Shtojca për Kulturë

Apologjia e tatarëve të Krimesë

Krimea

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, të populli tatar u ripërsërit tragjedia. Nga situata e tillë filloi vala e dëbimit të tatarëve të Krimesë dhe ndryshimi artificial i përbërjes demografike të Krimesë, që është manifestuar në përndjekje politike, fetare, kulturore. Në foto: Mural i ushtarit rus në Sevastopol, tetor 2014

Historia e tatarëve e cila prezantohet në librin “Krimeja është e jona” të autorit Melek Maksudoglu – Botoi “ALSAR”, Tiranë, 2024 – është ajo e luftës së pambarim, zhvendosjeve, trajtimit të padrejtë dhe të mbijetesës së tyre, përballë politikës ruse e cila si mision kishte spastrimin etnik nga popujt josllavë. Ndërsa rrethanat politike pas aneksimit të saj nga Rusia në vitin 2014 dhe agresioni rus kundër Ukrainës (2022) është dëshmi se aspiratat pushtuese ruse në këtë regjion mbesin sfidat e gjeopolitikës evropiane, ku takimet e zhvilluara në muajt e fundit e dëshmojnë një konstatim të tillë

Siujdhesa e Krimesë gjendet në brigjet veriore të Detit të Zi, me sipërfaqe prej 27.000 kilometrash katrorë dhe me një popullsi prej 2.1 milionë banorësh. Ndonëse Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991, Rusia ka vazhduar ta trajtojë Krimenë si pjesë të saj. Tatarët janë popullsia vendase e Krimesë, dhe si pakicë në vendin e tyre po përballohen sot me një dëbim të fshehtë apo hibrid nga Rusia. Tatarët e Krimesë janë një nacionalitet ku vetëdija kolektive e të cilëve është përcaktuar nga lidhja e tyre me tokën e Krimesë dhe humbjen e saj traumatike në vitin 1944.

Tatarët me emërtimin autentik

Në aspektin historik, Krimeja ka qenë gjithmonë shtëpi e fiseve nomade të ardhur më së shumti prej lindjes së largët të Azisë Qendrore, nga del se kjo siujdhesë u bë tokë e racave migruese e pushtuese. Pothuaj të gjithë këta popuj janë marrë si turq për nga përkatësia etnike duke u bazuar kryesisht në përbashkësinë e gjuhës së tyre. Pushtimi nga ana e mongolëve në shekullin XIII nuk i shpëtoi as Krimeja.

Në lidhje me emërtimin popullor tatar, duhet cekur se ky ishte emërtim autentik i tyre, por, pas vdekjes së mbretit të tyre Xhingis Hanit u thirrën mongolë. Etnonimi Tatar është paraqitur për të parën herë përmes fiseve mongole nga shekulli VI-IX. Ndërsa në shekullin XIII me pushtimet mongolo-tatare emërtimi i tatarëve u bë i njohur edhe në Evropë, nga del se i referohet popujve mongolë.

Gjuha e tatareve të Krimesë është tatarishtja dhe u përket grupit turkik të familjes së gjuhës Altaike, dhe është një nga tre gjuhët zyrtare në Krime, ndërsa në aspektin fetarë janë të përkatësisë islame.

Tatrët e Krimesë, në mesjetë kishin një territor dhe një shtet të përcaktuar qartë, i njohur si hanati i Krimesë (1441-1783). Por, në vitin 1783 Krimeja u aneksua nga ruset të udhëhequr nga Katerina II dhe sovraniteti i Krimesë mori fund, ku rreth 300.000 tatarë u shpërngulen (1784-1790), duke u vendosur në Rumani, Bullgari e Turqi. Ndërsa vala tjetër e emigrimit të tatarëve ka ndodhur në vitin 1855, në sajë luftës së Krimesë (ruso-turke), ku vlerësohet se popullsia tatare u tkurr nga 500.000 në 200.000 frymë apo edhe më pak. Dhe nga ajo kohë fillon politika ruse e sllavizimit, që është e pranishme edhe në ditët tona. Ndonëse në të kaluarën tatarët deri në vitet 1850 ishin popullsi shumicë e siujdhesës, mbi 80 për qind përbëhej nga myslimanë tatarë, por më pas në sajë të luftërave, aneksimit dhe politikës ruse të spastrimit etnik, në vitin 1920 ata përbënin vetëm çerekun e popullsisë së rajonit (25.1 për qind

Dëbimi – etnocidi ndaj tatarëve

Me akuzën se tatarët gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë bashkëpunuar me Gjermaninë naziste, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë qenë në kuadër të Ushtrisë së Kuqe, më 18 maj 1944, autoritetet sovjetike nën Josif Stalinin dëbuan më shumë se 190.000 mijë tatarë të Krimesë nga atdheu i tyre duke i vendosur në Azinë Qendrore. Dëbimi i cili i ngjante etnocidit është kryer në trena me vagonë për bagëti, të mbyllur në kushte çnjerëzore, ku si pasojë vdiqën pothuaj gjysma e tyre nga uria dhe sëmundjet e ndryshme.

Breza tatarësh kanë përcjellë nga prindërit te fëmijët historinë e atdheut të tyre Krimesë, të tmerreve të dëbimit dhe të viteve të para të mërgimit. Kanë treguar dhe për vdekshmërinë masive të pësuar gjatë dëbimit, mërgimit të detyruar. Por, përveç tatarëve në Bashkimin Sovjetik të njëjtin fat e patën edhe gjermanët e Vollgës, çeçenët, ballkarët, ingushët, turqit meskhetianë, koreanët sovjetikë, kalmukët dhe karaçajët. Të gjithë ishin dëbuar nga vendet e tyre dhe ishin vendosur në Urale, Siberi, Kazakistan dhe Uzbekistan, më 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jeta e tyre në mjedisin e ri ishte dramë e vërtetë, me vuajtje, sëmundje, vdekje e pa të drejta gjuhësore e kombëtare ku rasti i tatarëve nga autorja prezantohet në detaje në këtë botim.

Rikthimi në atdhe

Ndonëse tatarët kanë shprehur dëshirë të rikthehen në vendin e tyre ata nga pushteti stalinist pengoheshin, por me shembjen e Bashkimit Sovjetik ia dolën të kthehen në atdheun e tyre. Bëhet me dije së në Krime pas dëbimit në vitin 1944 kanë mbetur rreth 4000 tatarë, ndërsa në vitin 1987 kishte 17.400 tatarë, por nga qershori i vitit 1991 numri u rrit në 135.000. Ndërsa nga vendet e Azisë Qendrore deri në fund të vitit 1993, në Krime janë kthyer rreth 250.000 tatarë, thuajse gjysma e popullit tatar të Krimesë.

Historia e tatarëve që shpaloset në këtë libër është ajo e luftës së pambarimtë, zhvendosjeve, trajtimit të padrejtë dhe të mbijetesës së tyre, përballë politikës ruse e cila si mision kishte spastrimin etnik nga popujt josllavë

Aneksimi i Krimesë

Viti 2014 ishte fatal për tatarët e Krimesë, sepse nga data 27 shkurt 2014, forcat ruse u vendosën në parlamentin e Krimesë, duke e marrë nën kontroll, që është data e aneksimit të Krimesë. Ushtarët rusë filluan të merrnin godinat shtetërore, aeroportët dhe shpërndanë Parlamentin Kombëtar Tatar të Krimesë.

Në sajë të regjistrimit të popullsisë nga viti 2001, grupet kryesore etnike në Krime ishin rusët (58,5 për qind), ukrainasit (24,4 për qind) dhe tatarët (12,1 për qind). Dhe një përbërje e tillë etnike dëshmon qartë se rusët e kishin të lehtë ta aneksonin Krimenë, pavarësisht aleancës së partive politike ukrainase me tatarët e Krimesë.

Referendumi i manipuluar

Por, Rusia nuk u ndal me kaq, sepse bëri propagandë të madhe dhe u përpoq të manipulojë opinionin botëror menjëherë pas aneksimit të Krimesë, sepse për të realizuar objektivat e tyre organizuan referendumin i cili është mbajtur më 16 mars 2014, ku kanë marrë pjesë në referendum 83 për qind e popullsisë, ku 96.77 për qind e popullsisë së Krimesë ishin në favor të bashkimit me Rusinë. Autoritetet e Krimesë e nënshkruan traktatin me Rusinë me 18 mars 2014. Por, në lidhje me këtë referendum, tatarët e Krimesë të cilët përbënin 14 për qind të popullsisë së përgjithshme e bojkotuan referendumin.

Në lidhje me pjesëmarrjen e qytetarëve në referendum me vonë sipas një raporti të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), del së pjesëmarrja në referendum ishte në të vërtetë 34,2 për qind e se vetëm 15 për qind e popullsisë votoi pro, por është e kotë të diskutohet çështja e tillë, sepse pushteti rus vendosi sipas objektivave të veta.

Cekim me këtë rast se fleta e votimit përmbante dy alternativa: 1. A jeni për ribashkimin e Krimesë me Rusinë si pjesë e Federatës Ruse dhe 2. A jeni për kthimin e kushtetutës së vitit 1992 dhe statusin e Krimesë si pjesë e Ukrainës.

Në lidhje me Kushtetutën e vitit 1992, Parlamenti rus ka diskutuar legjitimitetin e dhënies së Krimesë dhuratë Ukrainës në vitin 1954. Sipas kësaj kushtetute, parlamenti rus miratoi një rezolutë që e shpalli të paligjshëm transferimin e 1954-s të Krimesë dhe bëri thirrje për negociata për të ardhmen e saj. Pikërisht një qasje e tillë i ka parapri aneksimit të Krimesë, duke e trajtuar atë si pjesë të Federatës Ruse.

Tragjedia e ripërsëritur

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, të populli tatar u ripërsërit tragjedia. Nga situata e tillë filloi vala e dëbimit të tatarëve të Krimesë dhe ndryshimi artificial i përbërjes demografike të Krimesë, që është manifestuar në përndjekje politike, fetare, kulturore. Po ashtu është ndaluar veprimtaria e Kuvendit (Mexhlisit) të Popullit Tatar të Krimesë, si dhe kanë vazhduar shtypjet sistematike, imponimi i detyrueshëm i nënshtetësisë ruse, si kusht për t’u punësuar e votuar, përndjekjet dhe shkeljet e të drejtave të tatarëve, të cilët kundërshtuan agresionin e armatosur të Federatës Ruse.

Ndryshimi i demografisë

Në sajë të strategjisë politike Rusia synon të ndryshojë demografinë e Krimesë në favor të saj duke nxitur imigrimin e popullsisë nga territori rus në Krime. Me një politikë të tillë raciste Rusia i sheh tatarët e Krimesë si një popullsi e huaj, që banon në një prej tokave më të rëndësishme të saj, sepse dëshiron t’i largojë njerëzit të cilët nuk bashkëpunojnë me të dhe që janë të rreshtuar me Perëndimin.

Rusët janë vendosur masivisht në Krime, ku sipas deklarimeve zyrtare, bëhet me dije se numri i rusëve të vendosur në Krime është dyqind mijë, ndërsa sipas burime të ndryshme, ky numër është nga gjashtëqind mijë e deri një milion. Pesë muaj pasi Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, dhjetë mijë tatarë të Krimesë e lanë vendin, në sajë të presionit që kanë ushtruar rusët. Ndërsa sipas disa të dhëna nga viti 2014 deri në vitin 2020, rreth tridhjetë mijë tatarë të Krimesë janë shpërngulur dhe janë vendosur në Ukrainë.

Pas aneksimit të Krimesë nga ruset në vitin 2014, ajo është shpallur Republikë Autonome me status të veçantë e varur direkt nga Kremlini. Në lidhje mbi numrin e popullsisë tatare, autoritetet japin një shifër rreth 300.000 banorë. Por, si autoritetet ruse ashtu edhe ato ukrainase asnjëherë nuk kanë dhënë një shifër të saktë të numrit të tatarëve në Krime. Realisht numri i tyre është më i madh dhe sillet mes 500.000-600.000 banorë, të përqendruar kryesisht në zonat rurale dhe qendrore të siujdhesës dhe përbëjnë momentalisht rreth një të katërtën e popullsisë së përgjithshme e cila llogaritet se është 2.1 milionë banorë.

Përfundim

Autorja e këtij libri është pasardhëse e tatarëve të Krimesë, e lindur në Turqi dhe si brez i katërt ka jetuar në pjesën më të madhe të jetës në vende të ndryshme, por përherë ka qenë në kërkim të rrënjëve të saja. Tatarët e Krimesë, të cilët janë vendasit e siujdhesës së Krimesë, u përballën me dëbim të tmerrshëm nga viti 1944, por dekada më vonë ia dolën me guxim të kthehen në atdheun e të parëve. Historia e tatarëve e cila prezantohet në këtë botim me përkthim në shqip nga Bujar Hoxha është ajo e luftës së pambarim, zhvendosjeve, trajtimit të padrejtë dhe të mbijetesës së tyre, përballë politikës ruse e cila si mision kishte spastrimin etnik nga popujt josllavë, ku tatarët janë dëshmi autentike e qëndrimit të tyre racist. Ndërsa rrethanat politike pas aneksimit të saj nga Rusia në vitin 2014 dhe agresioni rus kundër Ukrainës (2022) është dëshmi se aspiratat pushtuese ruse në këtë regjion mbesin sfidat e gjeopolitikës evropiane, në favor të përfundimit të luftës, çështje e cila mbetet e hapur, ku takimet e zhvilluara në muajt e fundit e dëshmojnë një konstatim të tillë.