Shtojca për Kulturë

Artan Hajrullahu me art çon në Bullgari përditshmërinë e së kaluarës

“Pa titull, 2013”, laps me ngjyrë në letër 19x18 cm
 

Lehtë e dallueshme është puna e artistit Artan Hajrullahu. Mediumi, mënyra e paraqitjes së veprave e materiali në të cilat i hedh ato e ka bërë tashmë të veçantë krijimtarinë e tij. Një pjesë e opusit të artistit do të shpaloset edhe në Bullgari, në galerinë “Sarieva” në qytetin Plovdiv. Janë afër 50 vepra që bëjnë bashkë rrëfime tradicionale me praktikën bashkëkohore për të prekur edhe në nostalgjinë e shoqërisë së vendit tjetër ballkanik. “A House Without Walls” e Hajrullahut me art kthen publikun pas në kohë prej 1 shtatorit kur hapet ekspozita.

Nëpërmjet pikturës e vizatimit, veprat e artistit janë dëshmuar shpesh në ekspozita në vend për mesazhet që sjellin për të kaluarën. Vjen si një lloj dokumentimi për të dhe nostalgji e ironi për atë kohë. Edhe në Bullgari, veprat e Hajrullahut e dërgojnë përditshmërinë e fëmijërisë së tij e të kohës së më vonshme. Vetë titulli i saj vjen poetik dhe me mesazh të fuqishëm. Flet për shtëpinë e sotme të zhveshur prej kujtimeve e përjetimeve të dikurshme.