Shtojca për Kulturë

Disenjatori elegant, i vendosur e pak misterioz

Për sfilatën e modës që u mbajt në Paris në janar, ai kishte veshur një kostum të zi kadifeje, me kopsa të dyfishta, teksa buzëqeshte duke ecur krah modeles së tij të preferuar, me sytë e kaltër që i xixëllonin

Për sfilatën e modës që u mbajt në Paris në janar, ai kishte veshur një kostum të zi kadifeje, me kopsa të dyfishta, teksa buzëqeshte duke ecur krah modeles së tij të preferuar, me sytë e kaltër që i xixëllonin

Me ndërrimin e stileve të jetesës, Armani krijoi një siluetë të re për t’u përshtatur. “Për mua, stili është një gjë që mund të aplikohet në gjithçka”, kishte thënë një herë ai. “Gjithnjë kam menduar se moda është më shumë sesa thjesht rrobat që veshim: është mënyrë e të jetuarit”. E kishte qejf të thoshte se “thelbi i stilit është që në mënyrë të thjeshtë të thuhet diçka komplekse”. Këtë citat e kishte huazuar nga Jean Cocteau, i cili thoshte se “stili është një mënyrë e thjeshtë për t’i thënë gjërat e komplikuara”

Jass Cartner-Morley

Giorgio Armani na ka veshur të gjithë ne. Edhe nëse s’i ke pasur paratë ta blesh një xhaketë me etiketën “Armani”, me siguri e ke veshur një xhaketë që ai e ka dizajnuar. Ai ishte mjeshtri i stilit bashkëkohor, arkitekti i mënyrës se si vishemi sot. Nëse për dasmë ke veshur kostum të pastrukturuar me një bluzë, apo nëse për punë ke veshur rroba me ngjyra të zbehta, e madje edhe nëse ke menduar se ta ngjyrosësh dhomën e ndenjës me ngjyrë hiri konsiderohet elegante – ky ishte Armani.

Armani ka punuar deri në ditët e tij të fundit. Për shfaqjen e tij të ardhshme që do të mbahej më 28 shtator në oborrin e shekullit XIV të “Palazzo Breras” në Milano, veçse qenë dërguar ftesat. Qe planifikuar një festë spektakolare për ta shoqëruar shfaqjen e tij, si kremtim i 50-vjetorit të krijimit të markës, të cilën e ka nisur në verën e vitit 1975.

Në telefonin tim gjenden dhjetëra video të Armanit, teksa parakalonte në fund të shfaqjeve të modës në Milano e në Paris. Gjatë dekadës së fundit, secili që është ulur në audiencë për t’i parë sfilatat e tij, ka qenë i vetëdijshëm se ndodhet në të njëjtën dhomë me një legjendë të gjallë. Çdo sfilatë, sado e shkurtër të ketë qenë, është ndier e nevojshme të mos humbë si moment, ngase as legjendat nuk jetojnë përherë.

Ato video tregojnë historinë e një burri fisnik e të vendosur, që edhe para një dekade – si 80 vjeç – dilte në parakalim, i veshur me bluza bojë qielli të errët, të cilat ia vinin në dukje fizikun mbresëlënës. Viteve të fundit, ecja e tij qe bërë më e ngadaltë dhe lëvizjet përshëndetëse të duarve ishin mëpak muskulore, por akoma dukej si pa të meta.

Giorgio Armani në fund të sfilatës së modës për koleksionin pranverë-verë të “Emporio Armani” më 1999 në Milano (Foto: Antonio Calanni/AP)

Për sfilatën e modës që u mbajt në Paris në janar, ai kishte veshur një kostum të zi kadifeje, me kopsa të dyfishta, teksa buzëqeshte duke ecur krah modeles së tij të preferuar, me sytë e kaltër që i xixëllonin.

Për herë të parë nuk qe i pranishëm në shfaqjet e modës në qershor dhe në korrik të këtij viti, mirëpo i ka përcjellë ato me videolink prej shtëpisë së tij dhe me gazetarët ka biseduar përmes emaileve.

Stili gazetaresk kërkon që t’i referohemi si “Armani”, mirëpo ai gjithnjë ishte “zoti Armani”, jo veç për industrinë në përgjithësi, por edhe për kolegët e ngushtë. Industria e modës për një kohë të gjatë ka preferuar emrat e parë, edhe për nivelet e larta – prapa skenës, Donatella është Donatella, si dhe Karli ishte Karl – por disenjatori komercialisht më i suksesshëm evropian i modës për shekullin e kaluar, s’ka qenë asnjëherë “Giorgio”, e as “Armani”; por gjithmonë “sinjor” ose “zoti Armani”.

Karakteri i tij ka qenë elegant, i veçantë dhe pak misterioz. Në rastet kur më ka rënë ta intervistoj – në shtëpinë e tij në Milano, gjatë Javës së Modës në Paris, e në jahtin e tij “Mariu” – ai ka qenë xhentil dhe i sjellshëm, një nikoqir përsosmërisht zemërbardhë, por gjithnjë me një nuancë rezervimi.

Historia e Armanit fillon me një kostum. Në fund të viteve ’70, Armani mori kostumin e zakonshëm, ndërhyri në ndjesinë e mbytjes që vjen prej tij e në traditën që bartte dhe e zëvendësoi atë me një pamje të sofistikuar urbane dhe një thërrime sharmi joshës. Me ta bërë këtë, ai rikrijoi veshjen dominuese për fundin e shekullit XX.

Për më tepër, në fakt, ai ripërcaktoi se çfarë do të thotë të dukesh modern. Armani kuptoi se si kishin filluar të zbuten ndarjet që dikur ishin të vendosura midis një ambienti pune të ngurtësuar nga rregullat dhe një “flluske” shtëpiake me shami të ngrohta, në vitet ‘70 dhe ‘80, edhe para se të vinte interneti për t’i asgjësuar. Rrobaqepësia e tij e zhdërvjellët i bëri thirrje një brezi që synonte një lloj tjetër suksesi, që donte ta bënte brezin të ndryshëm, por pa e humbur karakterin shpirtëror të tyre. Ata nuk donin të ngecnin në të njëjtën zyrë derisa ta kryenin orarin e tyre, por përkundrazi, të kalonin dhe të shëtisnin nëpër qytet.

Armani gjatë parakalimit në Milano më 1981 (Foto: Vittoriano Rastelli)

Me ndërrimin e stileve të jetesës, Armani krijoi një siluetë të re për t’u përshtatur. “Për mua, stili është një gjë që mund të aplikohet në gjithçka”, kishte thënë një herë ai. “Gjithnjë kam menduar se moda është më shumë sesa thjesht rrobat që veshim: është mënyrë e të jetuarit”. Kostumet e Armanit bënë që gjeneratat e reja të ndiheshin si bishat e xhunglës urbane. Nëse synoje të bëheshe arkitekt apo aktor, figurë mediatike apo agjent, ky kostum kallëzonte atë që ke dashur ta tregosh. Kostumin që kishte ngecur në rutinën “9 orë në ditë, 5 ditë në javë”, ai e mori dhe e ktheu në një veshje me stil rruge dhe me sensualitet.

Armani e kishte qejf të thoshte se “thelbi i stilit është që në mënyrë të thjeshtë të thuhet diçka komplekse”. Këtë citat e kishte huazuar nga Jean Cocteau, i cili thoshte se “stili është një mënyrë e thjeshtë për t’i thënë gjërat e komplikuara”. Çka bëri ai është që kostumit të zakonshëm të burrave ia hoqi shtresat e supeve.

Pasi hoqi astarin, pëlhura rrinte më ndryshe, ishte më pak e ngurtë, me një qëndrim të çlirët dhe stil ndryshe. I uli më poshtë kopsat e xhaketës dhe pantallonat i bëri më të plotë. Silueta që ai e kishte përsosur gjatë viteve ’70, mori jetë në ekranin e madh, kur Richard Gere e veshi në “American Gigolo” në vitin 1980, një pamje që dukej se pasqyronte shpirtin e kohës moderne. Një burrë i veshur me kostum “Armani” dukej në të njëjtën kohë primitiv e i uritur, por disi urban e i sofistikuar – një kombinim magjepsës i forcës me epshin, si dhe i luksit me egon.

Armani ishte kritik i hapur ndaj prodhimit të shfrenuar në modën moderne, duke kritikuar stilistët e tjerë për numrin e tepërt të koleksioneve që krijonin. “Nuk ka kuptim që koleksionet e mia të qëndrojnë në dyqane vetëm për tri javë e pastaj të bëhen të vjetruara”, ka shkruar ai në një letër të hapur në vitin 2020. “Unë nuk punoj në atë mënyrë dhe këtë punë e konsideroj joetike”.

Në dy dekadat e para të shekullit XXI, refuzimi i Armanit për t’u përfshirë në trende e bëri atë objekt kritike si i vjetruar dhe i shkëputur nga realiteti. Ai kurrë nuk i ndryshoi tërësisht as rrobat që dizajnoi e as stilin e vet, por edhe një herë u dëshmua se ai i printe kohës së tij.

Ndryshimi drejt qëndrueshmërisë ka bërë që të rikthehet në modë pikëpamja e tij se veshjet duhet të dizajnohen dhe të prodhohen për të zgjatur. Ai një herë ka thënë: “Eleganca nuk është për t’u vënë re, por për t’u mbajtur në mend”. Armani nuk është më midis nesh, por asnjëherë nuk do të harrohet.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Sinan Berisha