“Mishi i egër” – premierë, Teatri Shqiptar, Shkup, me autor Goran Stefanovskin nën regji të Martin Koçovskit me pjesëmarrjen e Bajrush Mjakut – është një letargji brenda së cilës zien drama e rrënimit të njeriut, e ku njëkohësisht kërkohet fuqia për një zgjim të ri. E gjitha është një refleksion mbi momentin politik në Ballkan, ku dora është shtrirë nga perëndimi e mendja është te mashtrimi. E tëra si një refleksion për një gjendje lufte që vazhdimisht kujdestaron mbi Ballkanin
“Nuk do të ndalem deri sa ta kapi për fyti lumturinë”, thotë njëri nga personazhet duke shtruar dilemën e raportit të njeriut me vetveten në kërkim të identitetit, trajtuar në shfaqjen “Mishi i egër” premierë e Teatrit Shqiptar të Maqedonisë së Veriut, me autor Goran Stefanovskin, nën regji të Martin Koçovskit.
Babai i lodhur (në interpretim dramatik të Bajrush Mjakut) ka inkasuar nga jeta përvojë që i tepron dhe duket se nuk ka se si ta implementojë te fëmijët e tij. I mbetur në karrocë invalidësh, ai shikon, vrojton dhe sheh përtej asaj që shikon duke mbledhur në vete gjithë dramën e familjes e cila në një dinamikë jete ku gjithsecili është në kërkim të diçkaje, metastazon në njëfarë kaosi ku gjithçka lëviz e askund nuk shkon. Një letargji brenda së cilës zien drama e rrënimit të njeriut e ku njëkohësisht kërkohet fuqia për një zgjim të ri. E gjitha është një refleksion mbi momentin politik në Ballkan ku dora është shtrirë nga perëndimi e mendja është te mashtrimi.
“Ata na mbajnë të frikësuar se do na e marrin edhe bukën, e ne do të fitojmë kur ta mundim frikën”. Por familja assesi nuk e gjen harmoninë andaj kryefamiljari Dimitrije (Bajrush Mjaku) i kapur nga zhgënjimi për konfliktin midis fëmijëve këlthet: “Sikur ta dija se çfarë do të bëheshit spermën e jetës suaj do ta kisha masturbuar ... e tash nuk kam aq lot sa duhet për t’ju qarë". Ndërkaq nëna (Armenis Nokshiqi) shtrëngon trupin duke ndjerë fajin e saj për mishin e egër, derisa në kaosin e të rriturve, nën tavolinë jeton një fëmijë me mungesë dashurie, e biberon në gojë.
E tëra si një refleksion për një gjendje lufte që vazhdimisht kujdestaron mbi Ballkanin përmes fotografisë familjare, aty ku ngjizet dhe bie rezultati i luftës politike, e cila përfundon në konflikt ushtarak derisa shpresa e rimëkëmbjes varet te të huajt të cilët ndërmjetësojnë për të na e marrë shpresën në trajtim.

Luftë kishte, luftë do të ketë. Kush mund të na shpëtojë nga kjo thirrje e vazhdueshme për shkatërrim?
Letërsia ka fushëbetejën në letër, piktura në pëlhurë po muzika ku është...a do të dëgjojmë përherë tinguj të luftës derisa të mësohemi ta gjejmë zërin e dashurisë si pinguinët? Koçovski sjell gruan me piano duke luajtur tinguj nga muzika e Erik Satie, e nxjerrë nga bodrumi i harresës vlerore.
Ky freskim pastaj shtron pyetjen nëse koka apo zemra shkaktojnë problemin dhe cilës duhet dhënë përparësi...zemrës apo mendjes. Goethe thotë punës. “Goethe është i juaji sa edhe i imi” i thotë gjermani nga Evropa ndërsa djali i mëhallës së dibranëve replikon me vargje të Poradecit për të konstatuar se kultura dhe arti janë vlera universale edhe pse frekuencave të këtij komunikimi ua kemi harruar (lexo prishur) kodin e marrëveshjes, pranimit e mirëkuptimit.
Ata veç tjerash po na e legjitimojnë (lexo mësojnë) homoseksualitetin për të na e rrënuar moralin e rrejshëm dhe vetëm ashtu të paqëtuar me gjithçka njerëzore fitojmë kushtin për të asocuar.
A duhet gjithsesi të rrënohet shtëpia për të rinisur diçka që të prekim lumturinë? Këto përpëlitje i thekson shfaqja dhe krejt në finale të dramës dy nga vëllezërit vdesin: njëri në burg, tjetri varet, pas këtij katarsisi babai ngrihet në këmbë, shtëpia shkatërrohet dhe përmes tingujve muzikor emocional familjarët përqafohen të çliruar nga ankthi i pritjes, një përqafim i përlotshëm që zëvendëson ujin e shterur që pastaj shkrihet në përshëndetje të aktorëve mes vete dhe me spektatorët të cilët i shpërblyen me duartrokitje të gjata. Dukej sikur të gjithë atë çast nxorën biletat për Evropë. Ide të cilën e ngjalli në mua edhe objekti i rinovuar i Teatrit Shqiptar në Shkup. Si nuk e kemi një të tillë në Kosovë.
Kur regjisura e konverton tekstin në gjuhë puro teatrore
Regjisori Martin Koçovski ka shenjat e tij të shprehjes teatrore nëpërmjet të cilave rrëfen dhe formulon mesazhin. Hiperbolizimi i veprimeve, meta-dramaticiteti si shprehje e organizuar në shumë punkte veprimi të njëkohshme herë në funksion, e herë jashtë funksioni në zbërthimin e temës, janë vula regjisoriale e Koçovskit.
Uji si metaforë, pije me e pa fund, mungesë, mëkat dhe larje, mbytje dhe pastërti, ngërç dhe esëllim nga dehja dhe dalldia, ku njeriu është esenca, tjerat janë sprovë e tij. Ai insiston në dinamikë të sforcuar, idioma që lidhin kuptime me plot shprehje meta-teatrale ku aktorët kryejnë detyra regjisoriale ndërsa me vështirësi e kapin spontanitetin e krijimit të personazhit për çka duket se regjisori nuk çan kokën. Figura dramatike dhe shpërshfaqja konfliktuoze që në fillim të shfaqjes e e Bajrush Mjakut në rolin e Dimitrijes e konsumon që në skenën e parë nevojën e zhvillimit të personazhit si proces për t’i dhënë ritmin e duhur tregimit skenik.
Megjithëse teksti i Stefanovskit si tipologji i takon dramës familjare, ku ka intimitet, Martini e zgjeron shfaqjen edhe në hapësirë fizike për të kapur kuptime të tjera metaforike të cilat paketohen skenikisht dhe japin një mesazh për njeriun dhe dilemën midis të jetuarit dhe mbijetesës.
Tavolinat, gotat, uji si rekuizita me të cilat regjisori krijon shenja skenike të realizuara nganjëherë me ngarkesë të shtuar por plot domethënie dhe në funksion të shfaqjes, ani çka që nganjëherë e kapërcejnë autorin e dramës duke e përthyer temën për të zënë të tashmen e cila po ikën duke e rivënë teatrin në funksionin dhe atunë tij për të kapur gjallërinë të tashmen dhe reflektimin mbi të.
Lëvizjen e njeriut nëpër labirintet e jetës, në kërkim të daljes për ta gjetur veten, dashurinë e cila në shfaqje vjen e ambalazhuar me tingujt e muzikës së Erik Satie. Një rrugë plot ballafaqime ngjizur me idenë e përkatësisë perëndimore, përdorimin dhe keqpërdorimin, ndërthurur me konfliktin e gjeneratave duke e dhunuar jetën dukshëm e nëndheshëm, me ligj e pa ligj. Deri te kulmi i shfaqjes skena kur i vdekuri mundohet ta shpëtojë të gjallin.
Teksti i pakuptueshëm si problem i shfaqjes
Regjisori Koçovski i kishte dhënë krahë imagjinatës ngase skena e Teatrit Shqiptar në Shkup ofronte të gjitha mundësit teknike për skena spektakulare, përveç akustikes që ishte një nga problemet e shfaqjes. Problemi esencial ishte artikulimi i tekstit që nuk kuptohej e nganjëherë as nuk dëgjohej. Nëse paqartësia ka qenë “qëllim” regjisorial për të na thënë se zëri i njeriut po zhytet në zhurmë dhe paqartësi, kjo idiomë do duhej krijuar me tjetër kod skenik. Ajo që pretendohej dhe ajo që shfaqej jo rrallë ishin në disproporcion të thënies skenike me dinamikë të sforcuar që manifestohej me aritmi e stërzgjatje.
Gjithashtu vërehej se përkthimi i tekstit nga maqedonishtja ishte i fjalëpërfjalshëm dhe ashtu kishte humbur natyrshmërinë e gjuhës shqipe po aq sa e kishte hendikepuar batutën e cila në gjuhën maqedonase kishte kuptime më të theksuar dhe më dramatike (do të thoshte Refet Abazi)
Aktrimi me paqartësi të veprimeve foljore
Bajrush Mjaku i cili ende pa bërë asnjë veprim foljor e sjell dramën në skenë dhe fjala e parë: “Do të ketë luftë”, bëhet e besueshme sepse Bajrushi ishte i investuar me gjithë përvojën skenike dhe ingranimin e tipareve të personazhit në karakterin e shfaqjes, e kishte kapur me dramaticitet të theksuar. Gjendja e tij me akumulim dramatik deri në shtangim sado e vështirë për t’u mbajtur si e tillë bëhet identitet i shfaqjes për tensionin që bart në vete, si një bombë e tempuar që spektatorin e mban në tension dhe vazhdimisht nën kërcënim shpërthyes. Personazhi të cilin e interpretonte apo më saktë vetë Bajrush Mjaku ishte nënvizim apo kryefjala e shfaqjes. Ai ishte edhe historia e kaluar edhe frika nga e ardhmja me të tashmen në udhëkryq. Bajrushi, duke qenë doajen i skenës ishte, pa dyshim, nderi i shfaqjes apo baba i saj dhe kjo shihej si nëntekst.
Armenis Nokshiqi në rolin Marijes ishte diagrami i zhvillimit të ngjarjeve që ziejnë në familjen e saj. Një personazh i ndërtuar nga dhembja e akumuluar të cilin Armenisa e interpretoi bindshëm, edhe pse me pak veprime foljore.
Edhe aktorët tjerë ishin brenda karaktereve që i jepnin intonim dramatik shfaqjes.
Xhevdet Jashari, Mentor Kurti, Sabina Memishi-Asllanaj, Arben Rasimi, Rrahim Ramadani, Genci Mrizo dhe Hetem Etemi secili kishte bërë përpjekje për të shartuar sa më mirë personazhet që si karakteristikë të përbashkët kishin ritmin dhe dinamikën edhe pse nganjëherë u ikte rrjedha duke krijuar vakum skenik, shkaku i paqartësisë në artikulimin e veprimeve foljore.
Partiturë brilante e Dritëro Ames
Dritëro Ame në rolin e Simonit sidomos në partiturën e dehjes dhe zhgënjimit kur i hedh vetes pijen që e ka brenda dhe në momentin final të shfaqjes kur mundohet ta shpëtojë vëllain nga vetëvarja, janë aksenti dhe kulmi i shfaqjes me nivel brilant të interpretimit. Duke ecur nëpër një gjendje të dehur ai na e vizaton shthurjen e njeriut, dhe na e vëmendëson këtë me vulë dramatike duke i dhënë shfaqjes një mëlmesë artistike që në raste tjera ikte në kërkim.
Pjesët tjera të produksionit që kontribuuan për shfaqjen: skenografia: Enes Deari, kostumografia: Edlira Qyshku, muzika: Oliver Josifovski, ndriçimi: Ydaver Xhemaili, Hilmi Muça dhe Edlir Osmani