Yaphet Kotto, aktori afro-amerikan i njohur më së shumti për rolet e paharrueshme në “Alien” dhe në filmin e tipit 007, “Live and Let Die”, ashtu sikundër edhe në serialin televiziv “Homicide: Life on the Street”, ka vdekur në moshën 81-vjeçare në Filipine.
Lajmi është kumtuar në një postim në Facebook nga bashkëshortja e Kottos, Tessie Sinahon, e cila shkroi: “Ju e luajtët keqbërësin në disa prej filmave të tu, por për mua ti je heroi i njëmendtë ashtu si edhe për njerëz të tjerë. Një njeri i mirë, një baba i mirë, bashkëshort i mirë dhe një qenie e ndershme njerëzore, shumë i rrallë për t’u ndeshur…Pushofsh në paqe, shpirt, do të më mungosh secilën ditë…”. Shkaqet e vdekjes nuk janë bërë të ditura.
Kotto kishte thënë se frymëzimin për t’u bërë aktor e kishte marrë teksa si tinejxher shikonte Marlon Brandon në “On the Waterfront”, dhe Sidney Poitierin në “The Defiant Ones”, që u realizua më 1958: “Të qëndroje në ekran sikur ky zezaku i gjatë dhe thashë me vete ‘Unë mund të jem si ai’”.
Kotto mori rolin e parë si punëtor hekurudhe në filmin pionier të Michael Roemerit “Nothing But a Man”, por ngurrimi i kinemave amerikane për ta shfaqur nënkuptonte që nuk do ta kishte bujën e pritur. Një tjetër rol i vogël në filmin e suksesshëm të Steve McQueenit, “The Thomas Crown Affair” më 1968 i dha edhe më shumë dukshmëri, ashtu siç bëri roli mbështetës në filmin e fundit të veteranit hollywoodian William Wyler, “The Liberation of LB Jones”, në të cilin karakteri i Kottos qëllon për vdekje një polic të bardhë gjatë një akti brutal të hakmarrjes – sipas vetë Kottos, “askush nuk kishte parë deri atëherë në ekran një zezak të qëllonte një njeri të bardhë”.
Më 1969, Kotto mori rolin kryesor të boksierit Jack Jefferson, në “The Great White Hope”, një kronikë lehtësisht e fiksionalizuar e bokserit Jack Johnson.
Edhe
Ka vdekur në moshën 18-vjeçare aktorja e filmave “Godzilla”, Kaylee Hottle
Pasi dëshmoi aftësinë e vet, Kottos iu dha roli i parë kryesor në thrillerin satirik “Bone”. Aty ai luan një plaçkitës i cili merret si një punëtor nga një çift i martuar, dhe që më vonë ngarkohet nga gruaja për të vrarë tët shoq. Ai pastaj vijoi të luante një polic në ndjekje të gangsterëve në thrillerin “Across 110th Street”, para se të merrte rolin e keqbërësit kryesor në “Live and Let Die”, në të cilin u shënua e para performancë e Roger Mooreit si 007.
“Live and Let Die”, i realizuar më 1973, kërkonte që Kotto të luante dy role: kryezotin e krimit në Harlem Mr. Big, që në fakt është alter egoja e fshehur e Dr. Kananga, prijës i ishullit fiktiv karribean të San Monikut. Kotto e konsideroi rolin si një tjetër përçapje pioniere, për të cilin më vonë tha: “’Live and Let Die’ ishte hera e parë kur u pa që një zezak ia kalonte James Bondit. Ne nuk kishim parë kurrë një zezak të vihej në ndjekje të një të bardhi në ekran. Ai qe hero”.
Paskëtaj, Kotto punoi pareshtur: filmat e tij të mirënjohur përfshijnë “Truck Turner”, filmi televiziv “Raid on Entebbe”, në të cilin performance e tij si Idi Amini u nominua për çmimet “Emmy”, si dhe “Blue Collar”.
Kotto më pas u hodh në rolin e tij më kohëgjatë në botën e filmit: atë të Parkerit, inxhinieri kryesor, në horrorin e Ridley Scottit, “Alien”.
Në vitet ’80, performancat e tij në profile të larta ishin ca role në “The Running Man” dhe “Midnight Run”. Tutje, ai ra në ujdi që të merrte një rol në serialin “Homicide: Life on the Street”. Kotto mori pjesë në shtatë seritë e “Homicide”, që u shfaq mes viteve 1993 deri më 1999.
Edhe
Theret për vdekje aktori i filmit “Top Gun”, James Handy
Praktikisht, Kotto u tërhoq nga aktrimi kah mesi i viteve ’90, ani pse pati rolin e fundit në komedinë e vitit 2008, “Witless Protection”. Më 1999, botoi autobiografinë e tij “The Royalty: A Spiritual Awakening”, në të cilin ai thoshte se i ati i tij, Avraham Kotto, ishte me prejardhje nga një klan mbretëror kamerunian, dhe se ai ishte i prejardhur nga Edwardi VII. Kotto kishte thënë se i ati i tij ishte hebre, dhe se ai “mpiksi judaizmin” brenda tij.
Përktheu: Salih Mehmeti