Arbëri

Shtohet numri i të huajve që duan ta studiojnë gjuhën shqipe

Kohën e fundit mësimi i gjuhës shqipe nga ata jo shqipfolës është trend në rritje.

Studiues i gjuhës, njëherësh edhe profesor, Bardh Rugova në “Rubikon” të KTV-së theksoi se mësimi i shqipes bëhet nga nevoja dhe shumë rrallë për përdorim të përditshëm.

“Kanë qenë shumë më të rrallë ata që e kanë mësuar për përdorim të përditshëm, kjo është duke ndryshuar nga pak. Në seminarin e parë që kam marrë pjesë menjëherë në vitin 2001, kur isha sekretar i atij seminari, kishte më pak pjesëmarrës dhe një pjesë e madhe e atij grupit të vogël ishin që donin ta mësonin gjuhën shqipe sepse do të vinin për të punuar këtu apo qoftë se ishin martuar në ndërkohë”, ka thënë Rugova.

“Është rritur numri i njerëzve që duan ta studiojnë gjuhën shqipe”, thënë ai.

Në krah të tij, studiuesi e profesori i gjuhës por edhe gazetarisë, Rrahman Paçarizi tha se kjo rritje vjen nga ata që e mësojnë shqipen për nevoja studimore.

“Interesimi apo rritja e trendit të atyre që vijnë për ta mësuar gjuhën shqipe për nevoja studimor, të njerëzve që vijnë edhe në mënyrë të organizuar nga universitet vjen pikërisht si rezultat i punës e seminarit, ata kanë përgatitur studentë dhe pastaj kanë hapur departamente të gjuhës shqipe”, ka thënë Paçarizi.