Showbiz

Vdiq në moshën 89-vjeçare aktori Joe Don Baker

Baker bashkë me aktorin Pierce Brosnan në filmin “Goldeneye” të franshizës “James Bond” në vitin 1997

Baker bashkë me aktorin Pierce Brosnan në filmin “Goldeneye” të franshizës “James Bond” në vitin 1997

Joe Don Baker, aktori i njohur për rolet e tij në tre filma të sagës “James Bond”, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare më 7 maj, ka raportuar The Guardian.

Baker u shfaq për herë të parë në filmat për agjentin 007 në vitin 1987 në filmin "The Living Daylights", ku luajti rolin e antagonistit, tregtarit të armëve Brad Whitaker. Ai u rikthye në dy filma të tjerë si aleat i Bondit, duke interpretuar agjentin e CIA-s Jack Wade në "GoldenEye" (1995) dhe më pas në "Tomorrow Never Dies" (1997), përkrah aktorëve Timothy Dalton dhe Pierce Brosnan.

“Kureshtja e tij intelektuale e bëri një lexues të pangopur, duke i ushqyer një dashuri të madhe për natyrën dhe kafshët, veçanërisht për macet. Gjatë jetës, Joe Don preku shumë njerëz me ngrohtësinë dhe dhembshurinë e tij, duke lënë gjurmë të paharrueshme te kushdo që pati fatin ta njihte. Teksa i themi lamtumirë Joe Donit, ruajmë kujtimet dhe dashurinë që na dhuroi. Edhe pse nuk është më fizikisht me ne, shpirti i tij do të mbetet gjithmonë një dritë udhëzuese për të gjithë ata që u preku zemrat. Pusho në paqe, Joe Don. Do të na mungosh shumë, por kurrë nuk do të harrohesh”, thuhet në deklaratën e familjes së aktorit.

Baker u bë i njohur në vitin 1973 me filmin aksion "Walking Tall", ku portretizoi Sherifin Buford Pusser, një figurë që luftoi krimin në qytetin e tij në Tenesi.

Ai shpjegoi ndikimin e këtij filmi në publikun amerikan të asaj kohe.

“Në ato ditë të viteve ‘70, mendoj se shumë njerëz donin t’i jepnin një goditje (Richard) Nixonit dhe gjithë atyre të përfshirë në Watergate. Filmi preku një nerv të fortë te njerëzit që donin të hakmerreshin ndaj të këqijve, por nuk kishin fuqinë ose do të futeshin në telashe. Buford mund ta bënte këtë dhe ia doli”, pati thënë ai në vitet ’90.

Në vitin 1985, ai mori një nominim për çmimin BAFTA për rolin e tij në serialin britanik "Edge of Darkness". Gjatë karrierës prej afro 50 vjetësh, Baker u shfaq gjithashtu në filma të njohur si "Fletch" me Chevy Chase, "Cape Fear" nga regjisori Martin Scorsese dhe komedinë fantastiko-shkencore "Mars Attacks!" nga regjisori Tim Burton.

Joe Don Baker nuk pati fëmijë, por ishte i martuar me Maria Dolores Rivero-Torres nga viti 1969 deri më 1980.