Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas kërkesës së Selimit tërhiqet propozimi për ta ftuar Tredafilovën për raportim

Komisioni

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e kanë tërhequr nga Komisioni për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, punë, familje, vlerat e luftës çlirimtare dhe peticione, propozimin për dërgimin e ftesës zyrtare për raportim në Komision, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo pas kërkesës së deputetes së Vetëvendosjes Shqipe Selimi, e cila ka vlerësuar se tani nuk është koha e duhur për ta bërë një kërkesë të tillë.

Deputetja Selimi, e cila nuk është anëtare e Komisionit, ka thënë se gjykatat apo kryetarët e gjykatave nuk raportojnë në Kuvend.

“Në Kuvend kanë një raport vetëm Këshilli Gjyqësor apo Prokurorial. Më lejoni të ju tregoj se Dhomat e Specializuara nuk i paraqesin raport Kuvendit dhe Kuvendi s’ka kompetencë për këtë. Më lejoni, kolegë, të ju kujtoj se çka keni votuar, çfarë kompetenca i keni dhënë. Ky nen e vendos supremacinë mbi ligjet e Kosovës. Nuk i ftojmë kryetarët e gjykatave tona, e lëre më të gjykatave të tjera”, ka theksuar Selimi, e cila ka kërkuar që shqyrtimi i kërkesës të shtyhet për muajin korrik ose shtator. 

“Procesin në Hagë mos e bëni pjesë të fushatave politike. Unë nuk e kam bërë. Më lejoni të ju kujtoj se çka keni votuar atëherë: një organ, një gjykatë me ligj të Kosovës, një gjykatë hibride që nuk mund ta kontrollojmë. Prandaj ne, kolegë deputetë, nuk jemi kundër as unë, as kolegët e mi por mendojeni edhe një herë”.

Ajo ka shprehur drojën që përgjigja që do të marrin nga Trendafilova do të mund të jetë më e dëmshme sesa kërkesa e tyre për raportim.

“Përpara se Komisioni, do duhej të bëhej një kërkesë Këshillit të Evropës, pasi Dhomat e Specializuara janë votuar nga aty. Emërimet e atyre gjyqtarëve kanë ardhur nga BE. Nëse sot vendosni që diçka të thuhet, të shkruhet, duhet për Këshillin e Evropës, më shumë sesa për Dhomat e Specializuara”, ka deklaruar Selimi.

Ajo e ka pyetur Behramin nëse është konsultuar me ndonjë ekip të avokatëve lidhur me kërkesën.

“Ndoshta një konsultë do të kishte qenë më e mirë. Edhe tjetra, keni pasur 5 vjet për ta treguar qëllimin tuaj; ju deshën katër vjet për ta sjellë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, dhe ne si LVV e mbështetëm, përkundër juve që LVV është kundër çdo gjëje. Pra, si rezoluta si kjo ftesë, nuk e di çfarë efekti do të kenë atje, vetëm ndonjë efekt negativ që mund ta bëjnë”, është shprehur Selimi.

Behrami ka thënë se është i bindur që si deputetë mund të kërkojnë llogari nga Gjykata Speciale.

“Nuk jam konsultuar me askënd nga mbrojtja, pasi që unë jam i bindur se si deputet duhet të kërkoj llogari ndaj një gjykate që ka devijuar, dhe unë ju besoj juve nëse thoni se nuk është momenti i duhur”, është shprehur Behrami.

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka thënë se nëse Selimi do që kërkesa të tërhiqet, do ta bëjnë këtë. 

“Dhe në fund të fundit, s’po më pëlqen fakti se po diskutojmë çka s’kemi bërë. Ju po thoni se kjo rezolutë është bërë vonë, por kjo rezolutë ka mundur të bëhet më herët edhe prej VV-së, e jo vetëm prej PDK-së. Dhe nëse ju mendoni se duhet të tërhiqet kërkesë, ne do tërheqim", është shprehur Jashari.

Ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria ka kërkuar dënim më nga 45 vjet burgim për ta, ndërkohë që mbrojtja lirimin pasi ka konstatuar se organi i akuzës nuk ka argumentuar me asgjë pretendimet e saj.