Pa skena e pritshmëri të mëdha, festivali “Circle Fest” mendohet të krijojë një model ku arti nuk kërkon të jetë i plotë, vetëm i vërtetë në fragmentet që e përbëjnë. Siç edhe përkufizohet në konceptin e tij, festivali vjen në idenë e artistëve për artistët. Ekspozita kolektive “Individuus Fragments” në hapje të festivalit, ka krijuar një mozaik të një rajoni që shpesh përfytyrohet si i lodhur nga historia
Një rreth i ri komunikimi mes artistëve të rinj nga Ballkani është krijuar për të ndarë përvoja me njëri-tjetrin. Për dy ditët e fundjavës së mesnëntorit, edicioni i parë i “Circle Fest” e ka shndërruar hapësirën e qendrës së kulturës alternative “Termokiss” në stacion të përkohshëm për ide që vijnë nga Beogradi, Podgorica, Herceg-Novi, Shkupi, Tirana e Prishtina, duke mbledhur në një pol të vetëm energjinë e një rajoni që zakonisht e njeh njëri-tjetrin përmes distancave. Për disa prej pjesëmarrësve, ishte vizita e parë në kryeqytetin e Kosovës.
I konceptuar si hapësirë e ndërthurjes dhe rrjetëzimit, festivali i ri “Circle Fest” mbështetet në idenë e artistëve për artistët. Organizuar nga qendra për art dhe komunitet “Artpolis”, me mbështetje të agjencisë Fondi Popullor i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), është prej festivaleve që përfshijnë çdo formë arti, duke nisur nga ekspozitat, poezitë, monodramat, filmat, koncertet muzikore, koreodramat, e deri te performancat teatrore. Të shtunën në mesditë është bërë hapja e asaj që shtrihet në dy ditët e fundjavës.
Në hapje të tij, Zana Hoxha, drejtoreshë ekzekutive e “Artpolisit”, u është drejtuar të rinjve duke i pyetur se kush prej tyre kishte ardhur në Prishtinë për herë të parë. Disa duar janë ngritur përnjëherë, duke dëshmuar në njëfarë mënyre se ky festival krijon lëvizje të reja, qoftë në rrafshin artistik, qoftë në atë gjeografik.
Siç edhe përkufizohet në konceptin e tij, festivali vjen në idenë e artistëve për artistët.
“Gjatë kësaj fundjave, do të mundohemi ta krijojmë një hapësirë ku artistët e rinj nga rajoni do të mblidhen, të krijojnë një rrjet, ta ndajnë artin e tyre dhe, më e rëndësishmja, të kenë bashkëbisedime të rëndësishme e interesante”, ka thënë Zana Hoxha në fjalimin hapës të festivalit, duke theksuar dallimin nga festivali “FemArt”, ku artistët zakonisht i drejtohen komunitetit të gjerë.
Këtë herë, fokusi është brenda vetë rrethit të krijuesve. Prej 59 aplikimeve, ekipet kuratoriale të “Artpolisit” i kanë ndarë veprat në kategori sipas përvojës, pa vendosur kufizime për mediumin apo stilin. Zgjedhja e “Termokissit” si hapësirë është bërë prej mungesës së një vendi të përhershëm.
“Ende s’e kemi finalizuar hapësirën tonë. Shpresojmë që vitin tjetër të jemi gati dhe ky festival të zhvendoset në ‘Stacionin kulturor’”, ka shtuar ajo. Deri atëherë, improvizimi vazhdon të jetë pjesë e natyrshme e kulturës alternative të Prishtinës.
Si hapje e festivalit, ekspozita kolektive “Individuus Fragments”, kuruar nga Berat Bajrami, ka ndërtuar një narrativë të copëzimeve që e karakterizojnë jetën në Ballkan. Mbi supozimin se njeriu nuk funksionon si formë e plotë e pandashme, por si shtrat fragmentesh që mbajnë kujtesë, plagë, pritshmëri e heshtje, ekspozita ka krijuar një mozaik të një rajoni që shpesh përfytyrohet si i lodhur nga historia.
“Artistët e ekspozitës ‘Individuus’ pasqyrojnë përvoja të ndryshme nga jeta e tyre. Nëpërmjet gjuhës vizuale, ata artikulojnë tensionin mes ngjarjeve të ndryshme dhe tensionin mes ngurtësimit dhe fluiditetit, formës dhe përmbajtjes. Ata zbulojnë absurditetin e roleve gjinore dhe ngurtësimin e tij në trup. Në këtë kuptim, çlirimi është fluiditet”, ka thënë kuratori Bajrami.
Në këtë rrafsh janë interpretuar edhe veprat e artistëve e artisteve nga i gjithë rajoni.
Remzije Lloga nga Maqedonia e Veriut ka sjellë figurat e saj të qeta, të pezulluara, të kapura në një gjendje mes brishtësisë dhe qëndresës. Piktura “Dy”, me figurën blu dhe pasqyrimin e saj të zbehur përballë, e vendos identitetin në një lojë dysie, ku reflektimi nuk është imitim por rivalitet i heshtur. Piktura tjetër, “E verdha”, e zhvendos këtë introspeksion në një hapësirë të rrëshqitshme.
Prej Malit të Zi, Milo Masoniçiq ka sjellë videofilmin “Kids Forever”, një ese vizuale e montuar me fragmente filmike, ku fëmijët shfaqen të braktisur, të lirë, të qeshur, të humbur, një panoramë e fëmijërisë që nuk njeh kufij kohorë a kulturorë, dhe që në prapavijë përçon një melankoli që e ndjek njeriun deri në moshë madhore.
Në kontrast prej tij, Drilona Hamiti ka zgjedhur instalacionin “The Scale of Absurdity”, ku një lugë shndërrohet në brushë, sfidë ndaj roleve të ngurtësuara të punës së grave.
Blerta Haliti, me portretin “Between Feeling and Thought”, ka krijuar një hapësirë qetësie. Sytë e figurës bartin një lodhje të butë, një kujtim që nuk shuhet, ndërmjetësim mes ndjenjës që vlon dhe mendimit që mungon.

Erjon Osmanaj me pikturën “Wake Up Dream” ndërton skena të ngjashme me ato të ëndrrave që e marrin veten shumë seriozisht, figura njerëzish e kafshësh të futur në një rrëmujë të ëmbël, të frikshme dhe të çuditshme në të njëjtën kohë.
Në pikturën “Untitled” të Lorinesa Shalës, vështrimi i vetes ndërtohet përmes syve e duarve të shumëfishta, metaforë e procesit të pranimit dhe shërimit. Ndërsa në veprat “Gravity of Silence” dhe “Eon” të Erona Krasniqit, bota shpërndahet në fragmente biologjish dhe qeniesh të imagjinuara, si dhoma të nëndheshme të vetëdijes.
Iliriana Krasniqi me pikturën “Amësia” ka sjellë një kapitull të ciklit “Threads of Resilience”, duke nderuar historitë e grave që kanë përkthyer kufizimet në jetë të mbushura me qëndresë. Edhe Ema Bakija, përmes “How the Blame Shifts”, përdor fotografinë e tipografinë për të adresuar kulturën e fajësimit të viktimave.
Një prej zërave më të drejtpërdrejtë vizualë ka qenë ai i Angela Pajkoviqit, nga Serbia, me videon “How to Build a Perfect Woman”. Këtu, artistja ndërton një skulpturë gruaje në një kuzhinë, nga copëza fjalësh, kujtimesh, mesazhesh e fotografish që i kanë bërë presion ndër vite.
“Gratë, edhe në ditët e sotme i kanë rolet e paracaktuara, se çfarë supozohet të bëjnë, të vishen, të gatuajnë. I kam marrë të gjitha këto fjalë që më kanë formësuar mua, si presionin dhe objektifikimin që kam ndier. I kam printuar të gjitha ato shkrime, fotografi të vjetra të miat, mesazhe të vjetra që më kanë lënduar dhe prej tyre e kam ndërtuar këtë ‘grua të përsosur’, që supozohet ta paraqesë rezultatin e krejt kritikave, me të cilat është përballur”, ka theksuar ajo. Skulptura, e ndërtuar prej asaj që e ka lënduar, dështon ta arrijë “përsosmërinë”, pyetje që e vë në dyshim vetë konceptin e përsosmërisë.
Në vend të teknikave monumentale, Meris Llozhani ka zgjedhur gjurmën personale. Në veprën “Last Touch”, ka printuar shallin e gjyshes së ndjerë pesë ditë pas vdekjes së saj, duke e shndërruar atë kontakt të fundit në monoprint. Në fund, Ilirida Ferataj e çon dialogun drejt teknologjisë. Në “Welcome to the Machine” dhe “Rewired”, trupi njerëzor shndërrohet në mekanizëm gjysmë-biologjik e gjysmë-mekanik.
Pjesë e ekspozitës janë edhe dy veprat e Fjolla Manit, studente e dramaturgjisë, e cila për herë të parë merr pjesë në një ekspozitë kolektive. Miniaturat “The Helver’s Night” dhe “A Night at the Hotel” bartin dy regjistra të kundërt: një tragjedi e ngjeshur në bodrum dhe një farsë e mbushur me korridore të ngushta.
“Të dyja janë të bazuara në tekste të autorëve të ndryshëm, janë për skenografinë në teatër, të punuara në miniaturë. Të dyja e kanë një mënyrë të shprehjes, e cila bazohet në atë se çka autori ka dashur të tregojë, por njëjtë të shfaqet edhe prej meje në një mënyrë pak më unike, qysh unë e kam parë edhe çka kam mundur unë të nxjerr. E nxisin një revoltë ndaj asaj që po ndodh dhe tregojnë se qysh njerëzit reagojnë në situata të ndryshme kur ndodhen në një hapësirë shumë të ngushtë”, ka thënë ajo.
Në të parën, hapësira e vogël përkthen frikën dhe izolimin në intimitet të dhimbshëm. Në të dytën, ngushtësia krijon komiken, aty ku keqkuptimet zmadhohen e njerëzit mbesin robër të rrethanave që nuk i kontrollojnë dot.
“Circle Fest” shfaq një format që synon të rizgjojë lëvizshmërinë rajonale dhe të krijojë një ekosistem ku artistët nuk shihen si konkurrentë, por si bashkideatorë. Pa skena e pritshmëri të mëdha, festivali mendohet të krijojë një model ku arti nuk kërkon të jetë i plotë, vetëm i vërtetë në fragmentet që e përbëjnë.
Gjatë ditës janë lexuar poezi nga poetë të vendeve të Ballkanit, është dhënë monodrama “No Surprises”, prodhim kosovar, pastaj filmi i shkurtër “When the Dream Kills” nga Shqipëria. Përveç tij është dhënë edhe një film i gjatë. “Elvis Starling” i regjisorit Boris Jurjaseviq ka ardhur nga Sllovenia. Për këta janë mbajtur edhe diskutime. Dita e dytë përfshin diskutime të hapura, koreodramën serbe “7” dhe performancën teatrore “La Macbeth”, të ardhur nga Maqedonia e Veriut. Të dy mbrëmjet shoqërohen edhe me koncerte, me interpretime nga artistë ballkanikë.