Shtojca për Kulturë

E kaluara – nyjë e pazgjidhur midis shqiptarëve dhe serbëve

Debati në temën “Nyja e Kosovës në kohë protestash masive në Serbi” dhe promovimi i botimit “Kronologjia e Kosovës 2.0”, kanë qenë dy prej ngjarjeve të ditës së tretë të “Mirëdita, dobar dan!” në Prishtinë

Debati në temën “Nyja e Kosovës në kohë protestash masive në Serbi” dhe promovimi i botimit “Kronologjia e Kosovës 2.0”, kanë qenë dy prej ngjarjeve të ditës së tretë të “Mirëdita, dobar dan!” në Prishtinë

Debati “Nyja e Kosovës në kohë protestash masive në Serbi” ka nxjerrë në pah dy realitete paralele: një Serbi që shpërthen në protesta dhe një Kosovë që hesht në mes të bllokadave. Por edhe në një konstante të përbashkët, mungesën e një diskursi të ri politik që do t’u fliste njerëzve të zakonshëm. Në këtë dritë, debati i “Mirëdita, dobar dan!” ka funksionuar si hapësirë ku këto dy stagnime janë parë sy më sy. Aty është kuptuar se, pavarësisht kontrasteve, nyja e madhe e raporteve Kosovë–Serbi mbetet e njëjta: një shprehi politike që nuk lëviz dot përtej së kaluarës

Ritmi i brendshëm i debatit publik i është shtuar të shtunën festivalit “Mirëdita, dobar dan!” që në hapësirat e hotelit “Grand”, prej së enjtes po zhvillohen tema të ndryshme që kanë të bëjnë me situatat në Serbi e në Kosovë. Kësaj radhe është zhvilluar biseda mbi krizën aktuale politike në Serbi, protestat studentore në Novi-Sad dhe implikimet që këto ngjarje i kanë për marrëdhëniet Kosovë–Serbi. Në të njëjtën kohë, është diskutuar edhe për krizat institucionale në Kosovë dhe mënyrat se si mund të ndikojnë ato në raportet bilaterale. Debati, i kombinuar me promovimin e botimit “Kronologjia e Kosovës 2.0” të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ka sjellë perspektiva nga aktivistë, studiues e gazetarë, për t’i lidhur zhvillimet e fundit të Serbisë me dinamikat e ngrira të Kosovës. Por të ngrira mbeten raportet. E kaluara, mospranimi i saj vazhdojnë ta mbajnë peng.

Në thelb, biseda ka pasqyruar një qasje të dyfishtë: atë të protestës së papritur që shpërtheu pas shembjes tragjike të kulmit të stacionit hekurudhor në Novi-Sad – ngjarje ku humbën jetën 16 persona – dhe atë të mungesës së ndonjë lëvizjeje të krahasueshme në Kosovë, pavarësisht bllokadave politike e dështimeve të shpeshta institucionale.

Prej anulimit të edicionit të kaluar, panelistët kanë kaluar nëpër shumë tema që përfshijnë të përbashkëtat dhe ngjarjet e së kaluarës mes dy vendeve. Lufta e Kosovës, planet politike të zhvilluara deri më sot, raportimet mediatike ndër vite në të dy vendet, idetë e daljes prej krize, përfshirjen e politikave të reja në qeveritë e ardhshme, janë disa nga temat që janë folur për një orë e gjysmë, madje deri te krijimi i një ngjarjeje më madhore sesa ky festival, që bën bashkë më shumë të rinj serbë dhe shqiptarë, pavarësisht pse as kjo që ekziston, nuk realizohet siç duhet.

Moderatorja Tatjana Lazareviq ka hapur diskutimin me një vërejtje të drejtpërdrejtë për mungesën e reflektimit të protestave studentore në diskursin kosovar. Sipas saj, kriza është një e përbashkët e dy shoqërive, por temat qendrore nuk janë përkthyer nga njëra hapësirë në tjetrën.

“Shihet mundësia e madhe e vazhdimit të krizës edhe në Kosovë edhe në Serbi. Në Kosovë nuk janë temë protestat studentore... Do të kisha pasur dëshirë të kemi pasur, ose përmes prizmës së Vuçiqit ose ndonjë ndodhi kruciale si më 15 mars, ose më 1 nëntor 2024. Për këtë arsye, me plot dëshirë e kam pranuar këtë thirrje. Do të doja që bashkëbiseduesit të na ofrojnë informacione nga dora e parë si e shikojnë krizën, ku është pika kontaktuese, çka i bashkon njerëzit e çka i ndan”, ka thënë ajo.

Pikërisht ky kontrast, me Serbinë në mes të protestave të papara prej vitesh dhe me Kosovën e heshtur në kohë bllokadash, ka shërbyer si pikë udhëheqëse e debatit.

Fronti i paprekur nga regjimi serb

Nga Serbia, panelisti Dimitrije Prokopoviq ka ofruar një pasqyrë nga brenda protestave, duke e parë universitetin si frontin e fundit qytetar të paprekur nga regjimi.

“Universitetet dhe fakultetet janë institucionet e vetme në Serbi që funksionojnë dhe që e kryejnë punën e vet si duhet. Në momentin kur regjimi ka vendosur të bllokojë të gjitha institucionet e tyre në shtetin tonë, edhe ne kemi vendosur t’i bllokojmë fakultetet tona, për t’u treguar atyre se sa jemi të gatshëm për një lloj ndryshimi dhe nëse mund të zgjojmë vetëdijen e njerëzve”, ka thënë ai.

Në këtë paralelizëm, protesta studentore merr kuptimin e një reagimi instinktiv ndaj degradimit institucional, një realitet që, siç është thënë, në Kosovë vazhdon të legjitimohet përmes mungesës së reagimit publik.

Panelisti Branimir Gjuroviq ka theksuar se raportet shqiptaro-serbe mbeten të bllokuara nga e kaluara, e cila në të dy vendet vazhdon të injorohet.

“Mendoj se paradigma e raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve dhe ballafaqimi me të kaluarën janë në Dhomat e Specializuara dhe fakti është që as në Serbi e as në Kosovë, shoqëritë tona nuk janë përballur me ngjarjet e viteve ‘90. Serbët i injorojnë krimet ndaj shqiptarëve, nuk flitet për varrezat masive dhe për të zhdukurit. Në Kosovë, e di që edhe njerëzit që janë të hapur për të diskutuar për këto tema, nuk dinë për krimet që janë kryer kundër serbëve në Kosovë dhe kjo na sjell në një situatë ku ne e injorojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

Mbyllja në rrethin vicioz

Në këtë prizëm, edhe protestat e Serbisë mbeten të shkëputura nga nevoja më e gjerë: çlirimi i shoqërive nga narrativat e ngrira të luftës.

Gazetari Vullnet Krasniqi ka shtjelluar idenë se bllokadat e sotme politike në të dy vendet lidhen me faktin që udhëheqësit janë akterë të drejtpërdrejtë të epokës së luftës. Në këtë logjikë, sipas tij, e ardhmja politike duhet të ndërtohet nga figura të reja, të çliruara nga pesha emocionale e të kaluarës.

“Nëse ne e shohim njëri-tjetrin si mjet për ta mbajtur pushtetin, por jo për ta garantuar një politikë të re në Kosovë dhe në Serbi, atëherë mendoj se jemi të mbyllur në këtë rrethin vicioz, ku as protestat në Serbi nuk garantojnë ndonjë lëvizje të re politike, e as kjo lëvizja e re politike në Kosovë nuk garanton se do të ketë një qasje të re karshi serbëve në Kosovë. Ende nuk e kemi gjetur një qasje se qysh t’u flasim serbëve lokalë. Si zgjidhje të vetme e shoh formimin e një linje komplet të re politike, si në Kosovë e si në Serbi”, ka thënë ai, duke shtuar se Kurti ka kaluar burgun e Serbisë, ndërsa Vuçiqi ka qenë pjesë e qeverisë së Millosheviqit dhe se udhëheqja e ardhshme duhet të gjykojë “pa ndjenja”.

Nga perspektiva kosovare, Vjosa Çerkini, reportere për “Deutsche Welle”, është ndalur te mungesa e reagimit qytetar në vend, sidomos ndaj pasojave të bllokadave institucionale.

“Habitem që s’ka protesta... Kosova i ka privuar miliona euro prej BE-së për shkak të mosfunksionimit të institucioneve. Në këtë kohë, ne duhet të përballemi me kryeneçësi të politikanëve, është dëshpëruese”, ka thënë ajo.

“Rezultatet do të dalin pothuajse të njëjta... Këta politikanë që sot nuk janë përgjegjës për bllokadat, nuk e di çfarë progresi do të bëjnë vitin e ardhshëm”, ka shtuar ajo, duke vënë në pah se gara për pozita është bërë epiqendra e politikës.

Brenda të njëjtit aktivitet është prezantuar edhe botimi “Kronologjia e Kosovës 2.0” i YIHR-së, që mbledh shkrime të studiuesve të rinj mbi ngjarjet vendimtare të marrëdhënieve Kosovë–Serbi në periudhën 2018–2023. Vepra synon të krijojë një arkiv referencial që i ndihmon shoqëritë, serbe dhe shqiptare, të kuptojnë më qartë zhvillimet politike të dekadës së fundit dhe ta shohin vijueshmërinë e krizave që sot projektohen në forma të reja politike dhe qytetare.

Biseda në “Grand” ka nxjerrë në pah dy realitete paralele: një Serbi që shpërthen në protesta dhe një Kosovë që hesht në mes të bllokadave. Por edhe në një konstante të përbashkët, mungesën e një diskursi të ri politik që do t’u fliste njerëzve të zakonshëm.

Në këtë dritë, debati i “Mirëdita, dobar dan!” ka funksionuar si hapësirë ku këto dy stagnime janë parë sy më sy. Aty është kuptuar se, pavarësisht kontrasteve, nyja e madhe e raporteve Kosovë–Serbi mbetet e njëjta: një shprehi politike që nuk lëviz dot përtej së kaluarës.

Në ditën e tretë është mbajtur edhe një natë poezie me poeten Radmila Petroviq.