Arbëri

Shkrirja e borës ekspozon gropat në rrugët e kryeqytetit

Me t’u shkrirë bora, në rrugët e kryeqytetit kanë dalë në pah gropat.

Që nga qendra e deri në pjesët më periferike pothuajse në çdo lagje ka rrugë të mbushura me gropa, bën të ditur emisioni “038” i KTV-së.

E tillë është rruga “Qamil Hoxha”, që lidh sheshin kryesor me rrugën “Agim Ramadani”.

Gropat nuk mungojnë as në rrugët “Kosta Novakoviq” dhe “Robert Doll”, që janë mjaft të frekuentuara.

Gjendje më e mirë nuk është as në tunelin nën kurriz, apo ndryshe rrugën “Idriz Gjilani” në lagjen Dardania.

Shkrirja e borës ka ekspozuar gropat edhe në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Bregu i Diellit.

Rrugë mjaft të dëmtuara janë edhe ato “Bedri Shala” e “Norbert Jokl”.

Gropat nuk mungojnë as në pjesë e rrugë tjera të kryeqytetit.

Në komunë thonë se ata kanë një kontratë për sanimin e gropave dhe se tashmë veç ka filluar mbyllja e tyre.

Por, sipas tyre, deri në përmirësimin e kohës, mbyllja do të jetë e përkohshme.

Sipas Tahirit, me këtë kontratë ata do të vazhdojnë mbylljen e gropave kudo që evidentojnë të tilla.