Një prej emrave më të mëdhenj të muzikës reggae në Nigeri, Majek Fashek, ka vdekur në moshën 57-vjeçare.
Menaxheri i tij, Omenka Uzoma, e konfirmoi lajmin për kanalin BBC duke thënë: “Është e vërtetë, legjenda e muzikës reggae ka ikur të takohet me Zotin. Dua t’iu them që të gjithë ne duhet ta festojmë jetën dhe arritjet e tij. Majek ka bërë shumë për Nigerinë.”
Fashek, emri i plotë i së cilit ishte Majekodunmi Fasheke, vdiq në gjumë të hënën në New York City pas betejës me një sëmundje të paspecifikuar, transmeton Koha.
Këngëtari i cili fillimisht në skenë kishte debutuar me emrin Rajesh Kanal, e nisi karrierën muzikore si pjesë e treshes “Jastix” para se ta lansonte hitin e parë si solo këngëtarë në vitin 1988, me titull “Send Down The Rain”. Më vonë ai e kishte publikuar edhe albumin “Prisoner Of Conscience”.
Pasi u bë muzikanti i parë afrikan që ka nënshkruar kontratë incizuese me studion “Interscope Records” në vitin 1990, Fashek i lansoi edhe dy albume të suksesshme, “So Long Too Long” dhe “Spirit Of Love”. Kështu ai arriti të krijojë famë edhe përtej kufijve të Afrikës.
Fashek gjatë karrierës së tij muzikore ka bashkëpunuar me disa muzikant të njohur të tillë si, legjenda e muzikës reggae nga Jamaica, Jimmy Cliff, këngëtarja amerikane Tracy Chapman dhe reperi Snoop Dogg.
Edhe
Vdes këngëtari i muzikës reggae, Johnny Nash
Në vitin 2015, u raportua se Fashek është deklaruar i falimentuar dhe është regjistruar në një qendër rehabilituese në kryeqytetin e Nigerisë, Abuja. Më vonë ai e kishte marrë veten dhe i është rikthyer muzikës.
Në shtator të vitit të kaluar, këngëtari u dërgua në gjendje kritike në një spital të Londrës, çka bëri të qarkullonin thashethemet për vdekjen e tij. Majek Fashek ka lënë pas katër fëmijë me ish-bashkëshorten, Rita Fashek.