Shtojca për Kulturë

“Anibari” i animimit të një gjenerate animatorësh

Larg përkufizimit të animizmit si formë e hershme e besimit fetar, animacioni si etimologji ka të bëjë me animimin a shpirtëzimin e karaktereve. Por “Anibari” nuk është veç një festival që sjell filma nga të katër anët e botës. Ai prodhon. I ka dhënë shpirt një gjenerate të re animatorësh vendorë dhe kjo është ana tjetër e tij e fuqishme. Çdo gjë nisi nga trokitja e një djaloshi në dyert e Festivalit, organizatorët reaguan duke themeluar edhe Akademinë. Akademia deri tash nxori 50 animatorë, sivjet shfaqen katër filma të tyre. Dhe historia vazhdon...

Gjashtë vjet më parë, Argjend Haxhijaj, si 13-vjeçar, veç ishte në finalizimin e animacionit që e kishte titulluar “Planeti tokë”. Nuk kishte ndjekur kurrfarë trajnimi formal për t’u marrë me animacion. Si fëmijë merrej me vizatime. Madje prindërit e tij – në shenjë stimulimi se arti është zanat që ia vlen – punimet e të birit ua shisnin familjarëve me çmime simbolike. Por Haxhijaj shpejt do të kalonte në tjetër nivel.

Karakteret e vizatimeve donte t’i shihte në aksion. Pra në animacion. Për këtë ishte interesuar që të shohë shumë ligjërata online. Kishte rënë në librin “The Animator’s Survival Kit” të Richard Williamsit, ku mësohet për bazat e animacionit. Do ta printonte këtë libër, kopje të cilën ende e ka në shtëpi. Por në prillin e vitit 2017 nuk ngopej me kaq. Pasi kishte punuar animacionin e tij, do të interesohej që të shikonte mos ekziston ndonjë kurs për të marrë më shumë mësime.

“Motra Alberina, e cila ka punuar si gazetare e kulturës, më ka treguar për ‘Anibarin’ edhe e kam marrë autobusin dhe kam shkuar e kam trokitur në dyert e Festivalit. Fillimisht kam hy në Kinema e nuk e kam gjetur askënd, më pas jam ngjitë lart në zyrat e ‘Anibarit’, ku ka qenë stafi, Petrit Gora, Vullnet Sanaja, Arba Hatashi dhe i kam pyetur se a mbajnë kurse për animacion”, rrëfen Haxhijaj tash djalosh 20-vjeçar, student i vitit të fundit për termo-energjetikë dhe energji të ripërtëritshme. E në momentin e kërkesës së tij do të bëhej kthesa e madhe e organizatës “Anibar”, që për 14 vjet organizon Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit në Pejë.

Trokitja e një kapitulli të ri

Arba Hatashi, drejtoreshë e Festivalit, momentin e takimit me Argjend Haxhijajn e përshkruan si “wake up call”. “Na tha: ‘Ju e bëni Festivalin, por ku mund të shkoj në ndonjë kurs për animacion’. Dhe, e nxori nga çanta librin që e kishte printuar”, rrëfen Hatashi. Argjend Haxhijajn do ta angazhonin menjëherë në një punëtori, që veç kishte nisur. E prej aty do të zinte fill ideja për Akademinë e Animacionit. Atashi thotë se rasti me të riun Haxhijaj ka bërë që të kuptojnë se “Anibar” veç kishte depërtuar më tej dhe njerëzit po interesoheshin për të.

“Ka nisur në Pejë më 2017 dhe ka pasur për qëllim teknikën ‘Stop Motion’. Është ligjëruar tre muaj. Studentët e parë janë njerëz që tash punojnë me ‘Anibar’”, rrëfen Hatashi. Më pas, më 2018, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës do të niste Akademia e Animacionit në hapësirat e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejmani”. E tash produktet e Akademisë veçse janë të prekshme. Por nuk bëhet fjalë veç për animacione vendore, që janë derivat i kësaj lloj shkolle, por edhe për frymën që ka sjellë bashkë me festivalin.

Sivjet te kategoria e “Animacioneve muzikore” janë tre filma nga Kosova. Bëhet fjalë për “Ninulla F” të Flaka Kokollit, “Këtu – Different Dreams” me regji të Flaka Kokollit dhe Nora Jusufit, si dhe “T’huj” nga Lorna Cekixhi dhe Joan Kamberaj. Kokolli është tutore në Akademinë e Animacionit.

Si fëmijë i interesonte shumë arti. I ati i saj do ta sillte në “Anibar” kur ishte 14 vjeçe. Do të bëhej pjesë e punëtorive e më pas do të angazhohej edhe si vullnetare.

Image
Argjend Haxhijaj në punëtoritë e “Anibarit”, në prill të vitit 2017

“Pastaj shkova në ‘Metropolitan University’ në Budapest”, rrëfen Kokolli. Në Akademinë që sivjet pret gjeneratën e shtatë të studentëve në Prishtinë, mësohen bazat e animacionit dhe gjërat me të cilat mund të bëjnë animacion dhe të jetojnë nga ky art.

“Studentët kalojnë nëpër procesin se si të bëhet një film. Mësojnë për skriptën, për dramaturgji, dizajnimin e karaktereve e më radhë. Mësojmë se si të animojnë ‘frame by frame’”, tregon Kokolli. Studentët e gjeneratës gjatë ditëve të edicionit të sivjetmë të Festivalit në Pejë janë në punëtori ku po finalizojnë dizajnin e zërit dhe postproduksionin. Në Akademi funksionojnë në grupe prej tre personash.

“Funksionojnë në grupe më në mënyrë që t’u jepet ndjenja e industrisë, në mënyrë që të dinë se do të punojnë me të tjerë e u duhet edhe të lëshojnë pe e të dëgjojnë ide të ndryshme”, tregon Kokolli. Fillimisht në Akademi nuk kishte shumë aplikime. Por më pas zëri i këtij institucioni joformal të edukimit, veç kishte nisur të jehonte.

“Aplikojnë mbi 40 veta dhe ne zakonisht i marrim 12. Tash gjeneratat janë shumë më të talentuara. Tash edhe është bërë më e lehtë qasja në teknologji. Po janë më të përgatitur e edhe produksionet po dalin shumë më të mira. Edhe ne tutorët po përmirësohemi dita-ditës, pasi jemi të rinj”, tregon Kokolli. Ajo tashmë jeton nga animacioni. Rrugëtimin e saj se si është bërë pjesë e “Anibar” si fëmijë e tregon shpesh.

Krijimi nga asgjëja

Të rinjtë e fëmijët e kanë pasur mundësinë që çdo ditë të shohin animacione për kategorinë e tyre. Të martën kanë pasur mundësinë të shohin filmin “Rrënjët” të Finesa Pejës. Ajo ishte pjesë e gjeneratës së parë të Akademisë në Prishtinë.

“Rrënjët” shtjellon historinë e asaj ndodhie natyrore. Dashuria e dy krijesave bimore bën që ato të bëhen një. Përtej kësaj edhe ngjall njëlloj simpatie të gjeneratave të reja për natyrën.

“Pipa, një krijesë e vogël bimore, po këput petalet e një luleje. Ajo duket e lumtur dhe plot jetë. Ndërsa fillon të ndjekë një flutur, ajo përplaset me një pemë dhe bie në krahët e Popit, një krijesë shkëmbore, dhe ata bien në dashuri. Ndërsa duart e tyre vijnë në kontakt, ato kthehen në një rrënjë të vetme, duke i lidhur trupat e tyre së bashku”, shkruhet në sinopsisin e filmit të shkurtër. Kështu edhe zhvillohet ngjarja. Bashkë me efektet e muzikë, “Rrënjët” është një prej treguesve se të rinjtë kosovarë janë goxha kreativë në animacione.

Peja me këtë film të animuar ka diplomuar në institucionin arsimor “Lissa” në Paris. Qysh në moshën 16-vjeçare ishte bërë pjesë e Akademisë së animacionit.

“Filmi është për një lidhje ku dy karaktere që janë shumë të lidhura në mes vete edhe nisin të ndikojnë shumë keq te njëri-tjetri. Shkojnë deri në atë pikë saqë e marrin vesh që është më mirë të jenë të ndarë sesa të jenë bashkë”, rrëfen Peja, pas një serie filmash që janë dhënë në “Kino Liqeni”. Ajo tregon se ka dëshirë që në të ardhmen të vazhdojë të punojë si regjisore e animacionit.

“Animacioni është një prej mediumeve që të jep mundësinë më të madhe të shprehjes. Krijon diçka prej asgjëje. Nuk ke kurrfarë limiti. E bën vetë karakterin, storien, skenat pa u limituar aspak nga bota reale”, ka treguar Peja.

Image
Jo pak të rinj, me “Anibarin” kanë gjetur dashurinë për filmin e animuar (Foto: Anibar/FB)

“Anibar” i bën bashkë botën reale dhe atë joreale. E ka këtë fuqi. Gjatë ditëve të festivalit pamjet e prindërve e të gjyshërve që dërgojnë fëmijët për të parë filma të animuar, janë shpresëdhënëse. Te bota joreale e “Anibarit” bëjnë pjesë ëndrrat e krijuesve, të cilët ulen pranë pajisjeve dhe nëpërmjet karaktereve e storieve të tyre dërgojnë mesazhe të ndryshme.

I japin frymë kreativitetit e stimulojnë talentet e reja. Krahas kësaj ekziston edhe një tjetër botë joreale për “Anibar”. Është ajo që e krijojnë konspiracionet e atyre që pjesën më të madhe të ditës e kalojnë kafehaneve të Pejës dhe japin mendime prej çështjeve të lagjes e deri te gjeopolitikat botërore. Fryma e tillë vërehet në ambiente të ndryshme në Pejë, sidomos sivjet shkaku i temës së këtij edicioni “Love/Dashni” e që ka në fokus komunitetin LGBTIQ+. Nëpër kafehanet e Pejës rastis të dëgjosh se, për dallim nga edicionet e kaluara, sivjet “është marre të shkohet në ndejat e festivalit, pasi aty ka shumë pjesë të komunitetit LBGTIQ+”. Ka edhe rrëfenja deri në atë pikë saqë ndodhin situata kur një shitës në koisk u tregon blerësve se “policia paska arrestuar një autobus me 50 veta që po vinin nga Shqipëria në ‘Anibar’, pasi të gjithë posedonin substanca narkotike”. Rrëfime të pakonfirmuara e trillime edhe mund t’u hyjnë në punë animatorëve ndonjë ditë kur trajtojnë tema me thashethemnaja të atyre që bëjnë xhiro me lugë kafeje në gojë. Por “Anibari” është tjetër. Së paku ky është misioni i tij.

Vendi i lirisë

Në katër kinema shfaqen filma në 9 kategori, prej tyre 7 garuese. Rrëfimet janë të shumta. Prekin tema të ndryshme, prej të drejtave të njeriut e deri të çështjet e natyrës. Peja frymon ndryshe këto ditë. Mysafirët e festivalit i japin tjetër sharm, por edhe mësojnë më shumë për qytetin perëndimor të Kosovës. Hapësirat që shfrytëzohen nga festivali janë të gjalla, përderisa ndejat sjellin melodi e muzikë nga vende të ndryshme të botës. Aty mysafirët edhe mësojnë më shumë për muzikën shqiptare, si rasti i koncertit të Edona Reshitajt të premten mbrëma, kur i ka kënduar disa nga perlat e muzikës së lehtë. “Anibar” nuk e ka ndërmend të ndalet. Përkundrazi.

“Prej atëherë kur kemi nisur me Akademinë, fillimisht në Pejë e më pas në Prishtinë, më shumë se 50 studentë e kanë përfunduar. Programi vazhdon të jetë pa pagesë. Ne besojmë se edukimi duhet të jetë pa pagesë. Tash ata që e kanë përfunduar kanë kompani të vetat, bëjnë punë brenda e jashtë Kosovës. Kurse rreth 20 për qind prej tyre i kanë vazhduar studimet në animacion jashtë vendit. Pavarësisht kushteve që kemi, ne po u japim shumë që të punojnë. Besojmë shumë të potenciali i tyre dhe besojmë se animacioni ka të ardhme në Kosovë”, rrëfen Arba Hatashi.

Image
Njëra nga punëtoritë e edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar” (Foto: Anibar/FB)

E Argjend Haxhijaj është shembull për këtë. I riu që ka bërë hapin vendimtar që “Anibar” të ketë edhe Akademi, tash krahas studimeve punon për alamet kompanie. Si video-editor merret me projekte gjithandej botës e më së shumti me animacione të ueb-faqeve “UI/UX design”.

“Prej kontaktit të parë me ‘Anibarin’ kam arritur që të përfshihem më shumë në botën e animacionit. ‘Anibari’ më ka mundësuar që të njoh animatorë të shkëlqyeshëm nga e gjithë bota dhe të mësoj për prurjet e teknikat e fundit në këtë fushë”, tregon Haxhijaj, që tash ditëve të festivalit është pjesë e tij. Ka treguar se njohuritë fillestare i ka marrë nga ueb-faqet në internet dhe pamundësinë që të dalë jashtë Kosovës për të marrë njohuri shkaku i vizave ia ka zgjidhur “Anibari”.

“’Anibari’ e ka mbushur këtë boshllëk. Ma ka mundësuar që të takoj ligjërues e animatorë fantastikë, si: Mari Jaye Blanchard, Ivana Boshnjak, Thomas Johnson e Andy London”, tregon Haxhijaj. Është asi tipi kreativ që përton të flasë e sidomos për veten.

“Anibarin” e ka përshkruar si vend ku është zhvilluar dhe ka marrë krah dashuria e tij për animacionin, si vendi ku ka takuar njerëz që ndajnë të njëjtën dashuri për këtë fushë të artit vizual.

“Aty jam ndier i lirë për ta shprehur imagjinatën time dhe për të shfaqur atë që më pëlqen dhe e kam për zemër. Është me shumë sesa akademi e festival, është një strehë ku mundesh të jesh vetvetja”, thotë ai.

E “Anibar” e bën këtë luftë dhe fton të gjithë që të vrapojnë pas dashurisë që kanë për njerëzit e fushat e ndryshme dhe u jep zemër atyre që duan të jenë vetvetja. Sidomos këtë sivjet e bën me zë të lartë nëpërmjet temës “Love | Dashni”.