Muzikë, gjallëri, spiritualitet e dashuri përtej linjave të paragjykimit i kanë falur publikut kosovar “drag queens” të Beogradit, Dekadenca, Markiza de Sada dhe Lady K. nëpërmjet performancave “Në prag të thyerjes“ dhe “Nata e Divave”
Kur perdja e kuqe e Teatrit Oda nis e ngrihet dhe sytë e publikut i janë drejtuar skenës, dalëngadalë fillon definimi i siluetave të dy zonjave. Me një qëndrim përballë audiencës dhe afër njëra-tjetrës, ato paralajmërojnë nisjen e performancës “Në prag të thyerjes”. Një melodi e lehtë dhe qiej që lëvizin në ekranin e prapaskenës janë sinjali i vazhdimësisë së ditës së katërt të festivalit “FemArt”.
Një studio e improvizuar televizive bëhet mjeti prej të cilit përzihen ironia bashkë me shpërfaqjen e mënyrës së konceptimit të shoqërisë, e cila e cilëson veten elitare. Krejt çka i vyen një emisioni është i pranishëm në spektaklin e divave të njohura të Beogradit, Dekadenca dhe Markiza de Sad.
Dekadenca, e cila në jetën reale është dizajner grafik dhe artist i pavarur në Beograd, në skenë qe dhjetë vjet shpërfaq drag kabarenë, e cila i jep jetë performancave nëpër vende të shumta të Ballkanit. Ndërkaq prapaskena e jetës së Markiza de Sada ndërlidhet me drama radiofonike, fushata mode e udhëheqëse projektesh për komunitetin të cilin e përfaqëson.
Strukturalisht me një kronologji televizive, me praninë e reklamave e marketingut, si dhe me përmbylljen finale, pjesa e parë e performancës të dërgon mesazhe për dashurinë pa dallime gjinie, me fokusimin në shpirtëroren, por edhe përqeshjen për pushtimin e njerëzve në tentim të gjetjes së një “energjie pozitive” në jetë.
Krejt ndryshe nga ajo është pjesa e dytë, e cila pas pak minutash të pauzës, përveç Dekadencës, sjell në skenë edhe pianisten, e cila ka kompozuar në Serbi, Kroaci e Slloveni, Katarina Rankoviq, e cila njihet me emërtimin e saj artistik Lady K. Më e gjallë e intensive mes gërshetimit muzikor dhe performues, performanca “Nata e divave” në “Dodonë” po të premten mbrëma e mban publikun aktiv përgjatë gjithë kohës. Nuk i ngjan koncerteve me rregulla strikte, program të përzgjedhur paraprakisht e një orar performues. Gjithçka nis natyrshëm, duke i zgjedhur vetë solistet, herë njëra në piano, e tjetra në këndim, për t'i ndryshuar rolet herë pas here dhe për t’i falë një natë plot gjallëri publikut kosovar, para të cilëve tri artistet u paraqitën për të parën herë.
“Nuk jam nga Serbia, vij nga një vend tjetër: nga globi. Nuk jetoj atje, jam veç e përkohshme atje dhe e shpenzoj energjinë atje”, thotë simbolikisht në fillim të intervistës me pamjen e saj ekstravagante, Markiza de Sada.
Publikun në Kosovë e cilëson si shumë të dashur dhe se po i falin trajtim dinjitoz.
“Kemi qenë pak të frikësuara nga mënyra sesi do ta presë audienca performancën. Jam shumë e kënaqur që ata e deshën dhe e kuptuan nga vijmë ne”, ka thënë ajo e kënaqur, duke thënë se tash pret të vijë sërish për performanca në Prishtinë.
Performancën “Në prag të thyerjes” e cilëson si një shpërfaqje të vogël e të bukur të shumë temave.
“Dekadenca dhe unë kemi qenë duke folur për statusin e prezantimit të spiritualitetit. Kuptohet nga një pikëpamje ironike, jemi dakorduar që t’i bashkojmë krejt këto gjëra që ne i kemi gjetur si shtypëse në jetët tona sociale”, ka thënë ajo.
Dekadenca në Prishtinë e gjeti veten duke interpretuar rolin e njëjtë në dy performancat, por me energji krejt ndryshe në thelb.
“Karakteri im është i njëjti, por performancat janë krejtësisht ndryshe nga njëra-tjetra. Pjesa e parë ka të bëjë me një energji të mençur e bashkëkohore, me pjesën e komentimit të spirituales, një frymë e re krejtësisht. Ndërkaq kabaretë kanë qenë këtu për të na bërë të qeshim e të ndiejmë diçka”, ka thënë ajo, teksa i përshkruan rolet.
Ka thënë se për të tashmë është diçka e mësuar performimi kaq intensiv, për shkak të bagazhit dhjetëvjeçar në këtë fushë. Ndërkaq për performancën muzikore thotë se këngët që i kanë kënduar kanë ardhur nga dashuria për muzikën.
“Është një mix i këngëve që ne privatisht duam t’i dëgjojmë e mandej edhe t’i performojmë. Ne nuk bëjmë program, vetëm ulemi, pimë dhe këndojmë këngët të cilat i duam. E rëndësishme për muzikën është shpërndarja e emocionit dhe kur këndon ose luan në instrument, t’i e ndien dhe audienca e ndien gjithashtu”, ka thënë pianistja Lady K.
Sipas saj, performancat janë të tilla që gjithmonë i sjellin ”ping-pong” energjie midis saj dhe publikut. Të njëjtën pranon ta ketë gjetur edhe në Kosovë.
“Energji dhe njerëz të bukur. Mendoj se kudo që ne performojmë dhe gjejmë energji si në Prishtinë është kënaqësi për ne. Është hera ime e parë këtu dhe do të dëshiroja të vija sërish për një audiencë kaq të mirë dhe njerëz që e pëlqejnë dhe komentojnë këtë lloj të performancës”, ka thënë ajo.
Drag performancat i sheh më shumë se punë, teksa çmon faktin e pranimit të tyre pikërisht nga rinia.
“Pashë shumë njerëz te rinj dhe kjo është shumë e mirë, ky lloj festivali dhe organizimi është një progres kulturor në mes të audiencës rreth gjithë botës, e veçmas në Ballkan”, ka thënë pianistja serbe.