë në përcjellje vjen edhe kur familja e avokatit të arrestuar udhëton për dy mijë kilometra për ta parë, të paktën për të mësuar për fatin e tij në ditën e gjykimit. Por ndalohen nga policia, pasi ishin gjurmuar prej sinjaleve të telefonit. Pushtimi teknologjik vjen edhe prej kontrolleve shëndetësore në kohën e pandemisë, ku çdo dyqan mban një sistem për të “skanuar” gjendjen shëndetësore.

“Të dhënat e bëjnë totalitarizmin më të lehtë, këtu është kontroll total”, thotë gazetarja Sophia Huang në dokumentar. Në Kinë tanimë vetë koncepti për teknologjinë paraqet kontrollin total. Filmi shpërfaq atë se sa e frikshme mund të jenë përmasat e fuqisë së teknologjisë.

Gjermania Ann-Kathrin Ebinger, e cila ka qenë në “DokuKino” në Prizren për të parë filmin “Total Trust”, e ka vlerësuar teknologjinë në këtë rast edhe si mjet burgosjeje.

“Ishte dëshmi se sa shumë të dhëna përdoren për të zhvilluar sistemin e përndjekjes në Kinë dhe aktivitetet e Qeverisë për kontroll, se si njerëzit madje janë arrestuar dhe gjykuar. Është si larg realitetit, jam ende duke e procesuar disi. Janë sikur të burgosur nga teknologjia”, ka thënë ajo.

Inteligjenca Artificiale në zëvendësim të aktorëve

“DokuKino” ka qenë kinemaja me fluksin më të madh paraditen dhe mesditën e së shtunës. Po aty është shpalosur edhe rrëfimi i dokumentarit “Stuntwomen” i regjisores Elena Avdija që jeton në Zvicër. Loja e rrezikshme e aktoreve është kryefjalë e filmit – teknologjia si mediumi tjetër ku gratë nënçmohen. Rrëzimi nga shkallët, goditja nga makina apo edhe rrahja, janë prej atyre që praktikohen. Në fakt, me filmin dokumentar sillen prapaskenat e filmave ku praktikohen këto skena.

Virginie, Petra dhe Estelle janë personazhet prej të cilave ndërtohet krejt rrëfimi. Ato shpesh injorohen e përçmohen nga kolegët a nxënësit e tyre. Shpërfaqet fakti se ka pak filma aksion që për heronj kanë gratë dhe se ato zakonisht luajnë rolin e viktimave, se atyre u jepen rolet për të duruar dhunën derisa detyra e kolegëve të tyre burra është ta praktikojnë atë. Prej kësaj pike edhe kishte nisur gjeneza për idenë e filmit dokumentar.

“Në fillim kam qenë më e fasionuar me prapaskenat e industrisë së kinemave, se si e bën filmin fiksion, sepse e dimë se asgjë nuk është e vërtetë, por është një vrojtim i realitetit. Mua më interesoi se si e bën dhunën të duket e vërtetë dhe kur fillova këtë projekt u thashë aktoreve se është botë më mashkullore për shkak të veturave, luftërave. Ishte veç një pyetje se kush janë gratë në këtë botë burrash. Kuptova se kur gratë janë të përfshira në skena dhune, në shumë raste veçse është ushtrim dhune”, ka thënë regjisorja e filmit dokumentar “Stuntwomen”, Elena Avdija.

Përmbajtja e filmit ku dokumentohet trajtimi i gruas në industrinë e filmit, ka ngritur pyetjet në mundësinë e zëvendësimit të aktorëve me inteligjencë artificiale.

”Njerëzit janë më të lirë, nuk do të zhduket aktiviteti i njeriut, të paktën tani. Për flakën, për shembull, mund të përdorin efekte të veçanta, por prapë të duhet njeriu. Edhe nëse ke një ekran të gjelbër prapa, pretendimet e rënies dhe kërcimet nga një lartësi janë të nevojshme. Nuk jemi të frikësuar për zëvendësim, jemi më entuziastë për të parë se si do të mund t’i përdornim”, ka thënë Avdija, filmi i së cilës është shfaqur premierë në Kosovë të shtunën. Konkurron kategorinë “Balkan Dox”.

Emily Shin Jie Lee, që ka udhëtuar nga Tajvani për të ndjekur edicionin e sivjetmë të “DokuFest”, e ka vlerësuar filmin me mesazh tejet të fuqishëm. “Në eksperiencën e tyre ato zbulojnë problemet në botën kinematografike. Ne nuk shohim si funksionon prapaskena e kinematografisë, por në këtë film vërtet mund të shohësh pabarazitë gjinore, situata të ndryshme që u ngjajnë vetëm grave. Mendoj se dokumentari përdor një gjuhë të butë për të folur për këto probleme në një mënyrë interesante”, ka vlerësuar ajo.

Image
“DokuKino” ka qenë kinemaja me fluksin më të madh paraditen dhe mesditën e së shtunës. Po aty është shpalosur edhe rrëfimi i dokumentarit “Stuntwomen” i regjisores Elena Avdija që jeton në Zvicër. Loja e rrezikshme e aktoreve është kryefjalë e filmit – teknologjia si mediumi tjetër ku gratë nënçmohen

Kthimi në vitet ‘90 dhe kontrastet teknologjike

“Heshtja e pemëve të bananes” i regjisorit shqiptar Eneos Çarka ka qenë kthim pas në kohë. Në atë të viteve ’90, dokumentari i metrazhit të shkurtër ka qenë udhëtimi prapa për më shumë se tri dekada që sjell në pah diferencën teknologjike. Pemë bananesh janë kudo në shtëpinë e protagonistit që rrëfen historinë e trishtë të ndarjes së tij me vajzën. Kualiteti i pamjes dhe efektet vizuale janë njëlloj e përbashkët me konceptin e temën së sivjetme. Tjetri kontrast në film është kur krijohen iluzione dhe veprime abnormale me objektet.

Edicioni i 22-të i “DokuFest” ka ardhur i paprecendentë sivjet. Nisur prej hapjes kur performanca hapëse u bë prej një “mjeti digjital”. I është përshtatur temës “I AM AI AM I”.

Programeri i filmave, britaniku Stevens Brown, ka thënë se inteligjenca artificiale ka luajtur rol në digjitalizimin e shoqërisë, pasi ka mundësuar mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave në kohë më të shkurtër.

“E ardhmja e ndritshme, me plot mundësi”

“E ardhmja e Inteligjencës Artificiale është e ndritshme dhe plot mundësi. Derisa shoqëria vazhdon të praktikojë këtë teknologji, është bazike që ne të jemi të ndërgjegjshëm për ndikimin e saj dhe të punojmë për të adresuar sfidat që vijnë me evolucionin e saj. Duke vepruar kështu, ne mund të sigurojmë që inteligjenca artificiale do të luajë rol pozitiv në botën tonë, duke përmirësuar jetën tonë dhe duke krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vijnë”, ka thënë ai.

Kritikja tajvaneze e filmit, Hsiean I-Hsuan, ka thënë se inteligjenca artificiale nuk mund të gjenerojë ato që i bën njeriu me kreativitetin e tij. “Njerëzit kanë ndjenjat e tyre, emocionet dhe mendoj se inteligjenca artificiale nuk mund ta bëjë këtë. Si filmbërëse mendoj se profesionalizmi dhe aftësitë tona për të kuptuar mendimet e emocionet e njerëzve tjerë dhe tentativat për të gjetur mënyra për t’u lidhur me të tjerët, mendoj se nuk është aq e lehtë ta bëjë këtë një inteligjencë artificiale”, ka thënë I-Hsuan

Mikja e saj, Emily Shin Jie Lee e ka vlerësuar temën e sivjetme si të përshtatshme dhe fort aktuale.

“Tema e këtij edicioni është shumë interesante dhe në kohë tejet të duhur. Jetojmë në këtë botë teknologjike ku çdo ditë përdorim lloje të ndryshme të saj. Shpesh nuk pyesim për këtë infrastrukturë apo sistem. Është mrekulli sesi një festival si ‘DokuFesti’ e vë në qendër këtë temë dhe e përdor atë për të ngritur pyetje të ndryshme”, ka thënë ajo.

Testimi i kreativitetit edhe në muzikë

Një test modest për ndikimin e inteligjencës artificiale në skenën e muzikës ka qenë në hapje në këngën me vokal të Edona Vatocit dhe me tekst e muzikë të gjeneruar prej Chat GPT. Producenti i muzikës, Hazbi Avdiu ka thënë se e ka provuar edhe vetë një gjë të tillë, por se nuk posedon kreativitetin e njeriut.

“Unë kur e kam bërë albumin e parë, shumë grupe muzikore më kanë thënë se është shumë muzikë e veçantë pasi nuk po e përdor strukturën normale të këngës. Doja të bëja diçka më kreative. Kam provuar disa programe të AI që prodhojnë muzikë, e mbajnë muzikën më standarde. Kur kam analizuar kam parë se ne kemi kreativitetin që AI nuk mundet ta ketë. Mund të sofistikohet ndoshta, por për disa vjet e di se nuk jam i rrezikuar”, ka thënë ai.

Së paku tash për tash, ai ka të drejtë. Shembulli: “DokuFesti”. Atë e bëjnë njerëzit. Një armatë njerëzish. Se sa e përdorin Inteligjencën Artificiale, është tjetër temë.